Te pergjithshme

Ndihma e shpejtë

Shkencëtarët kanë gjetur një mekanizëm të panjohur më parë përmes rënies së fuqisë së
nyjeve nervore të trurit (sinapseve), një proçes i cili çon në krijimin e kujtesës dhe ruajtjen për një kohë të gjatë të saj.

Rritja apo rënia e fuqisë ndër sinapse sjell ndryshime në kujtesë. Ky ndryshim fuqie ndodh gjithashtu edhe përgjatë zhvillimit të trurit.
Pas eksperimenteve të bëra mbi minj nga Insitituti Mjekësor Howard Hughes (HHMI) dhe Universiteti Brown doli se nyjet dobësohen pasi krijohen proteina të reja në atë vend apo kthehen menjëherë në proteina të tjera proteinat që kanë ardhur tek këto nyje për përpunim.
Ky mekanizëm është një mënyrë e përshtatshme e trurit për të shprehur ndryshimet e tij por jo vetëm kaq, ai është njëkohësisht edhe një mekanizëm thelbësor i zhvillimit të një truri normal.
Që më parë dihej që sinapset kishin një mekanizëm që krijonte proteina por nuk dihej që ky mekanizëm ndryshonte edhe vetë sinapset.

————————————————————————————————————————————————
Pezmatimi i veshit tek fëmijët

Pezmatimi i menjëhershëm i veshit është pas ftohjes sëmundja më e zakonshme infektive

tek fëmijët. Ndërsa ndër të rritur, kjo sëmundje është e pazakonshme.

Ftohja, shkaktari më i zakonshëm i pezmatimit të veshit

Është e zakonshme që pezmatimi i veshit të nisë me ftohje. Virusi i ftohjes ia bën të vështirë surrzlave në hundë dhe veshë të mbrohen ndaj baktereve. Nëse bakteret shumohen krijohet lehtë një infeksion me qelb në veshin e mesëm. Infeksionet janë më të zakonshme gjatë muajve të ftohtë të vitit.

Që fëmijët kanë dhimbje në vesh mund të ketë për shkak edhe diçka tjetër, si për shembull virusin e ftohjes, pezmatimin e kanalit të veshit dhe ndonjë shqetësim me nyjën e nofullës.

Pezmatimet e veshit mund të ndahen në nëngrupe të shumta, ku më të zakonshmet janë pezmatimi i menjëhershëm me qelb i veshit dhe rrufa e veshit.

Me pezmatim të menjëhershëm të veshit kihet ndërmend një malcim i qelbëzuar në veshin e mesëm i cili nis papritur, zgjat pak kohë dhe që mund të vërtetohet gjatë një vizite të thjeshtë të mjekut.

Në rastin e rrufës së veshit lëngu në veshin e mesëm nuk është i qelbëzuar.

————————————————————————————————————————————————
Dhembja e kyçeve mund të jetë pasojë e shumë shkaqeve

Mund të ketë shumë shkaqe që bëjnë që njeriu të ketë dhimbje në kyçe, për shembull infeksionet, ndryshimet për shkak të moshimit, dhe sëmundjet e tjera të kyçeve.

Pjesa më e madhe e shkaqeve që bëjnë që kyçet të dhembin janë të parrezikshme, por nëse një kyç ënjtet dhe njeriu njëkohësisht ka zjarrmi apo e ndjen veten vërtet të sëmurë, duhet të kontaktojë menjëherë një mjek. Mund të jetë simptomë e një malcimi kyçi për shkak të helmimit të gjakut.

Dhimbja e kyçeve është një shqetësim i zakonshëm. Gjysma e të gjithë atyre që janë mbi 80 vjeç kanë përditë dhimbje kyçesh. Në të gjitha grupmoshat dhimbja e kyçeve është më e zakonshme ndër gra sesa burra. Ata njerëz që vuajnë nga majmëria kanë gjithashtu më shpesh dhimbje kyçesh, po ashtu si ata që nuk merren rregullisht me ushtrime fizike.

Infeksionet mund të japin dhimbje kyçi

Shumë vetë kanë pasur ndonjëherë dhimbje kyçi në lidhje me ndonjë ftohje apo infeksion tjetër me zjarrmi. Kjo kalon zakonisht shpejt, por tek disa vetë dhimbjet e kyçit në rast infeksioni mund të vazhdojnë gjatë, ndonjëherë disa muaj. Dhimbjet nga disa infeksione, midis të tjerash infeksionet virale, mund të gjejnë vend vetëm tek kyçet.

