Ngritja e Lëvizjes Kombëtare në vitet. Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900)

K R E U   VII

NGRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË VITET 1896-1900.
LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900)

1. LËVIZJA AUTONOMISTE NË VITET 1896-1897

Shqipëria dhe çështja maqedone
Lëvizja kombëtare u zhvillua në këtë periudhë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare, kur si pasojë e ashpërsimit të çështjes maqedone në mesin e viteve 90, u shtuan ndërhyrjet e shteteve fqinje ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane.
Ngjarjet që u zhvilluan këtu në vitet 1894-1896 treguan se përveç çështjes shqiptare, që ishte shtruar për zgjidhje nga koha e Krizës Lindore të viteve 1876-1881 dhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lindi edhe ajo maqedone, përmbajtjen themelore të së cilës e përbënte lufta e popullsisë sllave-maqedone për çlirimin nga zgjedha osmane.
Qarqet monarkiste të Sofjes, të Beogradit dhe të Athinës ndërhynë në çështjen maqedone, jo aq për të çliruar popullsitë sllavo-maqedone, serbe e greke të Turqisë Evropiane, sesa për të përmbushur aspiratat e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare e maqedone, që kishin një pozitë të rëndësishme strategjike, kontrollonin rrugët nga Danubi drejt detit Egje dhe nga Adriatiku, nëpër Via Egnacia, për në Egje e në Lindje. Ato shfrytëzuan faktin se Maqedonia nuk ekzistonte si njësi e veçantë administrative-territoriale e Perandorisë Osmane dhe nuk banohej nga një masë e vetme etnike-kombëtare. I ringjallur në shek. XIX, emri Maqedoni kishte ardhur nga antikiteti (shek. IV para erës së re), kur u themelua e lulëzoi shteti maqedon, i cili arriti kulmin e vet nën Aleksandrin e Madh. Në shekujt e mesjetës dhe në periudhën e sundimit osman ky emër përdorej vetëm për shkak të traditës historike, si një term gjeografik. Në shek. XIX, territoret e Maqedonisë së kohës antike, sipas ndarjes administrative të vendosur në Perandorinë Osmane, përfshinin vilajetin e Selanikut dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit. Megjithatë, edhe në këto territore banonin popullsi të ndryshme.
Qarqet qeveritare të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë, duke iu referuar të ashtuquajturave argumente historike dhe të dhënave etnike të falsifikuara, u përpoqën t’i jepnin Maqedonisë një shtrirje më të gjerë duke përfshirë në kufijtë e saj, përveç vilajetit të Selanikut, gjithë sanxhakët e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Mirëpo, në dy vilajetet e fundit shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave zyrtare osmane të viteve 1896-1900, në vilajetin e Kosovës popullsia shqiptare, myslimane e katolike, edhe pse nuk ishte e regjistruar plotësisht, arrinte në 600 000 frymë (kundrejt 161 000 serbëve, 220 000 sllavo-maqedonëve, 79 000 turqve etj.) dhe përbënte rreth 60 % të popullsisë së përgjithshme prej 1 060 000 banorësh. Me përjashtim të sanxhakut të Shkupit, në të cilin ishin në pakicë, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në sanxhakët e Prishtinës, të Prizrenit e të Pejës dhe ishin në një numër të barabartë me sllavët në sanxhakët e Pazarit të Ri e të Tashllixhesë.
Në vilajetin e Manastirit (pa sanxhakun e Selfixhesë, që iu bashkëngjit këtij në vitet 90, si një njësi e veçantë), sipas statistikave osmane, popullsia shqiptare, myslimane e ortodokse, arrinte në 460 000 frymë (kundrejt 214 000 sllavo-maqedonëve, 40 000 grekëve e vllehëve e 8 000 pomakëve) dhe përbënte 64% të popullsisë së përgjithshme prej 722 000 frymësh. Në sanxhakun e Manastirit shqiptarët myslimanë e ortodoksë përbënin rreth 42% të popullsisë duke qenë shumë afër me sllavo-maqedonët, të cilët bashkë me pomakët, zinin 51 për qind të popullsisë. Ndërsa në tre sanxhakët e tjerë të vilajetit të Manastirit, në ata të Dibrës, të Korçës e të Elbasanit, shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë. Popullsitë joshqiptare (serbe dhe në një masë më të madhe ajo sllavo-maqedone) ishin vendosur në disa vise e sidomos në ato periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa në vilajetin e Selanikut, përveç popullsisë sllavo-maqedone që përbënte shumicën, kishte edhe popullsi greke, vllahe, turke dhe pakica të tjera.
Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen maqedone prekte drejtpërdrejt interesat kombëtarë të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë e trojeve të tij. Një veprimtari të gjerë në të ashtuquajturën Maqedoni ndërmorën qarqet drejtuese të Bullgarisë, të cilat u orvatën të vënë nën kontrollin e tyre luftën e drejtë çlirimtare që popullsia sllavo-maqedone, e udhëhequr nga Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë (e themeluar në vitet 1893-1894), zhvillonte kundër pushtuesve osmanë. Ato përpiqeshin t’ua nënshtronin këtë lëvizje synimeve ekspansioniste të Mbretërisë Bullgare, për të krijuar një Bullgari të Madhe, me kufijtë e caktuar nga Traktati i Shën-Stefanit i vitit 1878. Këtij qëllimi i shërbente edhe kërkesa që qeveria bullgare, duke filluar nga viti 1894, u parashtroi Fuqive të Mëdha për formimin e një “Maqedonie autonome”, ku të përfshiheshin edhe viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, e cila shihej si një fazë kalimtare për aneksimin e territoreve të saj nga Bullgaria.
Të njëjtat aspirata pushtuese vijuan të ushqenin edhe qarqet sunduese të Serbisë e të Greqisë, që lakmonin gjithashtu të pushtonin gjithë Shqipërinë e Maqedoninë. Në Serbi kishte shpërthyer me një forcë të re propaganda serbomadhe e ushqyer nga qarqet drejtuese dhe po punohej me të gjitha mjetet për të zbatuar programin e “Naçertanies”, të rimëkëmbjes së Perandorisë së Stefan Dushanit, ku të përfshihej, në fillim vilajeti i Kosovës dhe më pas gjithë Shqipëria. Edhe në Greqi qarqet politike dhe një varg organizatash shoviniste (“Shoqëria Kombëtare”, “Helenizmi” etj.), të krijuara në mesin e viteve 90, vijuan veprimtarinë e tyre për të përgatitur pushtimin e territoreve shqiptare e maqedone.
Rivaliteti ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë u shfaq në fillim me grindjen kishtare, që shpërtheu me forcë gjatë viteve 1894-1896, midis Patrikanës greke të Stambollit, e cila përpiqej të ruante të drejtën tradicionale për të pasur në varësi ortodoksët e Perandorisë Osmane, Ekzarkatit bullgar, që ishte shkëputur prej saj qysh më 1870, dhe kishës serbe. Në vitin 1895 qeveria e Sofjes kërkoi nga Stambolli emërimin e pesë peshkopëve bullgarë në viset shqiptare e maqedone. Kjo kërkesë u hodh poshtë atëherë nga kryeministri turk Said Pasha.
Në vitin 1896 Serbia shkëputi nga Porta e Lartë urdhëresën për emërimin e një mitropoliti serb në Prizren, për të cilin po punonte prej kohësh, ndërsa në janar të vitit 1897 Stambolli caktoi një administrator serb në dioqezën e Shkupit, që Beogradi synonte ta vinte nën kontrollin e kishës së vet.
Rritja e ndikimit të kishave bullgare e serbe në viset shqiptare, çelja më 1890 e një shkolle bullgare në Korçë, si edhe orvatjet e reja për t’i futur dioqezat e krahinave lindore shqiptare nën varësinë e Ekzarkatit dhe ato të Kosovës nën varësinë e kishës serbe dhe për t’i paraqitur ato si sllave, i shtyu atdhetarët shqiptarë që, krahas qëndresës kundër Patrikanës greke të Stambollit, që punonte prej kohësh për të asimiluar të krishterët shqiptarë, të luftonin edhe kundër ekspansionit bullgar e serb e të kishave të tyre.
Në këto rrethana, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u hodh përsëri ideja e shfaqur prej kohësh për të krijuar një kishë shqiptare të pavarur nga Patrikana e Stambollit si një nga mjetet që do t’i jepte fund ndikimit që qarqet shoviniste fqinje ushtronin mbi popullsinë ortodokse shqiptare me anë të kishës së tyre dhe do t’u hiqte mundësinë për ta përdorur atë dhe klerin e lartë ortodoks si një mjet politik për të përmbushur lakmitë e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare.
Atdhetarët shqiptarë të Rumanisë protestuan disa herë me anë të peticioneve që i dërguan Patrikanës kundër politikës asimiluese të kishës së huaj e të asaj greke patriarkiste në veçanti. Po kështu, më 1894 iu dërgua sulltanit një memorandum nga Shqipëria në emër të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ku parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë, që u jepte mundësi bullgarëve, serbëve dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare, si në Dibër, në Prizren, në Prishtinë e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu leje për hapjen e shkollave shqipe në këto vise. Autoritetet turke jo vetëm që nuk i morën parasysh këto kërkesa, por përkundrazi i internuan nismëtarët e memorandumit.
Qarqet drejtuese të shteteve fqinje ngritën gjithashtu komitetet e tyre, që merreshin me organizimin dhe dërgimin e bandave të armatosura në viset maqedone e shqiptare. Në pranverën e vitit 1895 komitetet bullgare hodhën bandat e armatosura, të komanduara nga oficerë bullgarë, në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës. Nga mesi i viteve 90 edhe Serbia, duke ndjekur shembullin e Bullgarisë, filloi të hedhë bandat e saj në territoret periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa bandat greke, të përbëra nga ushtarë e oficerë grekë, në verën e vitit 1896, vepronin në viset e Maqedonisë e të Shqipërisë, deri në rrethet e Prespës, të Peristerit etj.
Organizatat nacionaliste bullgaro-maqedone dhe ato greke me bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave krishtere shqiptare e maqedone për ta detyruar atë të braktiste kombësinë e vet dhe, sipas përkatësisë fetare, të shpallej bullgare ose greke. Përveç kësaj, gjatë viteve 1896-1897 bandat e armatosura bullgare, serbe e greke zhvilluan në qendra të ndryshme të vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës përleshje të armatosura jo vetëm kundër forcave ushtarake osmane, por edhe kundër njëra-tjetrës, duke tërhequr në këtë luftë edhe kombësitë e ndryshme të këtyre vilajeteve.
Edhe qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare, nuk ndihmonte në zgjidhjen e saj. Politika e tyre ndaj Shqipërisë përcaktohej nga interesat e tyre ekonomike e politike në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni të mundshëm të këtyre fuqive drejt lindjes, në thellësi të Ballkanit e drejt jugut për në Selanik, në detin Egje, në Mesdhe e në Afrikë.
Ndërkaq, Shtetet e Mëdha evropiane, sidomos Rusia, Austro-Hungaria e Italia, sado që aspironin të vendosnin kontrollin mbi zotërimet ballkanike të Perandorisë Osmane e në mënyrë të veçantë mbi Shqipërinë, për një kohë të gjatë u detyruan të ndiqnin politikën e ruajtjes së status quo-së së Perandorisë Osmane. Kjo politikë shihej si një mjet që do të ruante, qoftë edhe përkohësisht “ekuilibrin” ndërmjet tyre në luftën për ndikimin në Lindjen e Afërme dhe në veçanti në zotërimet evropiane të Turqisë.
Megjithatë, Anglia, duke dashur ta largonte Rusinë nga çështjet e Lindjes së Largme dhe të fuste shtetet evropiane në luftë me njëri-tjetrin për “trashëgimin osman”, që nga viti 1895 disa herë i propozoi Gjermanisë e më vonë Rusisë, që ta ndanin Perandorinë Osmane, e cila, sipas shprehjes së kryeministrit të atëhershëm anglez Salsbori, “ishte e pafuqishme për të jetuar”. Anglia propozonte me këtë rast që “Italinë ta kënaqte në Tripoli dhe në Shqipëri”. Gjermania kundërshtoi atëherë çdo projekt për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe këmbënguli të ruhej status quo-ja. Me këtë qëndrim Berlini kërkonte të shmangte një përleshje të Gjermanisë ose edhe të aleatit të saj Austro-Hungarisë me Rusinë dhe ta hidhte këtë të fundit në luftë me Anglinë në Lindjen e Largme.
Rusia, e angazhuar në Lindjen e Largme, ndonëse nuk kishte hequr dorë nga pretendimet e saj të vjetra mbi Stambollin e Ngushticat, nuk pranoi të kthehej në këtë kohë në çështjet e Lindjes së Afërme, prandaj, preferoi që përkohësisht të ruhej status quo-ja në Perandorinë Osmane. Rusia u gjend atëherë në një pozitë kontradiktore: nga njëra anë kundërshtonte të gjitha propozimet e Anglisë për ndarjen e “trashëgimit osman”, ndërsa nga ana tjetër, ashtu si më parë, Rusia përkrahte synimet e shteteve sllave të Ballkanit për t’u zgjeruar në Turqinë Evropiane dhe për të pushtuar territoret shqiptare.
Austro-Hungaria, nga ana e saj, kërkonte të shtinte në dorë një pjesë të mirë të territoreve ballkanike të Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte në Selanik. Por kjo nuk mund të arrihej pa përleshje me Rusinë, me të cilën do të bashkoheshin edhe shtetet sllave të Ballkanit dhe do të përfundonte me forcimin e pozitave të Rusisë në Turqinë Evropiane. Në këto rrethana Austro-Hungaria, duke qenë edhe nën trysninë e Gjermanisë, që nuk donte konflikte në Lindjen e Afërme, ndoqi politikën e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane. Ndërkaq, Vjena përpiqej që të siguronte epërsinë ekonomike e politike në Shqipëri e në Maqedoni dhe, “kur të vdiste i sëmuri i Bosforit, që ndodhej në shtratin e vdekjes”, të vendoste kontrollin mbi to. Austro-Hungaria shfrytëzonte për të forcuar pozitat e saj në Shqipëri edhe të drejtën e protektoratit fetar mbi klerin katolik e katolikët e Perandorisë Osmane, të siguruar prej kohësh. Nga 240 institucione kishtare katolike, që Vjena mbante nën drejtimin e saj në Perandorinë Osmane, 220 ishin ngritur në Shqipëri.
Italia, e cila, njëlloj si Austro-Hungaria, punonte për t’u zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në brendi të Ballkanit, preferoi të respektonte në atë kohë status quo-në në Perandorinë Osmane e në Shqipëri.
Politika e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane, ashtu si Fuqitë e tjera të Mëdha, edhe Austro-Hungarinë e detyronte të kundërshtonte çdo lëvizje politike autonomiste dhe të armatosur të popullit shqiptar, e cila, bashkë me çlirimin e tij, do të sillte fundin e sundimit osman në Ballkan. Megjithatë, Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar. Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare.
Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca, kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve politike të qeverive të tyre në Shqipëri.
Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit.

