SHQIPËRIA MIDIS BIZANTIT DHE PERËNDIMIT

K R E U     II

SHQIPËRIA MIDIS BIZANTIT DHE PERËNDIMIT
(SHEK. XI – XIV)

1. NORMANËT NË SHQIPËRI

Shqipëria në luftërat e Komnenëve me normanët e Italisë
Shekulli XI solli ndryshime thelbësore në strukturën e brendshme ekonomiko-shoqërore të Perandorisë Bizantine si dhe në marrëdhëniet e saj me botën e jashtme. Hipja në fron e perandorit Aleksi I Komneni (1081-1118), shënon ardhjen në fuqi të aristokracisë ushtarake. Fillon epoka e artë e feudalizmit ushtarak, që karakterizohet nga ekspansioni i pronës ushtarake të kushtëzuar (pronies) dhe që në Shqipëri u shfaq me ngritjen e një sërë familjesh shqiptare, pjesëtarë të të cilave fitojnë prona, tituj dhe funksione të larta nga pushteti qendror.
Në planin e jashtëm, Perandoria Bizantine merr një orientim të qartë perëndimor që do të ruhet përgjatë gjithë sundimit të dinastisë Komnene (1081-1185). Më 1071 Bizanti humbi kështjellën e tij të fundit në Italinë e Jugut, Barin. Nga ai çast, kundër territoreve bizantine filluan sulmet e paprera të normanëve dhe të kryqtarëve perëndimorë. Kjo dinamikë e re në marrëdhëniet Lindje-Perëndim i vendosi trevat shqiptare në qendër të ngjarjeve. Ato përbënin tashmë kufirin skajor perëndimor të Bizantit, ndërkohë që për fuqitë e reja të perëndimit Shqipëria, me portet dhe me rrugët gjatësore të saj, ku vazhdonte të shquhej Rruga e vjetër Mbretërore (Egnatia), ishte ura ideale që bënte të mundur avancimin e ushtrive pushtuese drejt Konstandinopojës. Për rrjedhojë, trevat shqiptare u bënë vendi i përplasjeve të mëdha ushtarake, kulturore e fetare, që ndikuan së tepërmi zhvillimin historik të tyre.
Pas pushtimit të Barit, më 1071, Robert Guiskardi arriti të bashkojë të gjitha zotërimet e princërve normanë të Italisë së jugut dhe krijoi një mbretëri të fuqishme, që menjëherë i hodhi sytë në anën tjetër të Adriatikut. Në pranverën e vitit 1081, një ushtri e madhe normane u nis nga portet e Brindizit e të Otrantos nën drejtimin e vetë Guiskardit dhe të djalit të tij, Boemundit. Ky i fundit me një pjesë të flotës zbarkoi në brigjet e Vlorës dhe, brenda një kohe të shkurtër, pushtoi këtë qytet dhe qendrat e rëndësishme strategjike të Kaninës e të Jerikos (Orikumit). Pjesa kryesore e ushtrisë normane, nën drejtimin e Robert Guiskardit, zbarkoi më në jug, në zonën e Butrintit. Atë e bir iu drejtuan Durrësit, i pari nëpërmjet detit, kurse i dyti me anë të një marshimi në rrugë tokësore. Një furtunë e befasoi Guiskardin në Kepin e Gjuhës, duke mbytur pjesën më të madhe të flotës normane. Mbeturinat e ushtrisë së tij arritën të bashkohen me forcat e Boemundit në Glavinicë (Ballsh), ku mbërritën dhe përforcime të reja nga Italia. Pasi pushtuan krejt “fushën e Ilirikut” në qershor 1081 ushtritë normane arritën të mbyllin rrethimin e Durrësit.
Perandori bizantin, Aleksi I Komnen, me çdo mënyrë kërkoi të shmangë pushtimin e qytetit kryesor të Adriatikut, që hapte rrugën drejt Selanikut e Konstandinopojës. Ai dërgoi si komandant të qytetit të afërmin e tij, Gjergj Paleologun. Me qëllim që të ndërpriste komunikimin e forcave të Robert Guiskardit me brigjet e Apulisë, Komneni lidhi një aleancë me Venedikun, i cili vuri në dispozicion të perandorit bizantin flotën e tij të fuqishme, kundrejt njohjes së privilegjeve tregtare në territoret e Perandorisë Bizantine. Kjo marrëveshje, që u përtëri disa herë në vitet e mëvonshme, vendosi bazat e hegjemonisë së Venedikut në detet e në tregjet bizantine.
Si rezultat i bashkëpunimit midis ushtrisë kryesore bizantine të dislokuar në lindje të Durrësit, garnizonit të qytetit nën gjeneralin Gjergj Paleologu dhe flotës veneciane në ujërat e Durrësit, normanët pësuan disa disfata, në tokë e në det. Por në një betejë vendimtare jashtë mureve të Durrësit, ku mori pjesë vetë perandori bizantin Aleks Komnen, normanët korrën një fitore të madhe. Në këtë betejë bizantinëve u mungoi ndihma e princit Bodin të Dioklesë, aleat i tyre, i cili në momentin e fundit refuzoi të përfshinte trupat e tij në betejë. Aleksi I bashkë me mbeturinat e ushtrisë së tij u tërhoq nëpër luginën e Erzenit, në qafën e Kërrabës e grykën e Shkumbinit dhe mbërriti në Ohër.
Ndërkohë normanët e Robert Guiskardit iu kthyen qytetit të Durrësit, të mbetur pa mbështetje nga jashtë. Komandanti Gjergj Paleologu, që kishte marrë pjesë në betejën e fundit, nuk kishte mundur të rifutej në qytet dhe qe larguar bashkë me perandorin. Në këtë mënyrë ky i fundit ia besoi mbrojtjen e Durrësit komandantit të trupave të Arbrit. Kronistja bizantine, Ana Komnena, e cila njëherësh ishte vajza e perandorit Aleks Komneni dhe që i përshkruan me hollësi ngjarjet në fjalë, sqaron se prijësi shqiptar kishte titullin e lartë të komiskortit. Me gjithë qëndresën e durrsakëve, qyteti u mor nga normanët në prag të dimrit. Tregtarë nga qyteti i Amalfit e i Venedikut, që banonin në Durrës, ua hapën tradhtisht portat e qytetit normanëve.
Pas rënies së Durrësit ushtritë normane u lëshuan drejt lindjes dhe në pak kohë zunë trevat e Dibrës, Pologut e të Devollit. Por në pranverë të vitit 1082 Robert Guiskardi u detyrua të kthehej në Itali, ku kishin shpërthyer revolta të princërve normanë, të nxitura edhe nga Aleksi I Komneni. Djali i Guiskardit, Boemundi, nuk mundi t`i mbajë për shumë kohë pozicionet e fituara. Nën goditjet e ushtrisë së rimëkëmbur bizantine dhe të popullsive vendase, normanët filluan tërheqjen. Më 1084 bizantinët, të ndihmuar nga banorët e vendit, rimorën Durrësin. Po atë vit Robert Guiskardi vdiq në zotërimet e tij në Itali dhe trupat e fundit normane u tërhoqën nga Shqipëria.
Deri në fund të sundimit të perandorit Aleksi I Komnen, më 1118, brigjet shqiptare u prekën edhe dy herë të tjera nga ushtri të ardhura nga perëndimi. Më 1096 në portet e Durrësit, Vlorës e të Butrintit zbarkuan ushtritë e Kryqëzatës së parë, të drejtuara nga sovranë e princër të ndryshëm të Evropës. Midis tyre ishte dhe Roberti i Flandrës dhe vetë Boemundi, sundimtari norman i Italisë së Jugut. Një tjetër grupim kryqtarësh, nën komandën e Rajmondit të Tuluzës, mbërriti në Durrës në rrugë tokësore, nëpërmjet Dalmacisë e Dioklesë. Në Diokle, kryqtarët ishin pritur “miqësisht” nga princi Bodin, i cili tashmë ishte në luftë të hapur me pushtetin bizantin. Mbërritja e luftëtarëve perëndimorë në trevat, që vite më parë kishin qenë fushëbetejë mes normanëve e bizantinëve, e shqetësoi së tepërmi Aleks Komnenin. Ai i porositi komandantët e tij të Durrësit, Vlorës e të viseve të tjera që të ndiqnin me vëmendje lëvizjet e kryqtarëve dhe të parandalonin çdo përpjekje të tyre për të sulmuar e plaçkitur territorin bizantin. Megjithatë, Aleks Komneni iu shmang një përplasjeje të drejtpërdrejtë me ta dhe bëri gjithçka për të përshpejtuar largimin e kryqtarëve drejt lindjes. Ana Komnena dhe historianë perëndimorë, që shoqëruan kryqëzatën e parë, tregojnë se kryqtarët e lodhur e të rraskapitur nga lundrimi në Adriatik, gjetën në tregjet e panairet e begata të Durrësit, Glavinicës e të Adrianopojës (Gjirokastër) prehjen dhe furnizimet e nevojshme për të vazhduar marshimin e tyre drejt vendeve të shenjta.
Megjithatë kontradiktat midis perandorit bizantin dhe prijësve të kryqëzatave, sidomos pasi këta krijuan principatat e tyre në lindje, erdhën e u ashpërsuan derisa përfunduan në përleshje midis ushtrive të krishtera. Veçanërisht të mprehta qenë përplasjet e Aleks Komnenit me armikun e tij të vjetër, Boemundin, që kishte ngritur në Siri një principatë normane me qendër në Antioke. Në pamundësi për të përballuar perandorin bizantin në principatën e largët të Lindjes, më 1107 Boemundi u kthye në Itali dhe filloi përgatitjet për një invazion të ri të territorit bizantin.
Flota e madhe normane zbarkoi po atë vit në viset e Vlorës, nga ku ushtritë e Boemundit iu drejtuan nëpër tokë Durrësit. Qyteti mundi t`u qëndrojë përpjekjeve të përsëritura të normanëve, të cilët përdorën të gjitha mjetet dhe teknikat e kohës për pushtimin e tij. Pa e hequr rrethimin e qytetit, Boemundi vazhdoi marshimin e tij drejt Lindjes. Perandori Aleks Komneni u përpoq të ndalte përparimin e ushtrive normane duke bllokuar vendkalimet që çonin drejt Ohrit e Dibrës. Krahina e Arbrit, e papushtueshme për nga pozicioni strategjik e sistemet e fortifikuara të saj, u bë teatri kryesor i veprimeve luftarake. Drejtimin e tyre perandor Aleksi ua besoi komandantëve të shquar vendas, ndër të cilët shquheshin Aleksandër Kabashi (Kabasilla) e Eustath Kamizi. Vetë ai, me forca të shumta ishte pozicionuar më në thellësi, në zonën e Ohrit, Devollit e të Kolonjës, nga ku mbështeste njerëzit e tij të angazhuar në luftimet me normanët në Arbër, Vlorë e në Glavinicë. Pas disa muaj luftimesh rraskapitëse, ushtria normane, e bllokuar në Ultësirën Perëndimore, u detyrua të heqë dorë e të kthehet në Itali. Boemundi nënshkroi në kampin e perandorit bizantin në Kolonjë një marrëveshje poshtëruese për të, sipas së cilës ai hiqte dorë nga çdo sulm kundër territorit bizantin, prej zotërimeve të tij në Itali e në Siri (Antioke), si dhe e njihte veten si vasal të Aleksandrit I Komnen.
Nën sundimin e djemve të Aleksit I, Johanit II (1118-1143) e Manuelit I Komnen (1143-1180), normanët dhe bizantinët bënë secili nga një përpjekje për të kapërcyer Adriatikun. Më 1149 mbreti Ruxheri II i Sicilisë pushtoi Korfuzin dhe prej andej, pasi zbarkoi në sterenë e Epirit, vazhdoi në drejtim të Tebës e të Korintit. Por normanët u detyruan të tërhiqen shpejt nga këto qytete, qendra të industrisë së mëndafshit dhe çuan në Palermo, kryeqytet i mbretërisë së tyre, teknologjinë e prodhimit të mëndafshit. Perandor Manueli I Komeni ishte i pari sovran bizantin që imitoi Justinianin duke tentuar pushtimin e Italisë. Më 1155 një flotë bizantine e nisur nga portet shqiptare pushtoi qytetin e Ankonës. Në pak kohë bizantinët kapën gjithë vijën bregdetare nga Ankona në Taranto. Por menjëherë perandori bizantin u ndodh përballë një koalicioni fuqish armike, të drejtuara nga mbreti norman Guljelmi I. Edhe Venediku, aleati i vjetër i Bizantit, u rreshtua kundër tij. Shumë shpejt trupat bizantine u larguan nga trevat italiane të pushtuara prej tyre.
Në vitin 1185 mbreti Guljelmi I bëri përpjekjen e fundit të dinastisë normane të Italisë për të pushtuar territorin bizantin. Ky zbarkim i ri norman u parapri nga një revoltë e banorëve të viseve të Vagenetisë (Çamëri) kundër pushtetit të perandorit Androniku I Komneni (1182-1185). Me një shpejtësi të pazakontë ushtritë normane pushtuan Durrësin, strategu i të cilit, Jan Vrana, parapëlqeu të dorëzohej. Pas Durrësit ushtritë normane u derdhën nëpër Rrugën Mbretërore (Egnatia) dhe mbërritën para qytetit të Selanikut. Garnizoni i kështjellës, i përbërë prej luftëtarësh nga Kunavija e Arbrit ua dorëzoi qytetin perëndimorëve. Por kësaj radhe, normanët nuk arritën të konsolidojnë fitoret e tyre. Më shumë se për meritë të ushtrisë bizantine, ata u tërhoqën për shkak të dobësive të organizimit e të furnizimeve në vende aq të largëta nga bazat e tyre. Gjithsesi, Durrësi e disa ishuj të Jonit mbetën edhe për disa kohë në zotërim të normanëve. Me vdekjen e Guljelmit I në krye të Mbretërisë së Sicilisë erdhi sovrani gjerman Henriku VI, që inauguroi sundimin e dinastisë Hohenshtaufen në Italinë e Jugut. Sovranët e rinj, bashkë me mbretërinë, trashëguan nga paraardhësit e tyre normanë politikën e pushtimeve lindore. Jo më kot mbreti Henriku VI Hohenshtaufen, sipas kronistit bizantin Niketa Konjati, e konsideronte veten “ zot të tokave që shtrihen nga Durrësi në Selanik”.

2. JETA POLITIKE NË SHQIPËRI NË SHEK. XII-XIII

Principata e Arbrit
Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë dhe me kryqëzatat në shek. XI-XII, nxori në plan të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi. Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë shqiptare, duke e joshur atë me privilegje e tituj deri dhe me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën bizantine. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XI në burimet historike përmenden familje fisnike shqiptare, si Skurra, Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona, që mbanin tituj të lartë bizantinë. Veçanërisht në shek. XII, shumë i përhapur ishte titulli sebast, që lidhet me periudhën e sundimit të dinastisë Komnene e posaçërisht me atë të Manuelit I (1147-1181). Luftërat e këtij perandori sa në Itali aq edhe në Ballkan, kryesisht kundër serbëve të Rashës, e rritën rolin dhe peshën ushtarake të faktorit shqiptar. Fisnikët shqiptarë ishin fuqizuar mjaft. Ndërkohë, ata shfrytëzuan privilegjet dhe ekskusitë e akorduara nga pushteti qendror, për të rritur shkallën e autonomisë së tyre. Ky proces zhvillimi politik autonom i feudalëve dhe i krahinave të veçanta eci më shpejt në trevën qendrore të Arbrit, me rol strategjik e ushtarak të posaçëm. Në gjysmën e dytë të shek. XII këtu kishte ndodhur me siguri një proces përqendrimi pushteti. Në vitin 1166 përmendet, në fakt, një prior Arbanensis (princ i Arbrit). Së bashku me disa klerikë të lartë nga Arbri ky mori pjesë në përurimin e kishës së re të Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoni merrte pjesë dhe “duka e komandanti” bizantin për Dalmacinë, Dioklenë e për Arbërinë, Isaku. Kjo tregon se priori i Arbrit, Andrea, e njihte ende formalisht sovranitetin bizantin. Megjithatë, në këtë kohë autonomia politiko-administrative e Arbrit ishte rritur së tepërmi, siç tregojnë edhe privilegjet e vitit 1153 të perandorit Manuel për kryeqendrën e Arbrit, Krujën. Duke u nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që vendosi me Papatin, perandori Manuel u tregua liberal edhe përsa u përket marrëdhënieve kishtare; në kohën e tij riti katolik njohu një përhapje të gjerë jo vetëm në Shqipërinë e Epërme, por dhe në atë Qendrore, posaçërisht në Arbër.
Këto zhvillime në Shqipëri, që përkonin në një plan më të gjerë me thellimin e procesit të feudalizimit të Perandorisë Bizantine, me dobësimin e pushtetit qendror dhe decentralizimin e tij, në fundin e shek. XII, çuan në krijimin e një strukture me tipare të qarta shtetërore në trevën e Arbrit dhe në kristalizimin e një dinastie sunduese vendase. Duke u nisur nga titulli “princ” (princeps), që papa Inocenti III i dha më 1208 njërit prej krerëve të saj, Dhimitrit, kjo strukturë shtetërore është quajtur zakonisht në historiografi “Principatë e Arbrit”, njëlloj siç është quajtur “Despotat i Epirit”, formacioni fqinjë me Principatën e Arbrit, me qendër në Artë, i cili kishte në krye një despot.
Pas rënies së dinastisë së Komnenëve dhe me ardhjen në fronin bizantin të dinastisë së dobët të Engjëllorëve, treva e Arbrit fitoi tiparet e një shteti të pavarur. Themelues i tij ishte Progoni (1190-1198), pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Dokumentet e rralla të kohës nuk thonë se cilës familje të Arbrit i përkisnin këta. Ka shumë gjasë që sundimtarët e Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII t’i përkisnin familjes Skurra nga malësia e Tiranës, ku emri Skurrë ndeshet ende në toponiminë dhe antroponiminë e vendit. Emri i kësaj familjeje ndeshet vazhdimisht në burimet e shek. XII-XIII si ndër më kryesoret e Arbrit. Për pozitën e lartë shoqërore të saj flet edhe varri familjar i sebastit Mihal Skurra në kishën e Shën Mërisë së Brrarit i vitit 1201, apo varri i fisnikut tjetër nga kjo familje, Anton Skurrës, në kishën e Shën Ndout në Lezhë. Për pozitën e veçantë që kjo familje kishte në shek. XII-XIII në gjirin e fisnikërisë shqiptare, flet dhe fakti që pinjollë të saj lidhën krushqi deri edhe me familjen perandorake bizantine. Edhe princi Dhimitër i Arbrit u martua me mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Engjëlli, Komnenën, lindur nga martesa e vajzës së këtij të fundit, Eudokisë, me mbretin e Serbisë, Stefan Nemanjën e Kurorëzuar. Princesha Komnena, që kishte lindur jo para vitit 1191, ishte në moshë të mitur kur aty nga viti 1202, iu blatua princit Dhimitër të Arbrit, gjë që në vetvete flet për karakterin politik të kësaj martese. Martesa e Dhimitrit të Arbrit me Komnenën synonte edhe të normalizonte marrëdhëniet me Stefan Nemanjën e Serbisë, i cili në vitet e fundit të shek. XII kishte mundur të pushtonte mjaft toka në Kosovë e në Diokle (Gentë). Nemanja e vazhdoi përparimin në thellësi të tokave shqiptare, duke marrë edhe trevën e Pultit (malësia në të dy anët e lumit Drin të bashkuar) që bënte pjesë në Principatën e Arbrit. Pas lidhjes familjare me Nemanjët e Serbisë, Principata e Arbrit ruajti në mënyrë të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, të përfshirë midis Lezhës, Durrësit, Ohrit e Dibrës.
Principata e Arbrit e arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë atë kohë edhe familje të shquara të Arbrit, siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët, Kamonat etj. Në një traktat paqeje të nënshkruar prej tij më 1210 me Republikën e Raguzës, Dhimitri i quan këta, sipas së drejtës feudale perëndimore, “njerëzit e mi” (homines mei). Edhe titujt “gjykatës” (iudex) apo “princ” (princeps) që i atribuohen Dhimitrit prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbrit. Ato tregojnë gjithashtu se familja e princërve të Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII ishte e ndikuar nga kultura dhe feudalizmi perëndimor. Këtë e konfirmon edhe hapi i ndërmarrë më 1208 nga princi Dhimitër për të kaluar në ritin katolik, duke u lidhur me kishën katolike të Romës. Me gjithë ndikimet që modelet feudale perëndimore patën në organizimin dhe në ndërtimin e Principatës së Arbrit, tradita bizantine mbetej ende shumë e fuqishme. Vetë Dhimitri parapëlqente të përdorte titujt bizantinë me prestigj panhypersebast apo megas arhond, ashtu si bujarët e tjerë mbanin titujt po bizantinë sebast ose protosebast. Qendra e Principatës së Arbrit ishte në qytetin e Krujës. Në kohën e Dhimitrit, Principata zotëronte edhe një dalje në det, në pjesën bregdetare midis Bishtit të Pallës dhe derdhjes së lumit Mat.

