SHTETI ILIR – FUQI MESDHETARE.

K R E U     V

SHTETI ILIR – FUQI MESDHETARE.

LUFTËRAT KUNDËR ROMËS
(231 – 168)

Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.
Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese.
Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne.
Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.
Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës.
Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.
Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.

1. NGJARJET NË PRAG TË LUFTËS ME ROMËN

Aleanca iliro-maqedone. 
Sulmi kundër Medionit
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit ilir.
Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij Demetri II u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me Maqedoninë për t’u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të Maqedonisë. Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën kohë një sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit ilir, Agroni.
Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike të kohës. Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, sipas të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët, duket se shpreh tendencën e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj e sqarojnë më mirë politikën e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.
Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku i kësaj aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin filluar të bënin llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara të papriturës së hidhur. Ilirët që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol. Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar. Por edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të vërtetë ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve. Medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat e saj luftarake, për fitoren mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.

Fushata e vitit 230 kundër Epirit
Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t’i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte t’ia kalonte këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi – siç thotë Polibi, – drejtimin e punëve”.
Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël se ajo e Agronit”, u vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike gjithë anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët të shqetësuar dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë të luftës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.
Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikanon (një vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga qafa e Skarficës për të arritur në Foinike. Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve që po sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.
Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet. Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.

Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për luftë
Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër Ilirisë.

2. LUFTA E PARË ILIRO-ROMAKE

Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake
Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë për historiografinë një tezë e parapëlqyer, rreth së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime. Pikëpamja që ka qenë për një kohë të gjatë më e pranuar është se shkaku kryesor i kësaj ndërhyrjeje ka qenë pirateria ilire, që i sillte dëme të rënda tregtisë italike. Duke përsëritur Polibin, kjo ndërhyrje u paraqit si një konflikt që iu imponua senatit romak, në kundërshtim me vullnetin e tij, “për të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë ilire”. Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake si pjesë të një plani për një ekspansion më të gjerë në lindje iu kundërvu versioni se Roma as në këtë kohë e as më parë nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë kjo teori u përsërit dhe në ditët tona. Pasues të saj i atribuojnë monarkisë ardiane një “rol organizues” që i dha piraterisë ilire “pamjen e një imperializmi fillestar” dhe si pasojë bëri që “zgjerimi ilir të ndeshet me interesat romake”.
Është e rëndësishme të sqarohet në këtë rast nëse ishte pirateria ilire ajo që çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri të pashmangshme luftën apo shkaqe të tjera më të thella.
Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse dhe te popujt e tjerë të Mesdheut, në një stad të caktuar të zhvillimit të tyre historik. Kështu, burimet i përshkruajnë etruskët, në gjysmën e dytë të shek. IV, si një popull që terrorizonte lundrimin në Adriatik dhe në Egje; etolët në shek. III kishin gjithashtu një nam të keq si piratë. Edhe vetë romakët, pretenduesit e mbrojtjes së rendit, e kanë ushtruar piraterinë në prag të erës sonë. Tek ilirët ajo luajti një rol të dukshëm qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet e autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin shoqëror e politik të ilirëve në këtë kohë. Pirateria ishte një dukuri e pandarë e shoqërisë skllavopronare, që e shoqëroi atë në forma të ndryshme gjatë gjithë ekzistencës së saj.
Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që kanë të bëjnë me ngjarjet në prag të konfliktit të armatosur me Romën, nuk kanë aspak karakter piratesk. Ato ishin pjesë e politikës së shtetit ilir lidhur me gjendjen e krijuar në Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve për t’i shpjeguar shkaqet e ndërhyrjes romake me anë të piraterisë ilire nuk është e përligjur. Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar shkakun e luftës edhe te “frika e zakonshme e romakëve ndaj fqinjit të fortë”. Por edhe ky nuk është një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës lidhej në rastin konkret me rrezikun që paraqiste ky fqinjë i fortë, aleati i Maqedonisë për aspiratat e saj në kushtet e një Greqie të dobësuar nga lufta e brendshme. Sukseset në perëndim e kishin rritur oreksin e qarqeve sunduese skllavopronare romake dhe e kishin bërë më të fuqishme tendencën për të mos e ndarë sundimin e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit ilir në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave. Midis kontradiktave të thella që kishin përfshirë në këtë kohë botën mesdhetare, ato të shtetit ilir me Romën dolën në plan të parë dhe shkaktuan konfliktin e armatosur të vitit 229. Në të ardhmen këto kontradikta do të thellohen e do të shtrihen gjithnjë më në lindje, duke sjellë me vete konflikte të reja të armatosura.
Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve kishte kaluar një vit. Megjithatë, kjo çështje ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja e Medionit. Gjatë kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç e pamë, hapat e nevojshëm diplomatikë për përgatitjen e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat në rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë prej 200 anijesh dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh do të merrte pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në fuqi atë vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni i romakëve për fushatën ilire dhe sa të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një çështje kaq e lehtë dhe e thjeshtë, siç është bërë zakon të paraqitet.
Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti t’i dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra, të cilat do të përbënin pikëmbështetjet kryesore të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim negativ. Plani për pushtimin me forcë të tyre nuk pati sukses. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat ilire ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur i izoluar dhe kësaj iu shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me forca të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë qytetin pa vështirësi. Forca të tjera të nisura nga Brindisi dhe ato të Korkyrës, pasi u bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut dhe i zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e këtyre qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u tregua e gatshme të hyjë në ombrellën romake mjaft që të ruante pozitat e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë. Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinje, Dyrrahun dhe Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu, siç thotë Polibi, “t’u nënshtrohej me dashje” romakëve dhe të sigurojë “miqësinë e tyre”.
Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes së vijës bregdetare, ilirët nuk qenë në gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në veri të Dyrrahut romakët ndeshën në kundërshtimin ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën e tyre, thotë vetëm se i “i nënshtruan”, por këtë radhë nuk përdor më shprehjen “me dashje” si në rastin e parthinëve dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë për qëndresën e fortë të qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut gjatë bregdetit, thuhet se romakët morën edhe qytete të tjera, por emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë që Isën e bllokuan romakët dhe ilirët, që e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone, kurse Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit.
Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt i lanë nën mbikqyrjen e Demetër Farit dhe vetë u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore. Njëri prej tyre u nis për në Romë duke marrë me vete pjesën më të madhe të forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull, vendosi ta kalojë aty dimrin për të vigjëluar ardianët dhe popullsitë e tjera që ishin vënë nën “mbrojtjen” e Romës.

Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë
Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej. Duke parë këtë gjendje, në pranverë të vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej: 1. t’u paguante romakëve një tribut, 2. të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3. të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por edhe këto të paarmatosura. Të formuluara me terma kaq të përgjithshëm këto kushte janë bërë objekti i diskutimeve të shumta. Përpjekjet që janë bërë për të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu bënë Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar gjendjen juridike të tokave të shkëputura prej saj kanë çuar në përfundime të ndryshme, të cilat në ndonjë rast ishin të tilla që nuk mund të cilësohen as si hipoteza.
Për një kohë ka zotëruar një mendim, sipas të cilit, romakët i ndanë pushtimet e tyre në dy pjesë. Në veri krijuan një shtet të vogël që përbëhej nga ishulli i Farit dhe disa toka të bregdetit përballë. Në krye të atij ata vunë tradhtarin Demetër Farin, me qëllim që të vëzhgonte dhe të njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë Ilire. Me tokat e tjera të pushtuara në jug romakët krijuan një protektorat, që shtrihej prej Lisit e deri tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë protektorat u përfshinë, përveç Dyrrahut, parthinëve dhe atintanëve, edhe qytetet Dimale, Aulona, Oriku, Bylisi, Amantia e deri Antigonea e largët. Këtyre u shtoheshin edhe ishujt Isa e Korkyra.
Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është mendimi që nuk njeh ndonjë teprim lidhur me të ashtuquajturin protektorat romak në Iliri. Me të drejtë është vënë në dukje se ai nuk ka përbërë kurrë një rrip të pandërprerë toke, që nga Lisi e deri te bregu kontinental përballë Korkyrës, por ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton Polibi dhe e shpreh Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret e tyre, nga ishujt Korkyra, Isa dhe nga parthinët e atintanët, pa asnjë territor më tepër nga ato që i ishin dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë të traktatit përbënte një kufi detar, nuk pranohet edhe si kufi tokësor midis Mbretërisë Ilire dhe protektoratit romak. Duke u nisur nga kjo është shprehur mendimi se disa toka në jug të protektoratit mbetën përsëri nën vartësinë e Mbretërisë Ilire, me gjithë vështirësitë që paraqiste kjo vartësi për të qenë reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte Romës lundrimin e qetë në ngushticën e Otrantos dhe mbikqyrjen me anë të protektoratit të Mbretërisë Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që të bëhej përsëri një fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje që këto mendime të zëvendësohen me një tezë të re, sipas së cilës zotërimet romake kufizohen gjithashtu me tokat e Dyrrahut, të Apolonisë, të parthinëve dhe të atintanëve, por parthinët shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme të Shkumbinit, kurse atintanët në Çermenikë. Kështu protektorati ngushtohet, por shtrihet thellë në lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë zonash të pavarura, që shërbejnë, sikurse thuhet, si amortizatorë për zotërimet romake. Në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës vendoset zotërimi i Demetër Farit, që ndante protektoratin nga Mbretëria Ilire; në lindje zotërimet romake, duke depërtuar thellë deri në burimet e Drinit të Zi, ndanin mbretërinë ardiane nga aleatët e saj maqedonë dhe bllokonin rrugët nga Maqedonia për në brigjet e Adriatikut; më poshtë Dasaretia, që zinte territorin midis Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë e pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj Maqedonisë; më në fund, në jug zona që hyri në vartësinë e Romës përfundonte në territorin e Apolonisë, që takonte bregun e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin, Orikun, Bylisin dhe Amantien. Këto katër qytete formonin një grup të pavarur ose neutral, me fjalë të tjera një amortizator tjetër ndaj Lidhjes Epirote.
Është e pabesueshme që romakët të kenë projektuar dhe realizuar një sistem të tillë mbrojtës, të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme, siç na paraqitet. Senati nuk mund të zbatonte një politikë jo realiste. Shtete të tilla të vogla nuk mund të kishin një vlerë reale, sepse fuqitë që qëndronin pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë nuk do t’i përfillnin ato, nuk do t’i konsideronin si pengesë. Në fakt të gjitha sulmet që shpërthyen më vonë prej Mbretërisë Ilire apo Maqedonisë kundër zotërimeve romake nuk kanë ndeshur në pengesën e këtyre lloj shteteve dhe nuk ka të dhëna që mbrojtja romake të jetë mbështetur në to. Përveç kësaj, disa fakte të veçanta që përfshihen në këtë tezë janë krejt arbitrare. Kështu, është e pabazuar vendosja e zotërimeve të Demetër Farit në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës dhe, po kështu, nuk qëndron lokalizimi i atintanëve në Çermenikë.
Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet romake në tokën ilire formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia dhe parthinët e atintanët, mbetet sidoqoftë e paqartë shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve. Përpjekjet për lokalizimin e parthinëve dhe të atintanëve nuk kanë dhënë përfundime të kënaqshme. Në qoftë se për parthinët ka ardhur duke u saktësuar mendimi që ata, si banorë të tokave në shpinë të Dyrrahut, shtriheshin prej Ardaksanit e deri në Aps (Apsos), për atintanët mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë, po t’i çlirojmë këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i burimeve dhe të lëmë mënjanë si të dyshimta, ato burime që i shtrijnë atintanët deri në Dodonën e largët apo në luginën e Drinos, atëherë do të vërejmë se burimet kryesore e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e sotme. Kështu, parthinët e atintanët së bashku zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në Aps (Apsos) me një shtrirje në lindje që përfshinte edhe brezin kodrinor të ultësirës bregdetare. Në këtë territor bënin pjesë një varg qytetesh ilire, midis të cilave ka të ngjarë edhe Dimale, por jo Bylisi, që zinte skajin më jugor.
Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më të rëndësishme të bregdetit, romakët likujduan kështu zotërimet e Mbretërisë Ilire në jug. Edhe në qoftë se në këto anë mbeti ndonjë zonë që nuk u përfshi në zotërimet romake, siç mund të ishte Bylisi me rrethin e afërt të tij, Dasaretia apo ndonjë zonë tjetër e brendshme malore, ato në fakt mbetën të shkëputura nga Mbretëria Ilire, me të cilën edhe më parë, për vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë kishin lidhje të forta. Koinoni i bylinëve, si një bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth, që na përmendet në burimet epigrafike i takon, me sa duket, kësaj kohe.
Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin se Roma e reduktoi shtetin ilir në një mbretëri të vogël në veri të Lisit. Në jug ajo krijoi një zotërim të vetin që formohej nga Dyrrahu, Apolonia, parthinët dhe atintanët. Këtë zotërim ajo do ta përdorte si një bazë për të garantuar respektimin e traktatit dhe për të shtypur çdo përpjekje për rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet (dinasteia) e Demetër Farit përbënin gjithashtu një kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në veri, kurse krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që mbetën të shkëputura nga kjo mbretëri, u lanë të papërfillura me besimin që, si njësi të vogla, favorizonin pozitën e Romës në këto anë. Ndalimi, sipas traktatit, i lundrimit në jug të Lisit kishte për qëllim të kufizonte nga ana tjetër fuqinë detare të Mbretërisë Ilire; për këtë do të shërbenin në mënyrë të veçantë zotërimi i Isës dhe i Korkyrës. Kështu me anë të këtij traktati Roma siguronte të gjitha masat e mundshme për ta dobësuar shtetin ilir dhe për ta mbajtur atë nën kontroll, por jo për ta asgjësuar plotësisht.
Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria Ilire mbeti, pas përfundimit të traktatit, një shtet tributar. Është thënë se tributi ka qenë një dëmshpërblim që do të paguhej me këste, megjithëse masa dhe mënyra e shlyerjes së tij në traktat nuk përcaktohet. Gjendja juridike e qyteteve dhe e popullsive që u përfshinë në zotërimet direkte të Romës nuk është gjithashtu e qartë. Marrja e tyre nën të ashtuquajturën mbrojtje nga Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë vënë nën një lloj varësie. Ka shumë të ngjarë që këto të jenë konsideruar nga ana formale si “aleatë” apo “miq” që u lejohej e drejta e një vetadministrimi të kufizuar. Por në fakt ato ishin të varurit e Romës dhe si të tillë nuk mund të hynin në marrëdhënie të lira me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata ishin të detyruar të pranonin në çdo kohë ushtritë romake dhe t’i furnizonin ato me ushqime apo t’i plotësonin me kontingjente ndihmëse tokësore e detare, siç ndodhi, qysh në vitin e parë të pushtimit, në dimrin e vitit 229/228 dhe më vonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Demetër Farin, që u vu në shërbim të Romës, si dinast i varur i një zotërimi të vogël në ishullin e Farit dhe brigjet e Dalmatisë.
Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania kishin mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet e tyre si aleatë të shtetit ilir dhe me interesat e tyre politike në përgjithësi. Ky qëndrim shpjegohet me një varg rrethanash. Sado me rezerva ta kenë parë këta aleatë rritjen e fuqisë ilire, dalja e Romës në brigjet lindore të Adriatikut nuk mund të ishte për ta më e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk shohim, të paktën burimet nuk na e thonë, që krahas masave mbrojtëse me karakter ushtarak, shteti ilir të ketë marrë edhe masa për vënien në lëvizje të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët, ashtu edhe aleatët e tyre nuk arritën t’i përfundonin përgatitjet për t’i dalë përpara rrezikut që po i kërcënonte. Jo vetëm kaq, por vetë Maqedonia u gjend në këtë kohë e rrezikuar seriozisht nga një sulm dardan, i cili i kushtoi jetën sundimtarit të saj, Demetrit II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi në zgjedhjen e momentit të përshtatshëm për shpërthimin e konfliktit të armatosur kundër ilirëve. Edhe në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund të mos merret parasysh fakti që ai përkon në kohë me ngjarjet e përshkruara më lart. Në këto rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të ndanin dhe të paralizonin aleatët jugorë, Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej mbretërive ilire. Këtë detyrë ata e zgjidhën duke drejtuar goditjen e tyre të parë kundër Korkyrës dhe Apolonisë.
Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan edhe qëndrimin e tyre ndaj aleatëve dhe armiqve të shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar senati deshi t’u jepte atyre një provë më të qartë të pozitës së Republikës. Menjëherë pas përfundimit të traktatit të paqes, konsulli që mbeti në Iliri u dërgoi një delegacion etolëve dhe ahejve për t’u shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe të luftës në Iliri dhe për t’u bërë të ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve. Përfaqësuesit bënë çmos të justifikonin këtë iniciativë të Romës, duke nxjerrë në pah pasojat e “lumtura” që rridhnin prej saj për helenët. Kujdesit dhe mirësjelljes së tyre të shtirë, lidhjet e mëdha greke qenë detyruar t’u përgjigjeshin duke i pritur këto delegacione plot respekt dhe duke dhënë kështu, miratimin e tyre për këto veprime të Republikës. Më vonë delegatët vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare, Korinthin dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin më të vendosur të Maqedonisë dhe jo vetëm gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë më parë, u lejuan të merrnin pjesë në lojërat istmike. Krenaria greke ishte thyer dhe Roma kishte bërë në këtë drejtim hapin e parë konkret. Nga ana tjetër, Maqedonia, Epiri dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë Ilire, nuk u vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës Roma u dha të kuptojë atyre se në cilën anë ishin simpatitë e saj.

3. LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE

Përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia romake.
Lufta e dytë
Në vështrimin e parë mund të duket se punët në Iliri u rregulluan në atë mënyrë që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim të qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet politike treguan se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar. Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës, por është e sigurt se duke shtrirë pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua mjaft. Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai të ketë pasur edhe përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi për një kohë.
Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit nga miqësia me Romën, që u pasqyrua në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223 ai mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë, Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij luajtën një rol vendimtar në betejën e Selanisë. Këto veprime të Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin qartë tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia romake dhe preknin me këtë pozitën e Republikës në Iliri.
Është pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht për shkak të “indiferentizmit” që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve midis ilirëve dhe Republikës, që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të kuptuarit të këtyre marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim të hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës dhe të nënvleftësohet ndikimi që patën ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit të Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë. Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet e tij pas luftës së parë, kurse ai tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar i shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë e Republikës.
Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi ta frenonte Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë…”, por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në veprim të hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe së bashku me ta sulmoi anijet italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje të atintanëve, rezultat i së cilës qe largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje të veprimeve maqedone në Greqi, ai ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë në vitet e fundit gjendja për të qe bërë më e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë e luftës me galët, kurse në Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij, Filipi V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat e vendit.
Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq pas dështimit të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar më thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë e mbretit të athamanëve, që e kishte të tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër aleatëve të Maqedonisë. Shenja të mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri edhe më parë. Forca ilire të kundërta me të kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon qe detyruar të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar të merrte masa të rrepta ndaj kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte pushtetin miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë vendim, Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në takimin që pati me të mundi ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin se “do ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi pranoi të lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar e forcuar.
Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër, t’u shpallte këtyre luftë, por si përgjigje pati një kryengritje të “kleomenistëve”, miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë mënjanë çështjet e Ilirisë dhe Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit të ndërhyjë me forca të armatosura për të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: në perëndim kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të qarta shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.
Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për të dytën herë me ushtritë e tyre në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen kundër pikave më të rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit Dimale, kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë masat mbrojtëse që kishte marrë Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë. Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke u larguar fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit të Maqedonisë.
Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur në veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin 218. Me sa mund të gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi me ta marrëveshje e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar keq Republikën me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë.