Kyçet dhe moti

Meqenëse njeriu shpesh nuk e din shkakun që e bën të ketë dhimbje kyçi, ia ngjit lehtë fajin motit. Shpesh dhimbjet e kyçit mund të zbuten nga moti i ngrohtë. Edhe të ftohtët mund të zbusë dhimbjet.

Gjendja shpirtërore luan rol

Ashtu si edhe në rastin e dhembjeve të tjera faktorët psikologjikë luajnë një rol të madh për përjetimin e dhembjeve të kyçeve. Kur njeriu është i mërzitur dhe i lodhur ndjen më tepër dhembje sesa kur është qiqër dhe i gëzuar. Nëse njeriu është duke u marrë me mish e me shpirt me një veprimtari të këndshme atëherë dhembjet ndjehen më pak. Ndërsa nëse njeriu është i stërmunduar dhe i tensionuar atëherë dhembjet keqësohen.

A mund të parandalohen dhembjet e kyçeve ?

Ushtrimet trupore dhe lëvizja përforcojnë muskujt dhe kyçet, si dhe pengojnë mbipeshën. Ata që merrem rregullisht me ushtrime fizike kanë më pak dhimbje në kyçe. Duhet një mënyrë stërvitjeje që të bien më së miri për shtat.

Sëmundje të tjera që mund të japin dhembje kyçesh

Një radhë sëmundje të tjera që mund të japin dhimbje kyçesh janë artroza (arthrosis), artriti reumatik, artriti urik, mungesa e njëtrajtshmërisë në kërce (kondromalacia), skleroderma, SLE etj.

Edhe këto sëmundje mund të japin dhembje kyçesh psoriaza, depresioni, metabolizmi i ulët, diabeti si dhe sëmundjet e zorrëve, sëmundja Crohn dhe koliti ulçeroz. Por është e pazakontë që këto sëmundje të nisin me dhimbje kyçesh.

Shih edhe:
Kyçet mundësojnë lëvizjen trupore
Pezmatimi (artriti) reumatik i kyçeve

————————————————————————————————————————————————
Infektimi nga borrelia – përmes këpushave (rriqrave)

Infektimi nga borrelia, Lyme borreliosis, është   një infektim që përhapet nga këpushat (rriqrat). Rreziku për t’u sëmurë nga një pickim i vetëm këpushe është shumë i vogël.
Pjesa më e madhe e atyre që u ngjitet kjo sëmundje kanë vetëm simptoma lëkure, por nëse infektimi nuk kurohet ai mund të përhapet midis të tjerash në sistemin nervor dhe kyçet. Infektimi nga borrelia kurohet me antibiotikë. Sot për sot nuk është i mundur vaksinimi ndaj këtij infeksioni.

Si ngjitet sëmundja ?

Njeriut i ngjitet sëmundja kur pickohet nga një këpushë që është bartëse e baktereve të borrelias. Këpushat kanë nevojë për gjak për t’u zhvilluar, dhe gjakun ato e marrin duke u ngjitur pas zogjve dhe gjitarëve. Përmes gjakut këpushat infektohen me lëndë të ndryshme ngjitëse dhe i përcjellin këto më tej.

Në përgjithësi zgjat të paktën një ditë që nga koha kur këpusha është ngjitur në lëkurë deri kur transmetohen bakteret e borrelias. Prandaj mund të zvogëlohet rreziku për të marrë sëmundjen nëse hiqet shpejt këpusha.

Borrelia është e përhapur përbrenda pjesëve të mëdha të Hemisferës së Veriut.

Njeriu mund të mbrohet pjesërisht nga pickimi i këpushës. Për shembull duke mbajtur çizme, pantallona të gjata dhe triko me mëngë të gjata në ato zona ku ka këpusha.
————————————————————————————————————————————————
Sëmundja e barkut – diarretë dhe të vjellat

Kur barku sëmuret njeriu kapet nga shqetësime si të ndjehurit keq, të vjella, diarre, dhimbje barku dhe ndonjëherë zjarrmi dhe dhimbje muskujsh. Këto simptoma nuk është e thënë të shkaktohen nga sëmundja e barkut dhe njeriut mund t’i shfaqen në lidhje me një sërë sëmundjesh të tjera. Por tipike për sëmundjen e barkut që shkaktohet nga një infeksion është ajo që shqetësimet shpesh vijnë shumë shpejt dhe pastaj kalojnë pas disa ditësh. (Shkaktari më i zakonshëm i sëmundjes së barkut në Suedi është virusi.)