Principata e Arbrit, Dukati i Durrësit dhe Despotati i Epirit
Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht në viset e saj perëndimore.
“Traktati i ndarjes së tokave”, i nënshkruar nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut. Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të tyre të quajtur “dukati i Durrësit”. Por në jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë (Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga Konstandinopoja. Në këtë mënyrë, menjëherë pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë, Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur. Dokumentet e kohës e quajnë këtë “Despotat i Artës”, sipas kryeqendrës së tij. Në historiografi është bërë zakon të quhet “Despotat i Epirit”. Gjatë historisë së tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij. Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri, nga gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës, Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi. Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë, që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.
Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan me statusin e sundimtarit të një province. Ata e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar kryqtarët nga vendet bizantine.
Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216) ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën frënge të Akesë. Me t’u krijuar një gjendje e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione, iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.
Ndërkaq sundimi i Venedikut në Durrës ishte treguar i paqëndrueshëm. Përpjekjet për ta shtrirë juridiksionin venecian përtej qytetit kishin hasur në kundërshtimin e princit Dhimitër të Arbrit. Fisnikë të Arbrit ishin tashmë zotër të tokave në rrethinat e Durrësit, gjë që shqetësoi jo vetëm pushtetin venecian të Durrësit, por dhe kryepeshkopatën katolike të qytetit, e cila pretendonte se Dhimitri dhe njerëzit e tij kishin okupuar pronat e saj. Me qëllim që të ushtronte presion mbi princin e Arbrit, duka i Venedikut lidhi një aleancë me princin e Dioklesë (Gentës), Gjergjin, i cili zotohej ta ndihmonte Venedikun kundër Dhimitrit. Por ky ndërkaq kishte arritur të bënte për vete papën e fuqishëm Inocenti III, të cilit i premtoi konvertimin e tij, të bujarëve e të popullit të tij në fenë katolike.
I brejtur nga konfliktet me princin e Arbrit, Papatin e me vetë kishën vendase, dukati venecian i Durrësit u tregua i pafuqishëm të përballonte mësymjen nga jugu të despotit të Epirit, të Mihalit I Engjëlli. Në vitin 1210 kufiri midis Despotatit dhe Dukatit venecian të Durrësit ishte vendosur në rrjedhjen e lumit Shkumbin. Atë vit duka Marin Valaresi u takua me despotin Mihal për të biseduar lidhur me vendosjen e një paqeje. Paqja u nënshkrua në verë të atij viti nga duka i Venedikut Pietro Xian dhe despoti Mihali I. Në bazë të saj njihej edhe de jure kufiri i Shkumbinit si caku verior i zotërimeve të Despotatit. Ndërkohë, despot Mihali zotohej të lejonte tregtarët venecianë të tregtonin lirisht, pa taksa e doganë, në tokat e tij dhe t’i mbronte ata nga shtetasit e tij, në rast konflikti me sipërmarrësit venecianë.
Në muajin shtator 1210 venecianët sheshuan edhe mosmarrëveshjet me kishën e Durrësit, duke vënë në krye të saj venecianin Manfred. Në marrëveshjen që nënshkroi me dukën Pietro Xian në shtator të vitit 1210, kryepeshkopi Manfred u betua se do t’i qëndronte besnik Republikës së Venedikut dhe se do të punonte që qytetarët si dhe bashkësia e Durrësit dhe e zonave përreth t’i bindeshin pushtetit venecian.
Megjithatë, shpresat e Venedikut për të ruajtur një minimum pranie në Durrës dhe në rrethinat e tij, pësuan goditjen e fundit më 1213, kur despot Mihali I Engjëlli ia shkëputi atë Republikës së Shën Markut dhe e bashkoi me zotërimet e tij. Ushtria e tij përparoi thellë në veri e më 1215 pushtoi Shkodrën, por shpejt u tërhoq prej andej për t’u vendosur në vijën e Durrësit.
Pushtimi jetëshkurtër i Shkodrës ishte ndërmarrja e fundit ushtarake e despotit Mihali I.
Në rreth 10 vjet të sundimit të tij, shteti i vogël e i dobët epirot, arriti të zgjerohet duke zënë pak a shumë shtrirjen e temave të dikurshme bizantine të Nikopojës e të Durrësit. Përveç kryeqendrës, Artës, despot Mihali parapëlqente si rezidencë të zgjedhur të tij kështjellën e Beratit. Ende sot aty ruhen dëshmi të shumta të punimeve fortifikuese e të ndërtimeve të kultit të ndërmarra në kohën e sundimit të tij. Despot Mihali I vdiq pikërisht në kështjellën e Beratit në vitin 1216 pas një komploti të organizuar nga njerëz të afërt të tij. Pas kësaj në krye të Despotatit u vu i vëllai, Teodori. Nën sundimin e tij Despotati i Epirit arriti shtrirjen e tij më të gjerë. Politika e despotit të ri u orientua kryekëput nga lindja dhe synoi asgjësimin e principatave latine të kryqtarëve në Greqi, në Maqedoni e në Traki, rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine dhe kurorëzimin e tij si perandor i Bizantit. Në këtë kuadër fitoi rëndësi të posaçme kontrolli mbi Durrësin dhe mbi boshtin e Rrugës Mbretërore (Egnatia), i cili hapte rrugën drejt kështjellave të Maqedonisë e Selanikut dhe njëherësh shkëpuste lidhjet jetësore të perandorisë latine të Konstandinopojës ose të mbretërisë lombarde të Selanikut me fuqitë-mëmë të perëndimit. Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij boshti rrugor e veçanërisht të pikënisjes së tij, Durrësit, mitropoliti i Korfuzit, Gjergj Bardhami, shprehej atë kohë se “despoti derdh pa kursim për Durrësin para, ushtri e çdo gjë tjetër, në mënyrë që të mos lejohen egërsirat nga Perëndimi të vënë këmbë në atë qytet, që ai e do mbi të tjerët “.
Në fakt, që në fillim të sundimit të tij, Teodorit iu desh të përballonte një përpjekje të latinëve për të shtënë në dorë korridorin e rrugës Egnatia. Në verën e vitit 1217, perandori i ri latin i Konstandinopojës, Pier dë Kurtëne, në krye të një ushtrie të nisur nga porti i Brindizit, zbarkoi në Durrës me destinacion Konstandinopojën. Pasi mori qytetin, ushtria latine e vazhdoi marshimin përgjatë rrugës Egnatia në drejtim të Selanikut. Historiani bizantin Gjergj Akropoliti rrëfen se despoti Teodor i kishte ngritur pritë ushtrisë latine “në vendet e ashpra të Arbrit”, diku në luginën e Shkumbinit. Në betejën e zhvilluar këtu, ushtria frënge u shpartallua keq dhe vetë perandori Kurtënè u zu rob. Një kronist frëng, vazhduesi i Robert Autissiodorensis, ia atribuon katastrofën e perëndimorëve qëndrimit armiqësor të popullsisë vendase (malicia indigenorum) që bashkëpunoi me despotin e Epirit. Pas kësaj fitoreje, Teodori e ripushtoi Durrësin. Në qytet u përforcua sistemi i mbrojtjes dhe u kryen punime të ndryshme fortifikuese. Në vitet që pasuan, Teodor Engjëlli i zhvendosi veprimet luftarake në lindje. Këtu ai mori njërën pas tjetrës kështjellat e Ohrit, të Përlepit, të Pelagonisë (Manastir) etj. Por objektivi kryesor ishte Selaniku, të cilin Teodori ua shkëputi baronëve lombardë në vitin 1224. Këtu ai u kurorëzua “perandor e autokrat i bizantinëve” nga kryepeshkopi i fuqishëm i Ohrit, Dhimitër Komatiani. Selaniku u bë qendra e re ku u zhvendos Teodori e oborri i tij. Qeverisjen e zotërimeve shqiptare Teodori ia besoi të vëllait, Konstandinit, të cilit i akordoi titullin despot. Duke ndjekur shembullin e perandorëve të Bizantit, ai u shpërndau tituj fisnikërie si sebastokrator, domestik i madh, protovestiar etj., bashkëpunëtorëve të tij të afërt, midis të cilëve edhe mjaft bujarëve shqiptarë. Në administrimin e punëve të “perandorisë” së tij, Teodori ndihmohej nga një “këshill i të zgjedhurve”. Një mbështetje të fortë i jepnin politikës së tij prelatët e lartë të kishës, ndaj të cilëve Teodori tregoi vazhdimisht kujdes të veçantë. Mitropoliti i Naupaktit, Jan Apakauku, kryepeshkopi i Korfuzit, Gjergj Bardhani, ai i Ohrit, Dhimitër Komatiani, si dhe peshkopi i Kaninës ishin disa nga bashkëpunëtorët e këshilltarët më të afërt të Teodorit.
Pas marrjes së Selanikut, objektivi i dytë i madh mbetej për Teodorin pushtimi i Konstandinopojës, që do të shënonte fundin e Perandorisë Latine e rimëkëmbjen e Bizantit. Midis viteve 1225-1230 ushtritë e tij arritën suksese të mëdha në Maqedoninë Lindore e në Traki, ku pushtuan Adrianopojën. Por në vendin e quajtur Klokotnica, në vitin 1230, trupat e Teodorit pësuan një disfatë të rëndë nga ushtritë e carit bullgar, Ivani II Aseni, që ishte shqetësuar nga forcimi i shtetit epiriot e nga përparimi i Teodorit në zonën e interesave bullgarë.

Lufta midis Despotatit të Epirit dhe Perandorisë së Nikesë për hegjemoni në Shqipëri
Beteja e Klokotnicës, ku vetë Teodori u zu rob, goditi rëndë aspiratat panbizantine të despotëve të Epirit. Paskëtaj, zotërimet epirote u ndanë në shumë pjesë. Në Selanik e Thesali vazhdoi të sundojë i vëllai i Teodorit, Manueli. Gjithë territori, prej Adrianopoje në Durrës, u pushtua nga Ivani II Aseni i Bullgarisë. Cari bullgar filloi paskëtaj ta quajë veten “perandor e autokrat, zot i krahinave prej Adrianopoje në Durrës” dhe të shpalosë me forcë pretendimet për Konstandinopojën e për fronin bizantin.
Krahinat e Epirit nuk u përfshinë në kufijtë e rinj të mbretërisë bullgare. Këtu shfaqet si sundimtar Mihali II Engjëlli, djali i Mihalit I. Për 10 vjet ky punoi për të forcuar pozitat e lëkundura të Engjëllorëve. Rrethi i bashkëpunëtorëve të tij u zgjerua me elementë të aristokracisë vendase, të cilëve u ishte besuar drejtimi i krahinave dhe i kështjellave të ndryshme të despotatit. Ashtu si dhe i ati, Mihali II i ruajti lidhjet e ngushta me Beratin, Vlorën e me parinë e këtyre dy qyteteve. Me qeveritarin e tyre, Jan Frëngun, pinjoll i një familjeje të vjetër fisnike vendase, despoti kishte edhe lidhje familjare.
Shthurja e Mbretërisë së Bullgarisë, pas vdekjes së Ivanit II Aseni (1241), e lejoi Mihalin II të zgjerojë kufijtë e Despotatit. Durrësi u bë përsëri pjesë e tij, ndërkohë që kështjella të tjera u aneksuan në Maqedoni e në Thesali. Por edhe kësaj radhe Despotati ndeshi në një kundërshtar të fuqishëm, që në atë kohë ishte bërë një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. Kjo ishte Perandoria e Nikesë, një formacion i ngjashëm me Despotatin e Epirit, që lindi pas vitit 1204 në Azinë e Vogël. Luftërat me Nikenë përbëjnë fazën e dytë të rëndësishme në historinë e Despotatit të Epirit. Ashtu si despotët e Epirit, edhe perandorët e Nikesë e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin. Marrja e Konstandinopojës e rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine përbënin vijën kryesore të politikës së tyre, nga ku buronte edhe armiqësia me rivalët e tyre të Epirit. Pas dobësimit të Mbretërisë së Bullgarisë, Perandoria e Nikesë fitoi epërsi në ngjarjet në Ballkan. Brenda vitit 1246 perandori i Nikesë, Joan Vatatze (1222-1254), pushtoi Trakinë, Maqedoninë dhe qytetin e Selanikut.
Sukseset e rrufeshme të nikeasve zbuluan mangësitë ushtarake e politike të shtetit epiriot. Tashmë ishte dobësuar aleanca e këtij shteti me krerët lokalë të krahinave të ndryshme të Despotatit, në të cilën bazohej forca e tij. Politika e zbatuar nga Teodori e nga Mihali II në funksion të pushtimeve kishte goditur drejtpërsëdrejti format e qeverisjes në rajone të caktuara të Despotatit të Epirit me Principatën e Arbrit, e cila ishte kthyer tashmë në një shtet vasal.
Çarja midis dy aleatëve të dikurshëm u pa gjatë konflikteve ushtarake që u zhvilluan në zonën e Maqedonisë Jugperëndimore midis forcave të Nikesë dhe atyre të Epirit në vitin 1253. Atë kohë princi i Arbrit, Gulami, bashkë me forcat e tij, kishte zënë pozicion në zonën e Kosturit për t’u prerë rrugën nikeasve që kërkonin të çanin në drejtim të Devollit. Por perandori i Nikesë, Jan Vatatze, arriti të tërheqë në anën e tij princin Gulam, që tashmë ishte ftohur me Mihalin e Epirit. Premtimet joshëse të perandorit të Nikesë u konkretizuan me nënshkrimin e një traktati, që vuloste aleancën e re midis Nikesë dhe Arbrit dhe që njihte autonominë e këtij të fundit.
Krahas Gulamit të Arbrit, me nikeasit u bashkuan edhe krerët e Kosturit e të Devollit, të cilët gjithashtu ishin të pakënaqur nga Mihali II i Epirit. Në këto kushte, despoti i Epirit u detyrua të kërkonte paqe, e cila u nënshkrua në Larisë (1253). Mihali II hiqte dorë nga kështjellat e Maqedonisë Perëndimore dhe nga kështjella e Krujës. Kësaj të fundit, perandori Jan Vatatze i njohu qysh atë vit një sërë privilegjesh të rëndësishme që kishin të bënin me sigurimin e pronave të fisnikëve, të klerit dhe të qytetarëve të saj, si dhe me heqjen e tatimeve të caktuara. Të njëjtat privilegje u konfirmuan pas dy vjetësh nga perandori i ri i Nikesë, Teodori II Laskari (1254-1258). Ato iu konfirmuan vazhdimisht krutanëve nga perandorët e mëvonshëm të Bizantit.
Humbja e mbështetjes që kishte patur në Principatën e Arbrit ia bëri të pamundur despotit Mihal ruajtjen e zotërimit të rëndësishëm të Durrësit. Në vitin 1256 qyteti iu dorëzua perandorit të Nikesë. Paqja e nënshkruar atë vit midis dy rivalëve sanksiononte tërheqjen e Despotatit të Epirit në kufijtë e tij fillestarë. Në viset e zbrazura nga epirotët u vendos administrata e Nikesë.

