Poezi te zgjedhura per faqen e Zagracanit

 Shtëpi të lëna

Vjeshta e pasur e shtatorit të bukur më shtyri në udhëtim
Më rrëmbeu këmbë e kokë, në një fshat të largët më zbriti
Më shëtiti, më rrëfeu, më gostiti, në fund më theu
Si një dashnore gënjeshtare që nuk premton ardhmëri

Trokita në portat e shtëpive të shumta pa njerëz
Dera nuk u hap gjëkundi, asnjë zë s´u dëgjua
Jashtë pragjeve të tyre të drunjtë dhe të hekurt
Gështenja, arra dhe kokra rrushi grumbullova

Mjerimi u paraqit në sytë e dritareve
Por jo mjerimi i varfërisë për bukë
As mjerimi i fasadave të zbukuruara
Mjerimin e gjeta në dhomat e zbrazura

– Verën e shkuar martesa të shumta u kurorëzuan këtu,
Më tha një kalimtar rasti që kali i zi e ndiqte pas
– Edhe shumë fëmijë lindën nga ato martesa, nëpër botë,
Tha kalimtari me kokën e ulur si i lagur nga shiu

Tragjedi kohe në paqë, dhimbje paafat në heshtje
Shtëpitë e lëna krijuan frikë në një ditë vjeshte

Hysen Çuni

Dasëm që s´mbahej mënd, dasëm që s´ishte parë në vite
Tradicionale, me virtyte, sa moderrne aq edhe klasike

Flamuri lartë valvitej, darka u shtrua në hotel ” Përrua”
Bukuroshja e liqenit, atë nate, do shndërrohej në grua

Hysen Çuni me të madhe ç´u nxitua, u fejua,direkt u martua
Për në Zvicër, për me letra, ta shihje ishte goxha grua

Sa një anë mali, e hijshme, si mos të ta donte xhani
Me ato sytë si flixhani prapa saj arrohej edhe vatani

Ç´festë e madhe, dy palë krushqi, shampanjë, meze dhe raki
Edhe nata s´kishte gjumë në sy, edhe dhëndrri u bë qejfli

Si shqiponja grabitqare hidhej nuseja zbathur e para në valle
Herë luante ”Flamengo” me sandale, e herë mbërthyer e me nalle

Hysen Çuni rrinte i menduar, pinte nga shishja si fëmija me dy duar
Njëri dilte, tjetri hynte, nusja vetë deri tek dera i përcillte

Nata rridhte por si shiu, këtë s´e kuptonte vetë i ziu
Dhe mëngjesi ia mbërriu, mbi krevat i shtrirë i riu

Një jastëk mungonte anësh në një dyshek të zbrazët
Pa jorgan dhe i zbuluar, e kuptoj dredhinë beqari

Më mirë një grua pak të shëmtuar
Përbrënda të mbushur me dashuri
Se sa bukuroshen e liqenit
Atë, që mora me krushqi

Hajde Hysen Çuni ç´të gjeti
tek letrat nuk gjindet lezeti
Atë që kërkove të solli tërmeti
Vetëm kaq, thoshte i shkreti

Shtëpia në livadhe

Shtëpia me tulla të kuqe e ve dhe jetime
I qesh buza në verë kur i hapet një derë
Mallkon ustallarët që e ngritën, që i dhanë dritën
Jeton e mbyllur, pa frymë, pa tym dhe pa rrymë

Dy oxhakë të gjërë, të lartë, të gjatë
Lindur si dy binjakë në një qorr sokak
Të djegur në verë të mbërdhirë në dimër
Me fyt të gjërë, të tharë, pa tym e pa zjarrë

Mbulohet nga bora, blerohet në verë
Laget në vjeshtë dhe teret në pranverë
Rrahet nga era dhe përkëdhelet nga dielli
Zgjohet nga mëngjesi vihet në gjumë nga terri

Po ku di të flasë oxhaku, tulla e kuqe e as çatia
Po ku di të flasë guri, as druri, as e tërë shtëpia
Flasin ndjenjat që janë largë, që i ka zënë halli
Fletë revolta që zjenë përbrënda, flet vetë malli

      Betimi

Katundi
Mbi një kodrinë me baltë të kuqe
Bythë një shkëmbi gjoksin ngjeshur
Rrugët dhe rrugicat plot me gurë
Shtëpitë dhe avllitë të rrethuara në murë

Gurët
Që kokën më çanë disa here,
që atëherë me rrënjë i mallkoja
tani, ato i përkëdhelja dhe i uroja

Një miqësi
E vjetër më lidhte me ato gurë
Që në ëndërr duke u mbytur më ngrinin urë

Shtëpinë
Që babai dhe xhaxhai mbi atë kodër e ngriti
Gurët e bardha nga dheu i asaj kraste i qiti

Nëna
Kur zëmërohej, nga ato gurë merrte
Dhe për të më trembur me to më qëllonte

Edhe unë
Sot, betimin drejt qiellit kur e bëj
Mallkimën për armiqtë kur e adresoj
” Për gurët e krastës”, më tjetër gjë s´besoj

  Bukuria jote

Strugë, sa e ëmbël që më je
Bukuroshe në sfilatë
Mjer kush nuk të njeh
Do mbetet i ngratë

Strugë, që më kumbon erë
Si një lule në pranverë
Mjer kush nuk të ndjenë
Ferrin hapur e gjenë

Strugë, virgjëreshë e liqenit
Mbushur me shpirt dashurie
Vaj për ata që të braktisin
Lum për ata që të stolisin

Sa për ata që s´të dinë
Nuk je zot as perëndi
Por je mbi të gjitha
Thjeshtë, një bukuri

