JETA POLITIKE NË TROJET SHQIPTARE. KRYENGRITJET E ARMATOSURA

K R E U   II

JETA POLITIKE NË TROJET SHQIPTARE.
KRYENGRITJET E ARMATOSURA
(SHEK. XVI – MESI I SHEK. XVIII)

1. KRYENGRITJET E ARMATOSURA TË SHEK. XVI

Kryengritja e Himarës
Gjatë shek. XVI vatër e kryengritjeve u bënë veçanërisht tri krahina: Labëria, Dukagjini dhe Malësia e Madhe.
Labëria u përfshi në sistemin e timarit gjatë periudhës midis viteve 1492-1506, por banorët e kësaj treve të gjerë e vazhduan qëndresën e tyre kundër këtij sistemi. Më 1507 fshatrat Veliqot, Dragot, Vasiar, Tatzat, Kudhës, Dhërmi, Kallarat etj., vazhdonin të mos paguanin xhizjen dhe me armë në dorë u kundërshtonin spahinjve. Në vitin 1537 fshatarësia labe organizoi një kryengritje të madhe që shqetësoi edhe sulltanin për shkak se, ashtu si më 1492, kjo u bë pengesë për zbatimin e planeve që po përgatiste Sulejmani II për të pushtuar Italinë. Nënshtrimi i Labërisë do të shërbente si bazë operacionesh për të kaluar në bregdetin perëndimor. Mirëpo qeveritarët e sanxhakut të Vlorës, me forcat e tyre ushtarake, nuk qenë në gjendje ta shtypnin kryengritjen. Ashtu si Bajazidi II, edhe sulltan Sulejman Ligjvënësi vendosi të bënte me këtë rast një rrugë e dy punë, të nënshtronte Labërinë, për të nxjerrë të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk u ishin paguar spahinjve dhe shtetit, dhe pastaj të hidhej me flotën e tij në bregun tjetër të detit Adriatik. Për këtë qëllim, në pranverën e atij viti ai u nis në drejtim të Shqipërisë dhe në muajin korrik 1537 e vendosi kampin ushtarak në afërsitë e Vlorës. Në të njëjtën kohë arriti para bregdetit të Himarës edhe flota osmane.
Ardhja e ushtrisë perandorake në Shqipërinë Jugore u bë shkak që tërë krahina e Labërisë të ngrihej në luftë. Filluan sulmet kundër kampeve ushtarake osmane dhe karvaneve ushqimore.
Për të shtypur kryengritjen sulltani ngarkoi Vezirin e Madh, Ajaz Pashën, me prejardhje nga Himara, i cili i njihte shtigjet e këtyre krahinave. Por nuk e pati të lehtë t’i shtypte kryengritësit shqiptarë. Pasi u qëndruan me trimëri sulmeve armike, kryengritësit me shkathtësi të madhe kaluan në kundërsulme të shpeshta.
Luftimet vazhduan gjatë verës së vitit 1537, por pushtuesit nuk mundën ta shtypnin kryengritjen. Gjatë këtyre sulmeve, një himariot i quajtur Damian hyri në kampin perandorak për të vrarë sulltanin, por nuk ia arriti qëllimit, sepse u kap nga rojet. Gjersa iu pre kryet, Damiani u qëndroi torturave dhe nuk u tregoi armiqve pozitat e bashkëluftëtarëve.
Sukseset e kryengritësve shqiptarë të korrura në këto luftime të pabarabarta, i dhanë kohë mbretit të Napolit për të organizuar mbrojtjen e vendit nga inkursionet e flotës osmane. Nga ana tjetër, ato e detyruan sulltanin të ndërpriste sulmet në bregdetin perëndimor dhe të hiqte dorë nga zbarkimi në Pulje. Kontributi i madh i shqiptarëve për mbrojtjen e Italisë prej një shkatërrimi të mundshëm osman, pasqyrohet qartë në dëshmitë e një relatori bashkëkohës, i cili shkruante: “Kur çdo gjë … ishte gati për të kaluar në Pulje, … shqiptarët, kryesisht himariotët, u shkaktuan ushtarëve të sulltanit pengesa e trazira të mëdha… Këta … u bënë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja, dhe ajo mbretëri (e Napolit) nga një rrënim i madh dhe nga zjarri që u rrinin mbi kokë”. Me këtë rast sulltani, me qëllim që të forconte sundimin e vet në krahinat e bregdetit shqiptar, vendosi të pushtonte ishullin e Korfuzit, që ishte nën pushtetin venedikas.
Edhe për pushtimin e Korfuzit shqiptarët u shkaktuan trupave të sulltanit pengesa të mëdha. Për një muaj të tërë ata nuk i lejuan forcat osmane të kalonin nga Vlora gjatë bregdetit të Himarës. Këto forca u detyruan të ndërronin drejtim dhe të ndiqnin rrugën Tepelenë-Gjirokastër-Delvinë gjersa dolën në bregdet përballë ishullit të Korfuzit. Kampi perandorak u vendos në Butrint.
Lufta e kryengritësve labë u dha mundësi venedikasve të përforconin ndërkohë mbrojtjen e ishullit, prandaj edhe sulmi osman kundër Korfuzit dështoi. Megjithëkëtë, sulltani nuk u largua pa bërë edhe një përpjekje për të nënshtruar krahinën kryengritëse të Kurveleshit. Për këtë qëllim ai urdhëroi të ndërtohej kështjella e Cerjes (në Mesaplik). Por në shtator, duke hequr dorë nga pushtimet e ëndërruara drejt Italisë dhe pa arritur ta nënshtronte plotësisht Labërinë, pasi i vuri zjarrin Butrintit, sulltani u largua nga bregdeti jugor shqiptar për në Stamboll.
Ndërkohë qeveritarët lokalë, me ndihmën e forcave të pushtetit qendror, më së fundi arritën t’i nënshtronin, qoftë dhe përkohësisht, krahinat kryengritëse të Kurveleshit dhe të Himarës, por duke u njohur privilegjin e vetëqeverisjes.

Kryengritjet antiosmane në gjysmën e dytë të shek. XVI
Në një kohë me nënshtrimin e krahinës së Labërisë në jug, qeveritarët osmanë i shtuan përpjekjet për të forcuar pozitat e tyre edhe në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, në krahinat fushore si edhe në ato malore të vetëqeverisura. Duke i nisur sulmet e tyre nga kështjellat e Shkodrës, e Podgoricës, e Zhabjakut, e Medunit, e Plavës dhe nga qytezat gjatë rrugës Shkodër-Prizren, spahinjtë u përpoqën të depërtonin e të vendoseshin në çdo krahinë të kësaj treve. Malësorët dhe fshatarësia fushore iu përgjigjën këtyre sulmeve me një qëndresë të armatosur, e cila gjatë dhjetëvjeçarit 1560-1571 u shndërrua në një kryengritje të gjerë që përfshiu shumë krahina të Shqipërisë Veriore e të Mesme si dhe krahinën e Labërisë. Në mënyrë të veçantë kryengritja u përhap në Malësinë e Madhe, në zonën e Dukagjinit, të Dibrës, të Kurbinit dhe në krahinat fushore të Shkodrës, Lezhës, Mysjes, Ishmit etj.
Në muajt shkurt-prill 1560, më shumë se 500 fshatarë nga Reçi, Dardha e nga fshatra të tjerë të Lurës e të Dibrës së Poshtme, ngritën krye, vranë spahinjtë dhe u dogjën shtëpitë. Sulltani dërgoi Çaush Koçiun, njohës shumë i mirë i terrenit dhe ngarkoi për të shtypur kryengritjen forcat e sanxhakbejlerëve të Ohrit, Elbasanit e të Dukagjinit. Kryengritësit nuk mundën t’u bënin ballë ushtrive osmane. Pesë vjet më vonë flaka kryengritëse u përhap në nahijen e Pukës dhe në zonën midis liqenit të Ohrit e bregdetit, deri në krahinën e Mysjes. Rrugët u prenë ndërsa kryengritësit sulmuan kështjellat. Ashpërsia e Stambollit për shtypjen e kësaj kryengritjeje duket në urdhrin e sulltanit, ku thuhej: “të pabindurit t’i shkoni në shpatë, fëmijët dhe gratë e tyre t’i bëni robër, kurse pasuritë dhe plaçkat t’ua grabitni”.
Për shtypjen e kryengritjes, u mobilizuan forcat ushtarake të sanxhakbejlerëve të Ohrit, të Elbasanit dhe të Dukagjinit, por as këto forca të bashkuara, nuk arritën ta mposhtnin atë. Madje, gjendja u ashpërsua më tepër dhe kryengritja pak nga pak u përhap në të gjitha tokat e sanxhakëve të Ohrit, të Dukagjinit dhe të Shkodrës.