Kryengritja e shqiptarëve kundër Perandorisë së Nikesë (1257-1258)
Vendosja e pushtetit të Nikesë në viset shqiptare nuk e përmirësoi gjendjen e tyre, përkundrazi, një administratë e rreptë ushtarake e civile u vendos në trevat shqiptare, përfshirë edhe Principatën e Arbrit, që kishte luajtur një rol vendimtar në suksesin e nikeasve. Në krye të saj u vu një qeveritar bizantin, Konstandin Habaroni, i cili së bashku me qeveritarët e krahinave të tjera të Shqipërisë e të Maqedonisë, u vu nën urdhrat e komandantit epror, pretorit Georg Akropoliti që kishte selinë në Selanik.
Që të nesërmen e vendosjes së sundimit të Nikesë në Shqipëri filluan të duken shenjat e një pakënaqësie të thellë. Këto qenë më të forta në trevat e Principatës së Arbrit, e cila në kundërshtim me premtimet e dhëna, u privua nga çdo lloj autonomie prej regjimit nikeas. Qeveritari nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, nuk ishte në gjendje të mbante nën kontroll gjendjen shpërthyese, ndaj, në dimrin e vitit 1257-1258, kryekomandanti i forcave perëndimore të Nikesë, pretori Gjergj Akropoliti, vendosi të organizonte një ekspeditë demonstrative në Arbër. Prej Selanikut, ekspedita e drejtuar prej tij përparoi nëpër Kostur, Ohër, Durrës, ku Akropoliti u takua me krerët dhe autoritetet e vendit. Marshimi i Akropolitit vazhdoi nëpër krahinat e thella të Matit e të Dibrës. Kudo ku kaloi Akropoliti u mundua të forcojë bazat e sundimit të Nikesë, duke riorganizuar administratën ushtarake e civile të saj. Pas tre muajsh misioni të vështirë në zonën shpërthyese të Arbrit, në shkurt të vitit 1258, Akropoliti mbërriti në Përlep. Këtu atij i erdhi lajmi se “mbarë populli i arbëreshëve ishte hedhur në kryengritje”. Për rrjedhojë edhe despoti Mihali II Engjëlli i Epirit e prishi paqen me Nikenë. Vetë qeveritari Nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, u zu rob prej tij gjatë një prite që iu ngrit në Kaninë dhe ku pati dorë e fejuara e tij, Maria Frëngu, kunatë e despotit Mihal dhe pinjolle e familjes më të shquar të zonës së Vlorës në shek. XI-XIII.
Gjendja e re e detyroi Akropolitin të ndërmerrte një fushatë të vërtetë ushtarake për të shtypur kryengritjen. Goditja kryesore e nikeasve u drejtua kundër vatrës së trazirave, Arbrit. Ushtria e tyre, nën komandën e vetë Akropolitit pushtoi Ohrin dhe vazhdoi marshimin drejt Durrësit. Por qëndresa e kryengritësve shqiptarë e detyroi Akropolitin të bënte prapaktheu në Ohër. Paskëtaj, kryekomandanti nikeas u përpoq të hynte në Arbër nga ana e Dibrës, por edhe këtu ushtria e tij u rrezikua të asgjësohej nga kryengritësit, ndaj u tërhoq në drejtim të Përlepit.
Ndërkaq, i inkurajuar nga kryengritja e shqiptarëve, despoti Mihali II Engjëll i Epirit rifilloi veprimet luftarake në Maqedoni. Ushtria e tij, e përkrahur nga popullsia vendase, pushtoi Ohrin dhe kështjella të tjera të Maqedonisë Perëndimore. Pothuaj të gjithë komandantët e forcave të Nikesë u hodhën në anën e despotit të Epirit. Edhe kështjella e Përlepit, ku ishte i rrethuar kryekomandanti, Georg Akropoliti, u hapi portat epirotëve. Akropoliti dhe ushtarakë të tjerë ranë robër të Mihalit II. Në këtë mënyrë, gjithë këto treva u përfshinë përsëri në kufijtë e Despotatit të Epirit.
Sukseset e arritura në Maqedoni zgjuan te Mihali II i Epirit, ashtu si te paraardhësi i tij, ëndrrën e pushtimit të Konstandinopojës e të rimëkëmbjes së Perandorisë Bizantine, duke i paraprirë në këtë gjë rivalit të tij, perandorit të Nikesë. Në funksion të këtij qëllimi despoti i Epirit i hodhi sytë nga një aleancë e re me sovranin e Mbretërisë së Sicilisë, mbretin Manfred nga dinastia gjermane Hohenshtaufen, pavarësisht se ky kishte përfituar nga ngjarjet e fundit për të shtënë në dorë një pjesë të bregdetit shqiptar. Aleanca me Manfredin u bë fakt i kryer me martesën e këtij të fundit me vajzën e despotit Mihal, Helenën. Megjithatë përforcimet që mori nga Manfredi e dhëndri tjetër i tij, princi Guljelm II Vilëharduen i Akesë, nuk i mjaftuan despotit të Epirit për të ndalur ofensivën e filluar në pranverën e viti 1259 nga perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleolog. Ohri qe një nga kështjellat e para që despoti i Epirit u lëshoi nikeanëve. Kësaj radhe ish-kryepeshkopi durrsak i qytetit, Konstandin Kabasilla, që erdhi bashkë me ushtrinë nikeane, ndikoi me autoritetin e tij për t’i bindur mbrojtësit t’ia dorëzonin kështjellën perandorit të Nikesë. Pas Ohrit, ushtria e Nikesë, nën komandën e sebastokratorit Jan, vëlla i perandorit Mihali VIII Paleolog, rrethoi kështjellën e Devollit, të cilën e mori pas luftimesh të ashpra.
Në verë të atij viti, Mihali II Engjëlli pësoi disfatën përfundimtare në fushën e Pelagonisë (Manastir).
Fitorja e Perandorisë së Nikesë mbi Despotatin e Epirit në Pelagoni u pasua nga një tjetër fitore e madhe e saj. Në verë të vitit 1261 nikeasit ua morën me sulm Konstandinopojën latinëve. Në këtë mënyrë, konflikti i gjatë për të korrur trashëgiminë e Perandorisë Bizantine u zgjidh në favor të Nikesë. Mihali VIII Paleologu u bë perandori i parë i Perandorisë Bizantine të rimëkëmbur.
Rivali i tij i dikurshëm, despoti Mihali II i Epirit, pas disfatës në Pelagoni i humbi krejt zotërimet e tij. Ushtritë e Paleologut përparuan deri thellë në kufijtë e Epirit historik e morën dhe qendrat e fundit të qëndresës epirote, Janinën e Artën. Mihali II Engjëlli u strehua në Korfuz, zotërim i dhëndrit të tij Manfred.
Por ashtu si më 1257, administrata e re bizantine hyri që në fillim në konflikt me popullsinë vendase. Rritja e pakënaqësisë gjeti shprehjen më të lartë në shpërthimin e kryengritjeve antibizantine në gjithë territorin shqiptar të Perandorisë. Këto kryengritje krijuan kushte që despoti Mihali II Engjëll të kthehej në Epir e pak nga pak të rikrijonte Despotatin e Epirit në kufijtë e ngushtuar të temës së dikurshme të Nikopojës.
Përsa u përket territoreve në veri të lumit Vjosë, kryengritjet antibizantine të shqiptarëve u mpleksën aty me një sërë rrethanash të tjera, të cilat krijuan një gjendje krejtësisht të re.

3. SHQIPËRIA DHE MBRETËRIA E SICILISË NË SHEK. XIII

Manfred Hohenshtaufeni në Shqipëri
Kapërcimi i shek. XII-XIII solli në Mbretërinë e Sicilisë një ndryshim të dinastisë sunduese. Vendin e dinastisë normane Altavila, e zuri dinastia perandorake gjermane Hohenshtaufen. Bashkë me fronin e Sicilisë, sovranët e rinj gjermanë trashëguan dhe planet pushtuese në Lindje të paraardhësve të tyre.
Henriku VI Hohenshtaufen që me ardhjen e tij në pushtet i shpalli hapur pretendimet e tij në bregun lindor të Adriatikut. Sipas historianit bizantin Niketë Koniati, Henriku pretendonte të ishte zot i gjithë territorit që shtrihej prej Durrësit e deri në Selanik, territor i pushtuar për një kohë të shkurtër nga paraardhësi i tij norman, Guljelmi II, gjatë fushatës së vitit 1185.
Por as Henriku VI, as pasardhësi i tij i madh, Frederiku II Hohenshtaufen, nuk qenë në gjendje të organizonin ndonjë ekspeditë si ato të normanëve në Shqipëri. Një gjë të tillë e bëri djali i Frederikut, Manfred Hohenshtaufeni. Duke përfituar nga konflikti midis despotit Mihali II i Epirit dhe perandorit të Nikesë, Teodorit II Laskari, si dhe i inkurajuar nga pakënaqësia e thellë që kishte pushtuar popullsinë shqiptare kundër këtyre dy rivalëve bizantinë, në mesin e dimrit të vitit 1257-1258 flota e Manfredit e komanduar nga admirali i tij, Filip Kinardi, zbarkoi në bregdetin shqiptar dhe pushtoi Durrësin, Vlorën, Spinaricën e Beratin. Ndonëse këto kështjella juridikisht ishin në atë kohë nën sundimin e perandorit të Nikesë (Durrësi), apo të despotit të Epirit (Vlora, Berati e Spinarica), as njëri e as tjetri nuk ushtronin pushtet real në to. Kryengritja e fundit e vitit 1257 e shqiptarëve i kishte detyruar garnizonet dhe administratën e perandorit apo të despotit të tërhiqeshin dhe ta linin qeverisjen e atyre vendeve në dorë të parisë lokale, e cila, me sa duket, ishte marrë vesh paraprakisht me Manfredin e Sicilisë për ndërmarrjen e tij.
I ndodhur para faktit të kryer, despoti Mihali II i Epirit e pa me vend mos të ndizte armiqësi të reja me mbretin e Sicilisë. Përkundrazi, me qëllim që ta tërhiqte atë në një aleancë ushtarake kundër rivalit të tij kryesor, perandorit të Nikesë, ai ia njohu Manfredit pushtimet e reja në bregdetin shqiptar. Madje i ofroi atij dhe dorën e së bijës, Helenës, bashkë me një sërë zotërimesh të tjera në cilësinë e pajës: Himarën, Sopotin (Borshin), Butrintin e Korfuzin. Në këtë mënyrë ndër të gjithë sovranët e mbretërisë së Sicilisë të dy shekujve të fundit, Manfredi qe i pari që zuri një pjesë të mirë të brezit bregdetar të Shqipërisë në pritje të kushteve të përshtatshme për të zgjeruar pushtimet në thellësi të Ballkanit.
Por beteja e Pelagonisë (Manastirit), në pranverë 1259, ku bashkë me forcat e despotit, Mihalit II të Epirit, u shpartallua edhe reparti i vogël prej 300 luftëtarësh që Manfredi i kishte dërguar për ndihmë vjehrrit të tij, i vuri në pikëpyetje vetë zotërimet siciliane në Shqipëri. Ngadhënjyesi i Pelagonisë, perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleologu (prej 1261 perandor i Bizantit), e vazhdoi mësymjen deri në bregdet, duke marrë të gjitha zotërimet e Manfredit, me përjashtim të Durrësit. Gjithsesi, në shtator të vitit 1261 Manfredi organizoi një fushatë të re në Shqipëri dhe arriti përsëri zotërimet e bregdetit, të cilat i mbajti deri në fund të jetës së tij (1266).
Baza e qeverisjes së zotërimeve të Manfredit në Shqipëri ishin kështjellat. Këtu u vendosën garnizonet siciliane nën komandën e kështjellarëve. Kështjellari i Kaninës, që kontrollonte dhe zonën e Vlorës, në vitet 1258-1274 ishte Jakob Balsiniani, pas çdo gjase një fisnik gjerman. Juridiksioni i tij shtrihej në një perimetër të gjerë rreth kështjellës, që përfshinte edhe fshatrat e Orikumit, Vranishtit, Vonicës etj. Krerët feudalë vendas ishin përfshirë në sistemin e mbrojtjes së kështjellës së Kaninës dhe të territorit të saj. Përveçse në rast lufte, ata, normalisht, të shoqëruar nga njerëzit e tyre, kryenin për një muaj në vit shërbimin e garnizonit brenda në kështjellë.
Manfredi e respektoi traditën përsa i përket organizimit administrativ të Durrësit dhe të krahinës fqinje të Arbrit. Ato u ruajtën si një njësi e vetme administrative, nën drejtimin e një qeveritari ushtarak me titullin e kapitenit që e kishte selinë në Durrës. Duke pasur parasysh forcën dhe rolin e parisë feudale të Arbrit në fatet e kësaj treve, Manfredi ia besoi postin e kapitenit të Durrësit e të Arbrit një fisniku nga një shtëpi e njohur feudale, Andrea Vranës. Në vitin 1185, në kohën e fushatës normane, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje kishte kryer funksione të ngjashme në atë trevë si strateg i Bizantit.
Rasti i njohur i kapitenit Andrea Vrana tregon se Manfredi diti të tërhiqte në administratën civile e ushtarake të zotërimeve të tij shqiptare edhe fisnikë vendas. Madje, trupa shqiptare nën komandën e krerëve vendas u integruan edhe në forcat e Manfredit të angazhuara në Itali kundër kundërshtarëve të tij.
Si mëkëmbës të përgjithshëm të zotërimeve të tij në Shqipëri, Manfredi caktoi njeriun e tij të besuar, admiralin Filip Kinardi. Megjithatë, pushteti i tij realizohej në zotërimet jugore. Treva Durrës-Arbër, si zonë me rëndësi të posaçme strategjike, ishte nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të mbretit Manfred.
Fillimisht, selia e admiral Kinardit ndodhej në Korfuz, por me kohë u zhvendos në Kaninë. Këtu ai u martua me të venë e një fisniku nga familja e vjetër Frëngu, që ishte njëherësh kunata e despot Mihalit II të Epirit. Miqësia që Filip Kinardi kishte me peshkopin ortodoks të Kaninës është një tjetër tregues i lidhjeve të ngushta, që Kinardi, e në përgjithësi gjithë administrata e Manfredit, vendosi me mjedisin, e veçanërisht me parinë vendase. Me këtë shpjegohet fakti që, pas vrasjes së Manfredit në Betejën e Beneventit (1266), disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, midis tyre dhe konti Frederik Lançia, dajë i Manfredit dhe personi numër një në oborrin e tij, erdhën dhe u strehuan në Shqipëri.
Fundi i mbretit Manfred në Betejën fatale të Beneventit, shkaktoi pështjellim në zotërimet shqiptare të Hohenshtaufëve të Sicilisë. Menjëherë pas Manfredit, edhe mëkëmbësi i tij admiral Kinardi ra viktimë e një komploti të kurdisur në Kaninë nga despot Mihali II Engjëlli i Epirit në bashkëpunim me të shoqen e njeriut të Manfredit, Maria Frëngun, që ishte edhe kunatë e tij. Por, pavarësisht nga kjo, despoti nuk arriti t’i shtinte në dorë zotërimet e Manfredit. Njerëzit e këtij, si këshilltari i Kaninës, Jakob Balsiniani, ai i Korfuzit, Verner Alamani, dhe kapiteni i Durrësit-Arbrit, Andrea Vrana, refuzuan t’ia dorëzojnë despotit të Epirit viset nën juridiksion të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe më 1267, kur ngadhënjyesi i Beneventit e vrasësi i Manfredit, francezi Karl Anzhu, u çoi fjalë funksionarëve të ish-mbretit Hohenshtaufen në Shqipëri që ta njihnin atë si mbret i ri i Sicilisë.

Anzhuinët dhe “Mbretëria e Arbrit”
Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë. Në qendër të politikës së tij të jashtme u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të realizonte kështu bashkimin me dhunë të kishave. Pikërisht në praninë e papës Klementit IV u nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo marrëveshja midis Karlit I Anzhu e perandorit të shfronëzuar latin të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar, në zotërimet e ish-mbretit Manfred.
Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të Manfredit, duke i shndërruar në vasalë të tij bashkëpunëtorët e Manfredit në Shqipëri. Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan të kalojnë nën sovranitetin anzhuin. Përkundrazi, marrëdhëniet e mbretit Karl me bregun përballë mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë, vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët e “urrenin emrin e tij” (in odium nostri nominis).
Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin 1271 ai duket se kishte vendosur një dialog me aristokracinë e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri, si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272 mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i “Mbretërisë së Arbrit” (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae).
Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh të jashtme dhe të brendshme. Në atë kohë bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259, i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme për të shtrirë më tej zonën e kontrollit të vet deri në vijën bregdetare.
Vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë. Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit e kishte humbur shkëlqimin që kishte patur në kohën e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën, siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti etj. Në këtë mënyrë, njohja e një sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të qetësuar rivalitetet midis tyre. Së fundi, jo pa rol ishte edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të ashprat. Për rrjedhojë, ky ishte i prirur të bashkëpunonte me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe nga Manfredi, ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës katolike të Romës.
Pavarësisht nga motive të tilla që flisnin në të mirë të anzhuinëve, kompromisi i vitit 1272 midis anzhuinëve e aristokracisë shqiptare u bë i mundur vetëm pasi Karli I Anzhu u dha krerëve shqiptarë garancitë e kërkuara. Në dy diploma të dala nga kancelaria e tij më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte atyre mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve “të mira” të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një “dorëzim” pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, “pa kurrfarë dhune e shtrëngimi” (absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve: kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë, dhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të “Mbretërisë së Arbrit”.
Pavarësisht nga premtimet joshëse të anzhuinëve, jo menjëherë e jo të gjithë fisnikët shqiptarë u tërhoqën prej tyre.
Koha e gjatë, që iu desh Karlit I Anzhu për të realizuar planin e vet, ishte prova më e mirë se në gjirin e aristokracisë shqiptare kishte ngurrime lidhur me një orientim proanzhuin. Në fakt, anzhuinët përcaktuan qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në radhë të parë me mbretërinë e Serbisë. Kjo vijë politike e anzhuinëve i prishi këta qysh në fillim me një krah të rëndësishëm të aristokracisë shqiptare. Aleanca me Mbretërinë Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë, si Gropajt e Dibrës, tokat e të cilëve ndodheshin nën kërcënimin e pushtimit serb.
Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të “Mbretërisë së Arbrit”. Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të kryejnë “betimin dhe homazhin feudal” (ligii homagii iuramentum). Këtu u vendos një administratë e fortë ushtarake, ku aristokracia shqiptare nuk përfaqësohej në asnjë instancë të saj. Të gjithë funksionarët, që nga “kapiteni e mëkëmbësi i Mbretërisë së Arbërisë”, te mareshali, kështjellarët, intendentët e postet më të ulëta, ishin me kombësi franko-italiane. Shqiptarët ishin përjashtuar nga çdo rol efektiv në këtë “Mbretëri të Arbërisë”. Fisnikët shqiptarë, që njohin për kryezot Karlin I Anzhu e që u përfshinë në “Mbretërinë e Arbërisë”, u organizuan prej anzhuinëve në një lloj “këshilli regjence”. Karli I u vinte atyre kufirin e të drejtave e detyrave, kur i këshillonte se “duhej t’i bindeshin mëkëmbësit e kapitenit të përgjithshëm të Mbretërisë së Arbrit dhe ta ndihmonin atë me të gjitha forcat e për çdo punë, qoftë me këshilla, qoftë me mjetet e nevojshme”. Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit anzhuin e të “Mbretërisë së Arbrit”, të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike. Shqiptarët duhet të luftonin, kështu, për një qëllim që s’qe i tyre e që ata nuk e ndienin. Kjo i zhgënjeu shpresat fillestare të tyre, të ushqyera nga premtimet e Karlit I Anzhu, që ua serviri atyre “Mbretërinë e Arbrit” si një pasardhëse të natyrshme të Principatës së Arbrit, ku fisnikët shqiptarë do të ruanin autonominë e tyre e do të luanin rol parësor.
Por regjimi i ri anzhuin nuk pati pasoja negative vetëm në planin politik. Anzhuinët vendosën në zotërimet e tyre një regjim të rreptë shfrytëzimi. Fonde të mëdha tokësore iu rrëmbyen pronarëve vendas, në radhë të parë kundërshtarëve të regjimit anzhuin, e u shpërndanë në të mirë të kurorës, të funksionarëve e feudalëve anzhuinë dhe të kishave, kuvendeve e manastireve katolike të themeluara me shumicë nga klerikët e huaj, të ardhur bashkë me anzhuinët e që përfaqësonin një mbështetje shoqërore e mjet diversioni ideologjik të tyre. Fshatarësia shqiptare, që punonte në këto toka, iu nënshtrua një shfrytëzimi intensiv e të panjohur deri atëherë. Të ardhura të mëdha hynin në arkën mbretërore e të funksionarëve anzhuinë nga taksat e detyrimet që shpeshherë këta ia impononin në mënyrë arbitrare popullsisë vendase.
Vendosja e regjimit anzhuin pati reflekse negative edhe në jetën e qyteteve. Autonomia e tyre u ngushtua, organet bashkiake të qeverisjes pushuan së funksionuari e u zëvendësuan nga administrata anzhuine. Interesat ekonomikë të shtresave tregtare-zejtare e të vegjëlisë u dëmtuan rëndë nga politika e monopolit shtetëror mbi prodhimin e shitjen e produkteve kryesore, si dhe nga detyrimet nga më të ndryshmet që nëpunësit anzhuinë ngarkonin në kurriz të popullsisë qytetare. Të ardhurat e shumta që vinin nga prodhimi dhe tregtia e kripës shkonin në dobi të mbajtjes së trupave dhe të administratës anzhuine në Shqipëri.
Në këtë mënyrë regjimi anzhuin ngjalli që në muajt e parë zhgënjim e pakënaqësi midis shtresave më të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të “Mbretërisë së Arbrit”, e cila e pa se anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike. Për t’i detyruar krerët shqiptarë që t’i rrinin besnikë e mos të ngrinin krye, Karli I filloi të marrë peng fëmijët e tyre, të cilët i çonte e i ruante në kështjellat e Italisë së Jugut, ku këta trajtoheshin si të ishin robër, aq sa në mjaft raste ata të tentonin të arratiseshin.
Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe përpiqej t’i bënte ata për vete e t’i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s’ka dyshim që në këtë pikë ai nuk mbeti pas, madje e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete (“të mashtrojë”, sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre.
Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve e fisnikëve shqiptarë.
Në gusht të atij viti aleatët kishin arritur një fitore të parë mbi anzhuinët, duke u shkaktuar atyre mjaft të vrarë e duke zënë shumë të tjerë robër. Në muajin nëntor komandantët anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin Karl se “arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar Durrësin”. Informatat e mëvoshme konfirmonin se luftimet tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit.
Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të aristokracisë shqiptare kundër anzhuinëve u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë në “Mbretërinë e Arbrit”. Të tillë qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu fillon t’i quajë me emrin “tradhtarët e mi” (proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj., që deri atëherë kishin qenë “besnikët e tij” (fideles suos). Ky qëndrim i ri qe me pasoja fatale për sundimin anzhuin. Zotërimet shqiptare të Karlit Anzhu apo, siç preferonte t’i quante ai, “Mbretëria e Arbrit”, që s’ishte veçse një shumë zotërimesh të fisnikëve shqiptarë, vasalë të tij, u reduktua, pas armiqësimit me ta, në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës.
Rrjedhja e re, që morën marrëdhëniet e shqiptarëve me anzhuinët, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, që pasoi, i përmbysi planet e mëdha të Karlit I Anzhu, i cili kishte shpresuar t’i çonte ushtritë e tij deri në Konstandinopojë. Për më tepër planet e mbretit anzhuin u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit VIII Paleolog, me Papën. Ujdia që këta të dy arritën në Koncilin e Lionit, më 1274, për të realizuar bashkimin e kishave, e izoloi Karlin Anzhu duke i hequr atij përkrahjen e pakushtëzuar të Papatit. Në vend që të vazhdonte mësymjen drejt Lindjes, Karli u detyrua të nënshkruante një armëpushim me Mihalin VIII Paleolog (1276). Ndërkohë “bizantinët” e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle ata ia kishin besuar një fisniku vendas, sebastit Stano, që kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit. Në atë kohë bizantinët kishin arritur të rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis Vlorës e Durrësit. Në këtë mënyrë, zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve anzhuine dhe midis tyre e Mbretërisë së Sicilisë kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint sulmonte anijet anzhuine.
Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte një fushatë të re, gjatë së cilës të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës së Beratit, kundër së cilës u përqendrua goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se “nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit” (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici valeat cordi nostro residet ).
Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit. Despot Niqifori I i Epirit u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t’i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t’i shkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej “i lidhur me pranga të forta hekuri” në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec e Guljelm Blinishtin. Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për ta liruar Muzakën. Me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë. Në gusht të vitit 1280 ai urdhëroi lirimin e robit Muzaka, “pasi të kishte dhënë peng gruan e fëmijët e pasi të ishte betuar se nuk do të bashkohej më me armiqtë e mbretit Karl e nuk do të fliste e do të vepronte më kundër tij”. Në kushtet e përgatitjes së mësymjes anzhuine mbi Beratin, neutralizimi i Muzakajve, zotër të vendit, merrte kuptim të veçantë.
Megjithatë, përpjekjet e anzhuinëve për diversion në radhët e aristokracisë shqiptare nuk dhanë rezultat. Në prag të betejës vendimtare për Beratin lajmet që i vinin Karlit I nga komandatët e tij në Shqipëri e njoftonin se “arbrit kishin ngritur përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine”. Qëndrimi i vendosur antianzhuin i shumicës së fisnikëve shqiptarë kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë e mësymjes anzhuine. Ndërkohë që ushtria e Hygo de Sylit, e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët sulmonin kështjellat anzhuine të bregdetit duke e detyruar komandantin anzhuin t’i shpërqendronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave.
Rrethimi anzhuin i Beratit zgjati disa muaj. Në dhjetor të vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia). Por në betejën finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan një disfatë të rëndë kalorisë frënge, duke zënë rob edhe vetë komandantin e ushtrisë anzhuine.
Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën me shpejtësi në skajin bregdetar, ku mundën të ruajnë edhe për ca kohë kështjellat e rëndësishme të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin 1282 Karli I projektoi një fushatë të re kundër Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja e madhe anti-anzhuine e “Mbrëmjeve siciliane”, në të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin, Mihali VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës. Paskëtaj nisi një periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Në kushte të tilla ekspedita e re kundër Bizantit mbeti e parealizuar. Kështjellat që anzhuinët mbajtën edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Fortesat e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos, që ata mundën të mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të Epirit, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi strategjike të veçantë. Në këtë mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e t’ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të mirë të tokave shqiptare.