Kërkesat për autonominë e Shqipërisë (1896)
Qeveria turke nuk ishte në gjendje as të zgjidhte çështjen maqedone, as të ndalonte ndërhyrjet e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane. Nën presionin e tyre dhe me shpresën që të dilte nga gjendja e vështirë, sulltan Abdyl Hamiti shpalli, më 22 prill 1896, dekretin “Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë”, që përfshinte masa të tilla, me të cilat Porta e Lartë mendonte të siguronte “barazinë” e të krishterëve me myslimanët, si emërimi në vilajetet e Edrenesë, të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës i ndihmësvalinjve të krishterë (maqedonë, serbë ose grekë) dhe futja e përfaqësuesve të tyre në këshillat administrativë (mexhliset) e këtyre vilajeteve, plotësimi i policisë dhe i xhandarmërisë me të krishterë të po këtyre kombësive, që do të përbënin 10 për qind të efektivit të tyre etj.
Për zbatimin e këtyre masave sulltani dërgoi në vilajetet e Selanikut e të Manastirit një komision të veçantë, të kryesuar nga Haki Beu. Në vilajetin e Kosovës u ngarkua me këtë detyrë vetë valiu, Hafiz Mehmet pasha. Megjithatë, ato nuk bënë efektin që priste Porta e Lartë as mbi bullgarët, serbët e grekët, as edhe mbi Fuqitë e Mëdha, që vijuan veprimtarinë e tyre politike në Turqinë Evropiane. Meqë nuk zgjidhën asnjë nga problemet politike, ekonomike e shoqërore të popujve të shtypur të Turqisë Evropiane, reformat nuk arritën të parandalonin lëvizjen e tyre çlirimtare.
Shpallja nga sulltani e reformave të prillit vuri në lëvizje tërë klasat dhe forcat politike të shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga dallimet që kishin në pikëpamjet dhe në qëndrimet e tyre ndaj sunduesve osmanë, përfaqësuesit e shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare e pritën me shqetësim e me pakënaqësi dekretin e reformave. Shqiptarët e dinin se përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të çonte në shkëputjen e tyre nga dy vilajetet e tjera shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) dhe në pranimin e tyre zyrtar si toka sllavo-maqedone. Ky rrezik ishte real në kushtet kur qarqet shoviniste bullgare kërkonin të futnin në kufijtë e Bullgarisë ose të Maqedonisë “autonome”, të projektuar prej tyre, në perëndim të vilajetit të Manastirit viset shqiptare deri në Boboshticë e në Drenovë (afër Korçës) dhe në veriperëndim Dibrën së bashku me një pjesë të Kosovës deri në Kumanovë.
Shqiptarët kundërshtuan përfshirjen e viseve të tyre në zonën e reformave maqedone dhe njëherazi kërkuan nga qeveria e sulltanit reforma të veçanta për tërë vilajetet shqiptare. Për shkak të qëndresës së popullsisë shqiptare të vilajeteve të Manastirit, Komisioni i reformave, i kryesuar nga Haki Beu, që mbërriti këtu në maj të vitit 1896, qëndroi vetëm tri javë, u detyrua të largohej menjëherë nga kazaja e Kërçovës dhe nuk guxoi të shkojë në sanxhakët e Elbasanit e të Dibrës, që u kthyen në vatra të qëndresës kundër reformave. Propagandë të dendur për përhapjen e ideve kombëtare dhe për qëndresën ndaj reformave osmane zhvillonin atëherë në vilajetin e Manastirit dhe sidomos në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, në Ohër, në Strugë, në Elbasan, në Tiranë, në Krujë dhe në qendra të tjera, atdhetarët Hamdi Ohri e Dervish Hima (Ibrahim Naxhi).
Në vilajetin e Kosovës urdhri për zbatimin e reformave u dha me vonesë, në nëntor të vitit 1896, por ndeshi kudo (në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup etj.) në kundërshtimin e popullsisë shqiptare, e cila kërkoi gjithashtu reforma të veçanta për Shqipërinë, që do t’i siguronin asaj autonominë. Në organizimin e kësaj qëndrese, që në shumë qendra mori formën e luftës së armatosur, u shqua atdhetari kosovar Haxhi Zeka. Qëndresa ndaj reformave u shtri në verën e vitit 1896 edhe në vilajetin e Shkodrës dhe në atë të Janinës, në Shqipërinë e Jugut.
Përgjithësisht, përpjekjet e Portës së Lartë për zbatimin e reformave në vilajetet e Rumelisë dhe sidomos në ato shqiptare dështuan plotësisht. Në këto rrethana, kur lindi përsëri rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të tokave shqiptare, atdhetarët rilindës nëpërmjet peticioneve, protestave e memorandumeve, që iu paraqitën në vitin 1896 Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha, shtruan një varg kërkesash, që do të çonin në njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për mësimin e përdorimin e lirë të gjuhës amtare. Përfaqësuesit më të ngritur të lëvizjes parashtruan kërkesa më të përparuara, siç ishte ajo e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë, të cilën e quanin si zgjidhjen më të drejtë të çështjes shqiptare në ato kushte.
Në maj të vitit 1896, kur Komisioni i Inspektimit (i Reformave) të Rumelisë ndodhej në vilajetin e Manastirit, një grup atdhetarësh i dorëzoi kryetarit të tij, Haki Beut, një promemorje, e cila ishte hartuar nga Dervish Hima dhe mbante nënshkrimin “Një dashamirës i atdheut”.
Në hyrje të saj përshkruhej me shprehje shumë të rrepta dhe me një qartësi të veçantë gjendja e rëndë e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, dhunimet që ushtronin “nëpunësit e pandershëm që merrnin ryshfete, taksa të jashtëligjshme dhe bënin lloj-lloj veprimesh arbitrare mbi popullin…”. “Të flasim shkurt, – thuhej në këtë dokument, – … qeveria e jonë na shtyp, na pi gjakun dhe pak nga pak po na shkatërron”. Atdhetarët shqiptarë e vinin theksin gjithashtu te rreziku i jashtëm që kërcënonte Shqipërinë, për shkak të lakmive pushtuese të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë dhe të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha.
Në këtë dokument, atdhetarët shqiptarë i parashtronin Portës së Lartë e sulltanit, të cilët i quanin përgjegjës për këtë gjendje të vendit, një varg kërkesash politike-kulturore, që i vlerësonin si tepër të ngutshme e të domosdoshme për parandalimin e rrezikut të jashtëm dhe për afirmimin kombëtar të shqiptarëve, siç ishin: ndalimi i propagandave dhe i shkollave të huaja në Shqipëri; dëbimi i mësuesve të huaj dhe zëvendësimi i tyre me mësues shqiptarë, myslimanë e të krishterë; zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare, duke çelur shkolla shqipe, që do të ndihmonin në konsolidimin e kombit shqiptar, do të mbronin vetëqenien e tij, do të çrrënjosnin ndikimet e huaja dhe do të çonin në njohjen e kombësisë shqiptare nga Porta e Lartë e nga shtetet e huaja.
Promemorja e majit të vitit 1896 zë vend të rëndësishëm në mendimin politik të Rilindjes, si për kërkesat kombëtare që përmbante, ashtu edhe për faktin se ajo kishte dalë nga pena e atdhetarëve shqiptarë, që vepronin e jetonin brenda vendit dhe shprehte pikëpamjet e tyre.
Në korrik të vitit 1896 iu dërgua kryeministrit turk dhe nëpërmjet tij sulltanit një memorandum nga një komitet i reformës shqiptare jashtë atdheut (në Bukuresht), në emër të banorëve të krishterë e myslimanë të Ballkanit e të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë me porosi të delegatëve e të krerëve të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës. Memorandumi, që mbante nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar” dhe që ishte shkruar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja, atdhetar nga Struga (në atë kohë i arratisur nga Stambolli dhe i vendosur në koloninë shqiptare të Rumanisë), iu dërgua Portës së Lartë me nismën e tij, të Nikolla Naços e të Faik Konicës.
Pasi shprehej në këtë memorandum protesta kundër propagandave të huaja, të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi, që synonin të asimilonin dhe të shkombëtarizonin popullsinë shqiptare, kërkohej që qeveria osmane t’i njihte shqiptarët, myslimanë e të krishterë, si një komb më vete dhe që përkatësia fetare të mos përzihej me atë kombëtare.
Memorandumi i korrikut të vitit 1896 nuk shtroi drejtpërsëdrejti çështjen e autonomisë së Shqipërisë, por duke u kufizuar me nevojën e zbatimit në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës të Ligjit organik, të parashikuar në nenin 23 të vendimeve të Kongresit të Berlinit, kërkoi këto reforma: lirimin e gjithë shqiptarëve të burgosur e të internuar për arësye politike; ndalimin e propagandës shkollore-kishtare greke e sllave në Shqipëri; çeljen e shkollave kombëtare shqipe; themelimin e kishës shqiptare dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat greke e sllave.
Zbatimi i këtyre masave, që diktoheshin më shumë nga rreziku i jashtëm, do të çonte në njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, të përkatësisë etnike shqiptare të vilajeteve të banuara nga shqiptarët, në vendosjen e një administrate vendase dhe do të shënonte kështu një hap të rëndësishëm drejt sendërtimit të programit të autonomisë dhe të sigurimit të tërësinë së trojeve shqiptare.
Po në vitin 1896 iu dërgua Fuqive të Mëdha një memorandum tjetër, me titull “Peticion për të kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen e qeverive të Fuqive të Mëdha”, i hartuar në frëngjisht, me nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar”. Një kopje e tij i është dërguar qeverisë angleze më 18 shtator 1896 nga Shoqëria “Dëshirë” e Sofjes. Megjithatë, variant i parë i tij ka dalë nga kolonia shqiptare e Rumanisë dhe është hartuar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja. Meqë ky peticion nuk i është dërguar vetëm Anglisë, por edhe qeverive të Fuqive të tjera të Mëdha, ka shumë mundësi që këtyre t’u jetë çuar nga Bukureshti, ku kishte edhe prejardhjen e tij.
Në peticion kërkohej mbështetja e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke zbatuar një varg reformash radikale, të cilat do të çonin në formimin e një njësie shtetërore autonome shqiptare. Përmbajtjen themelore të këtij dokumenti e përbënte kërkesa e bashkimit të vilajeteve (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës) në një vilajet të vetëm, me kryeqendër Manastirin, me një guvernator (vali) shqiptar në krye, me një administratë të veçantë të përbërë nga funksionarë shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Aty përcaktohej gjithashtu struktura organizative e vilajetit të bashkuar shqiptar: në kryeqendrën e tij, pranë guvernatorit të përgjithshëm, do të funksiononte një Këshill i Pleqve, i përbërë prej 24 anëtarësh (nga 6 për çdo vilajet), që do të ishin nga njerëzit më të aftë, myslimanë e të krishterë, sipas përbërjes së popullsisë së sanxhakëve dhe të kazave. Në memorandum kërkohej gjithashtu hapja e shkollave në qytetet dhe në fshatrat e Shqipërisë, ku krahas me shqipen do të mësohej edhe turqishtja, e cila njihej si gjuhë zyrtare. Kombësive të tjera, që banonin në vilajetet shqiptare, u njihej e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre amtare. Shërbimi ushtarak do të ishte i përgjithshëm për myslimanët e të krishterët dhe do të kryej në Evropë, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
Në peticion kërkohej gjithashtu që konsujt e Fuqive të Mëdha, të cilët ndodheshin në Manastir, të ngarkoheshin për të kontrolluar vendimet e Këshillit të Pleqve, derisa të përmbusheshin reformat e parashikuara.
Në vjeshtën e vitit 1896, në Shqipëri e sidomos në qendrat e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, që kërcënoheshin më shumë nga rreziku i copëtimit për shkak të reformave osmane, u bënë përpjekje për një qëndresë të organizuar e të përbashkët kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinje dhe Portës së Lartë. Kjo do të arrihej duke themeluar një lidhje të re shqiptare, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) do të merrte përsipër këtë detyrë. Nën drejtimin e udhëheqësit të lëvizjes kombëtare në Kosovë, Haxhi Zekës, që u vu në krye të këtyre përpjekjeve, në fundin e tetorit të vitit 1896 u mbajtën në Prishtinë njëra pas tjetrës dy mbledhje të përfaqësuesve të popullsisë shqiptare, ku u diskutuan kërkesa e autonomisë, e vetëqeverisjes së vendit dhe nevoja e organizimit dhe e armatosjes së popullit për mbrojtjen e atdheut nga rreziku i jashtëm. Për blerjen e armëve u vendos një kontribut në masën 10% të të ardhurave të çdo shqiptari, që filloi të vilej menjëherë. Në fundin e tetorit e në fillim të nëntorit u zhvilluan bisedime për bashkimin e shqiptarëve në një lidhje të re në Prishtinë, në Pejë, në Dibër, në Elbasan dhe në qendra të tjera.
Gjatë këtyre takimeve shqiptarët e Shkupit, të Prizrenit, të Pejës, të Dibrës e të të gjitha viseve të Veriut shtruan edhe kërkesën e autonomisë, duke shpresuar se edhe sulltani nuk do ta kundërshtonte atë, se ai do të pranonte ta bënte Shqipërinë një principatë autonome. Në fundin e tetorit përfaqësuesit e popullsisë së Kosovës, të mbledhur në Prishtinë, kërkuan haptazi nga sulltani që t’i jepte Shqipërisë vetëqeverisjen, të vinte në krye të saj një princ të pavarur dhe ajo të kishte të drejtë t’i mbante vetë të ardhurat nga viset shqiptare, duke i dhënë një pjesë Stambollit. Edhe atdhetarët dibranë kërkuan, në nëntor të vitit 1896, që të formohej një vilajet i bashkuar shqiptar, i cili do të përbënte bërthamën e shtetit autonom kombëtar.
Në kushtet kur Porta e Lartë kundërshtonte çdo reformë, që mund të cenonte sundimin e saj në Shqipëri e në Ballkan, ndërsa Fuqitë e Mëdha këmbëngulnin për ruajtjen e status quo-së së Perandorisë Osmane, kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, që u parashtrua nga përfaqësuesit e popullsisë shqiptare brenda vendit dhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si edhe përpjekjet për të formuar një lidhje të re nuk dhanë rezultat.

