Poezi

Serenadë

Edhe nën dritën e hënës këndonte bilbili në dritaren tënde
Kalldërmi ndriste ngjyrë ari, kur shkilnin mbi të këpucët e tua
Si nuk prite vetëm edhe pak
Serenadë e njomë për merak?
Kalove si fërfëllima e gjethit rrugicës kur të mbulojë bora,
Mëngjesi të buzëqeshi ngrohtë nën rrezet e dashurisë.
Si nuk prite vetëm edhe pak
Serenadë-nuse pa duvak?
Me lot lumi u lave në vaj, as pa bërë e as pa pasur faj.
Çunat e lagjës, të pamatur, të shanë e të mbajtën mëri.
Si nuk prite vetëm edhe pak
Serenadë-lule zambak?
Pranverë e hershme në sytë e tu të bukur vrapoi me të shpejtë,
Rrugica e mjeruar flenë me kujtimin nënë hijen e flokëve të gjatë.
Si nuk prite vetëm edhe pak?!…

Gurbetçi

Fatin e kalit të munduar
Të dhanë perënditë,
Ditën e bukur që linde.
Hijen e rëndë të kohës
Ta mveshën pas kurrizit,
Për të mos i ikur besnikërisë së fatit.
Dhuratë nga vendlindja të dhanë
Vetminë, armikun e shpirtit.
Ndërsa vdekjen!
Po, ku do ta kesh vdekjen?
Nuk ta llogaritën.
Atë e ke hak, vetëm të thanë.

Më pëlqen të vuaj

Sa shumë më pëlqen të vuaj
kur në sytë e saj të pafajshëm
Ylli ndrit e s´arrin shikimi im

Më pëlqen të vuaj
Kur dita s´afrohet
E nata vdes e paharruar

Kur shiu i pranverës zë e më lag
I shtrirë në lëndinë mes lulesh
Kur fluturbardha vjen e më ik
Me lotë në sy më pëlqen të vuaj

Më pëlqen të vuaj kur dora s´prek flokët
Derdhur mbi supe si duajë gruri në verë
Kur sytë humbasin në labyrintin e frikës
Dhe fshihen nën hijen e hënës së zbehtë

Shpirti e saj i butë i shtruar si vesa
Në rrjetë rrezesh dielli e shndëron
Djersën e fytyrës sime të vrazhdë
Jo, në heshtje s´më pëlqen të vuaj

Më pëlqen të vuaj kur më shikon e s´flet
Kur unë e ndjej fuqishëm sikur s´jam aty
Dhe ajo ik larg syve të mi sikur s´egziston
Heshtja e saj e sinqertë më merr me veti

Ah! I shkreti unë, që jetoj larg kohës sime
Vetëm këngëtarët jetojnë në kohë të vetë
Poetët vdesin njëherë dhe pastaj jetojnë
Nën tingujt e petaleve të pishës kur i fry era
Mbi gjijtë e saj kur gufojnë më pëlqen të vuaj.

Botuar për herë të parë në revistën ” Dituria”
Qershor 2009   Båros- Suedi

Ëndërr pa fund

Teatër në një ëndërr tërheqëse
Edhe e pamundura bëhet realitet
Lëshohesh lirshëm me parashutë
Si një Tibetan ”i lirë mbi Tibet”

E sheh veten -Budë me kurorë
Në   një tempull të paprekur
Në mes të maleve i fshehur
Êndërr që s´do të marrë fund

Të afron tek buzët e burimit
E të lë me grushtat thatë
Një ëndërr pa fije turpi

Të zbret edhe mbi mjegullën e bardhë
Në Çeçeninë e derdhur si turist të shëtit
Para këmbëve të shtron rrugën me lule
Fëmijët të buzëqeshin me sy të përlotur
Në botën e vogël, në ëndërrën e madhe
Në një natë me rreziqe dhe përjetime
Fundi afrohet, ti s´do që ajo të marrë fund

Lëmsh dilemash

Të shohësh bukurinë e të mos e ndjesh
Të ndjesh mallin dhe të mos e vuash
Nuk e di kush tallet me ndjenjat
Gëzimi apo dhimbja?
Dhe në mes dhimbjes dhe gëzimit
S´dua t´ia di për botën me dilema