Për pjesën më të madhe të njerëzve sëmundja e barkut është një sëmundje e parrezikshme ndonëse shqetësimet mund të jenë tepër të fuqishme dhe të bëjnë që njeriu të ndjehet më se i sëmurë. Shpesh mjafton të pihet shumë dhe të pritet ikja vetë e sëmundjes. Por nëse njeriu ka qëndrueshmëri të ulët trupore atëherë sëmundja e barkut mund të jetë serioze. Kjo vlen para së gjithash për foshnjat, të vjetërit dhe ata që kanë ndonjë sëmundje serioze.

Njeriu duhet të kërkojë ndihmë p.sh. në një qendër përkujdesjeje shëndetësore, pritje të shërbimit të rojës shëndetësore, pritje urgjente të një reparti infektiv ose pritje fëmijësh nëse njeriu ka simptoma të sëmundjes së barkut dhe

– është i tharë dhe ka mungesë lëngjesh në trup

– është tepër i lodhur dhe është i prekur rëndë nga sëmundja

– ka diarre të përgjakshme

– ka temperaturë të lartë dhe mërdhin

– ka dhimbje të fuqishme barku dhe vjellje të pandërprera.
Nëse njeriu e ka të vështirë të pijë një sasi të mjaftueshme lëngjesh, e ka gojën të thatë, është i etur, shurron pak, e ka shurrën të përqendruar dhe është i zbehtë dhe i ka sytë të futur atëherë ka rrezik për mungesë serioze lëngjesh në trup.

Heqjet e fuqishme të barkut janë sidomos serioze tek foshnjat, të vjetërit apo tek ata që janë të rraskapitur nga ndonjë sëmundje tjetër. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj mungesës së lëngjeve dhe njeriu duhet të kontaktojë një mjek nëse ata për shembull janë të lodhur në mënyrë jo të zakonshme, acarohen shpejt, janë të etur dhe shurrojnë më pak.
Njeriu duhet të kërkojë një mjek tek për shembull një qendër përkujdesjeje shëndetësore edhe nëse

sëmundja e barkut është shfaqur gjatë apo menjëherë pas një udhëtimi jashtë shtetit, sidomos nëse njeriu ka jetuar nën rrethana tepër të thjeshta.

njeriu ka bark në më tepër se një javë.

————————————————————————————————————————————————
Simptomat tipike të artritit reumatik

Sertësi dhe dhimbësim kur njeriu lëviz dhe dhimbjet janë simptomat tipike të artritit reumatik. Kyçet ënjten, dhembin dhe në rastin e një malcimi të rëndë bëhen të nxehta. Më e zakonshmja është që kyçet preken po aq shumë në të dyja anët e trupit.

Një simptomë mund të jenë gungat reumatike që krijohen aty ku ka shtypje ndaj lëkurës

Kjo sëmundje mund të ndryshojë shumë midis njerëzve të ndryshëm. Përveç se shqetësime në kyçe, deje dhe muskuj, njerëzit me artritin reumatik mund të kenë edhe simptoma të tjera si gunga reumatoide në nënlëkurë. Ato shfaqen në vende të tilla në trup ku ushtrohet shumë shtypje ndaj lëkurës, si për shembull tek bërrylat apo në gishtërinj. Më i rrallë është malcimi në pleurë, cipën e zemrës apo në sy.

Në rastin e një malcimi të përhapur njeriu ndjehet i lodhur në mënyrë të dukshme. Shqetësimet janë herë më të forta e herë më të dobëta dhe periudhat më të mira këmbejnë me më të këqijat. Simptomat shtohen shpesh kur njeriu stërmundohet dhe ngarkon kyçet, në rast infeksionesh, kur është ftohtë dhe ndonjëherë edhe kur është nxehtë.