Çështja shqiptare gjatë Krizës Lindore të vitit 1897 
Në pranverën e vitit 1897, si pasojë e shpërthimit të luftës greko-turke për çështjen e Kretës, gjendja politike në Shqipëri u acarua edhe më shumë. Krahas rrezikut që i kërcënohej pjesës jugore të Shqipërisë nga forcat greke, lindi edhe ai i ndërhyrjes së shteteve të tjera të Ballkanit (të Serbisë e të Bullgarisë) që cenonte tërësinë territoriale të trevave veriore e verilindore të Shqipërisë.
Përqendrimi i trupave greke në kufijtë e Thesalisë e të vilajetit të Janinës dhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në rast se fitonte Greqia, e largoi për një kohë vëmendjen e atdhetarëve shqiptarë nga lufta kundër sunduesve osmanë dhe e drejtoi atë nga Athina. Megjithatë, derisa trupat greke luftonin për Kretën dhe nuk kishin filluar ende veprimet ushtarake në Shqipërinë e Jugut, në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Turqisë ushtarë dhe i kumtuan Portës së Lartë se do t’i ruanin forcat e tyre për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
Pas ndërmarrjes pa sukses për të pushtuar Kretën në mesin e shkurtit të vitit 1897, Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat turke më 12 prill të vitit 1897. Kjo rrethanë i dha mundësi sulltanit që luftën kundër Greqisë ta paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ndërkaq, edhe atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit e përcaktoi këtë qëndrim të atdhetarëve shqiptarë me këto fjalë: “Në fillim të luftës greko-turke, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin (Turqisë – shën. i aut.) ushtarë për luftën. Por, kur panë se Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë dhe Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë e botës u kthyen në zemërim, ashtu edhe ca më shumë ajo e shqiptarëve…, që u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”.
Në të njëjtën kohë Porta e Lartë, me anë të premtimeve për t’u dhënë tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit, bëri për vete parinë shqiptare. Në këtë mënyrë ajo siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës.
Në këto rrethana ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht brenda tri javësh. Por, me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane, ku bënin pjesë edhe repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre të mëtejshëm. Më 19 maj u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Turqisë e Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 Traktati përfundimtar i Paqes. Megjithëse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall autonome dhe “asnjanëse”, nën administrimin e një guvernatori të krishterë, që në të vërtetë do të ishte grek dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha.
Meqenëse lufta greko-turke shkaktoi acarimin e gjendjes politike në Ballkan dhe mund të prishte status quo-në e Perandorisë Osmane, Austro-Hungaria e Rusia shpejtuan të merreshin vesh ndërmjet tyre për çështjet e Ballkanit e të Lindjes së Afërme. Si rrjedhojë e bisedimeve që u zhvilluan në Peterburg në muajin prill ndërmjet perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, dhe carit të Rusisë, Nikolla II, si edhe pas notave që u shkëmbyen ndërmjet ministrave të Jashtëm të të dy shteteve, në maj të vitit 1897, u arrit, në parim, një marrëveshje që theksonte edhe njëherë interesimin e vendosmërinë e të dyja fuqive për të ruajtur status quo-në në Ballkan. Me këtë rast Ballkani u nda në dy zona ndikimi: në atë austriake të perëndimit dhe në atë ruse të lindjes.
Në këto nota bëhej fjalë gjithashtu për qëndrimin që do të mbahej, në qoftë se më në fund do të ishte e pamundur të ruhej status quo-ja në Ballkan. Në këtë rast Austro-Hungaria kërkoi të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën që i kishte pushtuar nga koha e Traktatit të Berlinit, si edhe sanxhakun e Jenipazarit. Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një vend të rëndësishëm në bisedimet austro-ruse, Vjena propozoi që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar me emrin Principata e Shqipërisë, që do të përfshinte në kufijtë e vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri dhe do të kishte një shtrirje të “arsyeshme” në lindje. Tokat që do të mbeteshin pas kësaj do t’u ndaheshin shteteve të vogla të Ballkanit në mënyrë që të ruhej ekuilibri i deriatëhershëm. Ky shtet, sipas projekteve të fshehta të Vjenës, do të vihej nën protektoratin austro-hungarez, i cili, në rast se do ta lejonin rrethanat, do të shoqërohej edhe me një pushtim të pjesshëm të tokave të Shqipërisë e në radhë të parë të Durrësit e të Vlorës. Kjo do t’i siguronte Austro-Hungarisë kontrollin mbi Otranton dhe mbi detin Adriatik.
Propozimet e Austro-Hungarisë për sistemin e ri në Ballkan dhe për ndarjen e territoreve të Turqisë Evropiane, u kundërshtuan nga ministri i Jashtëm i Peterburgut si të papajtueshme me interesat dhe politikën e Rusisë në Ballkan, që synonte të zgjeronte shtetet sllave deri në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Ripohimi nga ana e Fuqive të Mëdha i politikës së ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane bëri që sulltani ta ndiente veten më të sigurt dhe të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë shqiptarëve gjatë luftës greko-turke për t’u bërë lëshime në administrimin e vendit. Sulltani kënaqi vetëm krerët gjysmëfeudalë, të cilëve u dha zotërime të reja tokësore dhe shpërblime të tjera që t’i lidhte më shumë pas Stambollit.
Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit, të Sofjes e të Cetinës, që e shihnin luftën greko-turke si një moment të përshtatshëm për “të zgjidhur” çështjen maqedone, për të pushtuar territoret shqiptare dhe ato sllave-maqedone. Gjatë bisedimeve serbo-bullgare, që u zhvilluan në Sofje në shkurt të vitit 1897, kryeministri serb propozoi që të ndaheshin zonat e ndikimit e të veprimit të dy shteteve dhe, duke përfituar nga kjo luftë, të fillonin veprimet ushtarake në tokat shqiptare e maqedone. Por bisedimet e Sofjes nuk dhanë rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për ndarjen e të ashtuquajturave vilajete maqedone.
Ndërkaq, gjatë dhe pas luftës greko-turke (1897) shpërtheu me një forcë më të madhe konflikti kishtar serbo-greko-bullgar. Serbia kërkoi nga Stambolli që të rivendoste Patrikanën e Pejës (të hequr më 1767), nga e cila të vareshin dioqezat e Shkupit, të Prizrenit, të Dibrës e të Manastirit, duke synuar të themelonte kështu kishën e pavarur serbe në Turqinë Evropiane. Nga ana tjetër, Bullgaria kërkoi të shtinte në dorë selitë peshkopale të Dibrës e të Manastirit dhe të zbonte prej andej Patrikanën greke. Si Serbia, ashtu edhe Bullgaria synonin me këto masa të forconin pozitat e tyre politike dhe të krijonin një mbështetje për pretendimet territoriale mbi viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës.
Pas luftës greko-turke Porta e Lartë, duke u bërë lëshime të reja shteteve ballkanike, emëroi një mitropolit serb në Shkup në vitin 1897, nxori në pranverën e atij viti urdhrin për hapjen e shkollave serbe në vilajetet e Kosovës, të Manastirit e të Selanikut dhe në fillim të vitit 1898 emëroi dy dhespotë bullgarë (ekzarkistë) në Dibër e në Manastir.
Këto lëshime sollën dy pasoja: acaruan edhe më shumë kontradiktat ndërmjet Bullgarisë, Serbisë e Greqisë, që çuan në përleshje të reja të përgjakshme midis bandave të këtyre shteteve në viset shqiptare e maqedone dhe ashpërsuan gjendjen politike në Shqipëri, shtuan pakënaqësinë e shqiptarëve, territoret e të cilëve rrezikoheshin të aneksoheshin nga shtetet fqinje.