Lufta për ribashkimin e shtetit ilir
Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë dhe në një kaos të brendshëm politik. Ndërsa Pineu u mbeti “besnik” romakëve, Skerdilaidi vepron ende më 218 si aleat i Maqedonisë, duke përkrahur Filipin në ndërmarrjet e tij detare të atij viti. Por i penguar nga komplotet dhe trazirat që i kishin shkaktuar dinastët e qyteteve të Ilirisë, nuk mundi të dërgonte më shumë se 15 anije, baras me gjysmën e atyre që kishte premtuar. Nga ana tjetër, kontingjente ilire, nën komandën e Demetrit vepronin krahas forcave maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm në operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve dhe aleatëve të tyre.
Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe për shkak të luftës së brendshme, e cila po ziente në qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet këtë si një luftë që zhvillohej në sferat e larta sunduese, midis dinastëve të qyteteve dhe sundimtarëve të lartë të shtetit ilir. Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte shumë më e ndërlikuar. Në situatën e rëndë që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në gjirin e shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj dhe shtresave të tjera të ulëta qytetare. Orientimet promaqedone dhe proromake, si edhe rrymat decentralizuese dhe centralizuese ishin shprehja e jashtme e saj.
Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi lufta midis Maqedonisë dhe Lidhjes Etole, në të cilën qenë tërhequr edhe ilirët përkrah aleatëve të njërës apo tjetrës palë, në perëndim shpërtheu lufta vendimtare midis Romës dhe Kartagjenës, e njohur si Lufta e Dytë Punike. Kontradiktat midis fuqive të mëdha mesdhetare dhe rezultatet e kësaj lufte patën një ndikim të thellë në orientimet politike të fuqive ndërluftuese në Greqi dhe rënduan edhe më shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me gjithë dështimet që kishte pësuar në vitin 217, Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues në Iliri për të bërë presion politik me qëllim që të ruante pozitat e saj në brigjet e Adriatikut dhe të mënjanonte një qëndrim eventualisht të kundërt nga ana e Pineut. Ajo nuk la mënjanë edhe Maqedoninë, të cilën e konsideronte si armike potenciale të saj. Të dërguarit e senatit i vunë në dukje Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit dhe se po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse Filipit i kërkuan dorëzimin e Demetrit pa përfilluar kështu pozitën e tij të pavarur.
Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla që nuk mund të mos errësonin këto hapa të senatit. Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm dhe ngjallën një shpresë për largimin e rrezikut romak, i cili qëndronte pezull mbi këtë vend qysh nga lufta e parë iliro-romake. Lajmi i fitores së Hanibalit, pranë liqenit të Trazimenit e bëri më të vendosur Filipin. I nxitur edhe nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të çlirohej nga lufta në Greqi për t’u drejtuar kundër Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët në Naupakt (verë e vitit 217), ishte hedhur në luftë kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon se një flotë e tij kishte dalë papritmas në Leukas, sulmoi dhe rrëmbeu disa anije të Filipit dhe pastaj vazhdoi lundrimin drejt Maleas, duke zënë e plaçkitur rrugës tregtarët. Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet i vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë, midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer sulme edhe kundër një pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete.
Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë, u gjend papritur në luftë me Filipin dhe u prish me të, Polibi e shpjegon në mënyrë të thjeshtëzuar. Ai thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar me mbretin maqedon, sepse “nuk i kishte dhënë të hollat që i detyrohej sipas marrëveshjes”. Një shpjegim i tillë nuk mund të jetë bindës edhe në qoftë se ky fakt është i vërtetë; shkaqe më të thella duhej të kenë tronditur marrëdhëniet e tij me Maqedoninë.
Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte kapërcimi i vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat e dinastëve të qyteteve. Në verën e vitit 217 ai i kishte eleminuar ato me sukses dhe mbase përmes tyre kishte arritur t’i jepte fund përçarjes politike që ekzistonte midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas kësaj ai u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe është fakt që për Pineun nuk bëhet fjalë më në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit, kurse për Maqedoninë kjo nuk mund të thuhet. Përveç premtimeve, Filipi, që përkrahte Demetrin, nuk i kishte dhënë atij asnjë ndihmë konkrete. Shtrirja e pushtetit të Skerdilaidit mbi qytetet e Dasaretisë, që u bashkuan me të vullnetarisht, nuk duhet të jetë mirëpritur në oborrin mbretëror në Pela dhe ka shumë të ngjarë që këtu të ketë zanafillën e vet edhe konflikti i armatosur midis sundimtarit ilir dhe Filipit.

4. LUFTA MAQEDONO-ROMAKE DHE NGJARJET NË ILIRI

Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë
Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për t’i rikthyer shtetit ilir Dasaretinë nuk ishte aspak e përshtatshme. Filipi sapo ishte çliruar nga lufta në Greqi dhe nuk kishte asnjë vështirësi për t’u drejtuar kundër tij. Aq më tepër që kjo ndërmarrje përputhej edhe me planin e tij të madh për të dalë në brigjet e Adriatikut prej nga ëndërronte të hidhej në Itali. Me një fushatë të shpejtë ai pushtoi qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë, deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi vitin tjetër ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar asaj këtë radhë nga deti. Pasi ndërtoi në skelat e Maqedonisë 100 anije, në verë të vitit 216 doli në ishujt e Jonit. Kur u sigurua se flota romake ishte larg, lundroi për në brigjet e Ilirisë. Në planin e tij ishte pushtimi i Apolonisë, të cilën e mendonte si bazën më të përshtatshme për aksionin e tij të ardhshëm. Por, kur iu afrua grykës së Aosit, mori papritur, lajmin se anijet romake ishin drejtuar për në Apoloni. Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit, flota maqedone u tërhoq në panik. Skerdilaidi që e kishte ndjerë rrezikun e një sulmi nga deti ua kishte bërë të ditur këtë gjë romakëve dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre. Në përgjigje të kësaj kërkese romakët shkëputën nga flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe dhe i dërguan në Apoloni. Ishte kjo skuadër e vogël që shkaktoi panik te maqedonët dhe dështimin e tyre.
Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze. I kërcënuar nga Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma, pasi kishte luftuar kaq vjet për të shpëtuar prej saj. Me agresionin kundër Ilirisë, Filipi kishte bërë një hap fatal për vetë fatin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi: kishte bërë që interesat e sundimtarit ilir të përputheshin detyrimisht me ato të Republikës. Që nga kjo kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës, duke i dhënë politikës së shtetit të tij një kurs të ri që do të ndiqej për rreth katër dekada me radhë.
Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit 217 u përcaktua edhe më qartë pas fitores së Hanibalit në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe Hanibali përfunduan një traktat aleance sipas të cilit zotoheshin të ndihmonin njëri-tjetrin në luftën kundër Romës. Në traktat nuk përfilleshin aspak interesat e shtetit ilir. Klauzola sipas së cilës romakët nuk duhet të mbeteshin “zotër të Korkyrës, as të Apolonisë e Epidamnit, as të Farit, as të parthinëve dhe Dimales, as të Amantisë”, i njihte praktikisht Maqedonisë të drejtën e sundimit në Iliri. Po të pranojmë se përfundimi i një aleance midis Kartagjenës dhe Maqedonisë ishte objekt bisedimesh qysh prej kohës së Dozonit dhe se qe vonuar për shkak të pavendosmërisë së Filipit, atëherë në dritën e klauzolës së sipërme ka arsye të mendohet se lakmitë e Maqedonisë kanë qenë prej kohësh një shqetësim për Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin e tyre në marrëdhëniet midis Skerdilaidit e Filipit.
Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja përcaktonte edhe zonat e veprimeve ushtarake. Në frymën e marrëveshjes të dyja palët ndërmorën në vitin 214 veprime të përbashkëta në Itali dhe Iliri. Ndërsa Hanibali sulmoi Tarentin, Filipi u drejtua sërishmi kundër qyteteve bregdetare të Ilirisë. Me një flotë prej 120 lembesh u fut në Aos dhe provoi të merrte Apoloninë, por shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë. Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut, të cilin e pushtoi me sulmin e parë, sepse nuk ishte aq i mbrojtur. Ndërkaq mbante të ngujuar Apoloninë dhe shpresonte ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët nuk do të ishin në gjendje ta shqetësonin në operacionet e tij. Por ndodhi e kundërta. Reagimi i romakëve qe i menjëhershëm: një flotë prej 50 anijesh pesërremëshe u nis nga Brindisi dhe pushtoi Orikun që Filipi e kishte lënë në duart e një garnizoni të vogël. Pastaj pa u vonuar forcat romake u gjendën në Apoloni, ku hynë natën pa u diktuar. Këndej së bashku me forcat e qytetit, sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin e gjetën krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë mbetën në fushën e betejës ose u zunë robër. Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën e lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta dhe u tërhoq nga toka për në Maqedoni me mbeturinat e ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi Filipit se plani për daljen në brigjet e Adriatikut dhe kalimi në Itali nuk ishte një punë e lehtë. Në të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin e sulmit të tij: nënshtroi atintanët, parthinët bashkë me qytetin e tyre Dimalin dhe u fut në tokat e ardianëve, duke u shtyrë në veri deri në Lis. Mendimi se atij iu nënshtrua edhe Skodra, madje se u shtri deri përtej lumit Narona, nuk qëndrojnë dhe kanë gjetur pak përkrahje. Veprimet e dy viteve të fundit dëshmojnë për një strategji të re politike-ushtarake të Filipit, që synonte të zgjeronte pushtimet në Iliri. Marrja e Lisit, megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk mund të lidhet me planin e vjetër të kalimit në Itali. Qyteti ishte shumë larg brigjeve të përtejme të Adriatikut dhe sa kohë që Dyrrahu dhe Apolonia ishin në duart e romakëve, çdo kalim përmes detit ishte i paracaktuar të dështonte. Duket më e besueshme që Filipi të jetë interesuar në këto çaste në radhë të parë për vendosjen e një sundimi të shëndoshë në Iliri me perspektivën e dëbimit të plotë të romakëve prej këndej, kurse plani i kalimit në Itali të ketë ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin padyshim një rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë zotërimet romake në Iliri dhe duke hyrë si pykë midis tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë të fundit prej romakëve.