Mjeku kontrollon kyçet dhe gjakun

Njerëzit me simptoma që mund të dëftejnë artritin reumatik duhet të kontaktojnë një mjek. Tek mjeku njeriu përshkruan shqetësimet e veta dhe i përgjigjet pyetjeve mbi shëndetin, mënyrën e të jetuarit, mbi sëmundje të tjera dhe barna që merr. Nëse kyçet janë të ënjtura atëherë mjeku duhet të peshojë mendimin se mos kemi të bëjmë me artrit reumatik. Nëse mjeku dyshon që në një fazë të hershme se mos njeriu në fjalë vuan nga kjo sëmundje atëherë duhet kontaktuar një specialist, një reumatolog. Sa më herët të nisë kurimi aq më të mira janë mundësitë për të frenuar rrjedhën e sëmundjes.

Mjeku i përgjithshëm ose reumatologu kontrollon si më poshtë:

Krejt trupin me kujdes.
Shqyrton dhe ndijon kyçet.
Mat sedimentimin e gjakut dhe bën analiza të tjera gjaku për të gjykuar se sa veprues është malcimi në trup.
Bëhet një analizë gjaku për të parë nëse ka faktor reumatik në gjak, RF. Rreth tre nga katër vetë me artrit reumatik kanë RF në gjak (në rastin kur sëmundja sapo ka filluar një në dy vetë kanë RF në gjak). Tek një pjesë e vogël e popullsisë RF haset edhe tek ata që as nuk kanë artrit reumatik dhe as nuk do të kapen nga kjo sëmundje. Pra që ka RF në në gjak nuk është dëshmi që njeriu ka artrit reumatik, por mund të jetë një udhërrëfyes.
Kyçet kontrollohen me radiografi. Në fillimet e sëmundjes është i zakonshëm rëntgenogrami i duarve, kyçeve të duarve. Nëse malcimi ka vazhduar për një farë kohe atëherë mjeku mund të shohë një hollim të nxënësisë së kalciumit në kockë pranë kyçeve të sëmura, dhe pas një kohe më të gjatë shfaqen ndryshime të tjera më të përcaktuara.

————————————————————————————————————————————————
Të jetosh me artritin reumatik

Ai që ka artritin reumatik mund të përjetojë periudha të qeta të kësaj sëmundjeje por ndonjëherë vijnë disa periudha kur sëmundja është më aktive. Gjatë kësaj kohe njeriu ndjehet edhe më i lodhur.

Vështirësitë qëndrojnë shpesh tek veprimet praktike në shtëpi, në punë dhe në kohën e lirë. Për të zgjidhur disa andralla të përditshme ka mjete të ndryshme ndihmëse. Një fizioterapeut apo një terapist pune mund të të japë këshilla, mbështetje dhe një program stërvitjeje.

Ai që ka artritin reumatik shpesh mundet të vazhdojë të merret me interesat e kohës së lirë poashtu si më parë. Por do të ishte e mençur shmangja veprimtarive që kërkojnë të jesh i paepur ndërsa sëmundja është aktive, si për shembull disa lojra me top apo gjimnastikë me ushtrime kërcimi. Këto lloj veprimtarish mund t’i mbingarkojnë kyçet.

Se sa i lodhur njeriu ndjehet nga kjo sëmundje, është diçka vetjake. Në përgjithësi nuk duhet të lindë nevoja të lërë punën. Në vend të kësaj punëdhënësi duhet të kujdeset që detyrat në punë të përshtaten apo që njeriu të ketë mundësi të ndryshojë detyrat. Puna me orar të shkurtuar mund të jetë një zgjidhje.

Nëse sëmundja bëhet më e rëndë

Nëse sëmundja bëhet më e rëndë mund të jetë i domosdoshëm marrja e pushimit mjekësor. Nëse njeriu e ndjen vehten gjithnjë e më keq atëherë ndoshta nuk mundet të bëjë më tepër se disa punë të vogla përreth vehtes. Në Suedi, grupe të caktuara përkujdesi reumatologjik i japin të sëmurit mbështetje dhe ndihmë të vazhdueshme.

Në raste të rralla, artriti reumatik mund të marrë një rrjedhë të shpejtë e të egër. Brenda një kohe të shkurtër mund të shkaktohen keqvendosje në kyçe që japin si pasojë cene të rënda. Edhe në rastin e këtij lloji të vështirë artriti reumatik mund të ketë mundësi të cilat mund ta ndalojnë rrjedhën e sëmundjes me ndihmën e trajtimit të hershëm me ilaçe antireumatike.