Besëlidhja Shqiptare e vitit 1897 dhe qëndresa e armatosur kundërosmane
Të bindur se e vetmja rrugë për t’u bërë ballë ndërhyrjeve të shteteve fqinje në Shqipëri dhe për të siguruar autonominë e saj, ishte organizimi i një lëvizjeje të përgjithshme kombëtare, atdhetarët rilindës dendësuan përpjekjet për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit shqiptar, për të ngulitur tek ai idenë e bashkimit e të organizimit. Krahas kësaj, rrethet atdhetare shqiptare zhvilluan një veprimtari të gjithanshme politike e organizative për të kapërcyer karakterin lokal e të kufizuar të lëvizjeve të veçanta kundërosmane dhe për t’i shkrirë ato në një lëvizje të vetme mbarëshqiptare. Edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit, me gjithë punën e madhe që kishin bërë, vijonin të ishin të veçuara njëra nga tjetra dhe të palidhura sa duhej me qendrat kryesore të lëvizjes në Shqipëri.
Në kushte të tilla, atdhetarët rilindës arritën në përfundimin se para lëvizjes kombëtare ngrihej si detyrë e dorës së parë krijimi i një organizate të re, si ajo e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte të gjithë vendin dhe të siguronte udhëheqjen e vetme të luftës për çlirimin kombëtar. Kjo bëhej edhe më e ngutshme për shkak të rritjes së veprimtarisë së qarqeve shoviniste fqinje për të pushtuar vilajetet shqiptare e sidomos ato të Kosovës e të Manastirit dhe nga paaftësia e qeverisë së sulltanit për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.
Nismën për krijimin e një organizate të tillë e morën qytetet kryesore të vilajetit të Kosovës. Pas orvatjeve pa sukses që u bënë për këtë qëllim në fundin e vitit 1896, në fundin e shkurtit të vitit 1897, menjëherë pas shpërthimit të luftës greko-turke, u zhvilluan në Pejë e në Gjakovë mbledhje të përfaqësuesve të popullsisë dhe u hodhën bazat e një lidhjeje të re që u quajt Besëlidhja Shqiptare, organizatorë të së cilës ishin Haxhi Zeka? e Riza Kryeziu (Gjakova).Në krye të Komitetit që drejtonte veprimtarinë e saj u vu Haxhi Zeka, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare në vilajetin e Kosovës.
Në pranverën e këtij viti Besëlidhja u zgjerua duke u shtrirë në qytete të tjera të Kosovës. Pas mbledhjeve e bisedimeve paraprake, që shqiptarët bënë në mars të vitit 1897 në Prizren, në Pejë e në Gjakovë, popullsia e këtyre qyteteve përfundoi një marrëveshje, shpalli një Besëlidhje të përbashkët. Besëlidhja u forcua më tej. Përfaqësuesit e popullsisë së qyteteve të vilajetit të Kosovës mbajtën mbledhje të njëpasnjëshme në fundin e marsit, në vendin e quajtur Babin Most (midis Prishtinës e Vuçiternës), ku u diskutuan masat që do të merreshin për mbrojtjen e Shqipërisë në rast të një sulmi nga shtetet fqinje.
Po në mars të vitit 1897 u mbajt në Shkodër një mbledhje e përfaqësuesve të popullsisë së sanxhakut të Shkodrës, ku u shqyrtua një rezolutë, në të cilën shtrohej si detyrë mbrojtja e tërësisë së trojeve shqiptare dhe sigurimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Por, me gjithë përpjekjet e Haxhi Zekës, vilajeti i Shkodrës nuk arriti atëherë të bashkohej me Besëlidhjen Shqiptare. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shqipërisë së Jugut, të Vlorës, të Beratit, të Gjirokastrës e të qyteteve të tjera, me anën e letrave e të deklaratave që u dërguan në mars të vitit 1897 bashkatdhetarëve në Dibër, në Shkup, në Gjakovë, në Prishtinë e në qytete të tjera, shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në Besëlidhjen Shqiptare.
Besëlidhja Shqiptare përcaktoi si kërkesë kryesore ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga rreziku i jashtëm. Kjo shpjegohet me dendësimin e orvatjeve të Serbisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë për të copëtuar trojet shqiptare, që u bënë edhe më të rrezikshme gjatë dhe pas luftës greko-turke të vitit 1897. Duke përfituar nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare për mbrojtjen e kufijve të Perandorisë Osmane, Besëlidhja veproi në mënyrë të hapur. Por udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shfrytëzuan këtë interesim të Portës së Lartë për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të Shqipërisë dhe jo për interesat e Perandorisë Osmane. Duke vënë theksin në këtë qëndrim të drejtë të Besëlidhjes Shqiptare, Sami Frashëri shkruante kështu në pranverën e vitit 1897: “Lidhjet janë aty (në Shqipëri – shën. i aut.) dhe jo për interesat e ndonjë koke të kurorëzuar (të sulltanit – shën. i aut.); ato janë organizuar vetëm e vetëm për të mbrojtur atdheun, me shpresë që një ditë, e cila sidoqoftë nuk duket e largët (shqiptarët – shën. i aut.) të bëhen të lirë dhe të lumtur”.
Haxhi Zeka dhe drejtuesit e tjerë të Besëlidhjes punuan gjithashtu për të vënë në themel të saj kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, duke parashtruar si hap të parë drejt saj bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm. Kjo kërkesë u përcaktua edhe më qartë në programin e Komitetit të fshehtë Shqiptar, që vepronte në Kosovë në vitin 1897 dhe që udhëhiqte veprimtarinë e Besëlidhjes Shqiptare. Ky Komitet, që kishte degët e veta në qytetet e Kosovës, zhvilloi një veprimtari të fshehtë për të formuar një Shqipëri autonome, nën sovranitetin e sulltanit, me ushtri e administratë të pavarur shqiptare, sipas shembullit të Principatës Bullgare.
Atdhetarët rilindës brenda e jashtë atdheut, të frymëzuar nga Besëlidhja Shqiptare, bënë përpjekje për të përpunuar më tej programin e lëvizjes kombëtare dhe për ta orientuar Besëlidhjen drejt përmbushjes së detyrave themelore të saj. Nismën për këtë e mori Shoqëria e Stambollit, e cila në këtë kohë u riorganizua me emrin Komiteti Shqiptar, me kryetar gjithnjë Sami Frashërin. Në manifestin “Ç’duan shqiptarët”, që ky Komitet lëshoi në pranverën e vitit 1897, miratohej krijimi i Besëlidhjes, si edhe kërkesa e saj për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Por Komiteti i Stambollit theksonte njëkohësisht se krahas kësaj ishte e nevojshme të luftohej kundër qeverisë së sulltanit dhe të ndryshoheshin marrëdhëniet e shqiptarëve me të. Komiteti parashikonte dy variante të mundshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Nëse Evropa, thuhej në manifest, do të vijojë të respektojë tërësinë e Perandorisë Osmane, atëherë shqiptarët do të punojnë për të siguruar autonominë e Shqipërisë, për bashkimin e vilajeteve të saj në një vilajet të vetëm autonom, me gjuhën shqipe si gjuhë lokale dhe me një guvernator të përgjithshëm që do të administronte vendin nën kontrollin e një kuvendi kombëtar me funksionarë shqiptarë. Nëse Evropa do të vendoste t’i jepte fund Perandorisë Osmane, atëherë Shqipëria duhej të bëhej një shtet i lirë e i pavarur, të shkëputej krejtësisht prej saj.
Në të dy variantet ndërtimi shtetëror i Shqipërisë parashikohej të bëhej sipas parimeve demokratike e të përparuara të kohës. Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë të Komitetit të Stambollit mendonin se sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë do të ishte republika, e cila do të ndërtohej në përputhje me kushtet e me traditat e vendit.
Në manifest i bëhej thirrje popullit shqiptar të vazhdonte edhe në të ardhmen luftën kundër synimeve shoviniste të Greqisë dhe të shteteve fqinje sllave për mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare, theksohej se duhej prerë çdo lidhje me Patrikanën dhe të formohej një kishë e pavarur shqiptare. Krahas kundërshtimit të hapur ndaj çdo protektorati të Fuqive të Mëdha mbi Shqipërinë, në manifest shprehej besimi në aftësitë e shqiptarëve për të drejtuar vendin e tyre.
Veprimtaria e mëtejshme e Besëlidhjes Shqiptare u pengua nga masat shtypëse të Portës së Lartë, e cila, në maj të vitit 1897, pas përfundimit të konfliktit me Greqinë dhe pas afirmimit nga Fuqitë e Mëdha të politikës së ruajtjes së status quo-së në Lindjen e Afërme, e ndjeu veten më të sigurt dhe humbi përkohësisht interesimin për të mobilizuar forcat shqiptare për mbrojtjen e kufijve të Turqisë Evropiane. Sulltani urdhëroi valiun e Kosovës që të shtypte çdo lëvizje, qoftë edhe legale, për zbatimin e reformave të premtuara prej tij gjatë luftës greko-turke. Në dekretin e majit të vitit 1897 sulltani kundërshtoi përsëri kërkesën e shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe. “Meqenëse gjuha e shtetit osman është gjuha osmane,- thuhej në këtë dekret,- nuk do të ishte aspak e lejueshme që të hapen shkolla në të cilat mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe…”.
Në pranverën dhe në verën e vitit 1897 gjendja në Shqipëri u acarua edhe më shumë për shkak të përqendrimit të forcave të mëdha ushtarake osmane për shtypjen e lëvizjes kombëtare. Nëpërmjet vijës hekurudhore të Shkupit u dërguan në Mitrovicë 34 vagona me ushtarë. Ndikim të ndjeshëm ushtroi në Shqipëri propaganda e ideve kombëtare, që atdhetarët zhvillonin brenda e jashtë vendit. Nëpërmjet thirrjeve drejtuar popullit dhe artikujve të botuar në shtyp, gjatë muajve maj-qershor të vitit 1897, sidomos në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit, veprimtarët rilindës grishnin shqiptarët që “të bashkoheshin, të punonin për kombin e tyre, për të pasur shtetin e vet të veçantë e të lirë, për t’u bërë zot të vendit, të Shqipërisë”.
Në këto rrethana shpërtheu në Shqipëri lëvizja e armatosur kundërosmane, që filloi në verën e vitit 1897 dhe vijoi deri në fundin e atij viti. Megjithëse u zhvillua në formën e kryengritjeve lokale, të veçuara nga njëra-tjetra, lëvizja kundërosmane pati karakter të theksuar politik, kishte si qëllim të fundit sigurimin e vetëqeverisjes, të autonomisë territoriale-administrative të vendit. Për karakterin politik dhe antiqeveritar të kësaj qëndrese bënte fjalë, në një nga relacionet që i dërgonte atëherë Portës së Lartë, edhe guvernatori i vilajetit të Manastirit. Ndërsa agjenti tregtar bullgar në Selanik, në nëntor të vitit 1897, i shkruante qeverisë së Sofjes se “pas luftës greko-turke shqiptarët kanë shfaqur në mënyrë të pandërprerë pakënaqësinë e tyre dhe po kërkojnë vazhdimisht autonominë”.
Vatra kryesore e qëndresës së armatosur në vitin 1897 u bë Shqipëria e Veriut, vilajetet e Kosovës e të Shkodrës. Qysh në maj popullsia e rretheve të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës, si edhe ajo e Dibrës, e Tetovës dhe e Kërçovës në vilajetin e Manastirit, hyri në konflikt të armatosur me ushtritë osmane. Gjatë verës lëvizja u shtri në vilajetin e Shkodrës dhe sidomos në krahinën e Mirditës. Me kërkesën e valiut të Shkodrës, sulltani urdhëroi të merreshin masa të jashtëzakonshme për shtypjen e qëndresës në vilajetet e Shkodrës e të Kosovës. Në të katër vilajetet shqiptare, në gushtin e vitit 1897, u arrestuan 300 atdhetarë shqiptarë, të akuzuar për organizimin e kryengritjes, të cilët u dërguan, përmes Manastirit, në shkretirat e Anadollit e të Afrikës osmane.
Përmasa edhe më të mëdha mori qëndresa e popullsisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1897, sidomos në vjeshtën e atij viti. Në vilajetin e Kosovës kjo lëvizje e armatosur udhëhiqej nga Besëlidhja Shqiptare dhe Komiteti i saj i fshehtë. Nëpërmjet degëve që kishte ngritur në qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, ky Komitet punonte për bashkimin e popullit në Besëlidhjen Shqiptare dhe, njëherazi, për organizimin e qëndresës së armatosur për autonominë e Shqipërisë. Në shtator të vitit 1897 shqiptarët kryengritës dëbuan nga Prizreni e nga Prishtina qeveritarët turq, mytesarifët dhe nëpunësit e korruptuar, ndërsa në fillimin e tetorit u zhvilluan në këto qendra, si edhe në rrethet e tjera, përleshje të armatosura me ushtritë osmane. Në mbledhjen që mbajti më 7 tetor, Porta e Lartë pranoi se “në mjaft sanxhakë të vilajetit të Kosovës pushteti qeveritar nuk ka asnjë ndikim”.
Krahas arrestimeve në masë të pjesëmarrësve të lëvizjes, qeveria e sulltanit, duke parë se vilajeti i Kosovës dhe veçanërisht rrethi i Shkupit kërcënohej nga një kryengritje e re, dërgoi atje 7 batalione, të pajisura me artileri, të sjella nga vilajeti i Janinës. Po në fillim të tetorit mbërriti në Shkodër Tefik pasha, i dërguar nga sulltani, gjoja “për të dëgjuar dëshirat” e shqiptarëve. Sikurse shkruante “Shqipëria” e Bukureshtit më 11 tetor të vitit 1897, tetëdhjetë shqiptarë nga krerët myslimanë e të krishterë të Shqipërisë së Sipërme i deklaruan delegatit turk se nuk do të pranonin të dorëzonin armët dhe t’i nënshtroheshin qeverisë turke, derisa ajo të zbatonte reformat që kishin kërkuar shqiptarët dhe pikërisht autonominë e vendit. Orvajtjet e Tefik Pashës për t’i bindur me anë të premtimeve krerët e Shkodrës e të malësive, që t’i dorëzonin armët, nuk dhanë rezultat.
Në ditët e para të nëntorit të vitit 1897 kryengritja, e udhëhequr nga Haxhi Zeka, përfshiu Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gucinë, Prishtinën, Tetovën dhe qendra të tjera të vilajetit të Kosovës. Në rrethet e Gjakovës u përqendruan 3-4 mijë kryengritës, të udhëhequr nga Riza Kryeziu, që shtinë në dorë qytetin dhe i detyruan funksionarët osmanë të iknin në Shkup. Nga 15 nëntori e deri në fundin e tij në rrethet e Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës e të Prishtinës u zhvilluan, thuajse çdo ditë, përleshje të përgjakshme ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë osmane. Luftime të ashpra u bënë sidomos më 22 e 23 nëntor në rrethet e Gjakovës, kurse Shkupi kërcënohej nga kryengritësit e Kaçanikut.
Kryengritësit e populli kërkonin që në vend të funksionarëve të zbuar turq të emëroheshin “guvernatorë dhe nëpunës shqiptarë”, të krijohej kudo administrata shqiptare, ndërsa shqiptarët e Gjakovës deklaruan se do të vendosnin një “pushtet të pavarur nga sulltani”.
Gjendja vijoi të jetë e tendosur edhe në Shkodër. Më 11 dhjetor u mbajt këtu një mbledhje e përfaqësuesve të popullsisë së qytetit e të Malësisë, nga e cila iu dërgua sulltanit një memorandum, ku këmbëngulej për zbatimin e reformave në Shqipëri.
Në nëntor të vitit 1897 lëvizja u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, popullsia e të cilave, sidomos ajo e vilajetit të Janinës, ishte ngarkuar me taksa e me kontribute të rënda gjatë luftës greko-turke. Qëndresa kundërosmane që shpërtheu në Elbasan, në Tiranë, në Vlorë, në Gjirokastër, në Përmet, në Delvinë e në vise të tjera, kishte si qëllim të fundit sigurimin e autonomisë së Shqipërisë. Drejtuesit e lëvizjes bënë gjithashtu plane për të liruar të burgosurit e të internuarit politikë, ndërsa në Himarë shpërtheu kryengritja e hapur, e cila u shtyp nga forcat osmane.
Në verën e në vjeshtën e vitit 1897, kur Haxhi Zeka vazhdonte të punonte për zgjerimin e Besëlidhjes, Murat Toptani e bashkëpunëtorët e tij u përpoqën të bashkonin me Besëlidhjen edhe popullsinë e Shqipërisë së Mesme e të Jugut dhe të formonin një lidhje mbarëkombëtare, që të bashkonte gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë.
Po në nëntor të vitit 1897, në një situatë të acaruar politike, me nismën e Haxhi Zekës u mbajt në Pejë një mbledhje e gjerë e përfaqësuesve të popullsisë së vilajetit të Kosovës, ku morën pjesë rreth 500 veta, në të cilën u shqyrtua çështja e reformave që duhej të bëheshin në Shqipëri. Ndryshe nga grupi konservator, i kryesuar nga Riza Gjakova, Halil pashë Begolli e bajraktarë të tjerë, që nuk pranonin reforma radikale, të cilat do të ndryshonin marrëdhëniet e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, Haxhi Zeka dhe ithtarët e tij parashtruan në këtë tubim kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Lëvizja e armatosur kundërosmane dhe veprimtaria e Besëlidhjes Shqiptare pati edhe në këtë periudhë përkrahjen e shoqërive patriotike dhe të atdhetarëve që punonin jashtë vendit. Në nëntor të vitit 1897, kur lëvizja kryengritëse ishte ende në ngritje, me nismën e Shoqërisë “Dituria”, që ishte organizata më e madhe patriotike jashtë atdheut (me 2 000 anëtarë), u thirr në Bukuresht një mbledhje e gjerë, ku morën pjesë përfaqësuesit e “shoqërive kombëtare, të lidhjeve e të komiteteve që vepronin në Shqipëri dhe në kolonitë e mërgimit”. Në mbledhje u miratua një memorandum, i hartuar në shqip dhe i përkthyer në frëngjisht e italisht, i cili iu dërgua sulltanit dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, “Ndë emër të Llauzit (popullit – shën. i aut.) shqiptar”.
Në këtë memorandum kërkohej nga Turqia e nga qeveritë evropiane njohja e kombësisë shqiptare dhe autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, që do të sendërtohej duke bashkuar të katër vilajetet (ku shqiptarët përbënin shumicën) në një vilajet të vetëm, me një qeveritar të përgjithshëm shqiptar në krye dhe me kryeqytet Manastirin. Si gjuhë zyrtare për administratën shtetërore, institucionet shkollore e fetare do të ishte shqipja. Kërkohej gjithashtu ndalimi i çarmatimit të shqiptarëve dhe amnisti për gjithë ata që ishin internuar, ishin burgosur e ishin dëbuar jashtë për çështje politike. “Qeveria autonome e Shqipërisë” që do të vihej në krye të vendit, do t’i paguante sulltanit një shumë të caktuar të hollash.
Duke parashtruar rrugën e zgjidhjes së çështjes shqiptare me anë të krijimit të një shteti autonom, memorandumi i Bukureshtit iu përgjigj në thelb kërkesave të lëvizjes kombëtare në atë kohë. Të mbështetur në përvojën e Lidhjes së Prizrenit, autorët e këtij memorandumi e orientuan drejt lëvizjen kombëtare, duke theksuar se formimi i shtetit kombëtar e autonom do të ishte edhe rruga më e mirë për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Krahas kësaj, atdhetarët e Bukureshtit, duke miratuar këtë memorandum, sikurse theksonte një nga anëtarët e Komitetit të Shoqërisë “Dituria” në ato ditë, synonin “t’i tregonin Evropës se kryengritja shqiptare e Kosovës nuk ishte një lëvizje e elementëve “të egër”, siç po e paraqiste Porta e Lartë, por një lëvizje që ka për qëllim të vërtetë çlirimin kombëtar të shqiptarëve”.
Çështja e autonomisë territoriale-administrative të vendit u parashtrua nga atdhetarët rilindës edhe në një varg artikujsh të botuar në shtypin shqiptar të kohës, e sidomos në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit (1897-1899). Por kërkesat për njohjen e kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij të ligjshme, për të formuar shtetin e vet kombëtar, nuk u morën parasysh as nga qeveria e sulltanit, as edhe nga Fuqitë e Mëdha.
Duke e ndier rrezikun e madh që i kanosej nga një lëvizje e organizuar shqiptare me program kombëtar, Porta e Lartë në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit mori masa të rrepta për shpërndarjen e Besëlidhjes dhe për shtypjen e lëvizjes kryengritëse në Shqipëri. Krahas me ushtritë e shumta që tërhoqi nga fronti i Thesalisë dhe i hodhi në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë dërgoi në Shqipëri edhe një mision të posaçëm, të kryesuar nga Is’han Beu, si edhe disa grupe hoxhallarësh për të propaganduar te besimtarët myslimanë besnikërinë ndaj sulltanit, “Kalifit të gjithë myslimanëve”.
Në përpjekjet e tyre për të paralizuar lëvizjen shqiptare Is’han Beu dhe valiu i Kosovës, krahas forcave ushtarake, shfrytëzuan edhe lëkundjet e parisë shqiptare, sidomos të Riza Kryeziut, njërit prej krerëve të kryengritjes shqiptare në Gjakovë, i cili ishte dalluar njëherazi për veprime përçarëse dhe synonte ta përdorte lëvizjen për qëllimet e tij të ngushta vetjake. Pas bisedimeve që zhvilloi me ta, Riza Kryeziu pranoi të shkonte në Stamboll në fundin e vitit 1897, në krye të një komisioni prej 8 vetash, përfaqësues të parisë së vendit, për t’i paraqitur sulltan Abdyl Hamitit një pasqyrë të gjendjes së Shqipërisë dhe nevojat e kërkesat e saj. Në Stamboll Riza Kryeziu kapitulloi, hoqi dorë nga lëvizja kundërosmane dhe hyri në rrugën e bindjes e të nënshtrimit ndaj sulltanit, gjë që e dobësoi ndikimin e tij në Shqipëri. Për shërbimet që i solli Perandorisë, ai u emërua anëtar i Kryesisë së Këshillit të Shtetit, ndërsa anëtarëve të tjerë të misionit iu dhanë grada civile e ushtarake, si edhe tituj nderi e dhurata të shumta.
Qëndrim krejt të ndryshëm mbajti Haxhi Zeka, që nuk pranoi ftesën e Portës së Lartë për të vajtur në Stamboll, as edhe kërkesën e saj këmbëngulëse e të përsëritur për të shpërndarë komitetet shqiptare që vepronin në Kosovë.
Përpjekjet e shqiptarëve për t’u bashkuar në një Besëlidhje të përgjithshme, si edhe qëndresa e tyre kundërosmane për autonominë e Shqipërisë, ndeshën në qëndrimin armiqësor të shteteve fqinje ballkanike dhe u pritën me shqetësim edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto të fundit nuk e përkrahën lëvizjen shqiptare për formimin e një shteti autonom, sepse e shihnin atë si një faktor që do të prishte status quo-në në Ballkan e në Lindjen e Afërme dhe ekuilibrin midis tyre.
E ndodhur përballë masave shtypëse të Portës së Lartë (që bëri për vete edhe një pjesë të parisë shqiptare) dhe qëndrimit mospërfillës të faktorit ndërkombëtar, Lëvizja Kombëtare Shqiptare e vitit 1897 dhe Besëlidhja e krijuar prej saj, nuk sollën rezultatet që priteshin dhe e ndërprenë përkohësisht veprimtarinë e tyre.

2. LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS
(1899-1900)

Rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike në pragun e themelimit të Lidhjes (1898)
Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte të shtypte me të njëjtën ashpërsi lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e shtuan veprimtarinë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit, për bashkimin dhe organizimin e tij në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt, Shoqëria “Dëshira” e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve të Italisë) botuan një thirrje të përbashkët me titullin “Në emër të popullit shqiptar”, që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, si edhe politika e verbër e Portës së Lartë, që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme politike në dëm të Shqipërisë.
Në këtë dokument parashtroheshin kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Të gjithë ne shqiptarët, – theksohej në të, – kudo që ndodhemi, brenda dhe jashtë atdheut dhe pavarësisht nga besimet fetare, kërkojmë nga sulltan Abdyl Hamiti autonominë administrative të tokave shqiptare, bashkimin e vilajeteve ku është përfshirë atdheu ynë në një vilajet të vetëm me një guvernator shqiptar”, me gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, me shkolla e me kisha shqipe.
Atdhetarët rilindës i bënin të ditur në këtë thirrje opinionit evropian se “shqiptarët, për të ruajtur qenien e tyre dhe për të përmbushur programin kombëtar, nuk do të ngurronin të përdornin edhe kryengritjen e armatosur, të drejtën supreme të popujve, revolucionin”.
Thirrja e shoqërive shqiptare të mërgimit ishte një dokument i rëndësishëm programatik, që pati ndikim si në opinionin publik evropian, ashtu edhe në Shqipëri, ku vijonte propaganda e ideve autonomiste. Në mjaft qendra të Shqipërisë vepronin në fshehtësi komitetet shqiptare. Në maj të vitit 1898 mytesarifi i Prizrenit njoftonte valiun e Kosovës për veprimtarinë e një Komiteti Qendror në këtë qytet, ndërsa në Tetovë ishte ngritur një komitet tjetër i fshehtë, që kishte shtrirë degët e tij edhe në mjaft qendra të Kosovës. Këto komitete punonin për forcimin e bashkimit të shqiptarëve, për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për organizimin e luftës për autonominë e Shqipërisë. Idetë autonomiste kishin marrë një përhapje të gjerë në vilajetin e Kosovës, në sanxhakun e Dibrës e qendra të tjera të vilajetit të Manastirit, në të cilat shqiptarët haptazi kërkonin të drejtën e vetëqeverisjes, të njëjtë me atë që gëzonin kombet e tjera të Ballkanit. Duke bërë fjalë për këtë aspiratë të shqiptarëve, ministri i Jashtëm i Turqisë, Tefik Pasha, deklaronte në qershor të vitit 1898, se “shqiptarët kërkojnë vetëqeverisjen dhe shkojnë më tej: kërkojnë një princ nga kombi i tyre…, kërkojnë të kenë ushtrinë e tyre, e cila ç’është e vërteta duhet të jetë pjesë e Perandorisë… Por, po u formua, në rast se u nevojitet, ata mund ta organizojnë sipas mënyrës së tyre”.
Qeveria turke vazhdoi të shtypte me forcën e armëve lëvizjen dhe popullsinë e zonave kryengritëse shqiptare. Në projektin e “reformave”, që valiu i Kosovës, ai i vilajetit të Manastirit, ministri i Brendshëm dhe ai i Luftës i paraqitën Portës së Lartë, në mars të vitit 1898, si edhe në “Projektin mbi Shqipërinë”, që mareshali Ethem Pasha i parashtroi sulltanit me porosi të qeverisë në korrik të atij viti (1898), shihej si rrugë e vetme për “stabilizimin” e gjendjes në Shqipëri forcimi i pushtetit të centralizuar osman, që nuk u njihte asnjë të drejtë popujve të tjerë. Kërkohej të zbatoheshin në Shqipëri dhe sidomos në pjesën e saj veriore e veriperëndimore, në sanxhakët e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit “reforma” të tilla, siç ishte nënshtrimi me forcë i popullsisë shqiptare, duke përdorur dhunën ushtarake për ta detyruar atë të paguante taksa, të pranonte regjistrimin e përgjithshëm dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mareshali Ethem Pasha, komandant i forcave ushtarake osmane në Kosovë, kërkonte që të ndërmerrej çarmatosja e përgjithshme e shqiptarëve, “meqë armët ishin mjeti kryesor i veprimeve të tyre kryengritëse”.
Masat shtypëse të Portës së Lartë u përkrahën edhe nga përfaqësues të tillë të parisë gjysmëfeudale shqiptare, si Esat pashë Toptani, Syreja bej Vlora etj. Në “Promemorjen”, që Syreja bej Vlora i parashtroi sulltanit, po në korrik të vitit 1898, kërkonte që të shtypeshin me dhunën ushtarake “forcat rebele të popullit në anët e Korçës, të Kolonjës, të Elbasanit e të Shkodrës”, “të ndalohej me çdo mjet futja në Shqipëri e Murat Toptanit” (që porsa ishte arratisur nga internimi në Tripoli) dhe e atdhetarëve të tjerë; “të mos lejoheshin të hynin në Shqipëri gazetat dhe revistat “heretike” shqipe, që botoheshin në Bukuresht dhe në vende të tjera dhe “të ndalohej përhapja e gjuhës shqipe, e cila po përdorej në korrespondencat private dhe kishte filluar të mësohej në disa shkolla të Shqipërisë”.
Për të zbatuar këto projekte “reformash”, të cilat, siç theksonte në qershor të vitit 1898 Tefik Pasha, synonin “të parandalonin formimin e një Shqipërie autonome dhe shkëputjen e saj nga Perandoria Osmane”, Porta e Lartë mbante në Turqinë Evropiane një ushtri prej 150 000 vetash.
Por qeveria e sulltanit nuk qe në gjendje të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe t’i çarmatoste ata. Në fundin e muajit gusht kryengritja përfshiu përsëri Pejën, Gjakovën dhe zonën përreth. Po në verën e atij viti u forcua qëndresa kundërosmane në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Kolonjës e të Elbasanit, ku vepronin çeta të armatosura. Stambolli u gjend atëherë në një pozitë të ndërlikuar. Edhe pse ishte i interesuar të shtypte sa më shpejt lëvizjen shqiptare, sulltani ngurroi të hidhte forca të mëdha ushtarake në Shqipëri, të cilat do ta keqësonin gjendjen atje dhe do t’u jepnin shkak shteteve fqinje të ndërhynin në Turqinë Evropiane.
Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri.

Kuvendi i Pejës dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare (23-29 janar 1899)
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.
Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899. Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme.
Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.
Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.
Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve. Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.
Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve. Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.
Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane. Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”.
Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë.
Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”.
Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.
Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.
Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptarë.
Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj.
Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program.
Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re.
Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, – thuhet në thirrje, – është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”. Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjithshme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj.
Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom.
Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur.
Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.
Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë.

Shtrirja e Lidhjes në viset e tjera të Shqipërisë (shkurt-qershor 1899)
Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës, Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë pas përfundimit të tij, iu vunë punës për të ngritur organet e Lidhjes në të katër vilajetet shqiptare.
Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta, qytetarë e fshatarë të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit, i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua që të thirrej një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e popullsisë së kazasë së Lumës, që u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më 9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të merrte pjesë në Lidhje.
Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu morën pjesë përfaqësues të popullsisë së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth, të Malësisë, madje edhe nga krahinat që i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm përfaqësues të tillë të krahut autonomist, si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj., disa prej të cilëve kishin qenë veprimtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si edhe përfaqësues të grupit konservator prosulltanist, si Bektash agë Kazazi, kryetar i bashkisë së qytetit dhe disa bajraktarë të tjerë.
Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta) prej 7 pikash, në të cilin, në emër të banorëve myslimanë e të krishterë të vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti i Lidhjes për Shkodrën. Me vendimet e Kuvendit u bashkua edhe popullsia katolike e ortodokse e Shkodrës, përfaqësuesit e së cilës, së bashku me ata të popullsisë myslimane, nënshkruan më 6 mars, në emër të të gjithë banorëve të vilajetit të Shkodrës, Rezolutën prej 7 pikash, të hartuar në gjuhën shqipe.
Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës u çelën me mitingun e madh e të hapur, që u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të popullsisë së Dibrës së Sipërme e të Poshtme, së bashku me malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati, Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.).
Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë, pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete të tjera të vendit. Në këtë Kuvend u miratua formimi i Lidhjes, u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash, që u publikua në mitingun e dytë të madh (mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve, si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë, do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë.
Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës me 18 anëtarë, midis të cilëve ishin Selim Rusi, Shaqir Jegeni, Nuredin (Nurçe) Pustina, Shaqir Daci, Beqir Tërshana, Kurtish Aga, Xhafer Noka, Hasan Zajmi, Bajram Markja, Shaban Dema, Hasan Kaloshi, Memo Alia, Shaqir Pilko, Alush Pustina, Mustafa Gryksahija, Haxhi Ibrahim Atila etj.
Komiteti e vijoi veprimtarinë e tij edhe pas mbylljes së Kuvendit, për aq kohë sa jetoi edhe Lidhja, deri në fundin e vitit 1900. Në përputhje me klauzolat e Rezolutës së Kuvendit, Komiteti veproi krahas qeverisë dhe përqendroi dora-dorës kompetenca të tilla të organeve shtetërore, ushtarake e civile, si organizimi i mbrojtjes së atdheut, mbajtja e rendit dhe e qetësisë publike, funksionet gjyqësore, fiskale etj. Komiteti punoi gjithashtu për përhapjen e mësimit shqip dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave, në të cilat mësimi të zhvillohej në gjuhën amtare shqipe. Për këto qëllime, si edhe për të ndihmuar shkrimtarët atdhetarë, u themelua një Arkë Kombëtare ose një fond financiar i veçantë.
Kuvendi i Dibrës dhe Komiteti që doli prej tij miratuan gjithashtu thirrjen e kryetarit të Lidhjes, Haxhi Zekës, për organizimin e një kuvendi të madh kombëtar dhe zgjodhi delegatët e këtij sanxhakut.
Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës, e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës, e Përlepit etj., që shprehu gatishmërinë për t’u bashkuar me Lidhjen Shqiptare. Në mars të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit, në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve të popullsisë së kësaj kazaje, në të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare. Po në mars, me nismën e Hasan Blloshmit nga Bërzeshta, të Iljaz Kokodeshit e të Hajdar Kokodeshit, u mbajt mbledhja e përfaqësueve të popullsisë së kazasë së Starovës e të Pogradecit, që miratoi Rezolutën e Kuvendit të Dibrës dhe shpalli bashkimin me Lidhjen.
Në fillim të majit pushteti i Lidhjes u shtri edhe në sanxhakun e Elbasanit, ku ishin përhapur gjerësisht idetë kombëtare. Popullsia e këtij qyteti miratoi Rezolutën e Dibrës dhe shpalli Besën e bashkimin me Lidhjen Shqiptare. Në pranverën e vitit 1899 u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit, e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë. Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë zonë, arrestoi drejtuesit e saj, Mehmet Merxhanin, Omer Gaxhon, Tom Topuzin e Braho Kadinë. Më 18 qershor popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me qendër në katundin Bërzeshtë.
Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare. Duke bërë fjalë për këto arritje, Sami Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: “Lidhja po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi po zgjerohet. Nga një çip’i Shqipërisë u zu Lidhja edhe ditë më ditë po përhapet nëpër tërë Shqipërit”.

