Parazitologji

 

Në këto faqe do gjeni një tekst të shkurtër të parazitologjisë mjekësore. Materiali është i organizuar në 2 ndarje, njëra për parazitët njëqelizorë (Protozoa), dhe tjetra për krimbat (Helmintet), që janë parazitë shumëqelizorë.


Protozoa
Helmintet

 

Protozoa

 

Protozoarët janë organizma që i përkasin tre tipave:

  • Tipi Sarcomastigophora, i cili ndahet më tej në Mastigophora, dhe në Sarcodina.
  • Tipi Apicomplexa, në të cilin bëjnë pjesë sporozoarët.
  • Tipi Ciliophora, të cilit i përkasin organizma me cilie.

Mastigophora (flagjelatët) kanë një (ose më shumë) flagjela. Disa anëtarë të grupit kanë një membranë të valëzuar (p.sh.Trypanosoma). Anëtarët e këtij grupi mund të shkaktojnë infeksione intestinale dhe gjenitourinare (Giardia, Trichomonas, Dientamoeba, Chilomastix), ose mund të shkaktojnë infeksione të gjakut dhe të indeve (Trypanosoma, Leishmania).

Sarcodina janë tipikisht organizma ameboide. Sarkodinat që infektojnë njerëzit bëjnë pjesë në gjinitë Entamoeba, Acanthamoeba, Endolimax, Iodamoeba, Naegleria.

Sporozoa janë organizma me cikël jetësor të ndërlikuar, me fazat seksuale dhe joseksuale që zhvillohen në kafshë të ndryshme.Coccidia bëjnë pjesë te ky grup (gjinitë Isospora, Toxoplasma, Cryptosporidium, etj.). Sporozoarët e gjakut quhen Haemosporinadhe përfshijnë parazitët që shkaktojnë malarien (Plasmodium).Babesia bën pjesë tek nënndarja Piroplasma.

Nga parazitët e tipit Ciliophora vetëm njëri i infekton njerëzit,Balantidium coli.

Microspora përfshin parazitë që shkaktojnë infeksione oportuniste tek njerëzit me mangësi imune. Microspora kanë qenë klasifikuar tek sporozoarët, por tani mbahen si grup më vete.

Zgjidhni një nga temat më poshtë për të vazhduar më tej.


Flagjelatët intestinalë
Flagjelatët e gjakut

Katër flagjelatë intestinalë janë përshkruar më poshtë: Giardia, Trichomonas, Dientamoeba, Chilomastix.

Giardia lamblia


Giardia lambliaGiardia duodenalisGiardia intestinalis, dhe Lamblia intestinalis janë sinonime. Megjithëse brenda gjinisë Giardia ka disa lloje të ndryshme, emrat e mësipërm i referohen të njëjtit parazit dhe të njëjtës sëmundje.

Pamja e organizmit
Trofozoitet (format aktive) kanë formë zemre. Giardia ka 4 palë flagjela, 2 bërthama, dhe 2 aksostile.

Figura 1. Trofozoiti duket si një fytyrë njeriu.

Cistet – format joaktive – të Giardias formohen kur trofozoitet futen në zorrën e trashë. Cistet mund të vërehen në analizën e feçeve. Feçet e ujshme kanë edhe ciste edhe trofozoite: sa më të ujshme, aq më shumë trofozoite. Cistet kanë formë ovale, dhe kanë 2 ose 4 bërthama.

Figura 2. Giardia: cist në feçe.

Patogjeneza dhe paraqitja klinike
Giardia nuk është patogjen agresiv. Cistet e giardias mund të gjenden në sasi të madhe edhe në feçet e njerëzve krejt të pasëmurë (pa simptoma). Sëmundja shkaktohet kur sasi të mëdha të mikroorganizmit ngjiten pas murit të zorrës të hollë dhe pengojnë thithjen e lëndëve ushqimore nga zorra. Patologjikisht vërehet irritim dhe inflamacion (i pakët) i mukozës të duodenit dhe të jejunumit, atrofi e vileve, hipertrofi e kripteve, dhe dëmtim i qelizave epiteliale; këto dukuri shkaktojnë diarre, që mund të jetë akute ose kronike. Pasoja të tjera janë dobësia, humbja e peshës, dhembjet e barkut, dhe gazrat e tepërta. Fëmijët sëmuren më kollaj sesa të rriturit nga Giardia. Gjithashtu, të sëmurët me mangësi imune sëmuren më kollaj dhe më rëndë.