Koalicioni antimaqedon
Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan. Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211), romakët filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë së armëve të tyre mbi Hanibalin. Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më 211 përfunduan një aleancë me etolët, në të cilën tërhoqën më vonë edhe disa shtete të tjera greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj politikës pushtuese të Filipit, romakët arritën kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion të fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi të siguronte më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku ilir; ndërmori papritur një ekspeditë kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri, sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në Aigon, mbretit iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore. Bisedimet dështuan dhe problemi në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria: “Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë rreth këtij sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky marshim kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë një rënie të luftës kundër mbretit maqedon. Romakët që deri atëherë kishin luftuar kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e betejës, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit të tyre për të larguar Filipin nga ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur në atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë me të shpejtë forca në Iliri. Në pranverë të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë të forcave të tyre me 15 anije në Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin e disa rrethanave, shprehën dëshirën për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda në Itali dhe aleanca me të kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët ishin të prirura për një paqe ose të paktën për një armëpushim të gjatë. Epirotët u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet, Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është përfshirë edhe sundimtari i shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin. Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të drejtat që i njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës midis mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.

Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit V
Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia në Iliri nuk ishte aspak e favorshme për Republikën, por ajo e bënte këtë hap vetëm e vetëm që të çlirohej dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar se për të nuk kishte rrugë tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan dhe në Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg veprimesh diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një aleancë me Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke u shtrirë deri në Helespont, shtoi presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri që i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët.
Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy të mirë forcimin e pozitave të tij në Lindje.
Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë të vitit 200 dy legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të lumit Aps. Këtej filloi sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky qytet i rëndësishëm ishte pika më e përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe në rrugën që kalonte përmes luginës së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën para mureve të tij. Komandanti romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën e marrëveshjes, por paria, duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita e tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet. Atëherë romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj romakët pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe Knidin dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë. Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën kundër Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr etolët përsëri në luftë dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë të ethshme për fushatën e stinës së ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i Lidhjes etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim që të mënjanonte rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni, dërgoi forca për të mbyllur grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku në afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe të Pleuratit, që mendonte se do t’i vinte përmes luginës së Genusit në drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli, Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë i hapi rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi luginën e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu në Maqedoni. Në këtë kohë romakët u kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli la këtu një garnizon dhe si mori me vete plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje të mëdha për të përballuar pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe etolët, të cilët pas sukseseve të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri në luftë kundër mbretit të Maqedonisë. Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199 Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij u ngritën përsëri etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake u shpërngulën në jug, në luginën e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin treguar romakëve se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë ishte e lidhur me vështirësi serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej kërkuar një rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit që të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve në luftë gjendja në jug ishte bërë më e favorshme për romakët, prandaj depërtimi në zemër të Greqisë përmes luginës së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi në pranverë të vitit 198 një pjesë të forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke menduar se romakët mund të merrnin rrugën përmes luginës së Drinos dhe fushës së Malësisë për të dalë në Thesali. Mbas disa ditësh arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen, vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër një rrugë më të vështirë, por më të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali. Pa lëshuar grykën e Antigonesë ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e krahut të majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën e Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut) dhe rrugën që kalonte nga kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë të dyja grykave qëndruan për një kohë të gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat e mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe përpjekjet për të arritur në një marrëveshje, por Filipi shpresonte në rezultate më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një dalje në shpinë të Filipit me ndihmën e njërit prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga mbrapa dhe i goditur me forcë në ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet e tij të fuqishme dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur armikun, romakët u bënë shumë shpejt zotër të një pjese të mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që nuk kishte hyrë në konflikt të armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe Lidhja Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar në Thesali. Në betejën që u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi mori goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushtet e paqes qenë shumë të rënda. Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia dhe nga zotërimet e tij aziatike, t’u kthente romakëve tokat e pushtuara në Iliri që ishin njohur nga paqja e Foinikes dhe të prishte flotën, duke e zbritur atë në pesë anije. Për të kënaqur kërkesat e aleatëve të tyre, romakët bënë shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur kundër Filipit, gjë që e thelloi edhe më tepër përçarjen politike në Greqi. Me pushtimin e Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët i zgjeruan zotërimet e tyre në Iliri dhe e shtynë kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit i njohën të drejtën mbi parthinët dhe Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan kufijtë e shtetit ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë kështu edhe shtetin ilir në kontakt direkt me Maqedoninë në kufijtë e vjetër lindorë.
Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë e vjetër e të ngushtë të Maqedonisë dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk kishin ndërmend të asgjësonin tani për tani shtetin maqedon dhe as të shfarosnin vetë Filipin. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve grekë lidhur me këtë çështje, konsulli u tha se “ishte e qartë se liria e Greqisë kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë, por po të shkatërrohej kjo mbretëri … trakët, ilirët, grekët … do të dyndeshin në Greqi”.