————————————————————————————————————————————————
Kanceri i zorrës së trashë dhe mishi

Studimet tregojnë se përdorimi i shpeshtë e me sasi i mishit të gjedhit, për shembull një herë në ditë, për vite me radhë, mund të shtojë rrezikun e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë. Në mishrat që përbëjnë rrezik janë mishi i lopës, i derrit dhe i qingjit si dhe ato të përpunuara.

Këto të dhëna u vunë re gjatë një studimi amerikan me rreth 150 mijë vetë të moshave 50 deri 74 duke ndjekur nga afër gjendjen e tyre shëndetsore dhe zakonet e të ngrënit. Pjesmarrësit në studim mbushën formularët me pyetjet përkatëse në vitin 1982 dhe në vitin 1992 dhe gjendja e tyre shëndetësore u vëzhgua nga ekspertët deri në vitin 2001.

Njerëzit që në të dyja formularët kishin thënë se kishin konsumuar mish shumë dhe vazhdimisht, rrezikoheshin 50 përqind më shumë nga kanceri i zorrës së trashë. Përdorimin e mishit rreth 9 herë në javë, shkencëtarët e quajnë konsumim të lartë.

Studimi tregoi gjithashtu se mishi i pulës dhe peshkut përbëjnë më pak rrezik për zhvillim të kancerit të zorrës së trashë.

Sigurisht që në raste festash e gëzimi, ngrënia i një bifteku apo bërxolle nuk do të kishte ndonjë ndikim në shtimin e rrezikut të kancerit.

————————————————————————————————————————————————
Përparime në trajtimin e kancerit

Një gjeneratë e re ilaçesh, përfshirë Taceva-n, Erbitux-in dhe Avastin-in, bllokojnë lëndët kimike apo enët e gjakut që ushqejnë indet e kancerit. Rezultatet e paraqitura në konferencën mbi kancerin në New Orleans të shtetit Luiziana tregojnë se pacientët me tumore të avancuara, të cilët nuk përmirësoheshin nga format e tjera të trajtimit, arritën të jetonin mesatarisht më gjatë duke përdorur ilaçet e reja. Këto barna në përgjithësi i ndihmojnë mjaft pacientët të jetojnë për vite të tëra, por kuptohet se ka pacientë që nuk shohin ndonjë përmirësim.

Studiuesit paraqitën gjithashtu prova të reja për parandalimin e kancerit duke treguar se ilaçet e përdorura gjerësisht për të pakësuar kolesterolin, mund të ulin rrezikun e kancerit. Një anketë publike me gati 3 mijë e 500 individë zbuloi se ata që merrnin ilaçe për uljen e kolesterolit, si Lipitor-i, Zocor-i apo Pravachol-i për të paktën 5 vjet, ishin 50 për qind më pak të rrezikuar të prekeshin nga kanceri i zorrës së trashë. Ndër shpjegimet e mundshme mund të përmendet çaktivizimi i gjeneve kanceroze nga efektet e këtyre barnave dhe zbutja e pezmatimit që shkakton kanceri në zorrën e trashë.

Barnat për uljen e kolesterolit pakësojnë rrezikun e kancereve të gjirit dhe të prostatës. Por meqenëse këto ilaçe mund të shkaktojnë probleme në muskuj dhe mëlçi, në raste të rralla, studiuesit thonë se nuk janë ende të gatshëm t’i rekomandojnë vetëm për trajtimin e kancerit.

Ndër kanceret më të vështirë për t’u trajtuar janë ato të veshkave, mushkërive, të kokës dhe të qafës.

Faza e ardhshme e kërkimeve është përcaktimi i ilaçeve me efekt më të madh tek pacientë të kategorive të caktuara apo edhe i kombinimit të barnave të ndryshme në mënyrë që të arrihet efekti maksimal.

Micërrvalët kundër kancerit

Mikrovalët janë plot energji elektro-magnetike. Kjo energji ndonjëherë është fajësuar si shkaktare e kancerit. Shkencëtarët thonë se këto valë jo gjithmonë janë të rrezikëshme. Gjatë provave klinike ata kanë vënë re se mikrovalët që përdoren për ngrohjen e ushqimit aktualisht mund të parandalojnë kancerin. Një teknologji e re mjekësore i përqëndron këto valë në mënyrë që të godasin vetëm tumorët dhe asgjë tjetër.