4. GJENDJA KISHTARE NË SHQIPËRI NË SHEK. XI-XIV

Ndarja e kishave (1054). Përparimet e katolicizmit në Shqipërinë e Epërme
Në kapërcim të shek. X-XI, trevat shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave, të cilat drejtonin një numër të madh selish peshkopale vartëse (sufragane). Këto qenë kryepeshkopata e Naupaktit, ajo e Durrësit dhe kryepeshkopata e Ohrit. Kjo e fundit, e krijuar dhe e fuqizuar si e tillë nga carët bullgarë, mundi të tërheqë nën juridiksionin e vet një numër peshkopatash, deri atëherë sufragane të dy mitropolive fqinje. Të tilla qenë peshkopatat e Himarës, Butrintit, Drinopojës e Kozilit (pranë Prevezës), që iu shkëputën Naupaktit, apo selitë e Vlorës, Glavinicës e Cernikut që deri atë çast i përkisnin Durrësit. Në këtë mënyrë kryepeshkopata e Ohrit përmblodhi numrin më të madh të peshkopatave shqiptare. Përveç selive që iu shkëputën Durrësit e Naupaktit, ajo kishte nën vete edhe selitë peshkopale të Nishit, Prizrenit, Shkupit, Dibrës, Kërçovës, Përlepit, Devollit, Kolonjës, Manastirit etj. Kryepeshkopata e Ohrit e ruajti këtë shtrirje edhe pas rënies së Perandorisë Bullgare (1018). Perandori Bizantin Bazili II ia rikonfirmoi kishës së Ohrit të gjitha sufraganet që i ishin akorduar nga carët bullgarë, përfshirë selitë e shkëputura nga Naupakti e Durrësi, me gjithë protestat e kryepeshkopëve të këtyre të fundit.
Juridiksioni i Durrësit, që fillimisht shtrihej prej Tivari në Vlorë vazhdoi të zvogëlohej derisa aty nga viti 1143, nga 14 sufragane që kishte më parë, i kishin mbetur vetëm 4 sufragane: Kruja, Kunavia, Stefaniaka dhe Lezha. Rëndësi të madhe pati shkëputja prej tij e selive peshkopale të Dioklesë (Gentës), të cilat përpiqeshin të krijonin një dioqezë kishtare më vete me qendër Tivarin. Në kuadrin e luftës për një autonomi politike nga Bizanti, princërit e Dioklesë i shfrytëzuan dhe i inkurajuan përpjekjet e klerit të tyre për një shkëputje kishtare nga Konstandinopoja. Rezultati i përpjekjeve të tilla ishte shkëputja më 1022 e peshkopatave të Ulqinit e të Tivarit nga Durrësi dhe rikthimi i tyre në sferën e kishës së Romës. Papa Benedikti VIII i shpalli në atë kohë dy peshkopatat shqiptare si sufragana të kryepeshkopatës së Raguzës.
Shembulli i Tivarit dhe i Ulqinit u ndoq në vitet e mëvonshme edhe nga peshkopatat e tjera shqiptare të veriut. Në këtë mënyrë, ndarja zyrtare e kishës (1054), në kishë katolike të Perëndimit, me qendër në Romë, e në kishë ortodokse të Lindjes, me qendër në Konstandinopojë, i gjeti trojet shqiptare të ndara midis dy qendrave të mëdha të botës së krishterë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdoi të qëndrojë e lidhur me Patriarkatin e Konstandinopojës. Por në skajin veriperëndimor ishte kristalizuar një enklavë katolike e përfaqësuar nga peshkopatat diokleate të Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Pultit, Drishtit që njohën autoritetin kishtar të Papës së Romës.
Një funksion të rëndësishëm, si bërthama të besimit katolik, zhvillonin në Diokle e në trevat e tjera veriore të Shqipërisë manastiret e mëdha benediktine, ndër të cilat shquheshin manastiri i Shën Serxhit e Bakut (Shirgjit) në derdhjen e Bunës, ai i Shën Mërisë së Rotecit afër Tivarit, si dhe manastiret e Shën Lleshit në Orosh (San Alexandro in monte), i Shelbuemit në Rubik, i Shën Mërisë së Ndërfandes (Mirditë), e të Shën Kollit (Mat). Pushteti jo vetëm shpirtëror, por edhe ekonomik i këtyre abacive qe aq i madh, sa që Papati i shkëputi ato nga juridiksioni i kryepeshkopit të Tivarit dhe i vuri nën administrimin e vet të drejtpërdrejtë.
Në çështje të organizimit të kishave katolike shqiptare të veriut Papati, ashtu si dikur Patriarkati i Konstandinopojës, u përpoq të evitonte një autonomi të madhe të tyre. Ndonëse më 1077 papa Grigori VII shpalli krijimin e kryepeshkopatës së Tivarit, kësaj nuk iu dhanë kompetencat e një mitropolie, në radhë të parë nuk iu njoh e drejta e emërimit të peshkopëve në selitë varëse. Së bashku me kishat e Ulqinit, Shkodrës, Shasit (Suaçit), Drishtit e Pultit, kryepeshkopata e re e Tivarit u vu në varësi të kishës së Raguzës. Për më se një shekull peshkopatat shqiptare luftuan për t’u shkëputur nga varësia e Raguzës, duke hyrë në konflikt jo vetëm me këtë, por edhe me vetë Papatin. Papa Anastasi IV më 1153 e, pas tij, papa Aleksandri III më 1167 kaluan deri në masa ekstreme, duke shkarkuar nga funksionet peshkopët e Ulqinit, Tivarit, Drishtit e duke kërcënuar me të njëjtën masë edhe prelatët e tjerë, që refuzonin të njihnin si autoritet epror kryepeshkopin e Raguzës.
Kjo luftë e gjatë e peshkopatave katolike shqiptare për një autonomi nga qendrat e huaja kishtare, përkatësisht nga Raguza, u kurorëzua më në fund me sukses në kohën e pontifikatit të papës Inocent III (1199-1211).
Kjo kthesë në politikën e Papatit ndaj kishës katolike shqiptare përkonte me një fazë të re zhvillimi për Kishën Katolike në përgjithësi. Dobësimi i Perandorisë Bizantine nga gjysma e dytë e shek. XII, që çoi në shembjen e saj më 1204 nga kryqtarët perëndimorë, i hapi rrugë strategjisë së Papatit për shtrirjen e ndikimit të vet në trevat ballkanike, që ishin nën juridiksionin e Patriarkut ortodoks të Konstandinopojës.
Në kuadrin e një strategjie të tillë, këndi i peshkopatave katolike shqiptare në veriperëndim të vendit fitoi rolin e një baze operacionale të katolicizmit kundër ortodoksisë. Duke u nisur nga kufijtë e dioqezës së Tivarit, kisha katolike depërtoi në thellësi, në drejtim të Lindjes (Kosovë) e të Jugut (Principata e Arbrit). Në fillim të shek. XIII, më saktë në vitin 1204, burimet historike flasin për herë të parë për ekzistencën e selive peshkopale katolike në Kosovë, si në Prizren e në Shkup. Në vitet e mëvonshme kisha katolike dëshmohen edhe në qendra të tjera, si në Graçanicë, Trepçë, Novobërdë, madje edhe në lokalitete e deri në fshatra të vogla, gjë që flet për një përhapje të gjerë të ritit katolik në ato treva, që 5-6 shekujt e fundit, të paktën administrativisht, kishin qenë të lidhura me kishën ortodokse të Lindjes.
Shtrirja e ritit katolik në viset e Dardanisë së vjetër (Kosovë), të banuara kryesisht nga popullsi shqiptare, përkon me kalimin e tyre dhe të Dioklesë (Gentës) nga sundimi bizantin nën pushtimin e shtetit serb të Rashës. Politika kishtare e mbretërore serbe synonte që kisha ortodokse serbe, qysh prej vitit 1219 autoqefale, të zinte në këto hapësira vendin e Kishës së Konstandinopojës. Themelimi dhe kthimi në ritin serb i një sërë manastiresh e kishash në Kosovë, Maqedoni e në Diokle (Gentë), si dhe zhvendosja në Pejë e selisë së Patriarkatit serb i shërbenin pikërisht këtij qëllimi.
Megjithatë, të ndodhur nën presionin dhe kërcënimet e Papatit e të fuqive katolike të Evropës, mbretërit dhe kisha serbe u detyruan së paku fillimisht ta tolerojnë deri diku praninë e kishës katolike në viset e pushtuara sërishmi. Kjo vlen sidomos për viset e Dioklesë, tradicionalisht të lidhura me Romën. Për të shmangur ballafaqimin me popullsinë vendase dhe me botën katolike të përtejdetit, mbretërit e parë serbë të dinastisë Nemanja ua njohën për ca kohë atyre autonominë kishtare që kishin gëzuar edhe më parë, në kohën e sundimit bizantin. Në këtë kuadër, për gjithë gjysmën e dytë të shek. XIII, edhe pushteti laik në Diokle iu besua një princeshe katolike, gruas franceze të mbretit Stefani I Urosh, Helenës. Në kujtesën e popullsisë shqiptare të Dioklesë, emri i mbretëreshës Helena u ruajt për shumë kohë si bamirëse e mbrojtëse e besimtarëve dhe e objekteve të kultit katolik. Një mbishkrim mbi gur nga manastiri benediktin i Shën Serxhit e Bakut (Shirgjit), që ruhet sot e kësaj dite, kujton se në vitin 1290 mbretëresha Helenë e rindërtoi nga themelet këtë vend të shenjtë për besimtarët e zonës.
Sidoqoftë, qëndrimet tolerante ndaj katolikëve shqiptarë në viset e pushtuara përbënin vetëm një përjashtim në politikën e Nemanjëve serbë dhe lidheshin me rolin dhe ndikimin e mbretëreshës franceze, Helenës.
Qysh kur serbët e Stefan Nemanjës u shfaqën në viset e Kosovës e të Dioklesë (Gentës), fillojnë të duken dëshmitë e para historike mbi “persekutimet e Zhupanit të madh” (1173), si dhe për “ankthet e vuajtjet e katolikëve të robëruar” (1199). Politika e shtetit serb ndaj popullsive katolike të viseve shqiptare të pushtuara u kristalizua sidomos në kohën e sundimit të mbretërve Stefan Uroshi II (1282-1321), Stefan Uroshi III (1322-1331) e Stefan Dushani (1331-1355). Koha e sundimit të këtyre sovranëve është periudha e përqendrimit dhe e konsolidimit më të madh të mbretërisë serbe. Ajo përkon gjithashtu me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve të kësaj me Papatin dhe me fuqitë katolike, siç ishin Hungaria dhe anzhuinët francezë. Duke i konsideruar shqiptarët katolikë si një element destabilizues dhe aleat i natyrshëm i këtyre fuqive, mbretërit serbë zbatuan një politikë të tërë, që erdhi duke u përpunuar dora-dorës e që gjeti shprehjen më të qartë në “Kodin e Stefan Dushanit” (1349). Disa nga nenet më të rëndësishme të këtij kodi, i kushtoheshin “shkuljes së herezisë katolike” dhe veprimeve kundër besimtarëve dhe klerikëve katolikë, që nuk dëgjonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe. Për këta shpallej hapur përvetësimi dhe prishja e kishave, sekuestrimi i pasurisë, damkosja me hekur të nxehtë, dëbimi dhe deri ndëshkimi me vdekje. Dokumente të shumta të asaj kohe provojnë se këto masa të parashikuara kundër katolikëve në kodin e së drejtës mesjetare serbe, u zbatuan në praktikë me egërsinë më të madhe, duke shkaktuar kryengritjet e popullsisë shqiptare si dhe protestat e ashpra të Papatit, që më se një herë shpalli deri organizimin e kryqëzatave perëndimore për të shpëtuar popullsitë katolike që vuanin nën shtypjen e mbretërve “skizmatikë” të Rashës.