Qëndrimi i mendimtarëve rilindës ndaj Lidhjes Shqiptare 
Qysh në formimin e saj Lidhja e Pejës pati përkrahjen e rretheve patriotike shqiptare brenda e jashtë atdheut, të cilat, nëpërmjet artikujve të botuar në shtyp dhe thirrjeve drejtuar popullit, propagandonin idenë e bashkimit të shqiptarëve nën drejtimin e Lidhjes, nevojën e shtrirjes së veprimtarisë së saj në të gjithë vendin dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në mars të vitit 1899, kur Lidhja vijonte të shtrihej në qytete të tjera të Shqipërisë dhe po përgatitej një kuvend i përgjithshëm i saj, u botua në Bukuresht nga Shoqëria “Dituria”, pa emrin e autorit, vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”
Në këtë vepër Sami Frashëri përcaktoi rrugën që duhej të ndiqte Lidhja e Pejës dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi, në luftën kundër zgjedhës osmane. Samiu e quante formimin e Lidhjes një ngjarje të rëndësishme në lëvizjen kombëtare dhe shprehte besimin e shpresën se Lidhja do të arrinte bashkimin e çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha osmane dhe do të garantonte tërësinë e trojeve shqiptare. “Kjo Lidhje, kjo mbledhje e kjo Besë që po bëhet sot në Shqipëri, – shkruante ai, – do të jenë krej’ i shpëtimit të Shqipërisë…”. Samiu argumentonte domosdoshmërinë e shtrirjes së Lidhjes në mbarë Shqipërinë dhe të bashkimit nën drejtimin e saj të të gjithë shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë e katolikë. “Më parë se çdo gjë, – theksonte ai, – shqiptarët duhet të lidhin një Besë të madhe e të përgjithshme në mes tyre e të bëjnë një lidhje e një bashkim, që të pushtojnë të tërë Shqipërinë”.
Sami Frashëri kërkonte nga atdhetarët shqiptarë që ta shndërronin Lidhjen në një qeveri shqiptare, në një organ të përhershëm shtetëror, që “të jetë gjithnjë e kudo sa t’u jepen shqiptarëve ato që duan dhe të shpëtonjë Shqipëria nga rreziku”, “të qëndronjë e të mbanjë vent qeverie në Shqipëri se qeveri e turqve s’është një qeveri për ndërtime, po për prishje”; prandaj “Lidhja e shqiptarëve të zërë vendin e saj” dhe të plotësojë vetë ose të detyrojë me forcë qeverinë turke të plotësojë kërkesat e lëvizjes shqiptare.
Samiu përcaktoi edhe strukturën organizative të Lidhjes së re Shqiptare: në çdo sanxhak do të ngrihej një këshill i përhershëm, që do të përbënte organin lokal të Lidhjes, ndërsa në kryeqendrën e saj do të vendosej këshilli i përgjithshëm, që do të mblidhej një herë në vit ose kur të lindte nevoja. Ky do të ishte organi qendror legjislativ i Lidhjes Shqiptare dhe do të nxirrte nga gjiri i tij këshillin e përhershëm, i cili do të luante rolin e organit më të lartë ekzekutiv të Lidhjes, të një qeverie shqiptare.
Në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” ideologu i shquar i Rilindjes nuk u kufizua vetëm me mendimet që parashtroi për Lidhjen, por përpunoi më tej programin e tërë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në themel të të cilit vendosi formimin e një shteti kombëtar autonom shqiptar që në kushte më të favorshme do të shndërrohej në një shtet të pavarur.
Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” pati ndikim të madh në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; ajo mbeti një nga dokumentet kryesore programatike të kësaj lëvizjeje.
Një muaj pas botimit të veprës së Samiut, në prill të vitit 1899, u publikua në Bukuresht, në formë broshure në gjuhën turke, në emër të një Komiteti a Shoqërie Shqiptare thirrja “Të zgjohemi!” (“Ujanallëm!”). Ky Komitet, i përbërë nga Dervish Hima, Ibrahim Temo, Mehmet Frashëri, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo Unezi etj., vepronte pranë Shoqërisë së Bukureshtit. Thirrja “Të zgjohemi!”, po ashtu si dokumenti tjetër “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”, që u përfshi edhe në këtë broshurë, është hartuar nga Dervish Hima.
Ideja qendrore që përshkon thirrjen “Të zgjohemi!” është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në Besa-Besën, në Lidhjen e Pejës. “Bashkimi dhe drejtësia, – thuhej në këtë dokument, – mbajnë në këmbë një komb. Uniteti i mendimit dhe i veprimit përbën një nga kushtet më të rëndësishme për të siguruar lumturinë e një kombi”. Grisheshin gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë, gegë e toskë, që jetonin në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës që të jepnin Besa-Besën, të linin mënjanë përçarjet e dasitë fetare dhe të bashkoheshin nën udhëheqjen e Lidhjes për mbrojtjen dhe për çlirimin e atdheut. Vetëm të bashkuar në Lidhjen që sapo ishte formuar, theksonin autorët e thirrjes, shqiptarët do t’u bëjnë ballë sunduesve osmanë (që cilësoheshin si armiq të brendshëm) dhe lakmive pushtuese të armiqve të jashtëm, të shteteve fqinje. Bashkimin atdhetarët rilindës e shikonin gjithashtu si një mjet për afirmimin e shqiptarëve si komb në Ballkan e në Evropë. “Po të bashkohemi, – thuhej në këtë dokument, – edhe Evropa do të bindet se ne meritojmë të kemi vendin tonë si komb i lirë në gadishullin e Ballkanit”.
Në këtë dokument atdhetarët shqiptarë e orientonin Lidhjen e Pejës drejt luftës për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, u bënin thirrje udhëheqësve të saj të kërkonin nga qeveria e sulltanit dhe nga shtetet evropiane zbatimin e programit të përgjithshëm të lëvizjes shqiptare: ndryshimin e sistemit ekzistues të qeverisjes së Shqipërisë; vendosjen e një regjimi kushtetues, në të cilin pushtetin legjislativ do ta kishte një këshill i pleqve që do të vihej në krye të vendit, ndërsa pushtetin ekzekutiv një guvernator i zgjedhur nga ky këshill; guvernatori (valiu) do të vihej në krye të katër vilajeteve të bashkuara, të cilat do të përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë; emërimin në Shqipëri vetëm të nëpunësve shqiptarë, të krishterë e myslimanë; barazinë për të gjithë shqiptarët pa dallim feje; hapjen në çdo qytet të Shqipërisë të shkollave shqipe; vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që do të kryhej vetëm në Shqipëri; përdorimin e të ardhurave të përgjithshme për përparimin e Shqipërisë; amnisti për të gjithë shqiptarët e burgosur dhe të internuar etj.
Përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një shteti autonom e kombëtar shqiptar, i cili, ndonëse do të mbetej ende nën sovranitetin e sulltanit, do të kishte kufijtë e tij të përcaktur qartë dhe një regjim demokratik, të mbështetur në traditat shtetërore të shqiptarëve dhe në parimet më të përparuara të kohës.
Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Pejës u përkrah gjithashtu nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909), “Kalendari Kombiar” (Sofje, 1897-1912), “La Nazione Albanese” (“Kombi Shqiptar”, Kantazaro-Pallagorio, 1897-1912 e në vazhdim) etj., botuesit e të cilëve i bënë të njohur opinionit evropian programin e saj kombëtar.

Përpjekjet për thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm shqiptar (prill-qershor 1899)
Vendimi për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm, që u mor menjëherë pas themelimit të Lidhjes, gjeti përkrahjen e plotë të komiteteve që u formuan më pas në qytetet e ndryshme të vendit. Duke qenë i vendosur për të bashkuar në Lidhje gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë, Haxhi Zeka theksonte, në ftesat që u shpërndau drejtuesve të komiteteve të saj dhe atdhetarëve të tjerë, se në Kuvendin që do të thirrej ishte e domosdoshme të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e ortodokse.
Nisma për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u miratua nga popullsia e Shkodrës dhe e rretheve të saj, nga popullsia e Mirditës, e Pukës, e Prizrenit dhe e gjithë qyteteve të Kosovës, e sanxhakut të Dibrës, e Ohrit, e Starovës, e Elbasanit, e Tiranës, e Durrësit, e Beratit, e Vlorës etj. Në shumë nga këto qendra u zgjodhën edhe delegatët për në Kuvend. Një veprimtari e dendur politike dhe organizative për mbledhjen e tij u zhvillua në sanxhakun e Dibrës, ku punonte një grup i tërë atdhetarësh, si Selim Rusi, Halit Bërzeshta, Kadri Fishta (Dibra), Fehim Zavalani etj.
Duke përgatitur Kuvendin e Përgjithshëm, Haxhi Zeka dhe pasuesit e tij synonin që nëpërmjet tij të forconin Lidhjen e Pejës dhe ta shtrinin atë në tërë Shqipërinë. Gjatë ditëve të përgatitjes së kësaj mbledhjeje të përgjithshme u përpunua më tej edhe programi kombëtar i Lidhjes së Pejës. Qysh në prill-maj të vitit 1899 atdhetarët shqiptarë u morën vesh që në Kuvendin e Përgjithshëm, përveç vendimit për zgjatjen pa afat të Lidhjes Shqiptare, të miratonin edhe kërkesën për të futur shkallë-shkallë gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e vendit, për të themeluar shkolla kombëtare dhe për të emëruar nëpunës shqiptarë në të gjitha viset me popullsi shqiptare. Haxhi Zeka e përfaqësuesit më të përparuar të forcave atdhetare shqiptare vendosën gjithashtu të shtronin për miratim në këtë mbledhje bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një njësi të vetme administrative, që do të përbënte hapin e parë drejt autonomisë së Shqipërisë.
Ishte parashikuar që Kuvendi i Përgjithshëm t’i përmblidhte të gjitha këto kërkesa kombëtare në një memorandum të përbashkët, të cilin do t’ua paraqiste, në formën e një ultimatumi, sulltanit dhe Fuqive të Mëdha.
Por këto përpjekje të Haxhi Zekës dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë ndeshën në kundërshtimin e hapur të qeverisë së sulltanit. E shqetësuar përpara zgjerimit e thellimit të veprimtarisë së Lidhjes së Pejës, me një urdhëresë të veçantë që iu dërgua guvernatorëve të të katër vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, Porta e Lartë ndaloi thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të shqiptarëve, që ishte caktuar të mbahej në fund të majit të vitit 1899.
Në këtë kohë u përmirësua disi edhe pozita ndërkombëtare e Perandorisë Osmane. Konferenca e Hagës e Fuqive të Mëdha “për çarmatimin dhe paqen”, që u mblodh në maj të vitit 1899, tregoi se këto fuqi nuk kishin ndërmend të ndërhynin në atë kohë për ta detyruar Turqinë të bënte “reforma” në Maqedoni.
Në kushte të tilla Porta e Lartë përqendroi gjithë vëmendjen në shtypjen e lëvizjes shqiptare që vazhdonte ende. Në maj të vitit 1899 në mjaft vise të Shqipërisë, si në Shkodër, në Gjakovë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Tetovë dhe në sanxhakun e Dibrës kishin shpërthyer përleshje të armatosura të popullsisë kundër masave ndëshkimore të ushtrisë osmane. Luftime të ashpra u zhvilluan në Glivicë, afër Prishtinës, ku kryengritësit zunë e mbajtën për disa ditë përfaqësuesit e pushtetit lokal. Po në muajin maj mijëra kryengritës të sanxhakut të Tetovës, qytetarë e fshatarë, u grumbulluan në një fshat afër Shkupit, ku krahas protestave kundër arbitraritetit të çifligarëve vendas, shtruan edhe kërkesën për të mbledhur Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes.
Përpjekjet për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u përkrahën edhe nga atdhetarët e kolonisë së Bukureshtit. Më 9 gusht u shpall në emër të komitetit “Bashkimi Shqiptar”, i përbërë nga doktor Ibrahim Temoja, Dervish Hima e Jorgji Meksi dhe i kryesuar nga Mehmet Frashëri, vëllai i Abdylit, i Naimit e i Samiut, manifesti “Kërkimet e shqiptarëve”, në të cilin u bëhej thirrje gjithë shqiptarëve, që nën drejtimin e komiteteve të Lidhjes të mblidhnin në Prizren Kuvendin e Përgjithshëm të saj, i cili do të kërkonte nga Porta e lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha autonominë e Shqipërisë.
Kur qeveria osmane filloi të përdorte dhunën për të ndaluar mbledhjen brenda në Shqipëri të Kuvendit të përgjithshëm, Komiteti Shqiptar i Bukureshtit vendosi që të mbahej në këtë qytet, më 27 shtator 1899, një Kongres i Përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë përfaqësues nga popullsitë shqiptare brenda vendit dhe nga kolonitë e mërgimit. Kongresi do t’i paraqiste Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha kërkesën për formimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit, me asamblenë e vet kombëtare, me një guvernator të përgjithshëm, të caktuar nga Shtetet e Mëdha dhe të miratuar nga sulltani. Por edhe kjo nismë, për shkak të ndalesave që qeveria rumune nxori nën presionin e Stambollit, nuk pati sukses.