Pasojat e luftërave romako-maqedone për Ilirinë
Luftërat që u zhvilluan në truallin ilir gjatë çerekut të fundit të shek. III p.e.sonë patën pasoja të rënda për Ilirinë.
Mbretëria e cunguar dhe e dobësuar ilire, pasi kishte dështuar në përpjekjet e saj për të dalë nga gjendja e krijuar prej dy luftërave të mëparshme, u gjend këtë radhë në një aleancë të detyruar me Romën. Si e tillë asaj i takoi të mbante një pjesë të peshës së luftës në dobi të Republikës. Krahinat në jug, që ishin shkëputur nga mbretëria prej kohësh, u kthyen në rezerva strategjike të Romës; qytetet e parthinëve dhe të atintanëve qenë detyruar të kontribuojnë në këto luftëra pushtuese të Romës me trupa ndihmëse dhe të strehojnë e të furnizojnë ushtritë pushtuese. Duke u kthyer në fushë lufte, këto krahina kaluan herë në duar të romakëve, herë të maqedonëve dhe më se një herë u grabitën dhe u shkretuan.
Gjatë luftës së dytë maqedone u dëmtua në mënyrë të veçantë Dasaretia. Qytetet e saj u plaçkitën e u rrënuan; Antipatrean e shkatërruan nga themelet dhe popullsia e saj u masakrua; Pelioni u plaçkit dhe i morën skllevër banorët e qytetit që përbënin forcën prodhuese kryesore; fshatarësia dasarete u detyrua të braktiste vatrat e saj dhe të merrte malet në kohën kur ushtritë pushtuese romake grabisnin hambaret e saj.
Luftërat e vazhdueshme ndikuan rëndë edhe mbi gjendjen ekonomike të Dyrrahut dhe të Apolonisë. Si aleatë të Romës këto qytete qenë detyruar të përballonin një varg detyrimesh ushtarake dhe ekonomike. Dyrrahu, i cili mbeti pak i mënjanuar nga teatri kryesor i veprimeve luftarake, duket se i përballoi më me lehtësi këto detyrime. Ruajtja e standardeve dhe e simboleve tradicionale në prerjet e tij monetare dëshmon për një farë stabiliteti në jetën ekonomike e politike të qytetit. Por Apolonia, e cila shërbeu si kryeura e zbarkimit të trupave romake në Iliri dhe si pika më e synuar e maqedonëve në kundërveprimet e tyre ndaj Romës, e ndjeu më shumë peshën e luftës. Barra e rëndë e detyrimeve që rridhnin nga aleanca me Romën dhe shkretimi i tokave nga sulmet e Filipit V e rënduan shumë gjendjen ekonomike të këtij qyteti. Për ta përballuar këtë gjendje apoloniatët u detyruan të intensifikojnë prerjen e monedhave prej bronzi dhe të hidhnin në treg variante të reja monedhash që ndryshojnë herë pas here simbolet e tyre. Me detyrime të rënda ngarkuan romakët edhe qytetet e afërta me Apoloninë: Bylisin, Orikun dhe Amantien. Është për t’u shënuar se në këtë kohë monedhat e këtyre qyteteve huazojnë simbolet e prerjeve apoloniate, gjë që u imponohet me dashje ose pa dashje, nga nevoja për të përballuar së bashku peshën e luftës.
Kështu, paqja e vitit 196 e gjeti Ilirinë të raskapitur nga luftërat e gjata dhe të dobësuar ekonomikisht e politikisht.

5. LUFTA E TRETË ILIRO- ROMAKE.
RËNIA E SHTETIT ILIR

Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit 196.
Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri
Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189.
Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.
Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës. Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.
Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë mendim.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.

Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë
Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.
Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë titulli dhe emri i mbretit.
Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta i detyroi të respektojnë standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës.
Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës; njëra me portretin e mbretit – anijen ilire, dhe tjetra me mburojë – përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat nëndarjet e tij.
Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë – pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije, të prera në emër të bashkësisë qytetare (??ss?t??, ?aß?at??, ?a??s??) dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.
Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.
Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.
Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit.
Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.
Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.
Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme. Çdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit; kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.
Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.

Politika e jashtme e Gentit
Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.
Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.
Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.
Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.

Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake të vitit 171
Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000 vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.
Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë 43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme, fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire. Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë Ilire. Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të duhen kërkuar në veri të Genusit. Është për t’u shënuar se si për rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