Diagnoza laboratorike
Giardia mund të rritet kollaj në kulturë, por kultura e feçeve nuk përdoret për diagnozë. Diagnoza laboratorike vendoset nga pamja e cisteve në feçe. Përndryshe, ELISA e feçeve është test i shpejtë me sensitivitet dhe specificitet të lartë. Egzaminimi i përmbajtjes të duodenit mund të jetë i nevojshëm për ta vendosur diagnozën nëse nuk gjenden ciste në feçe; egzaminimi i përmbajtjes të duodenit mund të bëhet me sondë ose me kapsulë duodenale (EnteroTest).

Trajtimi
Trajtimi bëhet vetën në pacientët që kanë simptoma. Metronidazole (Flagyl) është efektiv në 90% të rasteve; quinacrine dhe furazolidone mund të përdoren gjithashtu. Trajtimi njëditor me tinidazole (Fasigyn) është efektiv. Paramomycin mund të përdoret gjatë shtatzanisë.

Epidemiologjia
Giardia lamblia është e përhapur në tërë botën. Në Europë përdoret shpesh emërtimi Giardia intestinalis; në ish Bashkimin Sovietik përdoret termi Lamblia intestinalis.

Infeksioni përhapet me rrugë fekalo-orale. Epidemitë janë të shpeshta në institucione si çerdhet, kampet, etj. Ndotja e ujit të pishëm ka shkaktuar disa epidemi në kampet dimërore (midis skiatorëve) në Shtetet e Bashkuara; shkak ka qenë mbingarkesa e sistemeve të ujërave të zeza dhe ndotja e ujit të pishëm. Cistet mund të rrojnë deri në 3 muaj në ujë.

Njerëzit mund ta marrin infeksionin me Giardia edhe nga kafshët (zoonozë).

Trichomonas


Protozoarët e gjinisë Trichomonas janë flagjelatë me 3-5 flagjela dhe me membranë qelizore të valëzuar. Lloji që shkakton sëmundje tek njerëzit është Trichomonas vaginalis.

Pamja e organizmit
Trichomonas vaginalis ka formë dardhe me një mambranë të valëzuar anë të cilës gjendet një flagjel; 4 flagjela të tjera gjenden në pjesën e përparme. Trikomonat jopatogjene Trichomonas hominis dheTrichomonas tenax kanë të njëjtën pamje. Trichomonas tenax rron në gojë; Trichomonas hominis rron në zorrë; dhe Trichomonas vaginalisrron në traktin gjenitourinar (të meshkujve dhe të femrave).Trichomonas vaginalis gjendet vetëm si trofozoit, faza cistike nuk egziston.

Figura 3. Trichomonas vaginalis.

Patogjeneza dhe paraqitja klinike
T hominis dhe T tenax janë të padëmshëm (komensalë). T vaginalisshkakton inflamacion të traktit gjenitourinar. Flora bakteriale, si dhe pH dhe gjendja e mukozave ndikojnë në shkallën e infeksionit që shkaktohet nga T vaginalis. Në pH normal të vaginës (3.8-4.4) T vaginalis nuk rron dot.

Infeksioni me T vaginalis nuk përfundon me imunitet. Megjithatë, infeksionet e përsëritura bëhen më të lehta sesa infeksioni fillestar.

Tek femrat, infeksioni me T vaginalis prek vulvën, vaginën, dhe qafën e mitrës; zakonisht infeksioni nuk shtrihet në mitër. Mukoza bëhet e dhembshme, dhe e skuqur; epiteli i mukozës mund të rripet; infeksioni shkakton edhe kruarje dhe djegie. Një shkarkesë (sekrecion) me ngjyrë të verdhë mund të vërehet gjithashtu, nganjëherë në sasi të madhe.

Tek meshkujt T vaginalis mund të infektojë prostatën, fshikëzat seminale, dhe uretrën. Rreth 10% e meshkujve kanë një shkarkesë të bardhë të ujshme. Infeksioni i meshkujve mund të jetë pa simptoma.

Diagnoza laboratorike
Sekrecionet vaginale ose uretrale duhet të egzaminohen me mikroskop. Trikomonat e gjalla lëvizin në mënyrë karakteristike. Kur egzaminimi mikroskopik është negativ, kultura e shkarkesave (sekrecioneve) vaginale ose uretrale mund të jetë pozitive për T vaginalisT vaginalis rritet në lloje të ndryshme mediash të ngurta ose të lëngshme, në kulturë indore, dhe në embrione të pulës. Media e quajtur ‘trypticase serum’ përdoret zakonisht për kultura të semenit.