Lufta e Lidhjes kundër administratës osmane dhe shtypja e saj (tetor 1899 – dhjetor 1900)
Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja.
Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes kombëtare në tërësi, për formimin e një Shqipërie autonome.
Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899 Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash, siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto masa shtypëse të qeverisë u bënë shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën. Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës këmbëngulëse të Lidhjes. Për katër muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës u përqendrua në duart e shqiptarëve, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.
Më 6 nëntor, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorje, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë, gjithsej 31 veta.
Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria, më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500 shqiptarë të armatosur, që zbritën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma e nga Selishta.
Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse në Kosovë, që po në këtë kohë përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet e qytetit. Sulltani u detyrua t’u bënte lëshime kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës.
Në një kohë me qëndresën kundërosmane atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën, vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes, për të forcuar pushtetin e saj në këtë sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.
Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës, atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në këtë trevë, organizuan një manifestim të fuqishëm në Shkup, që u kthye në një kryengritje të armatosur. Kryengritësit kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë dhe të funksionarëve të tjerë të administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet kryengritjes që organizuan në këtë qytet të përmbushnin kërkesat autonomiste të saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit, si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë, shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën 2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe popullsia sllavo-maqedone e Shkupit. Pushimi nga sulltani më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte një fitore të kryengritësve kosovarë, nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare.
Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë, arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto masa u bënë shkak për një manifestim tjetër, që u organizua më 20 mars, në të cilin morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900, vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij viti.
Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit qëndresa kundër administratës osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare për Mitrovicën e për Drenicën. Po në fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës, ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica, u përleshën në hyrje të qytetit me trupat osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina.
Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.
Masat shtypëse të Portës së Lartë dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë shkak që të shpërthente (në mars të vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë, në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi deri në verën e atij viti, kur mori formën e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë, që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin e sanxhakut të Pejës.
Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta, të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit, në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve të administratës osmane.
Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në Mat, në Dibër e në vende të tjera të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.
Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën e taksës në të gjithë sanxhakët e Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan deri në shtatorin e vitit 1900.
Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Për këtë, qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër, ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në përfundimin që Besa të vendosej për një kohë të gjatë, të paktën për një periudhë pesëvjeçare. Në fundin e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës, të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës, të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës, të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu u diskutuan çështjet që kishin të bënin me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet tjetër.
Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm, për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës, Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi valinjtë e Shqipërisë që të mos e lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë, në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare.
Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera. Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës së vilajetit, Mehmet Pasha. Pas përleshjeve që u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin e vitit 1900.
Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes. Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës, sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën, i cili në krye të ushtrive të shumta osmane, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900, goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku. Prej këtej Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra të tjera. Për të vendosur “rendin dhe qetësinë” ai shtypi lëvizjen shqiptare kudo ku shkeli.
Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë e turkomanë, përmirësuan përkohësisht pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës e të Manastirit.
Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.

3. PROGRAMI POLITIK I SAMI FRASHËRIT
DHE I ISMAIL QEMALIT
(1899-1900)

Sami Frashëri dhe Ismail Qemali, dy nga personalitetet e shquara shqiptare, duke ecur në gjurmët e platformës politike të përcaktuar nga Lidhja e Prizrenit (1878-1881), i dhanë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kapërcyellin nga shek. XIX në shek. XX një program të përparuar politik, që hapte perspektiva për përmbushjen e objektivave të saj dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ata u bënë kështu figurat qendrore të lëvizjes çlirimtare, ndërsa pikëpamjet e tyre mbetën një pikë referimi për lëvizjen kombëtare të asaj periudhe.

Traktati politik i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899)
Me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, që u botua (nga Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit) pa emrin e autorit në mars të vitit 1899, Sami Frashëri pasuroi më tej mendimin politik të Rilindjes dhe ndikoi fuqishëm për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX. Duke pasur një përvojë të gjatë, si një nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Samiu e shkroi këtë vepër menjëherë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Pejës, që u mbajt në javën e fundit të janarit të vitit 1899. Vepra zë një vend të veçantë në krijimtarinë e gjithanshme të autorit dhe përbën traktatin më të rëndësishëm shqip me karakter politik e shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Ndonëse e hartoi duke qenë i frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) dhe me synimin që t’i jepte asaj një program të plotë politik e kombëtar, Sami Frashëri i tejkaloi caqet e këtij qëllimi dhe, me një qartësi të veçantë e në mënyrë të gjithanshme, shtjelloi në këtë vepër tërë programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, zhvilloi më tej mendimin politik e shoqëror shqiptar për çështjet themelore të luftës për çlirimin kombëtar. Kjo vepër është një përgjithësim i përvojës së pasur politike të Samiut dhe i të gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një program i luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe për organizimin e saj politiko-shtetëror e ekonomik. Në të janë hedhur themelet e strategjisë së lëvizjes kombëtare që përcaktohej nga raporti i atëhershëm i forcave në Perandorinë Osmane e në Evropë, si edhe të taktikës e të rrugës që duhej ndjekur për të siguruar formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, Sami Frashëri u bë ideologu më i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga figurat më të ndritura të historisë së mendimit politik shqiptar.
Ai, si askush tjetër, përcaktoi me një kthjelltësi të veçantë dhe në një mënyrë të prerë, pa asnjë mëdyshje e lëkundje, qëndrimin kundrejt Perandorisë Osmane, shtroi konceptet dhe bindjet e tij për të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë. Pas një përshkimi të shkurtër të historisë së lashtë e mesjetare të Shqipërisë, me qëllim që të ngjallte te bashkatdhetarët krenarinë kombëtare për të kaluarën e tyre, Samiu trajtonte me ngjyra të forta gjendjen e mjerueshme ku e kishte zhytur Shqipërinë sundimi turk. “Sot shqiptarët janë robër, të poshtëruar e t’unjurë, të shkelur e të çpërndarë shumë më tepër se të tjerët kombe…. Turqia, – vazhdonte Samiu, – sot shqiptarë e mer ushtar, e mundon e rreh që të mësonjë gjuhën e tij … Shqiptarët janë futur në aq të rënda pagesa, sa s’mundin të ngrenë krye…, janë lakuriq me një këmishë, që s’ka ku ta zerë qeni. Vete dhe zaptija e tahsildari e ngre shkopin e i rreh duke thirrur: paguani!” Samiu ngre zërin kundër politikës antishqiptare dhe asimiluese të pushtuesve osmanë. Në kohën kur ndihmon grekët, serbët e bullgarët të çelin shkolla të huaja në Shqipëri, vinte në dukje Samiu, qeveria turke “nuk le të hapet ndonjë shkollë shqipe e të shkruhet ndonjë libër shqip”. Varfëria, paqeveria (administrimi i keq – shën. i aut.), padituria, ishin, sipas Samiut, karakteristikat kryesore të sundimit osman në Shqipëri.
Autori analizon në këtë vepër gjendjen e brendshme të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe në atë ndërkombëtare, që e trajton të lidhur me raportin e atëhershëm të forcave në Ballkan e në Evropë. Kjo analizë e çoi Sami Frashërin në përfundimin e drejtë se armiku kryesor i popullit shqiptar ishte Perandoria Osmane, që e mbante atë të robëruar prej 500 vjetësh, në prapambetje të madhe ekonomike e kulturore e që po e çonte tani drejt shkatërrimit; pas saj vinin shtetet fqinje të Ballkanit, Greqia, Serbia e Bullgaria, që përpiqeshin me anë të kishës, të shkollës e të armëve t’i asimilonin shqiptarët dhe të copëtonin atdheun e tyre. Ai theksonte gjithashtu se Perandoria Osmane, e kalbur që nga themelet, nuk ishte në gjendje të përballonte goditjet e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, se shkatërrimi i saj ishte i shpejtë e i pashmangshëm, se sundimi i saj në Evropë do të merrte fund.
Duke u mbështetur në këtë analizë, Sami Frashëri argumentoi në mënyrë shkencore domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë nga Turqia dhe të formimit të një shteti të pavarur shqiptar si rrugë e vetme për shpëtimin e kombit shqiptar e të Shqipërisë nga zgjedha turke e nga copëtimi. “Turqia në Evropë jetën e ka fort të shkurtër, – shkruante Samiu, – Shqipëria s’ka bërë themel as ka lëshuar rrënjë në vetëhe; ron në themelet e gremisurë të Turqisë e në rrënjët e kalbura të saj. Me të rënët e kësaj stihie të madhe (të Perandorisë Osmane – shën. i aut.) do të bjerë edhe Shqipëria e do të shtypetë nën gërmadhat e rënda të saj…”.
Në qoftë se Shqipëria, arsyetonte ideologu i madh, do të vazhdonte të mbetej nën Perandorinë Osmane, e ndarë në katër vilajete të zakonshme, pa asnjë të drejtë të veçantë dhe në qoftë se shqiptarët do të vijojnë të durojnë tiraninë turke, nuk do të ngrihen për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare dhe për t’u çliruar nga robëria, ata do të identifikoheshin me turqit. Në këtë rast, kur Perandoria Osmane të shembej, Shqipëria mund të trajtohej si një pjesë e trashëgimit turk, si objekt për t’u ndarë ndërmjet monarkive dhe do të gremisej bashkë me këtë Perandori. Prandaj, theksonte ai, është e domosdoshme që gjithë shqiptarët të luftojnë kundër sundimit osman, “që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane, që të shpëtojë nga shkatërrimi e nga katastrofa drejt së cilës po shkon kjo Perandori”. Shembja e saj duhet ta gjejë Shqipërinë të organizuar në shtet më vete me qeverinë e vet. Është detyrë e parë që shqiptarët të kërkojnë nga sulltani dhe nga shtetet evropiane që Shqipëria të veçohej nga trungu turk, që “një orë e më parë të ndahetë Shqipëria e të dihetë që ku e gjer ku është. Të njihet vendi ynë për Shqipëri, ta njohë Evropa për Shqipëri”.
Megjithëse në tërë veprën e tij Sami Frashëri argumentonte domosdoshmërinë e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, ai lejonte që për një kohë ajo të kishte statusin e autonomisë brenda Perandorisë Osmane. “Kjo qeveri shqiptare, – shkruante ai, – të jetë sot për sot nën Turqinë…, por me një mënyrë që në rëntë Turqia, të mundënjë Shqipëria sikundër që është të qëndronjë më vehte”. Formimin në fazën e parë të një shteti autonom shqiptar, të një qeverie shqiptare nën sovranitetin e sulltanit, Samiu e argumentonte me faktin se në shtresat e ndryshme të popullsisë shqiptare ende nuk qe formuar bindja për nevojën e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Sundimi pesëqindvjeçar osman, feja e përbashkët (myslimane) e shumicës së popullsisë shqiptare me turqit, përbashkësia e interesave ekonomike të parisë shqiptare me sunduesit osmanë dhe lidhjet e tjera të shumta tradicionale të krijuara gjatë pesë shekujve ushtronin ndikimin e vet te shqiptarët, duke errësuar ndërgjegjen e tyre.
Por edhe në këtë rast Sami Frashëri u mbeti besnik bindjeve të tij përparimtare dhe, duke arsyetuar si iluminist e atdhetar i shquar, u përpoq t’i bindte shqiptarët se interesat e tyre si komb i veçantë janë krejt të ndryshme nga ato të turqve dhe se të ardhmen e Shqipërisë duhet ta kërkonin jashtë Perandorisë Osmane. Shqiptarët, theksonte ai, i dallonte nga turqit jo vetëm identiteti i tyre krejt i veçantë kombëtar, por edhe përkatësia e tyre në familjen evropiane, fakti që ata ishin një popull evropian dhe qenë formuar si të tillë gjatë historisë mijëravjeçare.
Samiu argumentonte gjithashtu nevojën e luftës me armë për arritjen e qëllimeve kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin e atdheut nga zgjedha turke. Duke iu drejtuar atyre krerëve shqiptarë që shpresonin se Porta e Lartë do t’ua jepte me “hirin” e vet reformat e premtuara, ai shkruante: “Turqia me dashuri e mirësi s’jep gjë kurrë. Do më mirë Turqia ta humbasë Shqipërinë e ta ndajë në mes të armiqve të saj sesa t’i japë një qeveri të urtë e të mirë, e cila të ndreqnjë e të zbukuronjë e ta bënjë vend të ndriturë si gjithë bota… Prandaj edhe shqiptarëve me hir Turqia s’u ka për të dhënë gjë. Shqiptarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir: t’i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot”; ata “janë të zotë t’i ruajnë dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre edhe me armë në dorë. Kur përzihet e drejta me fuqinë, – theksonte Samiu, – merr një forcë të cilës gjë s’i rri dot kundrejt”.
Në veprën e vet Samiu parashtroi njëkohësisht parimet themelore dhe strukturën organizative të shtetit të ardhshëm shqiptar, një lloj projekti të kushtetutës që, sipas tij, duhej të kishte Shqipëria kur të bëhej shtet më vete, i pavarur; kjo ide formulohej në mënyrë të plotë për të parën herë në historinë e mendimit politik shqiptar. Në këtë projekt Samiu zhvilloi më tej mendimet e parashtruara prej tij në Manifestin e Komitetit Shqiptar të Stambollit të vitit 1897.
Sipas Sami Frashërit, Shqipëria si shtet më vete duhej të ishte një republikë parlamentare me organet e saj të veçanta. Pushteti ekzekutiv do të ishte i ndarë nga ai legjislativ; të parin do ta ushtronte qeveria e përbërë prej shtatë ministrash, njëri prej të cilëve do të ishte kryetar i Këshillit të Ministrave; atë legjislativ do ta ushtronte Këshilli i Përgjithshëm (parlamenti), i përbërë nga deputetët që do të zgjidheshin një për çdo 20 mijë banorë.
Në krye të shtetit shqiptar do të qëndronte Këshilli i Pleqësisë i përbërë prej 15 vetash, të cilët do të zgjidhnin nga gjiri i tyre një kryetar dhe një nënkryetar. Ky organ, sipas mendimit të Samiut, do të ishte si një lloj presidiumi i Këshillit të Përgjithshëm dhe do të ngarkohej me detyrat që në shtetet e tjera i kryente mbreti, princi ose presidenti i republikës. Me vendim të Pleqësisë do të bëhej edhe ndërrimi i qeverisë ose caktimi i qeverisë së re dhe i kryetarit të saj. I tillë do të ishte, sipas Samiut, organizimi i shtetit të pavarur shqiptar.
Por sa kohë që Shqipëria do të ishte autonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, në krye të qeverisë do të vihej një guvernator ose, siç e quante Samiu, një qeveritar i përgjithshëm, i cili do të emërohej nga sulltani për 5 vjet, pasi të merrej pëlqimi nga Pleqësia e nga Këshilli i Përgjithshëm. Në të dy rastet qeveria do të ishte e detyruar të përgjigjej e të jepte llogari përpara Pleqësisë dhe Këshillit të Përgjithshëm; këta kishin të drejtë të pranonin ose të rrëzonin ligjet e vendimet e paraqitura prej saj. Kushtetuta e Samiut përshkohet nga një frymë demokratike. Ajo ishte kushtetutë e një regjimi demokratik- borgjez.
Idesë për shtetin shqiptar Samiu i jepte një përmbajtje të përparuar edhe nga ana ekonomike e shoqërore. Ai kërkonte që në Shqipërinë e lirë të merreshin masa të shpejta me anë investimesh të mëdha për të përmirësuar gjendjen e vajtueshme ekonomike të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej bujqësia e prapambetur, të pajisej vendi me një rrjet të gjerë transporti, të forcoheshin financat dhe të vendosej një sistem arsimor mjaft i përhapur e i përparuar. Ai i kushtonte arsimit një kujdes të veçantë, idetë e tij për këtë çështje janë thellësisht përparimtare. Samiu kërkonte një arsim të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit, të njëllojtë si për djemtë edhe për vajzat, një arsim në gjuhën amtare si për shqiptarët, ashtu edhe për pakicat kombëtare që do të bënin pjesë në Shqipëri; ai mendonte të themelohej një shkollë, që të ishte laike, e shkëputur nga kisha e nga xhamia, e varur krejtësisht nga shteti, një shkollë që të ishte vatër diturie dhe atdhetarizmi, që të bëhej bartëse e lulëzimit dhe e qytetërimit të atdheut. Sistemi arsimor i rilindësit të shquar parashikonte shkolla fillore, qytetëse, gjimnaze, teknikume, universitete dhe institute të larta për miniera, bujqësi, pyje, histori, gjeografi, gjuhësi, akademi ushtarake e detare etj.
Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” la përshtypje të thellë në radhët e atdhetarëve. Idetë e parashtruara nga Samiu në këtë vepër për rrugët që duheshin ndjekur për çlirimin e Shqipërisë u përvetësuan dhe u përhapën nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare dhe nga shtypi shqiptar i kohës. Në saje të punës së shoqërive shqiptare jashtë atdheut vepra e Samiut u përhap thuajse në të gjitha krahinat e vendit. Megjithëse u botua pa emër, shumë shpejt u kuptua se autori i saj ishte Samiu. Si pasojë kundër tij filloi persekutimi nga qeveria. Ai u urdhërua nga policia e Stambollit të qëndronte i mbyllur në shtëpinë e tij dhe të ndërpriste çdo lidhje me shokët e miqtë e vet. Ky izolim, që i ngjante një burgimi të vërtetë, vijoi derisa rilindësi i madh vdiq më 18 qershor 1904.