Fushata e Perseut në Iliri në dimrin e vitit 170/169.
Aleanca iliro – maqedone
Gjendja në frontin thesal edhe në vitin 170 mbeti e pandryshuar. Në Iliri përkundrazi u zhvilluan ngjarje të rëndësishme. Në verën e këtij viti romakët i shtuan forcat e tyre rreth Mbretërisë Ilire. Garnizoni i Isës që kishte më parë vetëm 12 anije të vogla vendase u përforcua me 18 anije të tjera pesërremëshe dhe 2 000 ushtarë, që do të ishin të gatshëm për çdo rast kundër Gentit. Nga ana tjetër, Senati dërgoi në Iliri edhe 4 000 këmbësorë dhe kjo forcë u rrit më vonë me 8 000 veta, me trupat ndihmëse që u mobilizuan midis aleatëve të Romës. Kështu forcat romake nga 5 000 që ishin në fillim të konfliktit u rritën në vitin 170 në 15 000 veta. Kjo forcë e konsiderueshme që ushtronte presionin e vet të vazhdueshëm mbi Mbretërinë Ilire, kishte krijuar një gjendje lufte të pashpallur.
Gjendja e krijuar në Iliri shqetësonte mjaft edhe Perseun, sundimtarin e Maqedonisë. Forcat romake që ishin grumbulluar këtu po bëheshin një rrezik gjithnjë më serioz për të dhe po e ngushtonin Gentin që ai e quante aleatin e tij të natyrshëm. Prandaj, pasi përfundoi fushatën kundër dardanëve, Perseu vendosi t’i godiste pozicionet romake në Penesti dhe, duke u shtyrë në thellësi të Ilirisë, të vendoste kontaktet me Gentin. Si kohë të përshtatshme për këtë ekspeditë, Perseu zgjodhi mesin e dimrit (dhjetor-janar 170/169), kur një sulm romak kundër Maqedonisë nga ana e Thesalisë ishte pothuajse i pamundshëm, meqenëse bora e madhe i bënte të pakapërcyeshme malet që ndanin këto dy vende. Pasi përqendroi një forcë goditëse prej 12 500 vetash në Stuberë u drejtua kundër Uskanës, qytetit më të madh të tokës së penestëve dhe e rrethoi atë. Mbas një qëndrese të vogël garnizoni romak prej 4 000 vetash dhe forcat ndihmëse të mobilizuara tek ilirët u dorëzuan. Romakët i ndanë në grupe të vogla dhe i shpërndanë nëpër qytete për t’i mbajtur në rojë, kurse uskanasit dhe ilirët e zënë rob i shitën.
Pas kësaj Perseu u drejtua kundër qytetit Oene, që zinte një pozitë strategjike në rrugën për në krahinën e labeatëve, qendër e mbretërisë së Gentit. Por më parë iu desh të nënshtronte një varg kështjellash, midis të cilave Draudakun, një qendër e fortë dhe me një popullsi të dendur, që zinte një vend me rëndësi në mbrojtjen e Oenes. Vetëm pasi zuri këto kështjella dhe bashkë me to edhe garnizonet e vogla romake, gjithsej 1 500 veta, Perseu arriti në Oene. Qyteti ishte vendosur në një vend të mbrojtur mirë nga lumi që i kalonte pranë dhe një mal i lartë në shpinë të tij. Meqenëse nuk pranoi të dorëzohej, mbreti qe i detyruar ta merrte me forcën e armëve pas një rrethimi të gjatë e të lodhshëm. I zemëruar, Perseu urdhëroi të masakroheshin të gjithë burrat; gratë e fëmijët i mori rob dhe qytetin ua la ta plaçkisnin ushtarakëve.
Pas kësaj fitoreje ekspedita i kishte arritur objektivat e saj: kishte larguar njëherë për njëherë rrezikun e një invazioni romak nga perëndimi dhe kishte çelur rrugën për tek Genti. I kënaqur Perseu u kthye në Stuberë dhe menjëherë u kujdes për të hyrë në lidhje me mbretin ilir, aleancën me të cilin në këtë çast e çmonte shumë. Për këtë qëllim, nisi dy përfaqësues të vet, Adeun nga Maqedonia, dhe ilirin Pleurat, i cili gjendej pranë tij i mërguar dhe që do të shërbente si përkthyes. Delegatët u porositën të informonin Gentin mbi rezultatet e luftës kundër romakëve dhe dardanëve, në mënyrë të veçantë t’i vinin në dukje fitoret që kishte korrur Perseu gjatë fushatës së fundit në Iliri dhe t’i propozonin aleancë. Pasi përshkuan një rrugë të gjatë, përmes krahinave malore të Ilirisë delegatët arritën në Skodra. Genti ndodhej në Lis, prandaj i ftoi ta gjenin atje. Bisedimet që filluan këtu në janar të vitit 169 dhe që u rimorën disa herë gjatë këtij viti, përfunduan vetëm në janarin tjetër të vitit 168. Që në takimin e parë Genti e pranoi idenë e një aleance, por u tha të dërguarve të Perseut se nuk kishte armë dhe të holla të mjaftueshme për t’u shpallur luftën romakëve. Pas kësaj përgjigjeje të Gentit, tradicioni antik dhe pas tij gjithë historiografia moderne, kanë parë gjithmonë lëkundjet dhe pavendosmërinë e mbretit ilir për t’u prishur haptazi me romakët dhe dëshirën e tij për të përfituar sa më shumë të holla. Perseu, nga ana tjetër, paraqitet gjatë traktativave si një koprac që do t’ia arrijë qëllimit me një çmim sa më të lirë, prandaj humbet kohën me bisedime të zgjatura dhe pa rezultat. Nuk ka dyshim se qëndrimi proromak i Polibit, që i transmeton këto bisedime, ka bërë që të errësohet përmbajtja racionale e këtyre traktativave. Rezerva që bën Genti në lidhje me mungesën e armëve dhe të të hollave dëshmon vetëm se ai ishte i papërgatitur për të hyrë në luftë. Kjo vërtetohet edhe me atë që një vit më vonë ai do ta bënte këtë pa ngurrim. Fakti që Genti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Perseut tregon se midis tyre kishte, me sa duket, vështrime të ndryshme të karakterit taktik për çështjen e luftës. Ndërsa mbreti maqedon, mbasi kishte hyrë në luftë, donte që me aksionet e tij ushtarake dhe politike t’u imponohej romakëve, t’i bindte se ishte e pamundur fitorja mbi maqedonët, dhe t’i bënte të pranonin një zgjidhje kompromisi, Genti që e shikonte ende të balancuar forcën romake me atë maqedone, donte të fitonte kohë për një përgatitje të mjaftueshme para se të hynte në luftë, në qoftë se kjo do të ishte e pashmangshme.
Ndërsa këta dy sovranë mendonin dhe vepronin me mënyrën e tyre, romakët merrnin masa për të kaluar në veprime vendimtare. Në muajt e fundit të dimrit të vitit 169, aksionet e tyre në Iliri ishin ende të parëndësishme: ata ndërmorën një sulm që përfundoi pa sukses, për të ripushtuar Uskanën dhe më pas u kujdesën që të forconin kontrollin mbi krahinat e pushtuara të Ilirisë, duke marrë për këtë qëllim pengje nga parthinët dhe disa qytete të penestëve, që kishin mbetur në duart e tyre. Romakët nuk patën sukses në një aksion që ndërmorën në Epir. Por në prag të verës gjendja ndryshoi. Në frontin thesal romakët, me një manovër të shkathët kaluan masivin e Olimpit dhe papritur u gjendën në Maqedoni, duke e detyruar Perseun të tërhiqej në pozita të reja mbrojtëse.
Ndërkaq forcat romake në Iliri u rritën në 30 000 veta. Në numrin e përgjithshëm të forcave tokësore dhe detare që përqendroi Republika në fillim të vitit 168, kjo ishte një fuqi e konsiderueshme. Në kundërshtim me tendencën e historiografisë antike dhe moderne për të minimizuar rolin e Mbretërisë Ilire, kjo shifër tregon qartë se ç’vend zë ajo në këtë luftë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit, sa kohë që Roma qe detyruar të drejtonte kundër saj një forcë të tillë ushtarake.
Përpjekjet që u bënë nga Perseu gjatë dimrit 169/168 për të gjetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke përdorur si ndërmjetës shtetet helenistike, dështuan. Në këto rrethana u bë e qartë se fati i luftës do të zgjidhej vetëm në fushën e betejës.
Në janar të vitit 168 bisedimet midis përfaqësuesve të Perseut dhe Gentit morën fund pasi pala maqedone kishte marrë përsipër të jepte një ndihmë financiare prej 300 talentesh për nevojat e luftës dhe “gjithë sigurimet e domosdoshme”. Kjo frazë që mbase nënkuptonte rregullimin e gjithë marrëdhënieve midis dy mbretërive gjatë dhe mbas luftës, mbetet për fat të keq te Polibi e papërfunduar. Menjëherë pas kësaj Genti ratifikoi marrëveshjen në Meteon dhe pasi bëri betimin, u dorëzoi përfaqësuesve të mbretit maqedon pengjet. Perseu që i jepte një rëndësi të veçantë kësaj aleance, në këtë çast kritik për Maqedoninë, e shpalli përfundimin e marrëveshjes me një solemnitet të veçantë: ai organizoi në Dium ceremoninë e betimit dhe të këmbimit të pengjeve në prani të kalorisë maqedone, duke llogaritur kështu edhe efektin psikologjik që do të kishte kjo ngjarje në trupat e tij.
Përveç delegacionit që asistoi në ceremoninë e ratifikimit të marrëveshjes, Genti dërgoi në Maqedoni edhe dy përfaqësues, të cilët së bashku me një delegacion maqedon do të shkonin në Rod për ta tërhequr këtë fuqi detare në aleancën e tyre. Këtij misioni sovranët i jepnin një rëndësi të madhe, sepse sipas tyre po të bënin për vete këtë qytet, romakëve nuk do t’u mbetej asnjë shpresë për fitore as në tokë, as në det. Ata kishin shumë besim në suksesin e këtij misioni, sepse edhe Rodi, me pozitën hegjemone në Mesdheun Lindor nuk e donte daljen e Republikës në këto anë.
Pas kësaj Genti mori qëndrimin e parë të hapur kundër romakëve, të cilët kohët e fundit kishin riaktivizuar diplomacinë e tyre për ta bërë për vete mbretin ilir. Dy delegatë që senati kishte dërguar për këtë qëllim i arrestoi dhe menjëherë kaloi në masat efektive për fillimin e veprimeve luftarake. Në këtë pikë tradita polibiane i atribuon Perseut një veprim të pandershëm që e shpjegon me vesin e tij të kopracisë. Sipas Polibit, mbreti maqedon i bindur se me këtë hap Genti ishte komprometuar në marrëdhëniet me romakët, ndërpreu dërgimin e ndihmës financiare, lejoi vetëm dërgimin e 10 talenteve, kurse shumën tjetër të parave, të vulosura me simbole ilire, që kishte arritur në kufi, urdhëroi ta kthenin mbrapsht. Ky pasazh i Polibit, për vërtetësinë e të cilit e mbrojnë me forcë edhe autorë modernë, është vënë në dyshim me të drejtë, si një shprehje e qëndrimit të tij, përgjithësisht armiqësor ndaj Perseut, ashtu sikurse edhe ndaj Gentit, figurat e të cilëve ky historian dhe pas tij gjithë burimet antike i paraqisnin në një dritë të rreme.