Kisha e Arbrit në shek. XII-XIII
Drejtim tjetër i përhapjes së ritit katolik në trevat shqiptare qe ai i territoreve në jug të rrjedhës së lumit Drin, ku në kapërcim të shek. XII-XIII fillonin kufijtë e Principatës së Arbrit. Ashtu si në trevat më veriore shqiptare, edhe në shtrirjen e Principatës së Arbrit, përhapja e ritit katolik u kushtëzua së tepërmi nga rrethanat politike që u krijuan këtu pas mesit të shek. XII e që lidhen me krizën e përgjithshme të Perandorisë Bizantine dhe tronditjen e pozitave të shtetit e të kishës bizantine në Shqipëri. Nuk përjashtohen këtu ndikimet që vinin nga Durrësi. Prania e kolonive tregtare italiane, siç qe ajo e venecianëve dhe e amalfitanëve, nënkuptonte dhe praninë e kishave të posaçme, rreth të cilave grumbulloheshin dhe organizoheshin këto komunitete të huaja. Të tilla kisha përmenden që më 1081, si kisha e Shën Mërisë së Amalfitanëve dhe ajo e Shën Andresë, kjo e fundit ndërtuar nga venecianët. Pas venecianëve dhe amalfitanëve, në Durrës nuk vonoi të shfaqej edhe një komunitet katolik vendas. Por, nga ana tjetër, ndryshimi i orientimit fetar në këtë trevë ishte shprehje e ndryshimit të orientimit politik të aristokracisë së Arbrit, që pas mesit të shek. XII merr nuanca të qarta properëndimore.
Ndikimet e katolicizmit në trevën e Arbrit përcilleshin, pra, nëpërmjet kishës së Dioklesë (Gentës), nga veriu, dhe nëpërmjet kishës katolike të Durrësit, nga perëndimi. Për më tepër, ashtu si në Dioklenë fqinje, në Arbër ekzistonin prej kohësh shumë të vjetra një numër abacish të urdhrit të benediktit të themeluar nga misionarë perëndimorë. Ndonëse nën hije, këto vazhduan të funksionojnë edhe pas ndarjes së kishave, më 1054, duke mbajtur gjallë orientimin roman (katolik) të tyre e duke shërbyer si pikëmbështetje e Papatit në këto treva. Të tilla manastire qenë, p.sh., manastiri i Shën Lleshit në derdhjen e poshtme të Matit, i Shën Pavlit në Blinisht, i Shën Mërisë së Ndërfanit buzë Fanit të Madh, manastiri i Shën Lleshit në Orosh, i Shën Kollit në Breg-Matë, i Shënepremtes në Kurbin e së fundi, manastiri i Shelbuemit në Rubik. Këto abaci nuk përmenden përpara vitit 1166, por elementë të veçantë, si shtresat me mozaikë, afresket apo mbishkrimet e mureve, dëshmojnë qartë për një hershmëri shumë të madhe të tyre. Pas ndarjes së kishave, më 1054, këto manastire u kthyen në avanposte të katolicizmit roman në sferën ortodokse, duke luajtur rolin e tyre në ndryshimin e raportit të forcave midis ritit ortodoks dhe atij katolik në zonën e Arbrit. Aty nga mesi i shek. XIII, kisha ortodokse kishte humbur tashmë mjaft terren në këtë zonë. Në vitin 1143 arkimandriti Nil Doksopatri kumton se mitropolisë ortodokse të Durrësit i kishin mbetur vetëm 4 sufragane nga 14 që kishte pasur dikur. Nga këto, tre i përkisnin territorit të Arbrit dhe qenë peshkopatat e Krujës, Kunavisë dhe Stefaniakës, që edhe gjeografikisht ndodheshin më pranë Durrësit. Ndërkaq, më 19 qershor të vitit 1166, titullari i kishës së Arbrit, peshkopi Lazar, i shoqëruar nga abati i manastirit benediktin të Shelbuemit (Rubik), Gjergji, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kishës katolike të Shën Trifonit në Kotorr, ku iu rezervua nderi i veçantë i konsakrimit të njërit prej altareve të kishës. Në ceremoninë në fjalë ndodheshin edhe përfaqësues të peshkopatave dhe të abacive të tjera katolike shqiptare nga Drishti, Shirgji, Ulqini, Tivari, Shasi si dhe “priori Andrea i Arbrit” që me sa duket përfaqësonte pushtetin laik të asaj krahine. Një vit më vonë, papa Aleksandri III, në një letër dërguar peshkopit Llazar të Arbrit, lëvdon angazhimin e tij për ta shkëputur kishën e tij nga ortodoksia bizantine e për ta lidhur atë me Romën. Me atë rast e fton Llazarin të njohë si epror të tij, të caktuar nga Selia e Shenjtë, mitropolitin e Raguzës.
Ashtu si selitë e tjera peshkopale shqiptare, edhe peshkopata e Arbrit nuk pranoi të vihej nën urdhërat e kryepeshkopatës dalmatine. Por ajo nuk u shpall as sufragane e kryepeshkopatës së Tivarit, kur kjo e fundit fitoi atribute mitropolitane dhe grumbulloi rreth vetes qendrat peshkopale të Dioklesë. Një dokument papal i vitit 1188 bën të ditur se peshkopata e Arbrit ishte vendosur në atë kohë nën varësinë e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Emërimi dhe shugurimi i kreut të saj bëhej vetëm nga Papa i Romës. Peshkopata e Arbrit ishte e vetmja ndër të gjitha peshkopatat katolike të pellgut dalmato-shqiptar që gëzonte një status të tillë.
Është jashtë çdo dyshimi se lëvizjet e kishës së Arbrit përcaktoheshin në një masë të madhe nga vullneti politik i krerëve të Arbrit. Orientimi i ri i kishës së Arbrit nga Roma katolike, si dhe organizimi i saj i pavarur nga qendrat fqinje, i përgjigjej drejtimit të ri properëndimor e autonomist të politikës së tyre.
Akti i fundit i këtij orientimi ishte edhe braktisja e ritit ortodoks dhe konvertimi në katolicizëm nga vetë krerët e Principatës së Arbrit. Një hap i tillë u ndërmor në vitin 1208 nga princi Dhimitër. Në një letër për papën Inocenti III, Dhimitri i shfaqte kreut të kishës katolike vendimin për t’u futur bashkë me vasalët e tij, në gjirin e kishës katolike. Papa nisi që atë vit në drejtim të Arbrit dy emisarë të tij, ndër të cilët njëri ishte arkidhjaku katolik i Durrësit, që do të merreshin me përgatitjen doktrinale të princit të Arbrit e të njerëzve të tij. Ceremonia solemne e bashkimit të tyre me kishën e Romës do të zhvillohej në një fazë të dytë, në praninë e një legati apostolik, të dërguar posaçërisht nga Papa.
Traktaktivat midis Papatit e princërve të Arbrit u ndërprenë si rezultat i rrethanave të reja politike që u krijuan në krejt zonën e Durrësit e të Arbrit pas vitit 1210. Këto u përfshinë përsëri për rreth gjysmë shekulli në sferën e ndikimit bizantin e gjatë kësaj kohe kisha e Arbrit u lidh sërish me botën ortodokse. Megjithatë, prirjet pro-katolike mbetën gjithmonë të fuqishme si në Arbëri, ashtu dhe në Durrës. Këtu, krahas kishës ortodokse, vazhdoi të funksionojë pandërprerë edhe kisha katolike, që, në mungesë të kryepeshkopit, drejtohej nga një arkidhjak i zgjedhur nga mbledhja e klerit vendas. Në këtë kohë në Durrës duken edhe shenjat e para të mbërritjes së misionarëve të urdhrave të rinj, dominikanë e françeskanë. Në zonat periferike të Arbrit, në kufi me Pultin e Shkodrën, kisha katolike i ruajti të paprekura pozitat e saj. Vetë peshkopi i Arbrit, i përsëriti më 1250 papa Inocentit IV dëshirën për futjen e dioqezës së tij nën tutelën e Romës. Kësaj iu paraqit një rast ideal për konsolidimin e pozitave të katolicizmit në një zonë kaq të kontestuar nga të dy kishat rivale, atëherë kur anzhuinët e Napolit morën Durrësin dhe e shtrinë juridiksionin e tyre në të gjitha viset e Principatës së Arbrit (1272). Në atë kohë u derdhën në Shqipëri një numër i madh fretërish dominikanë e françeskanë, që u vendosën në abacitë e vjetra benediktine ose themeluan qendra të reja manastirore. Ata u kthyen në një mjet aktiv të propagandës papale, e cila ndikoi mjaft në konsolidimin dhe në shtrirjen e mëtejshme të pozitave të katolicizmit në Shqipëri. Megjithatë, përsa i përket shtrirjes së ngushtë të Arbrit, këtu riti katolik nuk arriti të zhvendoste plotësisht besimin ortodoks. Qoftë për traditë, qoftë si rrjedhojë e ndikimit, që kisha ortodokse ushtroi vazhdimisht në këtë bërthamë qendrore të trojeve shqiptare, këtu u arrit të realizohej një simbiozë e deri një përzierje e të dy riteve, për të cilën papët e Romës u ankuan më se një herë. Një simbiozë e përzierje e tillë u shpreh materialisht në ekzistencën e funksionimin paralel të kishave e manastireve katolike e ortodokse në gjithë zonën e Arbrit si dhe në Durrës. Nuk janë madje të rralla rastet kur brenda të njëjtit tempull të gjenden së bashku elementë simbolikë, ikonografikë, ritualë e kulturorë që i përkasin njërit apo tjetrit rit. Shembull tipik në këtë drejtim ishte kisha e hershme e Shën Mërisë në Brrar afër Tiranës, një themelim i bujarëve Skurra, ku skenat biblike në afresket e mureve, ose mbishkrimet latine apo greke, dëshmojnë për një pozitë të papërcaktuar të gjithë kësaj treve midis katolicizmit e ortodoksisë e në një kuptim më të gjerë midis qytetërimit perëndimor e atij bizantin. Pikërisht për këtë arsye, një misionar katolik, që vizitoi Arbërinë më 1308, konstatonte se banorët e këtij vendi qenë “sa katolikë, aq edhe ortodoksë”. Edhe më kuptimplote për çështjen e prirjeve kulturore e fetare që mbizotëronin në atë kohë në trevën e Arbrit është shembulli i Karl Topisë, princ i Arbrit në vitet 1350-1385. Edhe pse botërisht shpallej si princ katolik e ithtar i Papës, Karl Topia në praktikë u shqua si themelues (ktitor) kishash e manastiresh ortodokse e në përgjithësi si mbrojtës e përkrahës i kulturës bizantine në principatën e tij.

Kristalizimi i sferës ortodokse në shek. XIII-XIV
Pavarësisht nga dobësimi apo humbja e pozitave në treva të caktuara, fakti është se përtej brezit Durrës-Ohër pozitat e kishës ortodokse në Shqipëri nuk u rrezikuan asnjëherë seriozisht nga mësymja e katolicizmit roman.
Aty ndihej fuqishëm veprimi i qendrave të mëdha të ortodoksisë bizantine, siç qenë kryepeshkopatat e Durrësit, Naupaktit, dhe sidomos ajo e Ohrit. Një numër i madh kishash e manastiresh bizantine, të ndërtuara që në shekujt e hershëm të mesjetës e që ruhen ende sot në vende të tilla, si në Ohër, Korçë, Elbasan, Pojan, Berat, Ballsh, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, dëshmojnë për ndikimin e plotfuqishëm që kisha ortodokse bizantine ushtronte në këto vise. Disa nga këto manastire administroheshin e drejtoheshin drejtpërdrejt nga Patriarku i Konstandinopojës e gëzonin kështu statusin e lakmuar të manastirit stavropegjiak. Të tillë dëshmohen të kenë qenë manastiri i Shën Kollit në Mesopotam (Delvinë), një fondacion i hershëm i perandorit bizantin Konstandini IX Monomak (1042-1054), apo manastiri i Labovës së Kryqit dhe ai i Hoteahovit (Çamëri).
Ndryshe nga viset e tjera shqiptare në veri të vijës Durrës-Ohër, në territoret në jug të saj kriza e Perandorisë Bizantine në shek. XII dhe shembja e saj më 1204 nga kryqtarët nuk i tronditi pozitat e ortodoksisë bizantine. Për më se gjysmë shekulli pas rënies së Konstandinopojës, e gjithë shtrirja prej Durrësit në Prevezë u përfshi në kufijtë e Despotatit të Epirit, një formacion që në pikëpamje shtetërore e kishtare qe një imitim i Perandorisë Bizantine. Nën tutelën e Despotëve të Epirit, peshkopatat e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Beratit, Devollit, Drinopojës, Himarës, Butrintit, Eurojës etj., njohën një periudhë lulëzimi të veçantë. Pas vitit 1260, pjesa më e madhe e këtyre trevave u përfshi edhe për gati një shekull tjetër (deri më 1346) në kuadrin e Perandorisë së rindërtuar Bizantine, gjë që ndikoi akoma më shumë në forcimin e karakterit ortodoks të besimit në to. Rrethanat politike bënë shpesh që familjet fisnike Matrënga, Muzaka, Zenebishi, Spata, Losha të kishin marrëdhënie me fuqitë katolike si anzhuinët e Napolit ose Venediku, madje dhe me vetë Papatin. Si rezultat ndodhi që në pikëpamje kishtare ndonjë pinjoll i tyre të kthehej në katolik. Një dokument i vitit 1290 jep pikërisht emrat e një grupi “neofitësh” katolikë që u përkisnin familjeve në fjalë. Pavarësisht nga episode të tilla, trevat jugore shqiptare dhe banorët e tyre qëndruan, në përgjithësi, të lidhura me ritin ortodoks.
Pavarësisht nga fakti që ndarja kishtare që prej shek. XI u bë një realitet në jetën shoqërore në Shqipëri, ajo nuk arriti asnjëherë të ushqejë shfaqje të intolerancës e të fanatizmit fetar. Përgjatë gjithë mesjetës këtu s’ka asnjë të dhënë që të pohojë ekzistencën e ballafaqimeve e të konflikteve fetare midis shqiptarëve ortodoksë dhe atyre katolikë. Kjo bashkëjetesë e ky mirëkuptim u ruajt edhe kur struktura fetare në Shqipëri ndryshoi në mënyrë radikale dhe kur pjesa më e madhe e popullsisë u konvertua në islamizëm.