Në shkurt të vitit 1565 u ngritën përsëri malësorët e krahinave të Pukës, Iballës, Spasit, Mirditës dhe të Lumës. Vatra të rëndësishme të luftës u bënë sidomos fshatrat Riba, Rapi, Dushi, Kullumbria, Fandi i Vogël, Mirdita e Madhe dhe e Vogël, Qerreti i Sipërm e i Poshtëm, Ujmishti, Syroj etj. Kryengritësit prenë rrugën Shkodër-Prizren dhe i shtrinë sulmet e tyre në viset fushore. Ndërkohë kryengritja u përhap edhe në krahinat malore të Kelmendit, Kuçit, Pipërit si dhe në fshatrat e rrethinës së Shkodrës, si në Kakariq, Balldren, Trush i Sipërm dhe i Poshtëm, Reç, Obod, Shënkoll, Shas etj. Kryengritësit dëbuan përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe kundërshtuan t’i bindeshin legjislacionit osman. Krerët e tyre kishin zënë tani vendet e kadilerëve dhe të subashëve.
Kundër kryengritësve u hodhën forcat ushtarake të bashkuara të sanxhakbejlerëve të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Shkodrës, por edhe këto nuk arritën ta përmbushnin urdhrin e sulltanit “për t’u dhënë fund një herë e mirë trazirave në Shqipëri”. Kryengritjet vazhduan edhe pas vitit 1565, kur u bënë më të përgjithshme, meqenëse u shtrinë edhe në Shqipërinë Jugore.
Dy vjet më vonë (më 1567) ngritën krye përsëri malësorët e Labërisë. Forcat ushtarake të sanxhakbejlerëve të Vlorës dhe të Janinës hynë në thellësi të krahinës, ku ndëshkuan disa fshatra, duke i plaçkitur e djegur, por lëvizjen nuk mundën ta shuanin. Kryengritësit u hakmorën menjëherë, siç thuhet në një dokument bashkëkohës, “duke sulmuar lëmin e luftës të sanxhakbeut të Janinës, të cilin e thyen, e vunë në ikje, e plaçkitën dhe vranë më shumë se 800 turq”.
Në nëntor të vitit 1568, banorët e disa fshatrave të sanxhakëve të Dukagjinit dhe të Ohrit, veçanërisht ata të krahinave të Dibrës së Poshtme, Lumës, Mirditës, Mysjes u hodhën përsëri në kryengritje, vranë përfaqësuesit e pushtetit osman dhe refuzuan të paguanin xhizjen. Gjendja në vend nuk ishte qetësuar aspak. Pushteti osman në një varg krahinash u përmbys dhe kryengritjet vazhduan të shpërthenin dhe në vitin 1570, kur me krijimin e një gjendjeje të jashtme ndërkombëtare të favorshme, arritën kulmin e zhvillimit të tyre.
Në gjysmën e dytë të shek. XVI Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë së vet. Epërsia e saj ushtarake qëndronte jo vetëm në forcat tokësore, por edhe në fuqinë e madhe detare, me të cilën rrezikonte ishujt e deteve Egje e Jon, që ishin kryesisht nën sundimin e Republikës së Venedikut. Më 1570 një flotë e madhe osmane sulmoi ishullin e Qipros. Hyrja në veprim e kësaj fuqie të rëndësishme detare shqetësoi Venedikun dhe shtetet e tjera mesdhetare evropiane. Si rrjedhim, u formua një koalicion nga shtetet pjesëmarrëse kundër Perandorisë Osmane. Spanja, Papati e Venediku ishin më të interesuar në shpërthimin e kryengritjeve shqiptare, me të cilat synonin t’i gozhdonin osmanët në Shqipëri. Venediku kërkonte të mbronte me anë të kryengritjeve zotërimet e veta të Ulqinit e të Tivarit si dhe ishullin e Korfuzit. Pranë krerëve kryengritës u dërgua si përfaqësues i koalicionit princi roman Prosper Kolana. Krerët e lëvizjes kryengritëse shqiptare u vunë menjëherë në lidhje me koalicionin e shteteve evropiane, duke shpresuar të gjenin te ky koalicion një aleat të jashtëm, që do t’i ndihmonte për ta hequr qafe zgjedhën osmane. Prandaj me shpërthimin e luftës midis Perandorisë Osmane dhe koalicionit të shteteve evropiane, lëvizja kryengritëse shqiptare, që nuk ishte ndërprerë, mori hov më të madh dhe karakteri i saj çlirimtar doli në plan të parë.
Lëvizja mori një hov të tillë sidomos në krahinat e sanxhakëve të Shkodrës e të Dukagjinit. Përveç malësorëve u hodhën në luftë edhe banorët e rrethinës së Shkodrës, të cilët kishin vendosur lidhje me garnizonet e fortesave të Tivarit dhe të Ulqinit. Në shkurt të vitit 1570, 7 000 deri 8 000 kryengritës shqiptarë, të bashkuar me forcat e këtyre garnizoneve, sulmuan për tri ditë rresht qytetin e Lezhës, por nuk arritën ta çlironin. Pasi u bashkuan me malësorët dukagjinas, ata çliruan Ishullin e Lezhës. Ndërkohë ngritën krye edhe banorët e Mysjes, të Kurbinit e të Krujës, të cilët i shtrinë sulmet deri në kështjellën e Lezhës. Pas çlirimit të Ishullit të Lezhës, forcat e kryengritësve në bashkëveprim me forcat venedikase iu drejtuan Shkodrës dhe sulmuan qytetin. Mbrojtësve të Shkodrës u erdhi në ndihmë ushtria e ejaletit të Rumelisë, ndaj sulmi nuk pati sukses. I alarmuar nga përpjesëtimet e mëdha që mori kryengritja, pushteti qendror osman dërgoi forca të mëdha ushtarake dhe mundi ta kufizonte atë vetëm në viset malore.
Ndërkohë vazhduan luftimet veneto-osmane në bregdetin shqiptar e dalmat. Në qershor të vitit 1570 flota e Venedikut u përpoq të pushtonte Durrësin, por garnizoni osman mundi ta përballonte sulmin. Pas kësaj flota mori rrugën drejt bregdetit të Himarës, ku banorët prej kohësh ishin hedhur në kryengritje. Në bashkëpunim me stratiotët që erdhën me anije, himariotët shtinë në dorë kështjellën e Sopotit dhe çliruan të gjithë krahinën e Himarës. Por edhe kjo fitore nuk zgjati shumë. Forcat e sanxhakbejlerëve të Vlorës dhe të Delvinës, të përkrahura nga trupa të shumta jeniçere, që erdhën me flotën osmane, e shtypën kryengritjen dhe vendosën përsëri pushtetin e tyre.
Pastaj flota osmane kaloi në ujërat e Ulqinit për të bashkëvepruar me forcat ushtarake që vepruan kundër kryengritësve në sanxhakët e Shkodrës e të Dukagjinit. Pasi ishin çliruar tashmë nga pesha e madhe e kryengritjes së Veriut, forcat osmane rrethuan garnizonin venedikas të Ulqinit që qëndroi gjatë dhe u dorëzua vetëm në gusht të vitit 1571. Sanxhakbeu fitimtar e la të lirë garnizonin venedikas të shkonte në Raguzë, kurse popullsinë vendase shqiptare e ndëshkoi me egërsi të madhe. Një pjesë të qytetarëve i kaloi në shpatë, kurse pjesën tjetër, sidomos gratë e fëmijët, i mori me vete si skllevër.
Pak më vonë forcat e sanxhakbeut të Shkodrës rrethuan Tivarin, mirëpo garnizoni venedikas e dorëzoi qytetin pa luftë. Kështu kaluan edhe pjesët e fundit të truallit shqiptar nën zgjedhën osmane.
Në tetor të vitit 1571, flota e koalicionit të shteteve evropiane e shpartalloi flotën osmane në gjirin e Korintit, në afërsi të Lepantit. Por kjo fitore e madhe nuk u shfrytëzua, sepse kontradiktat që lindën midis pjesëmarrësve të koalicionit çuan shpejt në prishjen e tij. Republika e Venedikut, duke mos pasur më frikë nga epërsia osmane në det, u shkëput nga aleanca dhe lidhi paqe me Stambollin (1573).
Shpresat që kishin shqiptarët për të gjetur te Venediku një aleat të jashtëm, që do t’i ndihmonte në mënyrë aktive në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, morën fund kur venedikasit lidhën marrëveshje me osmanët dhe i braktisën kryengritësit në fatin e tyre. Nën presionin e forcave të mëdha ushtarake të sundimtarëve osmanë, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin nga Ishulli i Lezhës për t’u mbrojtur në malet e tyre (1574).
Me ekspeditat e shpeshta ushtarake që ndërmorën më vonë, sundimtarët osmanë arritën të përforconin pushtetin e tyre të lëkundur dhe më së fundi të futnin spahinjtë në të gjitha krahinat malore të sanxhakut të Shkodrës dhe të Dukagjinit. Depërtimi i spahinjve në këto malësi ishte i përkohshën.
Lëvizjet kryengritëse nuk pushuan edhe gjatë viteve 80-90 të shek. XVI. Ato u shtrinë në krahinat e Kuçit e të Kelmendit, Piprit, në sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit. Me 1586 qindra kryengritës kishin zënë Grykën e Kaçanikut, pasi kishin vrarë kadiun së bashku me familjen e tij. Përpjekja për të vjelë xhizjen në krahinën e Matit (1590) u bë shkak për kryengritjen në krahinat e Ohrit, të Dibrës e të Tetovës. Këtu, sipas burimeve bashkëkohore, vepronin 10 000 kryengritës shqiptarë. Megjithatë kryengritjet dështuan.