Lufta e tretë iliro-romake
Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm në Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise të tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.
Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar në Lis një forcë të konsiderueshme prej 15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin e dërgoi me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës, në veri për të nënshtruar fisin e Kavëve. Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i mbylli dyert Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të veriut.
Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar ndërkaq forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më të mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës, u gjendën para mureve të Skodrës. Boshllëku që është krijuar në tekstin e Livit nuk jep mundësi për të njohur hollësitë e këtyre veprimeve luftarake.
Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra. Ai shpresonte shumë në këtë qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt. Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të përballonte me sukses një rrethim të gjatë. Por mbreti nuk diti ta organizonte mirë mbrojtjen. Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike, dhe i theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.
Dhjetë ditë më vonë pas rënies së Skodrës, në betejën që u zhvillua në Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëherësh me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte u dërguan në Romë.
Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak.

Copëtimi i tokave të shtetit ilir
Menjëherë pas mbarimit të luftës romakët u morën me ndarjen administrative të tokave të shteteve të mundura. Senati romak i shpalli “të lirë” ilirët e maqedonët; në të vërtetë, sikurse e treguan ngjarjet e mëvonshme, ai shpalli humbjen e pavarësisë së tyre. Në një mbledhje që u bë në Skodra, në vitin 167 p.e.sonë, ku morën pjesë pesë të dërguar të posaçëm nga Roma dhe përfaqësuesit e parisë ilire proromake, komandanti i ushtrisë Lue Anici shpalli vendimet e senatit romak. Tokat e shtetit ilir u ndanë në tri njësi administrative të veçanta. Në krahinën e parë, me qendër Lisin, qenë përfshirë tokat përreth këtij qyteti deri te lumi Mat në jug. Njësia e dytë administative përbëhej nga krahina e banuar prej labeatëve, qendra e së cilës ishte Skodra. Në krahinën e tretë bënin pjesë viset bregdetare ilire në veri të Skodrës deri te lumi Narona, duke përfshirë qytetet Rizen e Olcin. Pushtuesit romakë shpallën gjithashtu se të gjithë ilirët, që nuk ishin bashkuar me Gentin në luftën kundër Romës nuk do të paguanin taksa, kurse ilirët e tjerë do t’i jepnin shtetit romak gjysmën e taksave që i kishin paguar mbretit Gent. Romakët larguan nga qytetet dhe kështjellat ushtritë e tyre dhe në krye të njësive administrative të formuara rishtas vunë përfaqësues nga paria ilire, përkrahëse të politikës pushtuese të Romës në Iliri.
Çfarë fshihej prapa “Lirisë” së dhënë nga Roma? Për të kuptuar këtë duhet marrë parasysh pohimi i autorëve antikë, që theksojnë se Iliria e Maqedonia, të mundura ishin vënë “nën pushtetin e popullit romak” dhe se ilirët e maqedonët do të jetonin “të lirë” vetëm mbasi romakët t’u jepnin atyre kushtetutën, duke rregulluar ligjet dhe duke caktuar taksat. Pastaj tri krahinat ilire të ndara dhe të bazuara mbi autonominë e “civitates-ve” bashkësive, do të kishin organet e tyre administrative, por nuk do të kishin të drejtë për të pasur asnjë lloj marrëdhënie gjinie, ekonomike e politike midis tyre. Në këtë mënyrë ndërpriteshin lidhjet ekonomike, bëhej i pamundur një bashkim ushtarak i tyre dhe shmangej kështu rreziku i një kryengritjeje.
Krahinat e qytetet ilire në jug të lumit Mat, të cilat nuk kishin bërë pjesë në shtetin ilir të Gentit, sundimtarët e paria e të cilëve qysh në dy luftërat e para iliro-romake kishte mbajtur krahun e Romës, siç qenë parthinët e atintanët, romakët i mbajtën nën protektoratin e tyre. Të tjerët që nuk kishin marrë pjesë në luftë, si bylinët, amantët, dasaretët etj., i lanë përsëri më vete. Qytetet greke Korkyra, Apolonia e Dyrrahu ruajtën autonominë e tyre, por mbetën baza të rëndësishme ushtarake për veprimet luftarake të mëvonshme të Romës në Ballkan. Për pjesëmarrjen në luftën kundër shtetit ilir senati romak u ndau atyre 220 anijet që ishin pjesë e plaçkës së zënë në Iliri.
Në tokat e shtetit të Epirit, ku romakët kishin hasur gjatë veprimeve ushtarake një qëndresë të fortë, pas shkatërrimeve të mëdha, pas masakrave që bënë legjionet romake dhe shndërrimit në skllevër të një pjese të madhe të popullsisë, u vendos një regjim i rreptë ushtarak. Vetëm qytetit Foinike, bashkë me një territor të vogël të banuar nga kaonët, romakët u lanë një farë autonomie, sikurse tregojnë disa mbishkrime dhe monedhat e prera prej këtij qyteti.
Kështu pas mbarimit të luftës së tretë iliro-romake, Iliria e Jugut u copëtua ekonomikisht e politikisht. Të vëna nën protektoratin e Romës ose duke pasur një farë autonomie, krahinat e qytetet ilire nuk mundën të zhvillonin si më parë ekonominë e tyre. Disa degë të prodhimit, si nxjerrja e metaleve e ndërtimi i anijeve u ndërpre dhe kaluan në duart e romakëve. Megjithëse disa qytete të Ilirisë së Jugut vazhduan prerjen e monedhave autonome, qarkullimi monetar dhe marrëdhëniet tregtare nuk kishin më atë intensitet që kishin pasur para luftërave iliro-romake. Në këtë kohë u forcua edhe më tepër pozita e shtresës së pasur ilire, e skllavopronarëve të mëdhenj, të cilët e mbështetnin politikën e Romës dhe kërkonin të përfitonin nga rrethanat e reja ekonomike e politike për të shtuar pronat e pasuritë e tyre.
Kjo gjendje që u krijua në Ilirinë e Jugut në fund të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë nuk zgjati shumë. Ajo qe e varur në përgjithësi nga politika që Republika do të ndiqte në Gadishullin Ballkanik dhe nga synimet pushtuese të saj. Dy ngjarje që ndodhën brenda një kohe të shkurtër, agresioni romak ndaj krahinave veriore ilire dhe kthimi i Maqedonisë në provincë e bënë të qartë qëndrimin që do të mbante Roma kundrejt ilirëve. Romakët, pas kryengritjes maqedone të vitit 149 p.e.sonë, krijuan provincën e Maqedonisë dhe përfshinë në të të gjitha krahinat ilire në jug të lumit Mat.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s