5. PRONA FEUDALE NË SHQIPËRI GJATË SHEK. XI-XIV

Prona feudale dhe evoluimi i saj në Shqipëri (shek. XI-XIV)
Shekulli X ofron dëshmitë e para historike për format fillestare të pronës feudale në Shqipëri. Ato kanë të bëjnë kryesisht me pronat kishtare, dokumentacioni i të cilave mundi të ruhej më mirë nëpër arkivat e biblotekat e manastireve dhe institucioneve të tjera kishtare. Konkretisht, për vitet 1018 e 1020 ruhen dy akte dhurimi të perandorit bizantin Bazili II për disa nga peshkopatat shqiptare. Në aktet (diplomat) në fjalë bëhet fjalë për numra të ndryshëm klerikësh e parikësh, që përfaqësojnë kategori të ngjashme bujqish, të cilët bashkë me tokën e tyre lidheshin pas peshkopatave në fjalë me detyrimin që t’u dorëzonin atyre tatime të caktuara, të cilat më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin. Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i akordoheshin 30 klerikë e po aq parikë, njëlloj sa edhe peshkopit të Kosturit. Kurse peshkopi i Glavinicës do të kishte në viset nën juridiksion të tij, në Mallakastër e Kaninë, 40 klerikë e 40 parikë, po aq sa dhe peshkopi i Beratit. Peshkopë të eparhive më pak të rëndësishme, si të Cernikut (Cërrikut), e Dropullit (Adrianopolit) do të kishin nga 15 për secilën nga të dy kategoritë, kurse ai i Himarës 12 për çdo kategori. Në aktet e Bazilit II përcaktohet se peshkopatave në fjalë u jepej e drejta e nxjerrjes për vete (ekskusia) të të ardhurave që më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin.
Lidhja e një numri të caktuar fshatarësh, bashkë me ngastrat e tyre, pas personave fetarë ose laikë me qëllim shlyrjen në favor të këtyre të fundit të atyre detyrimeve, që fshatarët në fjalë deri atëherë ia kishin dorëzuar shtetit, përbën një shenjë paralajmëruese për marrëdhëniet e reja që po përvijoheshin në fshatin shqiptar. Megjithatë, një lidhje e tillë qe ende e brishtë, qoftë për faktin se numri i ekonomive fshatare që i atashoheshin një personi a një institucioni fetar të caktuar qe i ulët, qoftë për faktin se pjesa e rentës që këta të fundit merrnin nga këto ekonomi fshatare qe ende e vogël në krahasim me sasinë e rentës që shkonte në favor të shtetit. Nga ana tjetër, ky sistem linte krejtësisht në duart e shtetit atributet e pushtetit gjyqësor, duke i dhënë atij një pozitë mbisunduese si ndaj bujqve “të dhuruar”, ashtu dhe ndaj beneficiarit që tash e tutje përfitonte një pjesë të rentës së tyre.
Gjithsesi, aktet e dhurimit të perandorit bizantin Bazili II të viteve 1018-1020 zbulojnë një fazë embrionale të sistemit të pronies (pronoia), i cili nga shek. XI u bë forma tipike e pronës feudale në Bizant. Institucioni i pronies pati një përhapje të gjerë edhe në trevat shqiptare, aq sa fjala “pronie” u trashëgua në fjalorin e shqipes, duke marrë në dallim nga kuptimi që kishte fillimisht, kuptimin e çdo forme zotërimi të pakushtëzuar (pronë).
Në fakt, pronia ishte një sasi e caktuar toke e përfaqësuar nga një numër ekonomish fshatare, që perandori bizantin me anë të një diplome të posaçme (krysobull) ua shpërndante personave laikë apo institucioneve fetare për t’i pasur në zotërim të kushtëzuar.
Pronia nuk ishte kurrsesi një zotërim me të drejta të plota. Duke marrë pronien, titullari i saj, proniari, fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare, që përbënin pronien e tij, një numër të caktuar detyrimesh që deri atëherë shkonin në dobi të arkës perandorake. Në këmbim ai ishte i detyruar t’i përgjigjej thirrjes së perandorit për shërbim ushtarak, duke u paraqitur me një numër kalorësish e këmbësorësh të armatosur me shpenzimet e veta. Kështu në fund të shek. XIV një proniar nga familja Dukagjini i përgjigjej thirrjes së kryezotit për luftë duke u paraqitur me 40 kalorës e 100 këmbësorë. Në pikpamje juridike, pronia ishte, pra, e ngjashme me stratiotika ktemata, d.m.th. me ngastrat e ushtarëve-bujq të periudhës paraardhëse. Si njëra dhe tjetra jepeshin për shfrytëzim me kusht dhe kushti kryesor ishte kryerja e shërbimit ushtarak. Por në pikëpamje shoqërore ndryshimi mes njërës dhe tjetrës qe i madh. Zotëruesit e ngastrave ushtarake i përkisnin klasës së fshatarësisë së lirë, që merreshin vetë me punimin dhe shfrytëzimin e tyre. Në të kundërtën, zotëruesit e pronies i përkisnin klasës së pronarëve të mëdhenj, që përdornin punën e të tjerëve, të bujqve parikë (paroikoi).
Pronia lidhej ngushtë me personin të cilit i jepej. Ajo nuk shitej, nuk ndahej, nuk dhurohej. Pas vdekjes së titullarit, proniarit, ajo i kthehej përsëri pushtetit qendror dhe me një krysobull të re perandori ia kalonte atë një proniari të ri, që sigurisht merrte përsipër detyrimin ushtarak. Pronia mund të trashëgohej nga i ati tek i biri në rast se ky merrte përsipër të kryente detyrimet ushtarake si i ati. Por dhe në këtë rast nevojitej miratimi i pushtetit qendror, përkatësisht i perandorit.
Instituti i pronies e përshpejtoi edhe në Shqipëri procesin e feudalizimit, sidomos nëpërmjet krijimit të një shtrese të re të pasurish, të fisnikërisë ushtarake. Në shek. XII vendi gëlonte nga fisnikë të tillë që mbanin tituj bizantinë, si sebastos, kaballarios etj. Për shumë nga këta, pajisja me pronia e me tituj nga pushteti qendror bizantin shënoi edhe fillimin e një procesi integrimi në shtetin dhe administratën bizantine.
Me kalimin e kohës pronia pësoi ndryshime thelbësore. Në shek. XIII-XIV proniarët fituan një numër të madh privilegjesh e atributesh, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë pushtetin qendror. Sasia e rentës që shkonte në dobi të proniarit u rrit së tepërmi në raport me atë që i shkonte arkës qendrore. Proniarët filluan të merrnin për vete edhe taksën e tokës, që ishte atribut i pandashëm i pushteti qendror. Proniarët ngritën një aparat të tyrin administrativ, që zëvendësoi atë shtetëror, me nëpunës, roje, ushtarë, ndonjëherë edhe me gjykatës të vetët.
Në fakt, pas shek. XIII, ndodhte shpesh që proniarët të përvetësonin edhe të drejtën e gjykimit fillimisht për çështjet e vogla, më vonë edhe për krimet e rënda, duke i hequr pushtetit qendror një nga prerogativat kryesorë të ushtrimit të sovranitetit.
Në shek. XIV, pronia i ishte afruar së tepërmi statusit të një zotërimi feudal të pavaruar. Ajo tanimë mund të trashëgohej, të ndahej, madje dhe të shitej. Gjithnjë e më rrallë proniari përmbushte detyrimin kryesor ndaj shtetit, atë ushtarak, madje kjo shpjegon përse në ndonjë rast del se zotërues dhe administratorë të proniave të ishin edhe gra.
Megjithatë, në fund të shek. XIV dhe gjatë gjithë shek. XV, në përputhje me intensifikimin e veprimtarive ushtarake si pasojë e sulmeve të turqve osmanë, vihet re një rigjallërim i institucionit të tokave ushtarake (stratiotika ktemata), qoftë në formën e mirëfilltë feudale (pronia), por sidomos në formën e vjetër të parcelave të vogla ushtarake të periudhës së perandorëve “maqedonë” (shek. IX-XI). Shumë nga shqiptarët e emigruar në Greqi, në shek. XIV-XV, u vendosën bashkë me familjet e tyre në zotërimet e feudalëve bizantinë, të cilët u dhanë atyre në përdorim toka, vreshta e kullota kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak në mbrojtje të zotërimeve në fjalë. Burimet e kohës i quajnë ata rëndom stratiotë (ushtarë). Institucioni i pronies njohu një përhapje të madhe në zonën e Shkodrës, ku në shek. XIV dëshmohet një numër i madh proniarësh, të cilët me miratim të Venedikut administronin fonde të caktuara tokash nën juridiksionin e Shkodrës kundrejt detyrimit për t’i shërbyer me luftëtarë qeveritarit venecian të atij qyteti. Nga ana tjetër, në zotërimet e saj të Peloponezit, të Eubesë e të Dalmacisë, Republika e Venedikut tërhoqi masa të tëra emigrantësh shqiptarë, të cilëve u premtonte ngastra toke, vreshta, kullota etj., kundrejt angazhimit të tyre në mbrojtje të kështjellave e zotërimeve veneciane nga sulmet e turqve osmanë. Për më se një shekull, këta pronarë-luftëtarë shqiptarë (stratiotë), qenë shtylla kurrizore e ushtrive të Venedikut sa në zotërimet e tij të Shqipërisë, ashtu dhe në ato të Greqisë e të Dalmacisë. Reparte stratiotësh shqiptarë u përdorën nga Venediku edhe në Itali, në luftërat me shtetet rivale të tij. Fama e stratiotëve shqiptarë, si Mërkur Bua, Manol Blesi etj., i kapërceu edhe kufijtë e Italisë e u përhap në Gjermani, Francë, Poloni, ku këta stratiotë ofruan shërbimet e tyre.
Ndonëse pronia u bë dukuri mbizotëruese në shek. XI-XIV, krahas saj vazhduan të ekzistojnë forma të tjera të pronës. Kjo vlen në radhë të parë për bashtinën apo pronën më të drejta të plota e të pakushtëzuara, që posedohej mbi bazën e titujve të pronës (titulus possessionis). Kishte bashtina që i përkisnin përfaqësuesve të aristokracisë dhe që si të tilla kishin shtrirje të madhe dhe punoheshin nga bujqit. Këto njiheshin në Bizant me emrin “paraspor”. Por kishte edhe bashtina të vogla, prona të bujqve, që punoheshin nga vetë pronari. Kategorisë së bashtinës i përkisnin edhe pronat e qytetarëve të Durrësit, Shkodrës, Drishtit etj., në rrethinat e qyteteve në fjalë. Në Durrës qytetarët zotëronin në pronë të plotë edhe kullotat në malin e afërt të Temalit. Ndarja, trashëgimia apo shitblerja e bashtinave ishte një dukuri e zakonshme, që ndeshet herët në Durrës, Dibër, Devoll, Vageneti e gjetkë. Bashtina ishte e vetmja kategori e pronës që paraqitej lirisht në tregun e tokës. Shitblerja e saj pasqyrohej në ndryshime të shpejta e të thella të statusit shoqëror. Një shitje e shpejtuar e tokës apo edhe një përjashtim nga e drejta e trashëgimisë mund ta kthente sakaq një pronar në një bujk të varfër (paroikos), siç ndodhi më 1223 me Tanushin, birin e Gjinit, nga Dibra, i cili u detyrua të punonte si bujk (poroikos) në tokat e të tjerëve, pasi e ëma dhe vëllezërit nuk i dhanë pjesën e tokës që i përkiste si trashëgim nga i ati.
Afrimi i statusit të pronës së kushtëzuar (pronies) me atë të pronës së pakushtëzuar (bashtinës) pas shek. XIII, i dha vrull të papërmbajtur procesit të përqendrimit të tokave në pak duar, rrjedhimisht dhe rrënimit të pronarëve të vegjël. Ky proces u shoqërua me rritjen e të drejtave (imuniteteve) dhe të atributeve sovrane të pronarëve të veçantë dhe me fuqizimin e pozitës së tyre ekonomike, juridike e politike si ndaj masës së fshatarëve të vet, ashtu edhe ndaj pushtetit qendror. Kjo është koha kur mund të flitet për marrëdhënie feudale të zhvilluara në Shqipëri.
Zotërimi feudal në Shqipëri, si kudo në Bizant apo në Perëndim, përbëhej nga dy pjesë kryesore: toka e fshatarëve-parikë e ndarë në ngastra (stases) dhe toka e zotërisë që ishte në zotërim të drejtpërdrejtë të tij. Toka e fshatarit përfaqësohej nga shtëpia e tij (zjarri) me anekset dhe me arën, vreshtin, kopshtin etj. Zotërimi i fshatarit nuk ishte i përqendruar: ai ndahej në shumë ngastra të vogla, shpeshherë larg njëra-tjetrës. Pjesa tjetër e fondit të tokës në një zotërim feudal ishte pronë e drejtpërdrejtë e fisnikut dhe si e tillë administrohej prej tij (paraspori). Kjo pjesë e zotërimit feudal (ekonomia demaniale) erdhi vazhdimisht duke u shtuar, paralelisht me fuqizimin e aristokracisë. Karakteristike është që, në një fazë të parë, ishin ngastrat e fshatarëve ato që realizonin pjesën kryesore të prodhimit feudal. Por në shek. XI pjesa e tokave në administrim të drejtpërdrejtë të fisnikut i kaloi të parat si nga sasia, ashtu dhe nga prodhueshmëria. Shtrirja e madhe e tyre lejonte përdorimin e metodave e të teknikave të përparuara, siç qe qarkullimi bujqësor 3-vjeçar, si dhe shfrytëzimin intensiv i tokave nëpërmjet ujitjes, plehërimit etj.
Edhe më i shpejtë ishte procesi i përqendrimit të tokave në duart e institucioneve fetare, manastireve e peshkopatave. Ndryshe nga ç’kishte ndodhur deri në shek. XII, kur sipërfaqet në zotërim të tyre ishin rritur si rezultat i dhurimeve të bëra nga ana e pushtetit qendror, tani, pas shek. XII, dhuruesit e mëdhenj të manastireve e të peshkopatave janë fisnikët e mëdhenj apo të vegjël, pa përjashtuar dhe kategorinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit e të qytetit. Në fillim të shek. XIV manastiret e peshkopatat kishin arritur të grumbullonin sasi të pamasa fondesh tokësore. Një pjesë e konsiderueshme e viseve të Kosovës ishin atë kohë pronë e manastireve të mëdha, si ai i Hilandarit në malin Athos, ai i Deçanit (në rrethin e Pejës), i Vranjës (Shkodër), i Kryeëngjëllit (Prizren), i Shën Gjergjit (Shkup) etj. Vetëm manastiri i Deçanit zotëronte në shek. XIV rreth 20 000 ha tokë, që zinin një zonë pak a shumë kompakte në Rrafshin e Dukagjinit. Toka i dhurohej manastirit bashkë me bujqit, të cilët çliroheshin nga detyrimet ndaj feudalit. Këto i kalonin manastirit tërësisht, në formën e detyrimeve në natyrë, në të holla e në punë angari.
As feudali, pronar i dikurshëm, as njerëzit e tij nuk mund të shkelnin në atë tokë e të mblidhnin detyrimet. Në aktdhurimin e dy fshatrave të zonës së Dibrës për manastirin e Hilandarit, më 1426, Gjon Kastrioti deklaronte se fshatrat në fjalë do të ishin të lirë nga çdo lloj detyrimi që i kishin dhënë deri atëherë atij; këto të drejta ai ia kalonte të plota manastirit.
Të ardhurat e manastireve ishin kryesisht në produkte bujqësore. Por një pjesë, sigurisht më e vogël, vinin nga veprimtaria zejtare dhe nga aktivitete të tjera. Kështu, manastiri i Prizrenit merrte falas nga zona e Pultit një sasi fshikëzash mëndafshi, verë e kripë, kurse manastiri i Deçanit përpos këtyre merrte edhe një sasi hekuri (50 nade). Manastiri i Prizrenit merrte 1 mijë hyperperë në vit nga doganat e Prizrenit. Të ardhura të mëdha manastiret nxirrnin nga panairet të organizuara në territorin e tyre. Shpeshherë në panaire të tilla, si psh. në panairin e Shën Gjergjit në Shkup, ishte e ndaluar të tregtoheshin produkte të tjera, që s’ishin të manastirit në fjalë.
Një burim i qëndrueshëm të ardhurash për kishën mbetej, në fund, taksa për kishën (kanonikon), e paguar në natyrë e në të holla. Një pjesë e mirë e saj merrte rrugën për në Romë e Konstandinopojë. Dorëzimi i detyrimeve (prebenda) ishte një nga shkaqet e fërkimeve që lindnin herë pas here midis klerit vendas shqiptar, nga njëra anë, dhe Papatit të Romës e Patriarkatit të Konstandinopojës, nga ana tjetër.
Në përpjekje për të gjetur mjete financiare plotësuese, veçanërisht në kohë luftërash, pushteti qendror vendoste tatime të jashtëzakonshme mbi popullsinë. Kështu, në vitet e fundit të shek. XII, perandori bizantin vendosi mbi popullsinë e provincave perëndimore të perandorisë të ashtuquajturin alamanikon (taksa gjermane), për të përballuar nevojat e luftës me perandorin gjerman, Henrikun V të Sicilisë. Në shek. XV Venediku u impononte banorëve të zotërimeve të tij në Shqipëri mbledhjen e herpashershme të detyrimeve të jashtëzakonshme (recollecta), me të cilat siguronte paqen me komandantët osmanë të krahinave fqinje.
E gjithë piramida e shoqërisë feudale mbështetej në shfrytëzimin e punës së bujqve (parikëve). Kategori të tjera bujqish ishin edhe “të huajt” e “të lirët” (ksenoi, eleutheroi). Këta ishin të privuar nga toka e nga çdo lloj prone, pra të parregjistruar nga fisku dhe vendoseshin në feud në cilësinë e punëtorit me mëditje. Por me kohë edhe këta pajiseshin me një copë tokë për të cilën paguanin detyrimet përkatëse, duke u shkrirë, kështu, dhe ata në masën e parikëve.

Detyrimet feudale
Sistemi i detyrimeve feudale që rëndonin mbi fshatarin nuk ishte i njëjtë për të gjitha viset shqiptare. Ai ndryshonte sipas konfiguracionit të terrenit, por edhe sipas sferave politike në të cilat përfshihej kjo apo ajo zonë. Edhe raporti midis llojeve të ndryshme të rentës, në natyrë, në të holla e në angari, ndryshonte nga vendi në vend e nga koha në kohë. Fuqizimi i fisnikëve kundrejt pushtetit qendror bëri që nga shek. XIII, pjesa e rentës në angari e në të holla të rritej në krahasim me rentën në natyrë. Njëherësh ndryshoi edhe raporti midis rentës që shkonte në favor të shtetit dhe asaj në dobi të fisnikut, në fitim të këtij të fundit.
Detyrimet për shtetin përfshinin detyrimin mbi tokën (soku), që në trevën e Shkodrës përbëhej nga pagimi i një dukati dhe të një modi grurë (afër 250 kg) në vit nga çdo ekonomi fshatare. Krahas sokut paguhej dhe taksa “për tym” (zjarr, shtëpi) e barabartë me një dukat flori, e ashtuquajtura “e dhjeta e melit”, taksa e obrokut, baras me 4 grosh argjendi në vit, që paguhej si kontribut për mbajtjen e ushtrisë dhe të nëpunësve qeveritarë gjatë qëndrimit në një vend të caktuar etj. Një vend të rëndësishëm zinte aerikoni, që në fillimet e tij kishte qenë thjesht një gjobë e parashikuar për një numër shkeljesh e krimesh (vrasje, përdhunim, gjetje thesari). Me kalimin e kohës aerikoni u kthye në një detyrim të përhershëm. Kontribute të tjera të bujkut për shtetin kishin të bënin me punë angari në ndërtime rrugësh, urash, kështjellash (kastroktisia) apo në transporte të ndryshme, me taksa të veçanta si e dhjeta e derrave, taksa e verës, e vajit etj.
Nga ana e tij, fisniku merrte si rregull 1/10 e prodhimeve, por kjo nuk përjashtonte që duke shfrytëzuar pushtetin, ai të kërkonte sasi më të madhe. Në rastet kur pronari jepte me qira ngastra nga paraspori i tij për bujq nevojtarë, ai kërkonte deri në 1/4 e 1/2 e prodhimit. Për raste festash fshatarët ofronin gjithashtu dhurata në natyrë (kaniske), të cilat ishin të detyruara dhe aspak me dëshirë, siç e thotë emri i tyre. E madhe ishte gama e punëve angari që bujqit kryenin gjatë vitit në pronat e fisnikut: nga lërimi i tokës, mbjelljet, korrjet, vjelje e vreshtave, e deri te transportimi i produkteve nëpër depo, prerja e transporti i druve të zjarrit, i kripës etj. Në shek. XIV angaritë zinin një peshë të madhe të detyrimit të fshatarit. Në disa zona të Shqipërisë ato zinin deri në 2 ditë pune në javë në pronat e fisnikut apo në shërbime të ndryshme.
Në shek. XII-XIV vertikalizimi feudal i shoqërisë shqiptare u thellua edhe më tepër. Lidhjet e varësisë ekonomike e juridike përfshinë sektorë gjithnjë e më të gjerë të popullsisë fshatare. Burimet flasin për kthim në pronë feudale jo vetëm të zonave fushore, por dhe të atyre kodrinore e madje malore. Në pronësi feudale po kalonin edhe bastionet e fundit të pronës së bashkësisë, pyjet, kullotat, korijet, peshkoret etj. Ky proces feudalizimi mori vrull sidomos në periudhën e dobësimit të Perandorisë Bizantine, që përkon me sundimin e dinastisë së Perandorisë Paleologe (shek. XIII-XV). Atë kohë edhe prona e përkohshme dhe e kushtëzuar (pronia) përmbylli evolucionin e saj të kthimit në një pronë të vërtetë feudale të përhershme, të trashëgueshme e të pakushtëzuar. Shitblerja e lirë e tokave e favorizoi së tepërmi përqendrimin e tokës në duar të një numri të kufizuar pronarësh.
Por masën dërrmuese njerëzore, mbi të cilën ngrihej pushteti i fisnikut, e përbënin pa dyshim bujqit, që banonin dhe punonin në zotërimet e tij. Tashmë lidhjet feudale të varësisë po ktheheshin në një karakteristikë themelore të marrëdhënieve të tyre me “të fuqishmit”. Burimet historike i përmendin shpesh herë bujqit me termat servi, villani apo paroikoi, që dëftejnë bujkrobin e mirëfilltë. Të njëjtat burime japin të dhëna të mjaftueshme, që tregojnë se në zona të gjera të Shqipërisë popullsia e fshatit kishte rënë realisht në statusin e bujkrobërisë. Një udhëtar anonim tregon, në vitin 1308, se fshatarët në krahinat kryesisht malore të Këlcyrës, Tomorricës, Stefaniakës, Kunavisë, Pultit e Dibrës, punonin tokat dhe vreshtat e fisnikëve të veçantë, u dorëzonin atyre detyrime të caktuara dhe kryenin shërbime të tjera shtëpiake për ta. Historiani bizantin Kantakuzeni, nga ana e tij, dëshmon se fuqia e krerëve të këtyre krahinave mbështetej së tepërmi në bagëtitë e imta e të trasha që ata zotëronin në kope të panumërta.
Ky përqendrim i pasurisë në pak duar, kishte pa dyshim anën tjetër të shpronësimit e të varfërimit të masës së bujqve.