Në Takoma të shtetit Washington mjekja Lyn Clark po kryen disa prova klinike për kurimin e kancerit të gjirit. Nje paciente thotë se shpresat e shërimit janë të mëdha, që nga fillimi i provave me mikrovale tumori i saj ka filluar të zvogëlohet. Mjekja Lynn Clark beson se brenda 5 ose 10 vjetëve të ardhshëm mënyra me mikro-valë mund të zëvëndësojë plotësisht metodën kirurgjike të heqjes së tumoreve. Kjo teknologji nuk kufizohet vetëm me kancerin e gjirit. Në shumë klinika në mbarë vendin tani mikrovalët po provohen edhe kundër kancereve në kokë, mëlçi, prostatë e në lëkurë.

Trajtim i kancerit me substanca të lëngshme radioaktive

Shkencëtarët në një klinikë të shtetit Miçigan thonë se kanë zhvilluar një terapi të re kundër kancerit duke përdorur një substancë radioaktive të lëngshme. Shkencëtarët thonë se deri tani kjo mënyrë e re është përdorur për trajtimin e limfomës, dhe rezultatet kanë qënë më të shpejta me më pak efekte anësore se sa në rastet e kimoterapisë.

“Kjo është e para herë që ne po përdorim reze të injektuara për të trajtuar kancerin dhe jo vetëm për diagnostikimin e tij”, thotë doktor Andre Zelenec pranë qëndrës mjekësore Sloan Kettering. Ilaçi radioaktiv vepron si një raketë që shkon pas objektivit të saj. Ilaçi kalon nëpër organizëm, duke u ndalur në një proteinë të veçantë në qelizat e kancerit. “Kur ilaçi arrin në vendin e duhur, lënda radioaktive godet vetëm tumorin, pa prekur qelizat e tjera të shëndetëshme”, thotë doktor Mark Kaminski, pranë qëndrës mjekësore të universitetin e Miçiganit.

Kur kjo mënyrë është përdorur kundër limfomës, 59 përqind e pacientëve nuk patën asnjë rishfaqje të kancerit gjatë 5 vjetëve që zgjati studimi. Doktor Zelenec thotë se këto rezultate janë shumë të ngjashme me rezultatet e kimoterapisë më të përparuar. Megjithatë, përparësia dalluese e metodës së re është se ajo krijon shumë pak efekte anësore dhe nuk shkaton shqetësime për pacientin. Trajtimi me rrezatim të lëngshëm zgjat vetëm një javë, në krahasim me 4 muaj e gjysëm që zgjat trajtimi me kimoterapi. Me metodën e re, pacienti nuk preket nga rënia e flokëve dhe rreziku për infeksione është tepër i vogël.

Trajtimi me rrezatim të lëngshëm mund të jetë i efektshëm edhe për pacientët tek të cilët terapitë e tjera nuk kanë patur sukses. Rezultatet e para janë shumë premtuese dhe shkencëtarët tani po kryejnë prova për përdorimin e kësaj metode edhe për trajtimin e kancerit në pjesë të tjera të trupit si në prostat, zorrën e trashë dhe vezore. Shkencëtarët parashikojnë se brenda 3 vjetëve të ardhëshme, ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë shkallën e llojeve e kancereve që mund të trajtohen nëpërmjet substancës së lëngëshme radioaktive.

Vaksinë kundër kancerit në mushkëri

Shkencëtarët thonë se kanë përdorur një vaksinë eksperimentale të quajtur Gvaks për të eleminuar kancerin e mushkërive. Ajo përbëhet nga një molekulë që përmban një gjen të veçantë. Ky gjen vendoset në qelizat kanceroze, gjë që shkakton ndryshim e pamjes së këtyre qelizave dhe në këtë mënyrë kanceri mund të identifikohet lehtë dhe mund të pastrohet siç veprohet në raste infeksionesh, gripi apo të ftohti.

