Tension dhe kontroll, Shkupi blindohet nga policia


SHKUP- Tensione dhe forca të shumta policore ne Shkup. Tërë kryeqyteti ka qenë gjatë tërë natës i blinduar nga forcat speciale policore dhe patrullat e rregullta, që kanë qarkulluar për të ruajtur rendin dhe qetësinë, pas demonstratës së dhunshme të organizuar nga qindra protestues maqedonas nëpër rrugët e Shkupit.

Policia ka kontrolluar lëvizjen e makinave në akset hyrëse. Gjatë protestës së zhvilluar mbrëmë janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe në terren janë parë ekipet e ndërmarrjes për Pastrim të Shkupit, për të pastruar rrugët me gurë, xhama e materiale tjera, nga demtimet që i`u bënë disa makinave dhe dyqaneve.

Forcat policore më të perqendruara kanë qenë pranë Qeverisë dhe objekteve të tjera shtetërore, si dhe në akset që lidhin pjesën qendrore me lagjet shqiptare.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, mbrëmë ka pasur takime dhe komunikime intensive midis diplomatëve evroperëndimor dhe autoriteteve shtetërore të Shkupit, për të vënë nën kontroll situatën e sigurisë. Për dallim nga netët e tjera, mbrëmë nuk janë regjistruar bllokada totale të rrugëve në lagjet Draçevë dhe Radishan.

Për sot janë paralajmëruar takime intensive dhe mbledhje e kreut të ngushtë qeveritar për të vlerësuar gjendjen e krijuar. Shtabi emergjent i MPB-së për ndriçimin e vrasjes në Smilkovc vazhdon të qëndrojë i stacionuar në stacionin policor Gazi Babë në Shkup. (INA)

Leave a comment