6. QYTETET E SHQIPËRISË

Zhvillimi urbanistik dhe popullsia
Qytetet qenë ato që pësuan më shumë gjatë periudhës kalimtare të kapërcimit nga lashtësia në mesjetë. Si rezultat i shthurjes së plotë të sistemeve të vjetra të qeverisjes, të ekonomisë, të komunikimit qytetet shqiptare shënuan një dobësim e tkurrje në funksionet e tyre. Nga ana e tyre, sulmet “barbare” që u përsëritën rregullisht në shek. V-VII, i dhanë dhe ato një goditje të pandreqshme pjesës më të madhe të qyteteve të Ilirikut Perëndimor. Nishi, Doklea, Skampa, Amantia, Onkezmi, Euroia nuk i mbijetuan dot kësaj periudhe të trazuar. Qytete të tjera, si Apolonia, Butrinti, Adrianopoli, Bylisi (Glavinica) humbën shkëlqimin e dikurshëm dhe mbijetuan vetëm si qendra të thjeshta peshkopale e ushtarako-administrative. Në fakt, edhe burimet e kohës i emërtojnë pjesën më të madhe të qyteteve të hershme, jo më si qytete (polis), por si kështjella (kastellia, polismata), duke nënvizuar me këtë rënien e funksionit ekonomik e shoqëror të tyre. Shkodra, Lezha, Ulqini, Liknidi (Ohri) arritën të mbeten qendra të banuara, ndonëse dhe ato u goditën rëndë. Në mjaft raste, qytetet e dikurshme u shpërngulën në lartësitë e afërta, ku popullsia ndihej më e sigurt brenda mureve të rindërtuara ose të ndërtuara rishtas. I tillë qe rasti i Krujës, i Kaninës, i Petrelës. Edhe në Lezhë, qendra e gravitetit u zhvendos nga qyteti i poshtëm i zhvilluar rreth portit (Lissus), në pikën e afërt mbizotëruese, ku ndodhej kështjella e vjetër.
Një rast të përveçëm përbën qyteti i Durrësit, i cili edhe në shekujt e mesjetës së hershme vazhdoi të jetë “metropoli i Ilirikut” (Niqifor Brieni). Qyteti-port, pikënisje e rrugës Egnatia, ishte nyja kryesore që lidhte Perandorinë Bizantine me zotërimet e saj në Itali dhe, në përgjithësi, me Perëndimin. Në shek. V perandor Anastasi I, me origjinë nga ky qytet, e qarkoi atë me mure solide që u qëndruan të gjitha kohërave. Rëndësi e veçantë iu kushtua fortifikimit të Durrësit nga krahu i veriut (Kepi i Pallës), ku një istëm me gjerësi 7 km e bashkonte qytetin me pjesën tjetër të kontinentit. Në këtë krah, ku priteshin goditjet kryesore kundër qytetit, gjendej e ashtuquajtuara “Porta e Kalorësit”, e përmendur më 1246 dhe që e mori emrin nga statuja e bronztë e kalorësit, e vendosur s’dihet kur mbi traun e portës. Po në këtë krah ngrihej një kullë e fuqishme, e restauruar më 1225 nga despoti Teodor Engjëlli i Artës. Rreth vitit 1280 anzhuinët ndërtuan në mbrojtje të portit një kullë të re në krahun jugor, buzë detit, që u lidh me kështjellën bizantine me anë të një muri. Në këtë anë të kështjellës ekzistonte qysh në shek. XI një lagje e banuar prej tregtarësh nga Venediku dhe Amalfi. Në pjesën më të lartë të qytetit ndodhej fortesa (castrum, praetorium), ku qëndronte garnizoni i qytetit.
Në shek. XIII edhe qendra të tjera shqiptare, si Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Lezha, Kruja, Berati, Kanina etj., bënë një hap të rëndësishëm drejt kthimit të tyre nga kështjella me fizionomi kryesisht ushtarake, në qendra urbane të zhvilluara. Në pamundësi për t’u zhvilluar brenda rrethit të mureve të trashëguara nga e kaluara, qytetet në fjalë u shtrinë jashtë tyre. U formuan kështu lagjet e jashtme (proastion, suburbium), të cilat shumë shpejt u kthyen në qendra të jetës ekonomike të qytetit. Këtu zhvilloheshin tregjet dhe ishin përqendruar dyqanet e punishtet. Në mjaft raste, si p.sh. në Berat, këto lagje u rrethuan edhe ato me mure për t’u mbrojtur në rast rreziku. Për të siguruar furnizimin me ujë të qytetit, përveç burimeve natyrore, shfrytëzoheshin ujërat e mbledhura në cisterna të posaçme të hapura në vendin më të sigurt të qytetit. Në raste të veçanta, si p.sh. gjatë rrethimit të gjatë të Beratit nga anzhuinët, më 1280-1281, shfrytëzohej edhe uji i lumit, me të cilin kështjella lidhej me sisteme të fshehta e të mbrojtura vendkalimesh.
Duke filluar nga shek. XIII, qendra të reja, me drejtim kryesisht tregtar e doganor, lindën në grykëderdhjet e disa prej lumenjve kryesorë të Shqipërisë. Të tilla qendra ishin: Shirgji (Bunë), Shufadaja (Mat), Bregu (Shkumbin), Pirgu (Seman), Spinarica (Vjosë) etj.
Zakonisht qytetet kishin nën jurisdiksionin e tyre edhe një territor pak a shumë të shtrirë, që përfshinte fshatra, toka buke, vreshta, ullishte, pyje, kullota si dhe kripore apo peshkore. Kështu, më 1274, në juridiksionin e Vlorës ishin dy distrikte (arkondi) me një numër fshatrash (casalia). Në vitin 1343 rreth 17 fshatra përreth Krujës, mes të cilëve Zalli, Shën Vlashi, Vilëza, Çerkeza, Kallmeti, ishin pronë e banorëve të qytetit dhe figuronin si pjesë e territorit të tij. Situatë e ngjashme dëshmohet edhe në Shkodër e në Durrës. Për shfrytëzimin e pronave e të pasurive në territoret përreth, banorët e qyteteve punonin vetë ose pajtonin vendas me pagesë (villici, villani). Kufijtë e juridiksionit ishin të përcaktuara historikisht dhe çdo përpjekje për ndryshimin e tyre bëhej shkak për konflikte, shpeshherë edhe të armatosura, me qytetin fqinjë. Probleme të tilla juridiksioni pati qyteti i Ulqinit me atë të Shasit (Suatium), Shkodra me Sardën (Shurdhahun). Grindja për disa fshatra, që dikur kishin qenë nën juridiksionin e Drishtit, u bë shkak për marrëdhënie të acaruara midis tij e Shkodrës, që më 1399 degjeneruan në një përplasje të armatosur.
Në gjysmën e parë të shek. XIV, popullsia e qyteteve u rrit mjaft. Durrësi llogaritej të kishte atëherë rreth 25 mijë banorë. Qyteti u bë një qendër që thithte vazhdimisht banorë të rinj nga zonat fshatare. Durrësi dhe Shkodra në shek. XIV njohën një dyndje të madhe banorësh të rinj të ardhur nga fshatrat përreth. Në shek. XV, një pjesë e mirë e popullsisë së Pargës përbëhej nga të ardhur prej fshatrave fqinje Aja e Rapëzi. Në mjaft raste, autoritetet e mirëprisnin këtë imigracion të brendshëm. Përveçse sillnin gjak e fuqi të reja, të porsaardhurit paraqitnin edhe leverdi të tjera; në shumë raste, si në Durrës, bujqit e vendosur në qytet detyroheshin të derdhnin një shumë të caktuar parash ose ta shlyenin këtë shumë me punë angari në tokat e komunës. Por krahas masave fshatare, popullsisë së qyteteve i shtoheshin edhe fisnikë të rrethinave që për një arsye apo tjetrën vendosnin të shpërnguleshin përfundimisht ose ta kalonin aty një pjesë të mirë të kohës për të ndjekur interesat e tyre ekonomikë, ose për të shijuar kënaqësitë që jepte jeta qytetare (pro factis suis vel pro placere). Shumë prej tyre kishin prona, magazina dhe kishin blerë edhe shtëpi të tyre në qytet. Në shek. XIV urbanizimi i zotërve të tokës u bë një dukuri normale. Me kohë, këta përfaqësues të aristokracisë së tokës u integruan në jetën e qytetit, morën në dorë veprimtari të ndryshme ekonomike, fituan statusin e “qytetarit” (civis) dhe shpeshherë u përfshinë në organet drejtuese bashkiake.
Nëse rryma e banorëve të ardhur prej fshatit jepte ndihmesë në rritjen e popullsisë së qyteteve, faktorë të tjerë shkaktonin bjerrjen e saj. Këtu vijnë në vështrim të parë luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Rrethanat e shekujve të parë të mesjetës, kur mjaft qytete u rrënuan për të mos u rimëkëmbur më, u përsëritën herë pas here edhe në mesjetën e mesme dhe në atë të vonë, duke çuar drejt rrënimit dhe zhdukjes së plotë qytete të tëra. Kështu, nga sulmet e tartarëve, në vitin 1242, e pësoi keq qyteti i Shasit (Suatium), i cili paskëtaj mbulohet nga heshtja. Në vitin 1356, si rrjedhim i sulmeve të serbëve, qyteti i Drishtit dhe ai i Ballecit përshkruhen si “tërësisht të rrënuara” (totaliter dissipatum). Po atë vit një ushtri serbe sulmoi Beratin, duke djegur e shkatërruar me themel lagjet e jashtme të qytetit. Duke filluar nga çereku i fundit të shek. XIV, shumë nga qytetet shqiptare u bënë pre e inkursioneve osmane, me pasoja të rënda për to.
Përballë sulmeve të ushtrive të huaja, forcimi i sistemit të mbrojtjes përbënte një shqetësim kryesor të autoriteteve dhe të popullsisë së qyteteve. Meremetimi i mureve dhe i kullave mbrojtëse përbënte në këtë kuptim një veprimtari të rëndomtë. Ndërkohë, në momente të jashtëzakonshme rreziku, siç qe ai që u shfaq nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV me inkursionet osmane, u ndërmorën masa të pashembullta mbrojtëse. Kështu, për të penguar inkursionet osmane drejt Butrintit, pak kilometra në veri të tij, u ngrit një mur, i quajturi Heksamil, sipas shembullit të murit që, po për të njëjtën qëllim, ishte ngritur në istmin e Korintit. Për të shmangur goditjet e ushtrive osmane në vitet e para të shek. XV, në Durrës u konceptua një projekt madhështor, që parashikonte hapjen e një kanali në krahun lindor të qytetit dhe kthimin e tij në një ishull. Rrallimi i popullsisë së qyteteve për shkak të luftërave dhe epidemive të ndryshme i detyronte autoritetet e ndonjë qyteti të urdhëronin ripërkufizimin e zonës urbane, duke ngritur mure të reja rrethuese brenda perimetrit të mureve të dikurshme.
Përpos luftërave, dukuri të tjera të zakonshme për kohën, si zia e bukës, epidemitë dhe fatkeqësitë natyrore, ndikonin në uljen e numrit të banorëve të qyteteve. Epidemitë, si ajo e murtajës, bënin kërdinë posaçërisht në qytete, ku kishte një dendësi të madhe popullsie dhe kushte të papërshtatshme sanitare. Qyteti i Durrësit përjetoi epidemi vdekjeprurëse më 1362, 1401 e 1481. Murtaja e vitit 1481 goditi rëndë edhe Vlorën, e cila, siç thonë burimet, u braktis krejtësisht nga banorët që kërkuan shpëtim në fshatrat përreth. Murtaja e vitit 1348, e ashtuquajtura vdekja e zezë, që u përhap në të gjithë Evropën, shkaktoi viktima të shumta edhe në Shqipëri. Përveç murtajës, edhe epidemi të tjera, si kolera e malarja, mbillnin vdekjen në qytetet shqiptare.
Pasoja të rënda për qytetin kishin fatkeqësitë e ndyshme natyrore. Përmbytjet, zjarret dhe tërmetet goditnin herë pas here, duke shkaktuar pasoja të rënda e duke ndryshuar deri edhe fizionominë e tyre. Tërmeti i vitit 1269 e shkatërroi thuajse krejtësisht qytetin e Durrësit dhe, me atë rast, një pjesë e mirë e banorëve që mbijetuan gjetën strehë në qytete fqinjë, si në Berat, ose emigruan në Itali. Një tërmet shkatërrues goditi, më 1356, edhe qytetin e Beratit, kurse më 1452 ishin rrufetë ato që dogjën e shkretuan qytetin e Dejës.
Për të shmangur rrezikun e rënies së zjarreve e të epidemive, autoritetet bashkiake në qytete, si Durrësi, Shkodra, Tivari etj., nxirrnin urdhëresa që disiplinonin ndërtimin e shtëpive, hedhjen e plehrave në vende të caktuara dhe derdhjen e ujërave të zeza në kanale e gropa të posaçme. Problemet e higjienës qytetare gjenin pasqyrim edhe në Statutet e qyteteve, siç provojnë Statutet e qytetit të Shkodrës. Megjithatë kushtet e jetesës, veçanërisht në lagjet popullore mbeteshin shumë të rënda dhe shtëpitë e ulta me dërrasë e kashtë të ngjitura njëra pas tjetrës, rrugët e ngushta e të errëta, që ktheheshin në depozita plehrash e ujërash të zeza, bëheshin vatra zjarri e epidemish vdekjeprurëse.
Problemi i sigurisë ishte gjithashtu një shqetësim i vazhdueshëm dhe që nuk lidhej vetëm me situatat e jashtëzakonshme të konflikteve të jashtme. Rastet e sulmeve dhe të plaçkitjeve ndaj qytetarëve dhe pronës së tyre ishin të shpeshta, veçanërisht në orët e vona. Statutet e Shkodrës i detyronin qytetarët që lëviznin natën të mbanin pishtarë të ndezur, për t’u identifikuar nga rojet e qytetit. Nëse ndokush kapej duke lëvizur pa pishtar “pas rënies së kambanës së tretë”, atij i viheshin në ngarkim vjedhjet që rastësisht ndodhnin atë natë në qytet.
Edhe më e rrezikshme ishte dalja jashtë qytetit. Punëtorët e kriporeve të Durrësit shkonin në punë të armatosur me shkopinj, çekiçë e shpata nga frika e plaçkitësve (1436).
Banorët e qyteteve, që kishin statusin e qytetarit (civis), ndaheshin në fisnikë (nobiles) e popullorë (popolares). Fisnikët përfshinin sipërmarrësit e mëdhenj, pronarët e anijeve, tregtarët, nëpunësit e lartë komunalë, si dhe pronarët e mëdhenj të tokave që jetonin në qytet. Zakonisht shtëpitë e tyre ndodheshin në pjesën më të lartë e më të mbrojtur të qytetit (castrum), që izolohej nga pjesa tjetër me mure dytësore. Në aktet mesjetare përfaqësuesit e fisnikërisë qytetare dallohen nga titulli “zot” (kyr, ser) që shoqëron emrin e tyre. Në shtresën e popullorëve përfshiheshin zejtarët e tregtarët e zakonshëm, çirakët, kallfët, marinarët, punëtorët e krahut në përgjithësi. Në qytete kishte edhe një masë të madhe banorësh, kryesisht të ardhurit rishtas nga fshatrat, që ende nuk e kishin fituar të drejtën e qytetarisë. Këta ishin të përjashtuar nga një sërë të drejtash dhe nga pjesëmarrja në jetën politike e shoqërore të qytetit.
Banorët e qyteteve kishin një sërë detyrimesh ndaj kryezotit ose komunës. Si dëshmi të njohjes së sovranitetit mbi tokën, ata u paguanin atyre një shumë të prerë për sokun e obrokun apo siç quhej ndryshe akrostiku. Detyrime të tjera paguheshin për masat e peshat, për tregun, për therrjen e bagëtisë, për peshkimin, për mirëmbajtjen e mureve të qytetit (maldenar). Në raste të veçanta, qytetarët detyroheshin të kryenin edhe shërbim roje në muret e qytetit ose të merrnin pjesë në punime mbrojtëse.
Dallimet ekonomike dhe pakënaqësitë shoqërore, marrëdhëniet shpeshherë problematike me rrethinën bujqësore dhe me aristokracinë e saj, ndërhyrjet e ndikimet e huaja, ishin disa nga faktorët që ushqenin konfliktualitetin në qytetet shqiptare në mesjetë. Shprehja më e lartë e tyre ishin revoltat popullore, si ato të kapërcimit të shek. XIV-XV në Shkodër e në Drisht, revolta që bashkuan masa të gjera të qytetit e të fshatit kundër “kryezotit” të huaj dhe fisnikëve vendas të lidhur me të. Por edhe kur shumë nga qytetet ranë nën sundimin e fisnikëve vendas, në gjysmën e dytë të shek. XIV, konfliktet me ta nuk munguan. Me të tilla u shoqërua hyrja e Balshajve në Shkodër, në Tivar apo në Vlorë, sundimi i Topiajve në Durrës apo i Dukagjinëve në Lezhë. Konfliktet në fjalë ishin shprehje e një dukurie të përgjithshme për Ballkanin e mbarë Evropën feudale. Qytetet detyroheshin t’u paguanin kryezotërve ose fisnikëve një shumë të caktuar (akrostik, census, dacium, tributum). Në vitin 1363, Durrësi u detyrua të rrisë doganat e portit, për të siguruar tributin për fisnikët fqinjë. Komuna e Tivarit duhej t’i paguante Balshës 2 000 dukate në vit.
Pavarësisht nga lidhjet e ngushta dhe nga fakti që marrëdhëniet qytet-fshat rregulloheshin nga tradita, doket e deri te normat statutore, nuk mungojnë rastet e konflikteve të ashpra deri të përgjakshme mes banorëve të qytetit dhe të fshatit. Domethënës për shkallën e armiqësisë që ndizej herë pas here është rasti i vitit 1438, kur qytetarët e egërsuar të Tivarit sulmuan një fshat në rrethin e Ulqinit, duke djegur shtëpi e duke vrarë e masakruar banorë.
Krahas qytetarëve me të drejta të plota (cives), që merrnin pjesë pa kufizim në jetën ekonomike, shoqërore e politike të qytetit, në qytetet tona përmenden shpesh edhe banorët me qëndrim e status të përkohshëm (habitantes, morantes), të cilët jo rrallë herë ishin artizanë, tregtarë e sipërmarrës të huaj. Në shek. XI në Durrës dëshmohen dy koloni me qytetarë nga Venediku e nga Amalfi, që kishin lagjet si dhe kishat e tyre, përkatësisht kishën e Shën Andresë dhe kishën e Shën Mërisë së amalfitanëve. Venecianët e Durrësit, sipas kronistit italian Malaterra, ishin “nga familje fisnike” (de nobili genere). Ashtu si venecianët në Durrës, edhe raguzanët kishin në Shkodër, në Tivar e në Vlorë kolonitë e tyre tregtare me lagje e kisha të veçanta. Në Durrës, në vitin 1401, dëshmohen edhe disa banorë hebrenj, të varfër e të paktë në numër. Ata merreshin kryesisht me tregtinë e vogël, dhe, siç del, ishin të detyruar të paguanin një taksë shtesë. Një prani e vogël hebrenjsh dëshmohet edhe në Vlorë, në fund të shek. XIV.
Të huajt nuk kishin të drejtë të zgjidhnin e të zgjidheshin në organet bashkiake, porse gëzonin mbrojtje të veçantë për jetën e pasurinë e tyre. Venediku e Raguza kishin konsujt e tyre në qytete, si Durrësi, Vlora, Spinarica, që mbronin interesat e qytetarëve të tyre. Ndonëse midis masës së qytetarëve dhe këtyre banorëve të huaj të qytetit lindnin herë pas here keqkuptime, këto nuk dëshmohet të jenë shndërruar ndonjëherë në pogrome e raprezalje kundër tyre. Marrëveshje të rregullta dypalëshe garantonin jetën e pasurinë e qytetarëve venecianë apo raguzanë në Durrës ose në Vlorë. Megjithatë, ndodhte që në kohën e krizave politike midis qyteteve shqiptare dhe shteteve të Venedikut, Raguzës, Napolit etj., tregtarët e sipërmarrësit e ndryshëm me origjinë nga këto shtete, të bëheshin objekt i armiqësisë dhe i sulmeve të popullsisë vendase. Në raste të tilla, Republika e Venedikut ose ajo e Raguzës, kanë hyrë në traktativa të gjata me perandorin bizantin apo me princërit e zotërit shqiptarë, për të siguruar dëmshpërblime për qytetarët e vet.
Në qytetet e zhvilluara të bregdetit, veçanërisht në Durrës, kishte një rreth tregtarësh e sipërmarrësish vendas të lidhur ngushtësisht me interesa ekonomikë me Raguzën e sidomos me Venedikun. Ata eksportonin dhe importonin prej andej mallra të ndryshme dhe shpeshherë kishin aty magazina, dyqane, madje dhe shtëpi të tyre. Sipas burimeve të kohës, për shkak të interesave ekonomikë, por edhe të një formimi kulturor kozmopolit, kjo kategori njerëzish në marrëdhëniet e përditshme shpeshherë “hiqej sikur të ishte me origjinë veneciane” (pro Venetis expediantur). Kjo shtresë kishte mbështetjen e Venedikut. Në fakt, në momentin e kalimit të Durrësit në duart e Venedikut, më 1392, u duk qartë roli vendimtar i këtij krahu “filo-venecian”, ku bënte pjesë edhe kryepeshkopi durrsak Dhimitër Nesha, si dhe ndonjë feudal i fuqishëm i rrethinave.