Ismail Qemali dhe programi i tij i vitit 1900
Nga viti 1900 filloi të marrë pjesë gjallërisht në jetën politike të Shqipërisë edhe Ismail Qemali, që deri në atë kohë njihej më shumë si një nga personalitetet e shquara politike e shtetërore të Perandorisë Osmane. Ai u lind në Vlorë më 24 janar 1844 në familjen e Sinanajve, që njihej si pronare e madhe tokash dhe për kontributin e saj në qëndresën kundërosmane në vitet 20 të shek. XIX, sidomos gjatë kryengritjes popullore të vitit 1847. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin Zosimea të Janinës, në vitin 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll. Këtu hyri si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke ndjekur njëkohësisht studimet e larta për drejtësi.
Në Stamboll mori pjesë, së bashku me atdhetarët e tjerë shqiptarë, në përpjekjet që u bënë në vitin 1864 e 1867 për hartimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe dhe për të formuar një shoqëri kulturore shqiptare. Ismail Qemali u shpreh atëherë kundër përdorimit të alfabetit arab për gjuhën shqipe dhe u bashkua me Pashko Vasën, me Kostandin Kristoforidhin dhe me intelektualë të tjerë që ishin përkrahës të alfabetit latin.
Në vitet 70 Ismail Qemali filloi të shquhej si personalitet shtetëror. U ngarkua me detyrën e guvernatorit në disa provinca të Perandorisë Osmane. Duke qenë njohës i shumë gjuhëve dhe me një kulturë të gjerë, i pajisur me zgjuarsi e talent në fushën shtetërore dhe të diplomacisë, e sidomos në saje të artikujve që botonte në gazetat më të mëdha evropiane, Ismail Qemali qysh në vitet 70 u bë një nga figurat më të shquara të Perandorisë Osmane e shumë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. U dallua veçanërisht si njohës i mirë i gjendjes së Turqisë e sidomos i asaj ndërkombëtare.
Si funksionar në administratën shtetërore osmane Ismail Qemali u shqua shumë shpejt për pikëpamjet përparimtare, si përkrahës i reformave. Në vitin 1876, kur u bë kryeministër Mithat Pasha, Ismail Qemali, që kishte bashkëpunuar me të edhe në të kaluarën kur ishte guvernator në provincën e Danubit, mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall në dhjetor 1876. Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mithat Pashës më 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri në vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë me radhë si guvernator në provinca të ndryshme të Perandorisë dhe u caktua gjithashtu anëtar i Këshillit të Shtetit.
Gjatë kësaj periudhe, i ngarkuar nga sulltani për të hetuar gjendjen ndërkombëtare të vendit, Ismail Qemali kërkoi prej tij disa herë me radhë që të zbatonte reforma në Perandorinë Osmane. Në shkurt të vitit 1897, duke qenë guvernator i Tripolit, i paraqiti Abdyl Hamitit një promemorje ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave. Ai propozonte që të zbatoheshin me ngutësi reforma radikale, të cilat duhet të ishin të përgjithshme, t’u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorje kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t’i bëheshin ndryshime e përmirësime që t’u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare të popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga asambleja kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropës. Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorjen, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane.
Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decetralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë. Ismail Qemali shpresonte se këto masa do t’i sillnin dobi edhe kombit shqiptar, do të përmirësonin dukshëm gjendjen politike, kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë e të provincave të saj. Këto ide Ismail Qemali i shprehu edhe më qartë në intervistën që botoi në shtypin evropian në janar të vitit 1900, në të cilën kërkonte që Perandoria Osmane t’u jepte liri të gjera e të plota popujve që mbante nën zotërimin e saj, që shqiptarët, grekët, sllavët e arabët të gëzonin të drejta të njëjta me turqit dhe të viheshin në një shkallë barazie me ta.
Promemorja e vitit 1897 u prit mirë nga opinioni zyrtar e publik i disa shteteve evropiane, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi Ismail Qemalin si një reformator dhe burrë shteti të shquar e largpamës.
Ndërsa qarqet përparimtare të Perandorisë dhe ato të popujve të robëruar i shikonin me simpati idetë e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave, sulltani e Porta e Lartë i quante ato dhe autorin e tyre të rrezikshëm për stabilitetin e sundimit të tyre. Për pikëpamjet e tij, si dhe për lidhjet me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sulltani vendosi ta largonte Ismail Qemalin nga kryeqyteti dhe në prill të vitit 1900 e emëroi guvernator në Tripoli. Para se të merrej kjo masë, Porta e Lartë, me këmbënguljen e sulltanit, kishte vendosur tanimë pa asnjë akt gjyqësor ta dëbonte atë nga Stambolli. Në këto rrethana emërimi i tij i ri u vlerësua si një përpjekje e maskuar për ta internuar e ndoshta për ta zhdukur. Edhe Ismail Qemali dyshoi për këtë komplot, prandaj disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, më 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, në Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë më të gjatë. Në Athinë dhe në ndonjë vend tjetër Ismail Qemali pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të.
Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani qysh në ditët e para të largimit të tij bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, të cilat ai nuk i pranoi.
Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë.
Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet “Le salut d’Albanie” (“Shpëtimi i Shqipërisë”).
Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane “Tribuna”, më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa më 15 tetor të po atij viti ai botoi në revistën “Albania” thirrjen (“Vëllezërve shqiptarë!”) drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare.
Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t’u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t’u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbasë bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin “si një kurm e një komp të shqiptarëve që rrojnë tubërisht në Shkodër, në Kosovë, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të Turqisë Evropiane”. Në sendërtimin e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme të konsolidimit të kombësisë shqiptare, të afirmimit të shqiptarëve si komb më vete dhe të njohjes së identitetit të tyre kombëtar në arenën ndërkombëtare. “Ne, – shkruante ai, – duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës (kombësisë – shën. i aut.) sonë shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne…”. Ismail Qemali e shihte të ardhmen e shqiptarëve, të cilët, siç shprehej ai, “në gjak kanë mbetur gjithmonë evropianë”, vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian.
Edhe pse programi i Ismail Qemalit i vitit 1900 nuk përmbante (ashtu si ai i Lidhjes së Prizrenit, 1878-1881) të gjitha kërkesat e platformës së një shteti autonom shqiptar, ai kishte në thelb karakter autonomist, synonte të hidhte themelet e këtij shteti. Kërkesa e Ismail Qemalit për riorganizimin e administrimit të Shqipërisë sipas artikullit 23 të Traktatit të Berlinit, duke i bërë plotësimet e nevojshme në përputhje me rrethanat e kohës dhe duke i dhënë edhe Shqipërisë po ato privilegje që i ishin akorduar Kretës (e cila u shpall autonome më 1897), nënkuptonte pa asnjë mëdyshje formimin e një Shqipërie autonome. Në intervistën që i dha gazetës “Tribuna” (Romë), Ismail Qemali shpalli haptazi se çështja shqiptare do të zgjidhej “nga shqiptarët e krishterë e myslimanë, të cilët janë në harmoni dhe kjo harmoni i bënë të sigurt se do t’ia arrijnë qëllimit të tyre, që është autonomia”. Prandaj shtypi evropian shkruante në vjeshtën e vitit 1900 se “autonomistët shqiptarë kanë tani një udhëheqës serioz sikurse është Ismail Qemali”, i cili me programin e tij “kërkon ndarjen e Shqipërisë, të kombit shqiptar nga Turqia”. Ndërkaq, vetë Ismail Qemali, duke dashur ta vinte theksin në synimet autonomiste të programit të vet, në intervistat që u dha organeve të shtypit në marsin e vitit 1901 dhe në bisedën që pati po në atë kohë me konsullin francez në Kajro, deklaroi se nuk kishte kërkuar “pavarësinë e plotë dhe absolute të Shqipërisë”. Ai theksoi me këtë rast se nuk përkrahte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kërkonte një organizim të tillë, që nuk do të cenonte të drejtat e sulltanit si kalif dhe nuk do të ndryshonte nënshtrimin ndaj tij; me një deklaratë të tillë ai kishte parasysh autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Në kushtet kur Fuqitë e Mëdha ishin për ruajtjen e status quo-së dhe nuk lejonin shkëputjen e kombësive joturke nga Perandoria Osmane, Ismail Qemali shihte si rrugëdalje organizimin autonom të Shqipërisë dhe të kombeve të tjera, që sipas mendimit të tij duhej të sigurohej me rrugën e reformave, me përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të hapur të Fuqive të Mëdha. Duke menduar se një Shqipëri e shkëputur nga Perandoria Osmane nuk do të mund t’i bënte ballë rrezikut të copëtimit nga shtetet fqinje, Ismail Qemali theksonte se ishte në interesin e përbashkët të shqiptarëve dhe të turqve që të ruhej status quo-ja në Ballkan. “Përsa u përket shqiptarëve, – deklaronte ai në intervistën, që dha në Romë në vitin 1900, – çdo lëvizje e hapur revolucionare nuk do të sillte gjë tjetër veçse do të bënte të ligjshme ndërhyrjen e huaj”.
Bashkimin e shqiptarëve si komb dhe afirmimin e tyre kombëtar Ismail Qemali e shihte të lidhur ngushtë me përparimin e tyre arsimor e kulturor. “Për t’u futur në rrugën e qytetërimit, – shkruante ai po në atë periudhë, – ne kemi nevojë të mësojmë, kemi nevojë të hapim shkolla kombëtare për tërë Shqipërinë, që gjuha shqipe të lexohet dhe të përhapet në çdo vend. Kjo nevojë për shkolla është e para nga ato reforma që duhet të kërkojmë. Është e mundur të përmirësohet një popull pa shkolla dhe pa arsim? Duhet të jesh i verbër e tradhtar të mos pranosh shkollat kombëtare. Shqiptarët nuk do të vonojnë të marrin në duart e tyre armën e arsimit shqip”.
Ismail Qemali ishte ithtar i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me shtetet që e rrethonin Shqipërinë. Ai theksonte se shqiptarët duhet të rrojnë në paqe me gjithë fqinjët e vet, por me kusht që edhe këta duhet të mos ua mohojnë shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare dhe të mos përpiqen t’i pengojnë në sigurimin e tyre.
Me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, që zhvilloi në të mirë të çështjes shqiptare brenda vendit dhe në rrafshin ndërkombëtar, ai u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shek. XX .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s