Të dhënat tregojnë se tek disa pacientë tumori në mushkëri u zhduk plotësisht, ndërsa tek të tjerët përparimi i sëmundjes u ngadalësua dukshëm. Tek një numër pacientësh që provuan këtë vaksinë tre vjet më parë kanceri nuk është rishfaqur, thotë doktor John Nemunatis, onkologjist pranë qëndrës mjekësore universitare Baylor në Dallas të Teksasit. Studimi u financua pjesërisht nga ndërmarrja farmaceutike Cell Genesys. Sipas shkencëtarëve, ky është studimi i parë që tregon se kanceri në mushkëri mund të zhduket plotësisht ose për një kohë të gjatë. Një përpjekje e ngjashme kundër kancerit të lëkurës gjithashtu ka dhënë rezultate premtuese.

————————————————————————————————————————————————
Një pilulë me kamera për të kontrolluar ezofagun

Miliona vetë i nënshtrohen çdo vit, endoskopisë, procesi i kontrollit të ezofagut me një tub të gjatë elastik që shkakton dhimbje dhe trazim për pacientin. Procedura zgjat disa orë dhe shpesh herë është e nevojshme që pacienti të marrë anestezi, si dhe të kalojë disa orë pas procesit për ta marrë veten. Por deri tani kjo ka qenë e vetmja mënyrë për të zbuluar problemet në sistemin tretës.

Por tani është bërë një shpikje e re, një pilulë që përmban kamera të vogla në të dyja skajet. Një procedurë që nuk shkakton dhimbje tek pacienti. Duhet vetëm një gotë ujë për ta gëlltitur kapsulën dhe 20 minuta kohë që të zhvillohet procesi. Pasi pacienti gëlltit kapsulën, ajo kalon nëpër ezofag ku bën 14 fotografi në sekondë. Kamera ia transmeton pamjet një receptori që mban në bel pacienti. Menjëherë pas procedurës, pacienti mund të largohet nga zyra e mjekut.

Disa mjekë shpresojnë që pilula me kamera të fillojë të përdoret edhe në proceset e mjekimit, jo vetëm të diagnostikimit.

————————————————————————————————————————————————
Nikotina mund të ndihmojë ndaj diabetit

Nikotina mund të ndihmojë ndaj diabetit. Në këtë përfundim kanë mbërritur studiuesit e shkollës mjekësore në Stanford të Kalifornisë.

Studiuesit kuruan disa minj që kishin sëmundje të enëve të gjakut dhe kancer mushkërie me nikotinë të pastër dhe zbuluan se kjo lëndë nxit prodhimin e enëve të reja të gjakut tek minjtë. Tani ata besojnë se nikotina mund të ndihmojë edhe ndaj sëmundjesh të tjera që sjellin në mbylljen apo pengimin e rrjedhës së gjakut si p.sh. diabeti, ntrashjes së enëve të gjakut si edhe ndaj sëmundjeve të nervave si ç´janë sëmundjet Tourette dhe Parkinson.
Por lind pyetja se përse pjesës më të madhe të duhanxhijve u bëhet lëkura e përhimtë si dhe u vështirësohet qarkullimi i gjakut ?
Është vështirë të thuash – duhani përmban mbi më tepër se 4 000 kimikale të ndryshme.

————————————————————————————————————————————————
Pse na dhemb koka ?

Shkaqet e dhimbjes së kokës janë të shumta, që mund të ndahen në patologjike dhe jo të tilla.
Në rastet e para kuptohet që nevojitet drejtimi tek mjeku për t’u njohur me gjendjen, për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme dhe marrjen e mjekimit të duhur.

Por lind pyetja: Kur duhet shkuar tek mjeku?

Kuptohet që jo për çdo dhimbje koke duhet të drejtohemi tek ai. Nëse një dhimbje koke zgjat rreth 10 ditë dhe nuk qetësohet me qetësuesit e zakonshëm si aspirinë e paracetamol, apo edhe nga pushimi e shëtitjet në ajër të pastër, është shumë e këshillueshme një vizitë tek mjeku.

Në rastet e zakonshme (jo patologjike) të dhimbjes së kokës, shkaku kryesor është pakësimi i nivelit të oksigjenit dhe glukozës (sheqerit) në gjakun që furnizon trurin.
Në këto raste është e këshillueshme ndërprerja e punës apo studimit gjatë të cilit shfaqet kjo dhimbje, freskimi me ajër të pastër i ambientit ku qëndron, shëtitje në ajër të pastër dhe duke mos harruar të ngrënit.