Institucionet qeverisëse në qytetet shqiptare
Në pikëpamje të strukturës shoqërore e të organizimit politik, në Shqipërinë mesjetare ndesheshin dy lloje qytetesh: qytetet e llojit italo-dalmatin dhe ato të tipit bizantin. Që të dyja këto gëzonin një traditë të gjatë vetëqeverisëse, bartëse e së cilës ishin fillimisht një grup familjesh, që shquheshin për pasuri, prona e pushtet. Të tilla qenë në Durrës gjatë shek. X-XIII familjet Krisili e Kabasilla (Kabashi), pinjollë të të cilave shfaqen herë pas here si “të parë” të vendit (proteuon) dhe si mbajtës titujsh e dinjitetesh të larta bizantine, përfshirë ato të arkondit e të patricit. Fuqia ekonomike e këtyre familjeve mbështetej në ndërtesat, dyqanet, depot e në anijet që ato zotëronin në qytet, e sidomos në sipërfaqet e mëdha të tokave që kishin sa në rrethet e Durrësit, aq edhe në Lezhë, Mat, Myzeqe e deri në Dibrën e në Kolonjën e largët. Në Vlorë e në krahinën e saj, prej shek. XI e deri vonë në shek. XVII, familja Frëngu është vazhdimisht protagoniste në qeverisjen dhe në ngjarjet që lidhen me atë zonë.
Gjatë gjithë periudhës së sundimit bizantin apo të sundimeve të tjera të huaja, të drejtat sovrane mbi qytetet i përkisnin kryezotit, që sipas rastit mund të ishte perandori bizantin, mbreti serb, mbreti i Napolit apo Republika e Venedikut. Këta e ushtronin sovranitetin nëpërmjet zyrtarëve të caktuar enkas prej tyre dhe që ishin njëherësh komandantë të ushtrisë dhe gjykatës. Në vitin 1166 në Krujë funksione të tilla kryeshin nga një prior, kurse në Durrës nga një proteuon (të dyja fjalët, njëra latine e tjetra bizantine, përkthehen “i pari”). Në shek. XIII Ulqini dhe Tivari kishin në krye një kont. Në periudhën e fundit bizantine dhe gjatë sundimit serb të Stefan Dushanit (1332-1355) mjaft qytete kishin në krye sebastin ose qefalinë, që u korrespondojnë ofiqeve napolitane e veneciane të kontit e të kapitenit (shek. XIII-XIV). Në kohën e sundimit të despotëve serbë Llazareviçë (1421-1443), në Drisht, në Tivar e në Novobërdë kryezoti përfaqësohej nga vojvoda. Funksioni i tij, kryekëput ushtarak, flet për një kufizim të të drejtave tradicionale vetëqeverisëse të këtyre qyteteve.
Me shembjen e Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355), mjaft nga qytetet ranë në dorë të krerëve feudalë shqiptarë: Balsha (Shkodra, Drishti, Tivari, Vlora), Zaharia (Deja), Dukagjini (Lezha), Topia (Durrësi, Kruja), Gropa (Ohri, Dibra), Muzaka (Berati, Kosturi), Zenebishi (Gjirokastra, Parga), Shpata (Arta) etj. Në ndonjë qytet, si në Drisht, në Shas e diçka më përpara në Prizren, pushteti laik ushtrohej në mënyrë të pazakontë nga peshkopi i qytetit. Shenja për një përfshirje të klerit në qeverisjen e qytetit ekzistojnë edhe në Tivar, ku më 1372 përmendet “burgu i kryepeshkopit”.
Venediku solli një nomenklaturë të re në qeverisjen e qyteteve shqiptare pas vitit 1392, kur ai u bë zot i tyre. Në Durrës u vu të qeveriste bail-kapiteni, në Shkodër kont-kapiteni, kurse në Tivar e në Drisht qeveritari venecian quhej podesta. Në Lezhë pushteti venecian përfaqësohej nga kështjellari (castellanus) i qytetit.
Gjithsesi, edhe në kohën e sundimeve të huaja, posti i qeveritarit u besohej në ndonjë rast edhe vendasve. Kështu, më 1251 konti i Drishtit ishte një fisnik vendas; po përfaqësues i parisë lokale ishte më 1266 edhe kapiteni i Durrësit, Andre Vrana, që ishte caktuar në atë post nga kryezoti i radhës, mbreti Manfred Hohenshtaufen i Sicilisë.
Përgjithësisht, sundimtarët e huaj përpiqeshin të fitonin simpatitë e parisë dhe të popullsisë së qyteteve, duke u përpjekur të harmonizonin interesat e veta me interesat dhe ndjeshmëritë e vendasve. Megjithatë, që një harmonizim i tillë ishte i pamundur, këtë e tregojnë ankesat e vazhdueshme të përfaqësive qytetare ndaj shkeljeve dhe abuzimeve që qeveritarët e huaj bënin gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Kështu, në shek. XV, banorët e Tivarit ishin aq shumë të zemëruar nga përvetësimet e paligjshme, nga detyrimet e angaritë arbitrare si dhe në përgjithësi nga sjelljet e vrazhda të podestasë venecian Xhakomo Delfin, saqë e kishin bërë zakon ta quanin atë me emrin “Neron”.
Një nga lëshimet themelore, që kryezotët e ndryshëm u detyruan t’u bënin qyteteve shqiptare, ishte njohja deri në një farë shkalle e kuadrit juridik e institucional, që përbënte thelbin e autonomisë tradicionale të tyre. Në çastin e vënies në zotërim të Durrësit, përkatësisht në 1272 e 1392, Karli I Anzhu dhe Republika e Venedikut nxituan të deklaronin qëllimin e tyre për të respektuar pronat, privilegjet si dhe statutet e “doket e mira” (bonos usus) të durrsakëve. Një pjesë e të ardhurave, që merreshin nga doganat komunale (në Shkodër dogana e peshkut, në Drisht ajo e mishit dhe e barit), edhe paskëtaj vazhduan të shkonin në dobi të bashkisë. Mbi të gjitha, u ruajtën deri diku institucionet tradicionale vendase, që vazhduan të funksiononin krahas pushtetit të kryezotit të përfaqësuar nga qeveritarët e tij. Në Durrës, Vlorë e gjetkë dëshmohet mbijetesa e bashkësisë së qytetarëve (universitas, communitas), që ishte forma më e gjerë e organizimit qytetar. Ishin pikërisht banorët e qytetit me status të qytetarit, që në një ditë të caktuar të vitit mblidheshin dhe zgjidhnin nëpunësit komunalë. Në Shkodër mbledhja e qytetarëve bëhej ditën e Shën Markut, më 25 prill. Atë ditë kambanat e Shën Stefanit ftonin popullin të grumbullohej në sheshin para katedrales, ku në praninë e peshkopit dhe të parisë së qytetit bëhej përzgjedhja e gjyqtarëve (tre), e këshilltarëve (tetë) dhe e financierëve (dy) të komunës. Mandati i tyre ishte për një vit. Gjykatësit, këshilltarët, financierët bashkë me më të shquarit e qytetarëve (boni homines) ishin anëtarët e një asambleje më të ngushtë, Këshillit komunal. Ky mblidhej nën drejtimin e gjykatësit të parë, që në Durrës e në Vlorë quhej me emrin bizantin prokathemen, dhe trajtonte çështje që kishin të bënin me besnikërinë dhe me integritetin moral të qytetarëve e të nëpunësve komunalë. Veç kësaj, Këshilli komunal kishte detyrë të zgjidhte një radhë tjetër nëpunësish, mes të cilëve noterët dhe sekretarët e gjyqit (cancellarius). Noterët në mjaft raste parapëlqeheshin me kombësi të huaj, për të shtuar shkallën e besueshmërisë së tyre. Për këtë qëllim, noterët rekrutoheshin jo rrallë edhe nga radhët e klerit. Në Durrës dualizmi kulturor-fetar pasqyrohej edhe në ekzistencën paralele të dy noteriateve: noterë që i përpunonin aktet e tyre në latinisht dhe ata që i përpunonin në greqishten bizantine.
Në Vlorë, si nën sundimin bizantin e serb, ashtu edhe në kohën e sundimit të Balshajve (1371-1418), ndër postet më të rëndësishme komunale ishte ai i admiralit, që tradicionalisht mbulohej nga një fisnik vendas. E njëjta gjë ndodhte në Durrës me postin e protontinit. Si admirali, ashtu edhe protontini, ishin komandantë të flotës së qytetit.
Caktimi i vulës së qytetit, i njësive të matjes e të peshave ishin disa nga prerogativat kryesore të organeve bashkiake. Ato ishin të patjetërsueshme. Çdo qytet kishte vulën, masat e peshat e veta. Një nëpunës i posaçëm ishte caktuar për të verifikuar çdo muaj saktësinë e tyre. Në Durrës masat dhe peshat e autorizuara mbanin vulën e qytetit. Statutet e Shkodrës parashikonin dënime të rënda për ata që përdornin masa e pesha të falsifikuara. Në Durrës vula e qytetit vihej edhe mbi thasët e kripës, prodhimi i së cilës ishte monopol i bashkisë. Në Shkodër letrat që mbanin vulën e qytetit (charta sigillata) kishin vlerën e dokumentit autentik, njëlloj si aktet noterike.
Statutet ishin shprehja më e lartë e organizimit komunal të qyteteve shqiptare në mesjetë. Ato përmblidhnin aktet normative që rregullonin në tërësinë e tyre organizimin e funksionimin e qytetit, si dhe marrëdhëniet midis qytetarëve, midis tyre dhe shtetit, midis vetë qytetit dhe ambientit rrethues. Nga të dhënat e deritanishme del se me statute ishin pajisur Durrësi, Shkodra, Drishti, Tivari e Ulqini. Statutet e Durrësit u nxorën jashtë përdorimit dhe humbën gjatë sundimit të Topiajve në qytet (1368-1392). Disa vite pas kalimit të qytetit nën sundimin e Venedikut, më 1398, u gjetën 35 kapituj të këtyre statuteve, që ruheshin në kuvendin françeskan të qytetit. Statutet e Drishtit, të quajtura “Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit”, pasqyrojnë jetën e një qyteti që identifikohej me fenë dhe ku kleri, posaçërisht peshkopi i qytetit, kishin një rol mbizotërues. Ato që ruhen të plota janë pikërisht “Statutet e Shkodrës”, një kopje e të cilave u zbulua së fundi në fondet e Muzeut Korrer në Venedik. “Statutet e Shkodrës”, siç thuhet në Kreun IV të tyre, ruheshin në dy kopje autentike, njëra në dhomën e thesarit dhe tjetra pranë gjykatës së qytetit. Ato përbëhen nga 279 kapituj shkruar në venecianishten e shek. XV. Edhe pse të ngjashme me statutet e qyteteve italo-dalmatine, statutet e Shkodrës përmbajnë mjaft elementë origjinalë, që i referohen ambientit specifik shqiptar. Mjafton të përmenden në këtë suazë referencat ndaj institucionit të “besës” dhe të “hakmarrjes”, që nuk gjenden në statute të tjera.

Tregtia dhe zejet
Për shkak të pozitës së saj të favorshme strategjike si urë midis Lindjes e Perëndimit, Shqipëria vazhdoi të jetë në mesjetë një vend i përfshirë në trajektoret kryesore të lëvizjeve tregtare, posaçërisht të atyre me drejtim Perëndim-Lindje e anasjelltas. Një numër i madh rrugësh zinin fill nga pikat bregdetare të Tivarit, Ulqinit, Shirgjit, Meduës (Shëngjinit), Shufadasë, Durrësit, Bregut, Pirgut, Spinaricës, Vlorës, Butrintit, Sajadhës, Pargës etj. dhe zgjateshin drejt brendësisë, duke u ndalur në qendrat e njohura të Breskovës, Zveçanit, Nishit, Pejës, Prizrenit, Shkupit, Dibrës, Ohrit, Manastirit, Janinës, Kosturit, Selanikut e deri në Konstandinopojë.
Durrësi dhe rruga e vjetër Egnatia qenë dy nyje thelbësore në rrjetin ndërkombëtar të shkëmbimeve tregtare. Që në shek. XI dhe akoma më shumë në shekujt pasardhës, tregtarë venecianë sillnin në Durrës produkte të ndryshme, një pjesë të të cilave e çonin drejt Lindjes nëpërmjet rrugës Egnatia. Veprimtari e ethshme zhvillohej edhe në krahun e kundërt, nga Konstandinopoja e Selaniku për në Durrës, e prej këndej, me anije, për në Venedik. Bartës të tregtisë në një itinerar të tillë ishin shpeshherë edhe tregtarët durrsakë, të cilët vazhdimisht përmenden me anijet e tyre në Venedik. Rëndësinë e tyre e evidenton qysh më 1155 gjeografi arab Al Idrizi. Në këtë qark tregtar, midis Venedikut e Konstandinopojës, Shqipëria futej natyrshëm me eksportet dhe me importet e saj. Gruri, kripa, produktet e leshit, bulmetrat, vera, dylli, mëndafshi, lëkurët, lënda e drurit ishin zërat kryesorë të tregtisë e të eksporteve shqiptare. Mes tyre, një vend të rëndësishëm zinte edhe eksporti i bagëtisë së gjallë. Një objekt luksi veçanërisht të kërkuar përfaqësonin kuajt, posaçërisht ata të Kolonjës. Më 1391, perandori Manueli II Paleologu i dhuroi ministrit të tij, Georg Mazalon, “kalë arbërie” (albanos hyppos), duke e quajtur atë “një dhuratë të shkëlqyer për një burrë të shkëlqyer”. Për të shkuar nga prodhuesi te konsumatori produktet e ndryshme rëndoheshin me dogana e taksa të ndryshme, që shpeshherë bëheshin objekt kontestimi mes tregtarëve dhe autoriteteve. Dhënia e privilegjeve doganore ishte kërkesa kryesore që Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u kërkonin autoriteteve në Shqipëri. Të tilla privilegje jepeshin me marrëveshje të veçanta, siç ishte ajo e Dhimitrit të Arbrit me Raguzën (1208), ose ato të qyteteve të Durrësit e Vlorës me qytetet italiane të Adriatikut: Ankonën, Riminin etj.
Privilegjet tregtare, të akorduara më 1208 nga Princi Dhimitër i Arbrit, zbulojnë që në këtë kohë Republikën tregtare të Raguzës si një partner të rëndësishëm për qytetet dhe sundimtarët lokalë shqiptarë. Në fakt, tregtarët raguzanë u shquan për një prani të kudondodhur të tyre në trevat shqiptare, në kërkim të produkteve jetike për qytetin-shtet të Adriatikut, veçanërisht të grurit e të kripës. Aktet raguzane të shek. XIII-XV dëshmojnë qartë se Republika e Raguzës në luftë të përhershme me zotërinjtë sllavë të prapatokës dhe me Republikën rivale të Venedikut, e bazonte mbijetesën e vet edhe tek importet që vinin nga Shqipëria.
Tregtarët raguzanë importonin me shumicë lëndë druri nga limanet e vogla, që duke filluar nga shek. XIII, lindën në grykëderdhjet e lumenjve kryesorë të Shqipërisë. Si pasojë e prerjeve masive të porositura prej tyre, sipërfaqe të tëra pyjore që mbulonin fushën perëndimore, veçanërisht në derdhjet e Matit, Bunës e Drinit, erdhën duke u zhdukur.
Produkte të tjera të eksportit shqiptar drejt Raguzës ishin vera, dylli, mëndafshi, velanija, lëkurët e deri armët dhe plumbi e argjendi, që mbërrinin nga qytetet e Kosovës. Nga ana tjetër, një numër produktesh të zgjedhura vinin në Shqipëri nga jashtë, kryesisht nga Venediku, Raguza e qytetet e tjera italiane. Të tilla ishin cohërat e shtrenjta, armë, stoli prej ari, xhama, enë e orendi shtëpie prej xhami e fajance etj. Vlora ishte bërë në shek. XIII-XIV një qendër për tregtinë e beharnave, që mbërrinin këtu nga vendet e Lindjes dhe prej këtej rishpërndaheshin për në Venedik e qendra të tjera të Italisë e të Dalmacisë.
Vëllimi i madh i shkëmbimeve tregtare diktoi qysh herët praninë e përfaqësuesve të Venedikut ose të Raguzës në qytetet kryesore shqiptare, ku ata përfaqësonin dhe mbronin interesat e shtetasve të tyre. Njoftimi i parë mbi ekzistencën e një “konsulli” venecian në Durrës i përket vitit 1249 (Nicolaus Mauro, consultor Venetorum in Durachio).
Më 1277 dëshmohet për herë të parë prania e një “konsulli” venecian edhe në Spinaricë, gjë që në vetvete flet për lulëzimin e kësaj qendre të re tregtare në bregdetin në veri të Vlorës. Spinarica ishte porti kryesor nga ku niseshin për në Raguzë eksportet e grurit dhe, për të mbështetur veprimtarinë e tregtarëve raguzanë, një konsull i Raguzës u caktua të vepronte në këtë qendër tregtare (1301). Edhe në Prizren Raguza kishte vendosur konsullin e saj, të paktën nga viti 1332. Konsuj të Venedikut e të Raguzës kishte edhe në Shkodër e në Ulqin.
Qytetet shqiptare u kthyen në qendra të zhvilluara të prodhimit zejtar. Në Durrës dhe, në një masë më të vogël në Vlorë, një masë e madhe njerëzish e kishin lidhur jetën me detin. Përveç pronarëve të anijeve, të kapitenëve (nauclerius) dhe të detarëve të thjeshtë, kishte edhe grupe të tëra që merreshin me peshkim e me nxjerrjen e kripës. Karpentierë e ndërtues anijesh merreshin drejtpërsëdrejti me prodhimin e barkave dhe të anijeve. Në fushën e përpunimit të drurit shquheshin edhe prodhuesit e vozave (botarii). Në Durrës përmenden gjithashtu zanate të tjera: lëkurëtarë, këpucarë, bukëpjekës, kasapë (macellarius). Gurskalitësit (petrarii) e këpucarët përmenden pak a shumë në të gjitha qytetet, ndërkohë që prodhimi i mëndafshit zinte mjaft forca pune në Shkodër, Prizren, Pult, Drisht, Vlorë e në Berat.
Në Prizren, në Durrës e në Shkodër punohej metali për prodhimin e armëve, të veglave të punës dhe të orendive shtëpiake. Në Ulqin e Shkodër njiheshin prodhuesit e kambanave, në Vlorë përmenden prodhuesit e shpatave (spadarius), kurse farkëtarët (ferrarii) gjendeshin pak a shumë në çdo qytet të Shqipërisë. Shqiptarët shquheshin në mbathjen e kuajve, aq sa në disa qytete italiane veçohej mënyra shqiptare e mbathjes së kuajve (ferrare al modo albanese). Qytete të Kosovës, si Novobërda, Zveçani, Janjeva, përveçse për nxjerrjen, dalloheshin edhe për punimin e mjaft xeherorëve, si arit, argjendit, plumbit. Prizreni gëzonte një famë të pakrahasueshme për aftësitë e argjendarëve të tij.
Ndër mjeshtëritë që kërkonin një përgatitje të veçantë ishin ato të mjekut, piktorit e të arkitektit. Mjeshtër të këtyre zanateve i gjejmë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe jashtë vendit, siç qe rasti i një piktori nga Durrësi që më 1388 punonte për llogari të komunës së Raguzës, ose rasti i arkitektit Andre Aleksi po nga Durrësi, i cili midis viteve 1448-1477 ndërtoi një sërë kishash e altaresh në qytetet dalmatine të Arbes, Traut e Splitit. Në Berat kishte mjeshtër të shquar në pikturë, në punimin e arit e të argjendit, në gdhendjen e drurit. Porositës i veçantë i punëve të tyre ishte kisha, për llogari të së cilës ata punuan miniaturat elegante të kodikëve, afresket, ikonat, ikonostasët, pajisjet e orenditë e çmuara të kultit, që pjesërisht ruhen deri sot. Porositës të veprave me vlerë artistike ishin gjithashtu komunat qytetare si dhe përfaqësues të aristokracisë.
Në qytetet kryesore zejtarët ishin të organizuar në korporata. Në Prizren këpucarët kishin shoqatën e tyre të drejtuar nga kryemjeshtri (protomaistor). Në Durrës një kryekasap (protomacellarius) drejtonte shoqatën e kasapëve të qytetit. Shoqatë kishin në Durrës edhe noterët. Organizimet zejtare merrnin shpeshherë ngjyra fetare. Në Shkodër, Drisht, Ulqin e në Tivar organizime të tilla quheshin “shkollë” ose “vëllazëri” (scuola, frataglia). Ato mbanin emrin e një shenjtori, patroni. Kështu, në Shkodër njihen “shkolla e Shën Barbarës”, “shkolla e Shën Mërkurit” dhe “shkolla e Kryqit të Shenjtë”. Në Drisht tri shkollat më me emër (scuole maiores) ishin e Shën Gjergjit, e Shën Mërisë dhe e Kryqit të Shenjtë. Ndikimi i kishës në këto organizata zejtare shfaqet edhe nga emri me të cilin thirrej mbledhja e anëtarëve të tyre, kapitull (capitulus). Përveçse mbronin interesat e anëtarëve të tyre, organizatat në fjalë merreshin edhe me vepra bamirësie, duke ofruar ndihmë për të vobektët e të sëmurët.
Tregues i zhvillimit ekonomik dhe i rritjes së vëllimit të tregtisë në qytetet e Shqipërisë është edhe qarkullimi i madh i monedhave. Përdoreshin që nga monedhat me vlerë të veçantë prej ari, si ato të Bizantit (hyperper, nomisma, emmanuelata), dukati i Venedikut e fiorini i Firences, deri te monedhat prej argjendi, bronzi e bakri, si groshi, denari, stamena etj. Rritja e autonomisë së qyteteve dhe krijimi i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV-XV u pasqyrua edhe në prerjen e monedhave vendase. Monedhën e vet e kishin në këtë kohë Shkodra, Ulqini, Tivari, Drishti, Shasi (Souacia). Monedha e Shasit paraqet, në njërën anë, kështjellën e qytetit me shkrimin latinisht Civitas Souacia, kurse në krahun tjetër mban figurën e padronit të qytetit, Shën Gjonit. Monedha të tyre prenë edhe sundimtarë të fuqishëm shqiptarë, si Gropajt e Ohrit e Balshajt e Shkodrës. Monedha e Gjergjit II Balsha ka në njërën anë padronin e qytetit të Shkodrës, Shën Stefanin, kurse në anën tjetër simbolin e Balshajve, ujkun, të rrethuar nga emri në latinisht i Gjergjit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s