Për shtypjen e tyre u përdorën një sërë masash: forcat e armatosura dhe dhuna, ndërtimi i kështjellave të reja dhe vendosja e garnizoneve ushtarake, copëtimi i sanxhakëve të mëdhenj në më të vegjël, shpërngulja me forcë e kryengritësve nga zonat malore në ato fushore, kundërvënia e qytetarëve kundër fshatarëve, duke i falur nga disa taksa shtetërore, vrasjet, djegiet deri në marrjen rob të grave e të fëmijëve. Si përfundim i një vargu ekspeditash ushtarake, spahinjtë u vendosën edhe në krahinat malore të sanxhakut të Shkodrës dhe atij të Dukagjinit.
Fitorja e Lepantit u tregoi shteteve të ndryshme të Evropës se ushtria osmane nuk ishte “e pamposhtur”. Prandaj Fuqitë e Mëdha evropiane projektuan organizimin e ekspeditave të tjera ushtarake kundër Perandorisë Osmane, në të cilat një rëndësi të posaçme do të kishin edhe kryengritjet në Shqipëri. Spanja, Papati dhe pak më vonë Austria, u orvatën të vendosnin lidhje me kryengritësit shqiptarë, ato dërguan në Shqipëri misionarë të huaj dhe shqiptarë, me anën e të cilëve përpiqeshin të afroheshin me krerët shqiptarë.
Interesimi i këtyre shteteve gjeti një pritje të mirë në Shqipëri. Krerët e krahinave të ndryshme e shfrytëzuan rastin për të kërkuar nga shtetet e huaja ndihmë në armë e në mjete të tjera lufte, duke shpresuar, njëkohësisht, se do të gjenin tek ata aleatë në luftën e përbashkët kundër osmanëve. Më 1577 dhe 1581 himariotët i kërkuan papës t’u jepte ndihmë në të holla për të blerë armë kundër osmanëve. Si Papati, ashtu dhe Spanja e Austria, zakonisht u përgjigjeshin shqiptarëve me premtime dhe këshilla që të prisnin “kohë më të mira” për të filluar luftën kundër sundimtarëve osmanë.
Ndryshe nga këto, Republika e Venedikut mbajti një qëndrim të hapur armiqësor ndaj kryengritjeve shqiptare. Pas paqes që lidhi me turqit më 1573, ajo nuk kishte më interes t’i prishte marrëdhëniet me Perandorinë Osmane. Me shkatërrimin e flotës osmane në Lepant, kjo nuk e kërcënonte më epërsinë e Venedikut në det. Senati venedikas i trembej më tepër fuqisë së madhe detare të Spanjës dhe sidomos kalimit të saj në bregdetin shqiptar e ballkanik. Për t’i dalë para këtij rreziku, ai u përpoq që të asgjësonte çdo lidhje të shqiptarëve me Spanjën, duke mbytur që në lindje çdo kryengritje të tyre. Përveç disa krerëve dhe prelatëve që ishin nën ndikimin e tij, senati përdori çdo mjet që nga korruptimi me të holla e deri në komplotet e armatosura për të bërë që shqiptarët jo vetëm të mos fitonin lirinë me ndihmën e ndonjë shteti tjetër, por të bëheshin në një të ardhme shtetasit e tij. “Venedikasit, shkruante Gjergj Vlladenji, një personalitet shqiptar i njohur i shek. XVII, meqenëse pretendojnë të bëhen një ditë zotër të Shqipërisë, nuk lejojnë të çlirohet ky vend nga duart e të tjerëve, madje kur u bie në vesh ndonjë marrëveshje e tillë, ua zbulojnë vetë turqve, siç vepruan në vitet e kaluara kur qe fjala për të shtënë në dorë Shkodrën”. Një qëndrim të tillë mbajti Republika për gati 70 vjet (1573-1644).
Edhe shtetet e tjera evropiane, të interesuara për shpërthimin e kryengritjeve në Shqipëri, u përpoqën t’i përdornin këto në interes të planeve të tyre luftarake. Kur përgatiteshin të hynin në luftë kundër Perandorisë Osmane, ato u premtonin kryengritësve shqiptarë ndihma dhe i nxitnin të intensifikonin luftën. Por, kur lidhnin paqe me të, i linin pa ndihma dhe të vetëm përballë ekspeditave ndëshkimore osmane. Nga ana tjetër, secila fuqi evropiane, në rivalitet me të tjerat, duke dashur t’i lidhte krerët shqiptarë pas politikës së vet, shkaktonte me anën e premtimeve dhe mjeteve propagandistike që përdorte, përçarjen e forcave të kryengritësve vendas. Si rrjedhim, në fund të shek. XVI, krerët himariotë dhe një pjesë e atyre të Shqipërisë së Veriut e të Mesme me peshkopin e Stefaniskës (Shqipëria e Mesme) në krye, Nikollë Mekajshin, anonin nga Papati dhe Spanja. Të tjerë krerë të veriut nëpërmjet peshkopit të Zadrimës, Nikollë Bardhit, mbanin anën e Venedikut. Nga mbarimi i shek. XVI disa krerë të veriut dhe personalitete të Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit, të Prizrenit, filluan të orientoheshin edhe nga Austria. Ndërsa kryepeshkopët e Ohrit, në jug të vendit, anonin nga Moska.
Në këto rrethana nuk u realizua detyra e rëndësishme, nuk u ndihmua lufta e popujve të Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë e popullit shqiptar për t’u çliruar nga sundimi osman. Përmbushja e këtij objektivi, siç vinin në dukje shpeshherë përfaqësuesit e kryengritësve shqiptarë, ishte edhe në interes të popujve dhe shteteve të Evropës.
Kryengritjet e armatosura të shek. XVI dështuan. Ato nuk u zhvilluan në të njëjtën kohë, në mënyrë të organizuar dhe nuk ia dolën të shkriheshin në një kryengritje të vetme. Pushteti osman ndoqi politikën “përça e sundo”. Krerët shqiptarë civilë e klerikë nuk kishin një unitet mendimi sidomos për zgjedhjen e aleatit të jashtëm. Së fundi, mungoi edhe ndihma konkrete nga jashtë.

2. KUVENDET SHQIPTARE

Kuvendet e shek. XVI
Depërtimi i spahinjve nëpër malësitë e vetëqeverisura, përhapja e sundimit osman, rritja e detyrimeve ndaj fshatarësisë shqiptare, shkaktuan një qëndresë më të fuqishme të malësorëve, gjallëruan lëvizjen e pjesës tjetër të fshatarësisë shqiptare, si dhe përpjekjet e krerëve shqiptarë laikë e fetarë për t’i shndërruar kryengritjet e veçanta të armatosura dhe pakënaqësinë e shqiptarëve në një lëvizje të përgjithshme për çlirim, me një organizim më të lartë e më të gjerë se deri atëherë.
Përvoja luftarake e dështimi i kryengritjeve të shek. XVI u tregoi kryengritësve malësorë se mbrojtja e vetëqeverisjes dhe lufta për çlirim nga zgjedha osmane mund të arriheshin duke bashkuar forcat e tyre me ato të krahinave të tjera, dhe me forma organizative më të përshtatshme. Një formë e tillë u bë në kuvendet shqiptare, që ishin një institucion i ri politik me karakter ndërkrahinor, një bashkim forcash më i lartë e më i gjerë, i cili u arrit mbi bazën e kuvendeve krahinore ekzistuese. Në kuvendin shqiptar, përveç krerëve të krahinave të vetëqeverisura malore, morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të tjera. Me këto kuvende u bashkuan edhe një varg prelatësh katolikë e ortodoksë, interesat e të cilëve, sikurse ato të fshatarësisë, nuk pajtoheshin me sunduesit osmanë.
Kalimi në këtë formë të re organizative prapa së cilës qëndronte fshatarësia dhe krerët e saj laikë e klerikë, e ngriti luftën në një shkallë më të lartë, më të gjerë e më të ashpër, e futi atë në një fazë të re. Malësitë shqiptare, të favorizuara edhe nga terreni malor, u bënë tani qendrat e shtabeve drejtuese dhe vatrat kryesore nga shpërthyen dhe u përhapën në pjesën tjetër të vendit lëvizje kryengritëse të papara deri atëherë për gjerësinë e forcën e tyre.
Përvoja e luftës i mësoi krerët shqiptarë të përqafonin një formë të re lufte për t’i bërë ballë më me sukses fuqisë së madhe të pushtuesve: të bashkonin e të drejtonin nëpërmjet kuvendeve shqiptare të gjitha vatrat e qëndresës shqiptare, dhe të bashkërendonin luftën e tyre për liri me atë të popujve të shtypur të Gadishullit Ballkanik e me luftën e shteteve evropiane për dëbimin e osmanëve nga Evropa.