Është pikërisht qëndrimi për një kohë të gjatë në një ambient të mbyllur një prej faktorëve që diskutohet sot si shkak i stresit në punë.
Në botën perëndimore sot zhvillohet një diskutim i gjërë për atë që quhet “ekologjia” e punës.
Dhe pikërisht e gjithë kjo bëhet për një ambient më të mirë dhe të këndshëm në punë, për të evituar dhimbjen e kokës, stresin në përgjithësi dhe uljen e rendimentit intelektual gjatë punës.
Duhet përmendur këtu si faktor anti -dhimbje koke apo -stres edhe ushqimi i mirë, parë ky i fundit jo më tepër në sasine e tij sesa cilësinë.
Kështu nuk duhen ndarë nga ushqimi i përditshem perimet dhe frutat të cilat janë të pasura me vitamina e kripëra, elemente këto mjaft të nevojshëm në reaksionet e pafundëm biokimikë që zhvillohen në laboratorin-organizëm.

————————————————————————————————————————————————
Diabeti i sheqerit (Diabetus mellitus)

Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme.

Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak ne vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme (simptoma) si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe perqëndrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet. Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet që bën në shumicën e rasteve që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas një kalimi të një krize të zemrës apo infarktit të saj. Po kështu shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.

Diabeti ndahet në dy tipe në varësi të moshës së pacientit ku shfaqet sëmundja. Në tipin I ai shfaqet në moshat midis 0-40 vjec dhe tipi II kur shfaqet mbi moshën 40 vjec.

Tipi I është pothuaj gjithmonë i trashëgueshëm dhe mjekohet me injektim të insulinës nën lekurë një ose disa herë në ditë, ndërkohë që tipi i dytë është fifty-fifty, pra një pjese e të sëmurëve e kanë të trashëgueshme dhe një pjesë tjetër jo. Ky tip, i cili është më i shpeshtë dhe me incidence që rritet me rritjen e moshës, mjekohet me medikamente. Në rastet e vështira të kontrollit të sheqerit mjeku është i detyruar që edhe në ketë tip të fillojë mjekimin me insulinë.

Sic përmenda më lartë, me rritjen e moshës dhe në prani të mbipeshës e aktivitetit të ulët fizik, mundësia për tu shfaqur sëmundja është e lartë. Në këtë kuadër si cdo sëmundje metabolike, sëmundje që kanë të bëjnë me mënyrën e përpunimit të lëndëve të ndryshme organike që ne marrim me anë të ushqimit, edhe diabeti i sheqeri është i lidhur ngushtë me dietën dhe mënyrën e jetesës, për shembull aktivitetin fizik. Ky i fundit ndihmon në një funksionim normal të organeve të ndryshme dhe organizmit në tërësi, në ruajtjen e peshës normale në lidhje me seksin dhe moshën dhe në parandalimin e obezitetit (mbipesha dhe dhjamosja), që është “miku” më i ngushtë i diabetit. Stili i jetës është i padiskutueshëm në rolin e tij për korrigjimin e shpejtë të vlerave të sheqeri në gjak dhe ndihmesën ndaj terapise medikamentoze. Nuk duhet harruar këtu edhe dieta e pasur me perime. Nga frutat këshillohen mollët majoshe me perdorim të kufizuar. Largim nga dieta i ëmbëlsirave, yndyrave me origjinë shtazore (dhjamrat, gjalpi, qumështi i paskremuar), kufizim të kripës dhe brumrave. Rekomandohet mishi i viçit i pa dhjamë.

Si përfundim për një ndjekje korrekte të sëmundjes dhe për një cilësi të mire të jetesës është tëpër e rekomandueshme drejtimi tek mjeku specialist që quhet endokrinolog. Ai është i detyruar të informojë cdo pacient rreth sëmundjes në përgjithësi, gjendjes se individit (pacientit) në vecanti, komplikacioneve të vetë sëmundjes, mjekimit dhe mënyrës se jetesës. Fillimi i medikamenteve (ilaceve), dozimi i tyre dhe kontrolli duhen bërë patjetër nga endokrinologu. Do të ishte gabim fillimi i mjekimit nga një mjek jo specialist. Po kështu, ndjekja e rregullt tek mjeku specialist ose infermieria e specializuar për këtë sëmundje dhe këshillimi me ta kanë mjaft rëndësi në mbajtjen korrekt të gjendjes së diabetit. Cdo neglizhim është progres për sëmundjen.

Leave a comment