Trajtimi
Trajtimi lokal dhe sistemik me metronidazole (Flagyl) është efektiv. Tinidazole (Fasigyn) dhe ornidazole (Tiberal) janë po aq efektivë, me më pak efekte të padëshiruara. Duhen trajtuar njëkohësisht të gjithë partnerët seksualë. Gjatë trajtimit, deri në zhdukjen e parazitit, duhet që gjatë seksit të përdoren kondomë (llastikë) për të parandaluar rinfektimin (dukuria ping-pong).

Epidemiologjia
T vaginalis është parazit i shpeshtë si i meshkujve dhe i femrave. Transmetimi i parazitit bëhet me rrugë seksuale, por edhe peshqirët e papastër, instrumentet gjinekologjike, etj., mund ta përhapin infeksionin. Shumica e infeksioneve janë pa simptoma.

Dientamoeba fragilis


Megjithëse ka qenë klasifikuar me amebat për një kohë të gjatë,Dientamoeba fragilis tani mbahet si flagjelat që i përket të njëjtit rend si Trichomonas. Ashtu si TrichomonasDientamoeba nuk ka fazë cistike. Dientamoeba fragilis infekton njerëzit, majmunët, dhe delet. Rron në zorrën e trashë (ashtu si amebat) dhe në 25% të të infektuarve shkakton diarre, dhembje barku, flatulencë, të vjella, dobësi dhe humbje peshe; shenjat klinike janë të ngjashme me ato që shihen në infeksionin nga Giardia. Trajtimi është i njëjtë me trajtimin e dizenterisë amebike (Entamoeba hystolytica).

Chilomastix mesnii


Chilomastix mesnii mund të ngatërrohet me Trichomonas në laborator. Ky parazit gjendet anembanë botës; trofozoiti ka formë dardhe, dhe ngjan me trikomonën, porse lëvizja në formë spirale e parazitit të gjallë është krejt e ndryshme nga lëvizja karakteristike e trikomonës.

 

Hemoflagjelatët që infektojnë njerëzit përfshijnë gjinitë Leishmaniadhe Trypanosoma.

Gjinia Leishmania përbëhet nga disa lloje të ndryshme që mund të shkaktojnë prekje të lëkurës (ulcera orientale), prekje të organeve të brendshme (kala-azar), ose prekje të lëkurës dhe membranave mukoze (espundia). Infeksioni i transmetohet njerëzve nga mizat e rërës (Phlebotomus, Lutzomyia, dhe Psychodopigus).

Tripanozomat janë dy llojesh: (1) tripanozoma afrikane, shkaktare e sëmundjes të gjumit, transmetuar nga mizat cece (Trypanosoma brucei rhodesiense dhe Trypanosoma brucei gambiense); dhe (2) tripanozoma amerikane, e cila shkakton sëmundjen e Chagas (Trypanosoma cruzi).

Leishmania


Gjinia Leishmania përfshin disa lloje të cilat janë pothuaj të njëjta për nga pamja e jashtme. Dallimi midis llojeve të kësaj gjinie bëhet me anë të analizave biokimike, antitrupave monoklonalë, analizës të materialit gjenetik, dhe të dhënave epidemiologjike/gjeografike.

Leishmania donavani shkakton leishmaniazën e organeve (e njohur ndryshe edhe si ‘kala-azar’).

 

 

 

 

 

 

 


Helmintet

 

Krimbat që infektojnë njerëzit i përkasin dy tipeve:

  • Tipi Platyhelminthes (krimbat e sheshtë); krimbat e këtij tipi janë krimba të cilëve u mungon kaviteti celomik. Dy klasat me rëndësi mjekësore janë Cestoda (me gjinitë Diphyllobothrium, Spirometra, Taenia, Echinococcus, Hymenolepsis, Dipylidum), dhe Trematoda (me gjinitë Fasciola, Schistosoma, Paragonimus, Clonorchis, Opisthorchis, Heterophyes, Metagonimus, Fasciolopsis). Cestodet janë si shirit, dhe të segmentuar. Trematodët janë në formë gjetheje. Me përjashtim të gjinisë Schistosoma, llojet e tjera janë hermafroditë.
  • Tipi Nemathelminthes (krimbat e rrumbullakët). Krimbat e rrumbullakët janë të pasegmentuar dhe johermafroditë.




Leave a comment