Në kuvendet shqiptare u hartuan një sërë projektesh. Ato iu drejtuan shteteve evropiane për çlirimin e të gjitha tokave shqiptare. Në promemorjet tregohej gatishmëria e shqiptarëve për luftë, sasia e luftëtarëve, strategjia dhe taktika që do të ndiqej për çlirimin e vendit, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e kryengritësve me rojtarët e kështjellave, të cilët kishin prejardhje shqiptare. Aty bëheshin përpjekje për t’i bindur qeveritë e shteteve evropiane të ndërmerrnin një aksion kundër Perandorisë Osmane, i cili do të bashkërendohej me veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë dhe ballkanikë. Njëkohësisht kuvendet kërkonin prej tyre edhe armë zjarri, meqenëse me shpatat, heshtat e shigjetat, kryengritësit shqiptarë gjendeshin në kushte inferiore në krahasim me forcat osmane.
Në periudhën midis viteve 1590-1620 u organizuan një varg kuvendesh të tilla. Qendra ku u zhvilluan këto kuvende u bë krahina e Matit. Lufta e kryengritësve të krahinave të veriut e arriti kulmin e vet në vitet 1590-1595, kur 10 000 kryengritës të krahinave malore të sanxhakëve të Ohrit e të Dukagjinit i dëbuan autoritetet e pushtetit osman nga malësitë dhe i shtrinë sulmet në krahinat fqinje. Kryengritja ushtroi një ndikim të madh brenda dhe jashtë kufijve të tokave shqiptare, e në mënyrë të veçantë ajo gjallëroi luftën çlirimtare të popullsisë maqedone.
Në flakën e këtyre kryengritjeve, më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin e Shën Mërisë në Mat një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me papën për zbatimin e projektit të kryengritjes. Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur. Nga ana tjetër, Venediku, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi disa krerë. Në qershor të vitit 1595 kur në Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan papën se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta.
Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane. Më 1595, patriku i Ohrit, pasi u kthye nga Moska, shkoi në Butrint dhe, me anën e qeveritarit të Korfuzit, i kërkoi senatit venedikas ndihmë për kryengritjen. Por senati e hodhi poshtë kërkesën e tij.
Armë iu kërkuan edhe Papatit e Spanjës (1596), por Papa nuk dërgoi asnjë ndihmë, duke paraqitur si pretekst shpenzimet e mëdha që bënte në Hungari për luftën e këtij vendi me Perandorinë Osmane. Oborri i Spanjës premtoi dhe nisi një kontingjent të vogël ushtarësh. Gati 10 000 kryengritës të armatosur me jataganë e shigjeta e të nisur nga krahinat rreth e qark Vlorës, e sulmuan ushtrinë osmane në qytet me shpresë se në portin e Vlorës do të vinin ndihmat spanjolle. Por kjo ndërmarrje shkoi kot, se edhe ato armë që ishin nisur u sekuestruan në det prej venedikasve.
Ky qëndrim i shteteve evropiane dhe i Vatikanit, i dëmtoi kryengritjet në Shqipëri, por nuk mundi t’i ndalte përpjekjet për përhapjen e tyre në shumicën e krahinave. Më 1598 u organizua Kuvendi i dytë ndërkrahinor në Blinisht të Zadrimës. Ai iu drejtua për ndihmë perandorit austriak. Venediku kapi përfaqësuesit e kuvendit dhe sabotoi aleancën. Megjithatë ideja e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme u përhap në krejt tokat shqiptare. Një rol për përhapjen e saj luajtën klerikët e prelatët. Me krerët e prelatët e krahinave të Mbishkodrës dhe të Dukagjinit u bashkuan edhe shumë krerë të krahinave të tjera veriore, të mesme dhe jugore. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në vitin 1601 u mbajt një kuvend i madh pranë kishës së Shën Lleshdrit (Aleksandrit) në fshatin Dukagjin. Në punimet e tij, që vazhduan edhe më 1602, morën pjesë 2 656 delegatë laikë e fetarë të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë (nga Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani, Shpati e nga Myzeqeja). Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë Bardhi dhe Gjin Gjergji. Ai mori vendimin ta fillonte luftën për çlirimin e vendit. Këtë vendim historik e nënshkruan 52 krerë kryesorë, 4 nga secila krahinë. Por mbeti si problem sigurimi i aleatëve dhe i armëve.
Për të larguar dyshimet e Venedikut dhe për ta tërhequr atë në anën e vet, kuvendi vendosi këtë radhë t’i drejtohej më parë Republikës së Shën Markut për t’i kërkuar ndihmë dhe armë. Për këtë qëllim dy përfaqësues, Nikollë Bardhi dhe Pal Dukagjini u dërguan në Venedik. Por edhe këtë herë senati i përcolli përfaqësuesit shqiptarë me porosinë e zakonshme për të pritur pasi “nuk kishte ardhur koha për luftë kundër turqve”.
Kuvendi vendosi që t’i niste përsëri dy përfaqësuesit e vet në Venedik për t’i deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte lëvizjen e armatosur, të 40 mijë kryengritësit shqiptarë do të ishin të shtrënguar t’i drejtoheshin mbretërisë tjetër evropiane, duke pasur parasysh Spanjën, rivalen e Venedikut. As këto kërcënime nuk e bindën Republikën, e cila më shumë se kurdoherë donte të ruante paqen me osmanët, për arsye se në këtë kohë midis Stambollit dhe Vjenës kishin filluar bisedime për paqe. Edhe këtë herë Republika veproi aty për aty për të mbjellë farën e përçarjes në radhët e udhëheqësve të kuvendit me qëllim që të mënjanonte rrezikun e afrimit të shqiptarëve me Spanjën. Ajo mundi të korruptonte me ar dhe të bënte për vete Nikollë Bardhin e Pal Dukagjinin, si dhe disa krerë të tjerë.
Kështu përpjekjet për të siguruar një aleat të jashtëm aktiv si dhe armë, nuk dhanë asnjë fryt. Situata politike ndërkombëtare nuk ishte e pjekur për veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane, sepse, të nisura nga interesat e tyre për të ruajtur paqen me Stambollin, shtetet kryesore evropiane nuk u dhanë shqiptarëve ndihmën e kërkuar.

Dëbimi i spahinjve nga malësitë 
Krahas kuvendeve në Shqipëri shpërthyen edhe një varg kryengritjesh. Sipas letrës së Nikollë Mekajshit drejtuar papa Klementit VIII në vitin 1603, dukagjinasit vazhdonin të ishin në kryengritje. Përveç zonave autonome kryengritja u shtri edhe në zonën e timarit. Një lëvizje e tillë qe kryengritja e vitit 1607, e drejtuar nga Andrea (Idar) Manesi. Ai shpalli se do të bëhej një Skënderbe i dytë. Thirrjes për luftë të Andrea Manesit iu përgjigjën 3 000 veta. Ai pretendonte se zoti i kishte besuar Perandorinë Osmane për të ndëshkuar të këqijat që ndodhnin në të. Për të përmirësuar gjendjen e fshatarëve ai zbriti madhësinë e taksave në 3/4 e tyre. Andrea Manesi ishte për të qeverisur me drejtësi, prandaj u bëri thirrje kadilerëve në rast se do të kryenin me ndershmëri detyrën, do ta mbanin atë, në të kundërt, do të ndëshkoheshin. Shumë qeveritarë braktisën detyrën. Brenda një kohe të shkurtër, numri i kryengritësve u rrit shumë. Kryengritja përfshiu krahinat e Dukagjinit, të Kthellës e të Selitës. Kjo kryengritje ishte me mbulesë fetare dhe kërkonte rivendosjen e drejtësisë ligjore islamike. Sulltani e thirri në Stamboll Andrea Manesin për të vërtetuar profecinë e tij. Andrea e kuptoi se ftesa ishte një kurth për ta eleminuar, prandaj nuk u paraqit në pallat. Atëherë sulltani mobilizoi forca të shumta për ta shtypur këtë kryengritje që zhvillohej krahas atyre të malësive dhe që mund të përhapej në të gjitha zonat fushore dhe më tej në gjithë vendin. Megjithatë, udhëheqësi i saj, bashkë me ndjekësit e vet më të afërt, arriti të shpëtonte dhe u strehua në Dukagjin. Prej këndej ai zbriste kohë më kohë në krye të çetës së vet në zonat fushore të Shqipërisë së Mesme, duke mbajtur gjallë një lëvizje kaçake gjer më 1610. Andrea hyri në lidhje me mbretin e Spanjës dhe kërkoi ndihmën e tij, por nuk mori përgjigje. Kryengritja u shtyp më 1610.
Në vitin 1608 në zonën e Tivarit e të Ulqinit, fshatarët u ngritën kundër grabitjeve të bëra nga sanxhakbeu i Shkodrës gjatë një vizite në atë krahinë. 3 000 shqiptarë e rrethuan atë dhe e detyruan të mbyllej në kështjellën e Shkodrës. Numri i kryengritësve para qytetit të Shkodrës arriti në 10 000 veta. Tre vjet më vonë, shqiptarët që ndodheshin në Malin e Zi e pritën me armë sanxhakbeun, i cili kishte shkuar për të vjelë haraçin, dhe e vranë atë së bashku me spahinjtë që e shoqëronin. Qeveria osmane dërgoi kundër tyre pashain e Bosnjës në krye të 10 000 ushtarëve.
Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shek. XVII edhe lëvizja çlirimtare në malësitë erdhi duke u rritur. Kryengritja e malësorëve, e udhëhequr nga krerët e tyre pjesëmarrës të kuvendeve, filloi me thyerjen e sigurisë së rrugëve dhe u zhvillua me sulme plaçkitëse kundër karvaneve tregtare në rrugët Shkodër-Prizren e Shkodër-Podgoricë-Pejë dhe me operacione kundër kështjellave e qytezave të fortifikuara, të mbrojtura nga garnizone ushtarake. Me gjithë varfërinë e të dhënave rreth kësaj kryengritjeje, dokumentet dëshmojnë për faktin se njëri pas tjetrit u dëbuan të gjithë spahinjtë dhe vojvodët e vendosur në krahinat malore të sanxhakëve të Shkodrës dhe të Dukagjinit.
Fitorja e kësaj kryengritjeje ishte shumë e rëndësishme. Spahinjtë u dëbuan e nuk mundën të fitonin pozitat e humbura dhe këto krahina u bënë vatrat kryesore të luftës kundër sundimit osman. Pas këtyre fitoreve të viteve të para të shek. XVII, malësorët kryengritës u derdhën për një kohë të gjatë edhe kundër fushave që rrethonin malësitë e tyre, duke dëmtuar në radhë të parë bazat ushtarake dhe ekonomike të sunduesve osmanë në tokat shqiptare dhe në viset fqinje.
Qeveritarët osmanë, duke vlerësuar humbjet që kishin pësuar nga lëvizjet kryengritëse të malësorëve, organizuan ekspedita ndëshkimore veçanërisht kundër vatrës kryesore të këtyre lëvizjeve – malësive të Dukagjinit. Në mënyrë të veçantë ndërprerja e rrugës Shkodër-Prizren i shtyu sundimtarët osmanë të ndërmerrnin ekspedita të fuqishme. Një ekspeditë e parë prej 1 500 ushtarësh, e komanduar nga Ahmet bej Kuka, sulmoi kryengritësit në krahinën e Iballës, por nuk arriti ta hapte rrugën dhe dështoi krejtësisht. Prandaj sanxhakbejlerët e Shkodrës dhe të Prizrenit, me t’u kthyer nga fronti i luftës me Austrinë, morën masa të rëndësishme për të hapur këtë rrugë të domosdoshme që lidhte bregdetin me viset e brendshme të Shqipërisë dhe me ato të Gadishullit Ballkanik.
Gjatë kësaj periudhe si nga vetë shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt, u hartuan projekte për çlirimin e Shqipërisë dhe të krejt Ballkanit nga sundimi osman. Kalorësi boshnjak Bertuçi hartoi dhe u përpoq të vërë në jetë një projekt të vetin për çlirimin e Shqipërisë e të Ballkanit. Për vite me radhë ai u end nëpër kryeqytetet e Evropës si udhëheqës i një ushtrie kryengritësish prej 30 000 shqiptarëve dhe 50 000 boshnjakëve. Mbreti i Spanjës dhe zëvendësmbreti i Napolit nëpërmjet kalorësit Dofisti dhe personave të tjerë, u përpoqën të hartonin në bashkëpunim me Nikollë Mekajshin, Lala Drekalin etj. një plan për çlirimin e Shqipërisë. Anton Kaboja dhe Aleksandër Kastro u paraqitën këtyre disa projekte të tjera. Por edhe këta u ftohën nga ky plan kur panë qëndrimin e shqiptarëve, të cilët më mirë pranonin sundimin osman sesa të kalonin nën sundimin spanjoll. Në vitet 1609-1610 Nikollë Mekajshi i paraqiti mbretit të Spanjës, Filipit II dy relacione. Por të gjitha projektet mbetën në letër.
Më 1610, ushtritë e dy sanxhakbejlerëve, të nisura njëra nga Shkodra dhe tjetra nga Prizreni, hynë në luginën e Drinit. Malësorët, duke mos siguruar nga jashtë asnjë lloj ndihme dhe duke qenë të armatosur vetëm me armë të vjetra, nuk mundën të ndalonin marshimin e tyre. Këto dy ushtri përparuan gjatë rrugës, vendosën garnizone nëpër qytezat e kështjellat dhe u takuan te Vau i Dejës. Duke u vërsulur në brendi të krahinave përreth rrugës, repartet osmane u shkaktuan dëme të ndjeshme malësorëve, por nuk mundën të vendosnin kontrollin e tyre në thellësi.
Kjo ekspeditë e tronditi mjaft rëndë vatrën e qëndresës në malësitë e Dukagjinit. Vendosja e garnizoneve bëri që Dukagjini ta humbiste rëndësinë e vet si vatra kryesore e qëndresës së malësorëve të Shqipërisë Veriore. Një vatër e re qëndrese tashmë u bë Mirdita. Duke u nisur nga një krahinë e vogël fillestare që mbante këtë emër, qëndresa përfshiu në këtë periudhë edhe nahijet e Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël. Pak më në jug midis krahinave malore të Shqipërisë së Mesme u krijua një bashkim politiko-ushtarak me emrin “Lidhja e Arbënit”. Por, vatra më e rëndësishme e qëndresës së malësorëve u bënë krahinat në veri të lumit Drin. Nga malësitë e sanxhakut të Dukagjinit, qendra e kryengritjeve kaloi në malësitë e sanxhakut të Shkodrës. Krahinat e Kastratit, Shkrelit, Hotit, Kuçit, Piprit, Vasojeviqit, Palabardhit etj., të cilat njihen me emrin e përbashkët Malësia e Madhe ose Malësia e Mbishkodrës, u lidhën midis tyre në luftën kundër të njëjtit armik dhe formuan një bashkim politik e ushtarak që njihet në dokumentet e kohës me emrin “Malet shqiptare”. Në kuvendet e përbashkëta, krerët e tyre lidhën besën se do t’u bënin ballë me çdo kusht ekspeditave ushtarake, se do të luftonin bazat e këtyre ushtrive në viset fqinje dhe se do ta mbronin vetëqeverisjen e vet, për të mos lejuar të vendoseshin përsëri në trojet malore pushteti osman dhe spahinjtë. Nën drejtimin e këtyre kuvendeve, malësorët filluan sulme të shpeshta, duke dëmtuar veçanërisht pronat e spahinjve në Plavë dhe në krahinat e Bosnjës dhe të Maqedonisë.
Qeveritarët osmanë i drejtuan tani sulmet e tyre kundër kësaj vatre të re të qëndresës së malësorëve. Më 1612, në krye të një ushtrie prej 25 000 vetash, që u grumbullua në Podgoricë, ata filluan ekspeditën ndëshkimore kundër Malësisë së Madhe.
Për tre muaj rresht këto forca luftuan rreth shtigjeve kryesore për të depërtuar në brendi të kësaj malësie, mirëpo nuk ia arritën qëllimit. Pasi dogjën vetëm Palabardhin, ato u detyruan të tërhiqeshin duke lënë 300 spahinj të vrarë.
Një vit më vonë, forcat e bashkuara ushtarake të sanxhakbejlerëve të Shkodrës, të Dukagjinit, të Prizrenit dhe të Elbasanit, nën komandën e Asllan Pashës, ndërmorën një ekspeditë të re kundër Kelmendit, qendrës kryesore të lëvizjes, për ta shkatërruar një herë e mirë dhe për të vendosur këtu më në fund sundimin e sulltanit. Pas dy javë luftimesh, edhe kjo ekspeditë dështoi. Meqë nuk mundën të thyenin luftëtarët malësorë, këto forca ushtarake u mjaftuan me shkatërrimin e një vargu fshatrash të braktisura dhe me robërimin e një numri grash e fëmijësh. Gjatë rrugës së kthimit, ato u sulmuan rreptë nga çetat e kryengritësve dhe pësuan humbje të rënda në njerëz, në kafshë, në ushqime dhe në veshmbathje, që i lanë në fushën e luftës, nga ikën të shpartalluar.
Fitorja e arritur kundër këtyre dy ekspeditave, si dhe nevoja për t’u bërë ballë të tjerave në të ardhmen, e rritën autoritetin e Lidhjes së Maleve dhe e fuqizuan luftën çlirimtare. Ishin krerët e malësorëve të Kelmendit dhe të Kuçit ata që do të luanin tani e tutje rolin kryesor si udhëheqës të kuvendeve të Lidhjes dhe që u njohën si të tillë edhe nga përfaqësuesit e krahinave të tjera përreth Malësisë së Madhe. Lufta që bënë malësorët me forcat e veta të kufizuara nën udhëheqjen e kuvendeve kushtonte shumë shtrenjtë. Prandaj ata nuk i reshtën përpjekjet për të fituar aleatë dhe për t’u lidhur me kryengritjet antiosmane edhe të vendeve fqinje, ku luftimet dhe fitoret e kryengritësve shqiptarë patën një jehonë të madhe. Në disa raste malësorët shqiptarë ndërmorën veprime luftarake të përbashkëta me kryengritësit fqinjë, veçanërisht me malësorët malazezë.