Deshën të të përvetësojnë
Nusja jonë e lashtë ilirjane
Ti ke një emër të vjetër ”Enhalon”
Por tani, për ne do mbetesh një Strugane

    Një besim i thyer

Unë
pata besim
Në madhështinë tënde
Në fuqinë e pallogaritur
Kur fryje në kohë të verës

Unë
pata besim
Se ti do thyeje akullin e ngrirë
Të oqeanit të largët
Dhe
do mbaje anën time
Ti, e mbushur me premtime                                                                                                           erë e erës sime

Bashkë
që të dy planifikuam
Në detaje
Në tërësi
Si do vej e si do vij

Bashkë vendosëm
Nëpër botë të rrotullohemi
Unë dhe ti
Të vdesim në pleqëri:
Unë ndër dhe, ti të frysh përmbi

Unë
pata besim
Tek dimri i butë
I besova verës se s´do jet e nxehtë
I besova shiut se do bjerë në vjeshtë
I bëra qejfin mëndjes së mprehtë
Se çdo problem duket i thjeshtë

    Dy here i vdekur

Vetëm një grusht dhe
Nga toka e nënës
nga i imi atëdhe

Ju që keni këmbë
Sikur edhe një të vetmen lule gomari
Të më sillni, iu lutem!
Unë do ta mbjell, do ta mbaj si simbol gjerdani.

Për ju që se njihni:
– Ajo rritet e gjatë, ka ngjyrë jorgovani
Edhe pse nuk bie erë, çelë vonë në verë
Është e fortë, mbinë në shkëmb, nëpër krasta,
E shpeshuar,e mbushur me gjëmba që shpojnë,
E frikshme, që po t´i prekësh të helmojnë

E dua. E dua ta kem pranë
Bashkë me dherin e bardhë të krastës
Që sa herë të kem mallë
Dherin për ta prekur dhe
lulen për të përkëdhelur
Në dysheme të shtrohem
E të mos mund t´i afrohem

Pa më sillni dhe pak ujë
Nga”Shën Naumi” le të jetë,
Nga burimimet jetime
Të më kujtojnë të parat kujtime

Dhe një foto nga Drini
Nëse ka mundësi,një pikturë dua të më bëni,
Kryesishtë nga pazari por
Edhe më mirë ku paraqitet e tërë Struga
Dhe një hartë të vjetër, mos harroni të më gjeni
Që kur të më humbas mëndja nëpër lluga
Të mund të më tregoj ku gjendet rruga

I them këto fjalë që vetëvrasin edhe djallin
Jo pse nuk mundem të vi vetë tani
Jo pse unë tani vetë nuk dua të vi
Jo pse jamë plakur e më kanë tradhëtuar këmbët
Jo pse më ka lënë takati e më kanë rënë dhëmbët

Por është një litar që më lidh, që më rrobëron
Që më pret thellë në palcë, që më lëndon

Është një kotkë e grumbulluar
Që të mbet në fyt,
Që të rrënqeth, që çudit:
-Ata, janë fëmitë

Po ike njëherë nga vendlindja
Ke vdekur dy herë nga dhimbja

Dhe tek ju do vi
dhe me ju dua të rri

“ Peshk me hala unë do bëhem
Detin t´e kaloj
Dhe me ju do vi
Dhe me ju do shkoj

Zog me fletë unë do bëhem
Malin t´e kaloj
Dhe me ju do vi
Dhe me ju do shkoj”
Motiv popullor

Dhe tek ty do të vi
Se jam pjesë e trupit tënd
Dhe në degët e tua do ndaloj
Besoj, se s´ka fuqi të më pengoj

Edhe lufta po të plasë
Edhe armiku me gjuhën e pushkës po të flasë
Edhe asnjë nga fisi po të mos më presë
Edhe asnjë shtëpi ngritur po të mos mbesë
Tek shpella e ujkut dua të rri
Unë tek ty doemos dua të vi

Tërë jetën si hije më ke ndjekur
brazdave të tua më ke tërhequr
O dhe i kuq
O dhe i zi
O vend i ëndërrave plot stuhi
Që në rini dhe gjer në pleqëri

Tek ty dua të vi, tek ty dua të rri
Sikur edhe i thyer në varfëri
Lotët në faqet e rrudhura të t´i prek
Të të kujtojë dhe ti të më flasësh
Për kohën e shkuar për emrin e vjetër
Për vitet në rini dhe për ato që unë nuk i di
Të më përqafosh në tërësi
Dhe unë të të fus në gji
O e imja, o e vjetra Iliri.

    Idila në udenicë

Nëpër qilizmën e punuar të vreshtëve kalohet
Shtypet, shkretohet nga gjurmët fieri i vrazhdë
Këmbë   zbathur shkilet mbi barin e livadheve
Për të shuar etjen, për të larë djersën
Drejt lumit të shushicës rruga të drejton

Vetëm në atë vend në maj këndojnë bilbilat
Atje ku degët e mbushura takojnë dy brigjet
Atëherë kur mali qan dhe bora ndez fitilat
Këndon shushica,zgjohen ndjenjat e fjetura

Vetëm në muajin maj shushurima e ujit dëgjohet
Lahen gurët e bardhë, heqin myshkun e vjetër
Pastrohen zanat e malit si në përrallën e gjyshit
Me kurora luledashi thurur e hedhur mbi kokë

Vetëm lumi i shushicäs di të ringjall jetën
Të krijoj idilën e pastër në shpirtin e udenicës
Kur shushurima vë natën në gjumë
Dhe gurgullima e zgjonë mëngjesin

Vetëm në maj lumi këndon këngën e vjetër
Lumi i zanave, shushica plakë, nuse e etur
Lum që shëron plagët e tokës së djegur
Lum që rikthen edhe dashurinë e humbur

Leave a comment