Nëpërmiet të syrit të ri piramidal
Sheh botën mikroskopike në lindje
Sheh një botë filmike në rrënim
Dhe nga rrënimi i atyre mureve
Paramendon veten si një gur

Pastaj, si në ”parajsën ” e Dantes
Sheh urrejtjen si kthehet në dashuri
Sheh një botë të rrumbullakët më të bukur
Sheh një lule në majë të shigjetës

Dashuria është tinzake edhe pse shkëlqen
Kush mundi të mos i besoj asaj, e s´u gënjye
Edhe kush nuk i besoj asaj, prap u gënjye

Ah kohë

Në enklavën e errët të mendimeve të mia rrotullohesh e xhveshur
Si peshkaqen i detit mundohesh të dalësh nga rrjeta e peshkatarit
Shpirti im lindi nga përzjerja e flokëve të tua kur i frynte juga
Nën muzikën e asaj ere ne luanim këngën e puthjeve të argjenta

Ti ishe hajdutja e kohës sime, e të gjitha pasditëve me diell
Një det i trazuar rrihej e përplasej në sipërfaqen e syve të tu
Shpirti im thyente ëndërrat e vetmisë skaj buzëve të tua
Në pranverën e bukur brigjeve të shumta, të plotëjeshilta

Më kujtohet aroma e djersës tënde, shkumbës së detit i ngjante
Përzihej me erën e manushaqeve rreth ferrave që na rrethonin
Ëndërrat e mia ende të gjalla në horizontin e trupit tënd mozaik,
Shuhen dhe ndizen kur i ndrydh koha, si vullkani aktiv i mbuluar

Zëri im tingëllon dhimshëm, si një oxhak i zi i mbytur nga tymi
Përtyp me zor kafshatën e ngjyer në enën e kujtimeve të vjetra
Në një ditë dimri i mbyllur nga bora, i zhgënjyer nga heshtja,
E kohës që më bënë djalë, që më mundon, por që më mbanë gjallë

Unë dhe nata

Se ç´mu zemërua nata, përse nuk e di
As nuk më tha shko as nuk më tha rri

Unë i ndeza dritën
I çela një sy
Të shikonte hënën
Dhe qiellin që u nxi

Se ç´mu zemërua, përse nuk e di
As nuk më tha shko as nuk më tha rri

Ajo rrezikun e ndjeu
Ishim vetëm ne të dy
Të më vë në gjumë sa shumë u mundua
Natëzeza nata, ajo jetëgjata

Se ç´mu zemërua, përse nuk e di
As nuk më tha shko as nuk më tha rri

Nuk dinte e gjora natë mua ç´më mundonte
Karafil´n e zemrës s´mund të ma afronte
Era që nuk frynte ndër male ishte fshehur
Hëna që nuk ndriste retë e kishin zbehur

Se ç´mu zemërua, përse nuk e di
As nuk më tha shko, as nuk më tha rri

Shumë pyetje i mbylla, oh sa shumë i pata
Natës për t´ia bërë por unë nuk e zgjata
Nga errësira u frikova natës t´i besoj
Që dhe hëna para saj mbylli sytë të mos shikoj

Se ç´mu zemërua, përse nuk e di
As nuk më tha shko, as nuk më tha rri

Trëndafil i prillit

Më shtatëmbëdhjetë prill
Urova një trëndafil
E shkula nga krasta
E mbolla në bahçe

Një trëndafil shprese
Një trëndafil zemre

Rahatinë e gjumit natën e gjatë e shkretova
Mos ma shkulin, mos ma vjedhin u frikova

Barin, gjëmbat për çdo ditë ia pastrova
E ujita, e stërkita, me thonjë e prashita

Sa shumë e përkëdhela, sa merak e pata
Unë siç e mendova ashtu edhe e mbajta

Vetë e shartova me dashurinë e madhe
Trëndafili i hollë me gjëmba të imta
Gjethoj u jeshilua, u rrit, u zgjerua
Pata dëshirë që të më çelë,të bjerë erë
Tër merak u bëra të mos më dalë ferrë

Një vit të tërë e përkëdhela
Me dashurinë e shpirtit e prita
Të më çelë desha, një lule me erë
Po ç´e do, ferra mbeti ferrë.

Leave a comment