Kuvendet ndërballkanike 
Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XVII, lufta antiosmane e popujve ballkanas kaloi në një fazë më të lartë, që karakterizohet nga përpjekjet për të bashkërenditur lëvizjet çlirimtare të vendeve të veçanta. Një rol të dorës së parë në këtë drejtim luajtën krerët shqiptarë, të cilët u bënë nga organizatorët më të rëndësishëm të luftës së popujve të shtypur. Fryt i përpjekjeve të tyre ishin mbledhjet e disa kuvendeve ballkanike që u mbajtën në Kuç, në Prokuplje dhe në Beograd. Më 13 dhjetor 1608 në manastirin e Moraçës, pranë liqenit të Shkodrës, nën drejtimin e patriarkut të Pejës, u mblodhën krerë serbë, shqiptarë, bullgarë, boshnjakë, hercegovinas e serbë ku u diskutua për dëbimin e osmanëve dhe iu kërkua ndihmë dukës së Savojës. Kjo mbledhje shërbeu si pikënisje për organizimin e disa kuvendeve ballkanike.
Kuvendi i parë u mblodh më 1614 në Kuç, në zemrën e Maleve shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kryengritësve të Shqipërisë, të Malit të Zi, Bosnjës, Hercegovinës, Serbisë dhe të Maqedonisë. Ai u zhvillua në dy sesione, njëri në korrik e tjetri në shtator. Nga të gjashtë krerët kryesorë ballkanas të këtij kuvendi dy ishin shqiptarë, Gjergj Bardhi i Mirditës dhe Lala Drekali i Kuçit, kurse nga 44 përfaqësuesit ballkanas një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqiptare.
Në sesionin e dytë të kuvendit u hartua plani i operacioneve luftarake. Rëndësi e veçantë për përgatitjen dhe fillimin e veprimeve ushtarake në Gadishullin Ballkanik iu kushtua vatrave malore kryengritëse shqiptare. Në këto vatra do të dërgoheshin për ndihmë nga të gjitha krahinat ballkanike 12 000 luftëtarë, të cilët do të pajiseshin me armë dhe, së bashku me kryengritësit shqiptarë, do të shpërthenin prej andej sulmet kundër garnizoneve osmane. Nga Himara do të kryhej sulmi për çlirimin e Vlorës, nga malësitë e Dukagjinit do të zhvilloheshin operacionet për çlirimin e Krujës, nga Malësia e Madhe do të fillonte sulmi për çlirimin e Shkodrës; po kështu edhe nga Mali i Zi do të sulmohej Kastelnovo në Grykën e Kotorrit. Në themel të këtij plani qëndronte gatishmëria për luftë si dhe përvoja shumëvjeçare e kryengritjeve të deriatëhershme të popujve të Ballkanit, e veçanërisht ajo e shqiptarëve. Në kryengritje do të merrnin pjesë edhe mitropoliti i Durrësit e peshkopët ortodoksë të Janinës e të Artës.
Në këtë sesion u shtrua përsëri si çështje kryesore ajo e sigurimit të armëve. Të dëshpëruar nga dështimet e mëparshme, pjesëmarrësit morën një vendim të ri, që ishte një goditje e rëndë për princat katolikë, të cilët i kishin mbajtur deri tani me fjalë për organizimin e “kryqëzatave” dhe nuk kishin dhënë ndihmë efektive në armë. Kuvendi ngarkoi të dërguarin e vet diplomatik, shqiptarin Gjon Renësi, që të deklaronte në oborret katolike të shteteve italiane se kuvendi nuk do të ngurronte t’u drejtohej për ndihmë shteteve protestante, si Anglisë, Holandës dhe princave të tjerë protestantë të Gjermanisë.
Midis burrave të shtetit të Evropës Perëndimore, që filluan të inkurajonin kryengritësit ballkanas me shpresë se fitorja do t’u jepte atyre mundësi të vinin dorë mbi tokat e çliruara, ishin duka i Parmës në Itali dhe duka i Neverit në Francë, prapa të cilëve qëndronte në fakt Spanja. Duka i Parmës pranoi ta ndihmonte me armë kryengritjen e projektuar dhe nisi një anije të ngarkuar me furnizime për në brigjet shqiptare, por kjo u sekuestrua rrugës nga venedikasit. Atëherë kuvendi vendosi të bashkërendiste kryengritjen me ekspeditën që përgatiste duka i Neverit për të zbarkuar në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo edhe përpjekjet e këtij princi frëng dështuan për shkak të kontradiktave politike evropiane.
Meqenëse hapat e parë nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, pas kuvendit të Kuçit u bënë përpjekje për një kuvend të ri. Më 11 nëntor 1616 në Prokuplje morën pjesë, siç thotë një burim bashkëkohës, “zotnitë kryesorë të mbretërisë së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Arkidukatit të Hercegovinës”. Për shkak të kushteve të reja që ishin krijuar me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë kuvendi nxori në plan të parë si detyrë për të çliruar së pari Bosnjën, meqenëse kishte mundësi më të mëdha të ndihmohej nga ana e Austrisë. Megjithëkëtë edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në anët më të dobëta të Perandorisë Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët drejt viseve të brendshme të Ballkanit dhe se, – siç thuhej në vendim, – një pjesë e popullit të këtij vendi “nuk i bindet sulltanit dhe jeton i lirë (siç janë – shën. i aut.) zotnitë e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit, e Palabardhit dhe të Malit të Zi”. Prandaj në çdo plan ushtarak, si më përpara edhe tani, Shqipëria zinte një vend nga më të rëndësishmit. Me të zbarkuar flota evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini, Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin kështjellën e Shkodrës e prej andej do të shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera për të parashtruar planin për marrjen e Stambollit. Projekti mbeti përsëri në letër. Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës. Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës me shtetin osman.
Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare ballkanike u bë kuvendi i Beogradit, që u mblodh më 18 nëntor 1620. Aty u shqyrtuan më me hollësi planet e dy kuvendeve të mëparshme dhe u theksua nevoja e çlirimit të Shkodrës nga kryengritësit e Malësisë së Madhe dhe të malësive të Dukagjinit, si dhe çlirimi i Krujës nga banorët e malësive të Shqipërisë së Mesme.
Nga të 24 krerët e kuvendit të Beogradit, që nënshkruan planin e luftës, më të rëndësishmit ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend nga malet shqiptare. Të bashkuar në “Lidhjen e Arbënit”, Dukagjini, Pipri e Kelmendi do të nxirrnin 14 000 luftëtarë. Të gjithë do të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30 000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi si njërin nga të dërguarit e vet për në oborret evropiane. Por, ndihma e kërkuar me armë dhe zbarkimi në brigjet shqiptare nuk u siguruan as këtë herë.
Kuvendet ndërballkanike nuk arritën të organizonin një aksion të përbashkët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Popujve ballkanas e në radhë të parë kryengritësve shqiptarë iu desh të luftonin me forcat e veta. Shkaqet e dështimeve të përpjekjeve për organizimin e një aksioni të përbashkët ballkanik qëndrojnë kryesisht në kontradiktat midis shteteve evropiane, të cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën në zotërimet osmane.
Gjatë periudhës së kuvendeve ballkanike u hartuan mjaft projekte. Patriku i Ohrit, Athanasi, hartoi një projekt më 1615-1616. Ai kishte vënë në lëvizje peshkopë e klerikë të të gjitha rangjeve. Si njohës shumë i mirë i gjendjes në Ballkan, krahas kulturës teologjike, Athanasi kishte njohuri edhe nga arti ushtarak, aq sa ishte në gjendje të hartonte planin e kryengritjes. Ai kishte hyrë në lidhje me dukagjinasit, kelmendasit dhe pastroviqasit dhe shqiptarët e tjerë, të cilët prisnin ndihmën nga Spanja e Napoli.
Në vitin 1621, Pjetër Budi hartoi një relacion me të cilin përkrahte projektin e Bertuçit dhe kërkonte vënien e tij në jetë. Sipas tij, 30 000 shqiptarë të krishterë e myslimanë, ishin gati të rrëmbenin armët. Shqiptarët kishin nevojë për armë, municione dhe për një princ për t’i udhëhequr. Koha më e përshtatshme ishte viti 1621, mbasi forcat ushtarake osmane të tokave shqiptare kishin shkuar në luftë kundër Polonisë. As relacioni i P. Budit nuk gjeti përkrahje.

Ekspedita në Malësinë e Madhe në vitin 1638
Rrezikshmëria e kryengritjeve të malësorëve shqiptarë dhe mundësia e shndërrimit të Malësisë së Madhe në qendër të një aksioni të përbashkët ballkanik dhe evropian kundër Perandorisë Osmane, shqetësoi, bashkë me sundimtarët osmanë në Shqipëri edhe vetë Stambollin. Prandaj ekspedita të shumta ushtarake u lëshuan njëra pas tjetrës mbi malësitë e të dy krahinave të lumit Drin, e veçanërisht mbi Malësinë e Madhe.
Këto ekspedita dështuan pa arritur qëllimin e tyre, vendosjen e pushtetit osman. Fitoret kundër tyre ishin fryt i sakrificave të mëdha të malësorëve. Sipas misionarëve të kishës katolike që vepronin në këto malësi, popullsia e këtyre viseve ishte përgjysmuar. Klerikët, si p.sh. arkipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, mundoheshin t’i bindnin malësorët të nënshtroheshin dhe të paguanin haraçin për të mos u shfarosur krejt. Malësorët trima mendonin se liria ishte më e shtrenjtë se gjithçka.
Më 1638, para se të hynte në luftë kundër Bagdatit, sulltan Murati IV mori masa për të mbrojtur kufijtë perëndimorë të shtetit nga ndonjë sulm ose zbarkim i mundshëm i shteteve evropiane, që mund të përfitonin nga lëvizjet kryengritëse shqiptare. Për këtë qëllim ai organizoi një ekspeditë të madhe për të nënshtruar një herë e mirë vatrën kryesore të lëvizjes, Malësinë e Madhe. Me këtë detyrë të rëndësishme ai ngarkoi Vuço Pashën, bejlerbeun e Bosnjës.
Bejlerbeu grumbulloi në Podgoricë ushtritë e shtatë sanxhakëve të krahinave të Shkodrës dhe të Dukagjinit. Numri i ushtarëve i kaloi të 15 000 vetat. Mbasi nënshtruan në fillim krahinat e Piprit dhe të Palabardhit, në ditët e para të shkurtit 1638, ushtarët e Vuço Pashës u nisën në drejtim të Kelmendit, qendrës së kryengritësve. Komandanti i ekspeditës parashikonte që për shkak të dëborës, do t’i gjente malësorët në shtëpitë e tyre dhe do të bënte kërdinë mbi ta.
Mirëpo, kur ushtarët e Vuço Pashës hynë në luginat e Kelmendit, malësorët i kishin braktisur vendbanimet e tyre me gjithçka dhe ishin tërhequr nëpër shpella. Pasi dogji disa fshatra, në mungesë të nozullimeve dhe nga frika e mbylljes së rrugëve prej dëborës, Vuço Pasha pas dy javësh dha urdhrin e tërheqjes. Ndërkohë malësorët kelmendas, të stërvitur në këto vende malore të mbuluara me dëborë, nën udhëheqjen e Vuk Dodës, u mbyllën armiqve dy shtigjet nga mund të dilnin prej Kelmendit dhe i sulmuan me vrull. Ushtria e bejlerbeut pësoi dëme të rënda. Frang Bardhi shkroi disa muaj më vonë se vetëm në përleshjen e parë u vranë një mijë ushtarë armiq. Duke e goditur pareshtur andej nga nuk e priste, malësorët e vunë ushtrinë osmane në ikje dhe e shpartalluan keqas, e detyruan të linte shumë të vrarë dhe plaçkë të madhe lufte. Deri në ditët tona ruhet kujtimi i heroizmave të kelmendasve në këto luftime, si ajo e malësores Nora që sakrifikoi veten për të vrarë pashain osman, zgjuarsia e malësorit Dedë Gjesi që ndërtoi një top duke gdhendur një trung lisi etj.
Jehona e kësaj disfate të bejlerbeut të Bosnjës dhe e trimërive të malësorëve u përhap gjerësisht në Gadishullin Ballkanik dhe në vendet e tjera evropiane. Por dëmet e malësorëve në njerëz e në mjete jetese dhe humbja e çdo shprese për ndihma e aksione nga jashtë, i detyruan kuvendet malësore të lidhnin marrëveshje me sundimtarët osmanë.
Sipas kësaj marrëveshjeje krahinat e Malësisë së Madhe do të ruanin vetëqeverisjen, me kusht që të paguanin haraçin, një flori në vit për çdo shtëpi, dhe që të pranonin të dërgonin një burrë për derë në rast lufte. Të drejtën e vetëqeverisjes me të njëjtin kusht e ruajtën edhe malësitë e Dukagjinit. Por, në një varg rastesh, sundimtarët osmanë i shkelën marrëveshjet dhe i sulmuan malësitë. Atëherë malësorët i kundërshtuan me luftë, siç bënin kurdoherë në raste të tilla. Më 1639, sanxhakbeu i Dukagjinit u orvat të hynte në Shalë për të nënshtruar banorët. Megjithëse këta i dërguan fjalë se ishin gati t’i paguanin detyrimet dhe i kërkuan që të hiqte dorë nga synimi për të shkelur krahinën, ai nuk pranoi. Atëherë Shala, e bashkuar me fqinjët, e sulmoi dhe e vuri përpara ushtrinë e sanxhakbeut kokëfortë, gjersa ky dhe shumë pasues të tij mbetën të vrarë.
Më 1648 Venediku përhapi lajmin se do të niste në Shqipëri një ekspeditë nën drejtimin e sulltan Jahjasë, një pretendent për fronin e sulltanit që endej në kryeqytetet e vendeve evropiane. Kjo i dha një gjallëri lëvizjes kryengritëse. Një vit më vonë kelmendasit sulmuan kështjellën e Medunit dhe, pas tri ditë luftimesh, e shtinë në dorë. Kryengritës të tjerë goditën Rizanon në Grykën e Kotorrit. Kryepeshkopi i Durrësit, Mark Skurra, me 7 000 luftëtarë sulmoi Shkodrën. Himariotët rrëmbyen armët dhe prisnin ekspeditën. Me pretekstin e vdekjes së sulltan Jahjasë, Venediku hoqi dorë nga ekspedita. Mungesa e armëve dhe e mbështetjes politike nga jashtë, ndikuan në mënyrë të ndjeshme në rënien e përkohshme të hovit të kryengritjes.
Kryengritjet e shek. XVI dhe ato të gjysmës së parë të shek. XVII, megjithëse shpeshherë morën përpjesëtime të gjera dhe kërkuan sakrifica tepër të mëdha, nuk e realizuan dot synimin e tyre kryesor, çlirimin e vendit. Sidoqoftë ato patën një varg rezultatesh shumë pozitive. Në radhë të parë mbajtën gjallë frymën e qëndresës e të luftës për liri, ruajtën të pacenuar individualitetin kombëtar të shqiptarëve. Në radhë të dytë, krahinat malësore e ruajtën të drejtën e vetëqeverisjes së brendshme në bazë të normave dokesore vendase dhe nuk lejuan zbatimin e sistemit të timarit dhe vendosjen në to të përfaqësuesve të administratës osmane. Përveç këtyre, malësorët ruajtën edhe të drejtën të mbanin armët kudo që të ishin, madje edhe para autoriteteve më të larta të sanxhakut. Kundrejt këtyre të drejtave ata detyroheshin, sipas marrëveshjeve të përfunduara me përfaqësuesit e pushtetit osman, të paguanin nga një flori në vit për çdo shtëpi dhe të dërgonin nga një burrë për derë në ushtrinë e sanxhakbeut në rast lufte brenda sanxhakut.
Lufta e popullit shqiptar vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm ndërkombëtar gjatë shek. XVI deri në mesin e shek. XVII. Ajo nuk lejoi që pushtuesit e huaj të krijonin në tokat shqiptare një bazë të fuqishme ushtarake për t’u hedhur përtej Adriatikut. Kryengritësit shqiptarë gozhduan në vend për një kohë të gjatë një pjesë të konsiderueshme të forcave ushtarake armike dhe penguan vërshimin e tyre drejt Italisë dhe Evropës Perëndimore.
Kryengritjet e shek. XVI-XVII e shndërruan vendin tonë në një nga vatrat kryesore të luftës çlirimtare kundër sunduesve osmanë në krejt Gadishullin Ballkanik. Me luftën e tyre shqiptarët ndikonin në mënyrë aktive në luftën e popujve të tjerë të Perandorisë Osmane për çlirim. Pikërisht kjo luftë bëri që në projektet e shteteve evropiane kundër Perandorisë Osmane, Shqipëria të zinte vendin kryesor, nga ku mund të fillonin operacionet luftarake. Megjithëse projektet e shteteve evropiane mbetën vetëm në letër dhe shqiptarët nuk gjetën një aleat të jashtëm që t’i përkrahte aktivisht, ata e vazhduan luftën dhe e rritën bashkëpunimin me popujt e tjerë fqinjë, që luftonin në një front të përbashkët kundër pushtuesit osman. Ky bashkëpunim gjeti shprehjen më të qartë edhe në kuvendet ballkanike.

Kryengritjet antiosmane
(mesi i shek. XVII-mesi i shek. XVIII)

Thellimi i shfrytëzimit ekonomik dhe grabitjet e feudalëve e të nëpunësve osmanë sillnin në mënyrë të domosdoshme rezistencën kundër tyre. Lufta që zhvilloi fshatarësia shqiptare pati forma të ndryshme, që nisnin me qëndresën, vazhdonin me arratisjet dhe përfundonin me kryengritjet e armatosura. Rezistenca u zhvillua me dy rrugë: rruga e parë, ishte qëndresa ekonomike. Kjo mori formën e përpjekjeve të fshatarit për të rritur të ardhurat e tij dhe për të pakësuar vëllimin e rentës që merrte feudali dhe shteti. Kjo ishte forma më e ulët e qëndresës së fshatarëve kundër shtypjes feudale.
Në këto forma bëjnë pjesë edhe përpjekjet e fshatarëve për të shtënë në dorë tokat e hapura prej tyre.
Në kushtet e punës me mjete primitive, rritja e rendimentit, që mund të çonte në shtimin e të ardhurave të fshatarit, ishte shumë e vogël, prandaj fshatari që kishte krahë pune përpiqej të gjente rrugë të tjera për të siguruar tokë buke e për të shtuar të ardhurat. Një nga këto rrugë ishte kthimi i kullotave verore ose dimërore në toka buke. Kështu, në vitin 1671 çifçinjtë e çifligut Moçalas në kazanë e Myzeqesë kishin hapur pa leje tokë në kullotën dimërore dhe e kishin kthyer në arë. Përveç kullotave, fshatarët prisnin drurët e pyjeve dhe tokat i kthenin në toka buke. Në vitin 1655 çifçinjtë e çifligut Lifaj kishin prerë pyllin dhe e kishin kthyer në arë, duke e mbjellë me grurë e elb. Por, sipas legjislacionit, toka e hapur mund t’u jepej me tapi atyre që e hapën ose personave të tjerë në rast se të parët nuk pranonin ta merrnin me tapi. Këto toka kalonin shpesh në duart e çifligarëve. Kështu ndodhi në Barbullinjë (1654), në fshatin Dukas të Mallakastrës (1686).
Përveç luftës ekonomike, qëndresa e fshatarësisë mori edhe forma të hapura, siç ishin ankesat e protestat që shkonin deri te sulltani. Ankimi ishte një rrugë ligjore, të cilën e lejonte sheriati, për të vënë në dukje dhunën, grabitjen e shkeljen e legjislacionit osman.
Ankuesit u drejtoheshin organizmave shtetërorë për çështjet që ishin në kompetencat e tyre dhe, në rast se ato nuk i zgjidhnin, u drejtoheshin organeve më të larta. Zakonisht ato fillonin nga kadiu për problemet që i takonin atij. Ankesat preknin aspekte të ndryshme të shtypjes. Ato drejtoheshin kundër nëpunësve ose vjelësve të detyrimeve shtetërore, që bënin kërkesa më të mëdha sesa ishte parashikuar në dëfterët, kundër marrjes së të hollave më tepër se plani, angarive të paligjshme etj. Më të shpeshta ishin ankesat e protestat kundër grabitjes nga ana e feudalëve dhe nga vjelësit e taksave shtetërore. Këto ankesa pasqyronin rastet e shkeljes së legjislacionit osman. Edhe ankesa të tjera, që nuk ishin të parashikuara në sheriat, dëshmojnë për faktin se gjendja e fshatarësisë sa vinte e keqësohej më shumë.
Meqë ankesat nuk sillnin ndryshimin e gjendjes, fshatarësia shqiptare e rriti qëndresën në një shkallë më të lartë, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike shlyerjen e detyrimeve të mbështetura në sheriat e në urdhrat e sulltanit. Ky refuzim ishte individual dhe kolektiv. Refuzimet bëheshin edhe më të organizuara në bazë fshati. Banorët e fshatit Pobrat në vitin 1685 kundërshtuan shlyerjen e së dhjetën e të salaries. Kjo vendosmëri i detyronte feudalët të kërkonin ndihmën e gjyqit në veçanti e të shtetit në përgjithësi.
Gjyqi në përgjithësi ndihmonte feudalët. Në grindjen e organizuar midis popullsisë së Libofshës e Mahmut Tabakut, gjyqi i besoi spahiut dhe urdhëroi fshatarësinë t’i jepte pjesën që pretendonte spahiu.
Si rezultat i kundërshtimit të fshatarëve, feudalët dhe shteti ishin të detyruar të hartonin lista me taksa të prapambetura që duheshin paguar më vonë. Në vitin 1680 në sanxhakët e Shkodrës, Ohrit, Vlorës, Elbasanit, Delvinës, Prizrenit e të Dukagjinit nuk ishin vjelë xhizja, avarizi, nuzuli e surati për vitet 1670-1680.
Në raste të veçanta fshatarësia vinte dorë mbi kullotat dimërore e verore të spahinjve ose të çifligarëve. Në vitin 1644 popullsia e fshatit Gribë hyri në kullotën verore dhe dëboi bagëtitë e spahiut. Në vitin 1678 banorët e fshatit Qereshnik pohuan përpara kadiut se feudalët, zotërues të kullotës së fshatit, u kishin marrë kullotën arbitrarisht, kishin ngritur stane e vatha dhe kishin sjellë 1 500 dhen për t’i kullotur.
Kur këto forma të qëndresës nuk sillnin ndonjë përfitim, fshatarësia zgjidhte si rrugëdalje nga gjendja e mjeruar, ikjet nga vendbanimi i mëparshëm. Ikjet synonin shkëputjen e plotë ose të pjesshme të varësisë feudale. Fshatarët e arratisur dëshironin të gjenin kushte më të mira jetese në krahina të tjera. Duke u larguar pa lënë adresë, ata shpresonin se do t’i këpusnin lidhjet me feudalin. Për rrjedhojë do të shpëtonin nga detyrimet ndaj tij si zot i rajasë. Po kështu ata shpresonin të shpëtonin përkohësisht nga taksa për kokë.
Ikja kishte përfshirë disa shtresa të fshatarësisë. Në radhë të parë ikte fshatarësia raja. Shumë raja arratiseshin nga vendbanimi i përhershëm dhe vendoseshin në vise të tjera, ku merreshin me punëra të ndryshme. Shkaqet e shpërnguljeve lidheshin me gjendjen e rëndë të rajave dhe me përpjekjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Në disa dokumente theksohet se qëllimi kryesor i largimit të fshatarëve ishte shmangia për të mos paguar taksën për kokë, në disa të tjera për t’iu shmangur pagimit të avarizit e të nuzulit. Në një ferman të sulltanit të 5 shtatorit 1716 pohohet se rajatë janë rrënuar si mos më keq.
Vendstrehimi i fshatarëve të shpërngulur u bënë edhe çifligjet. Në fermanet e sulltanëve të viteve 1644, 1696, 1700, 1702 e 1707, drejtuar qeveritarëve të sanxhakëve shqiptarë, pohohet se çifligarët fshihnin rajanë e arratisur. Një vendstrehim tjetër i fshatarëve të ikur ishin pronat tokësore të institucioneve fetare myslimane (vakfet) e të atyre të krishtere (të manastireve), institucione që përfitonin nga këto largime. Për t’i tërhequr në pronat e tyre, ata i joshnin të ikurit duke i vënë përkohësisht në disa kushte të favorshme vetëm për disa vjet. Megjithatë ata kishin përfitime të mëdha sepse siguronin krahë pune për çifligjet e tyre. Duke filluar nga vitet 80 të shek. XVII, kur gjendja e çifçinjve u bë më e mjerueshme, edhe këta filluan të largohen në masë nga çifligjet.
Një vend tjetër grumbullimi i fshatarëve të ikur ishin qytetet shqiptare si edhe qytetet më të mëdha të perandorisë, si Stambolli, Edreneja e Bursa, të cilat ndodheshin shumë larg tokave shqiptare. Në vitin 1646 sulltani pranonte se fshatarët ishin larguar nga kazatë e Vlorës, Skraparit e të Myzeqesë dhe ishin vendosur nëpër qytete.
Arratisjet ndodhnin në kushte të vështira. Shteti përpiqej të forconte presionin ndaj individit ose krejt fshatit për të penguar largimet. Xhizjedarët e vjelësit e tjerë të detyrimeve shtetërore ishin pajisur me dokument për t’ua vjelë taksat kudo që të ndodheshin. Ata dhe spahinjtë caktonin njerëz për të mbledhur fshatarët e shpërngulur. Shteti kishte vendosur garancinë kolektive, me anë të së cilës detyrimet e të shpërngulurve ndaheshin midis atyre që kishin mbetur në fshat. Strehuesit e fshatarëve të shpërngulur ishin vënë nën trysninë dhe kërcënimet e shtetit që nuk ngurronte t’i dënonte edhe me varje.
Megjithatë arratisjet vazhdonin. Në vitin 1738 ato kishin përfshirë 40% të fshatrave të krahinës së Beratit, ndërsa numri i shtëpive të arratisura kapte afro 12% të numrit të përgjithshëm të shtëpive. Në disa raste largimet ishin aq masive sa fshatrat ishin rrënuar krejtësisht. Në regjistrat e taksave të jashtëzakonshme gjen shënimin “i rrënuar krejtësisht”, “i braktisur” etj.
Ndonëse ishin më shumë një qëndresë spontane dhe e paorganizuar, arratisjet krijonin vështirësi serioze për pushtetin osman, i privonin feudalët nga pjesa e rentës që u takonte, i shkaktonin vështirësi administratës fiskale për të grumbulluar detyrimet shtetërore. Ato ishin shprehje e një mosbindjeje të fortë dhe e një bojkotimi të vërtetë ndaj regjimit feudal osman.
Arratisjet ishin një prolog i çlirimit të fshatarësisë. Si rrjedhojë e tyre sipërfaqe të tëra toke mbeteshin pa punuar, gjë që sillte pakësimin e prodhimeve bujqësore. Nga kjo dëmtoheshin si feudalët, ashtu edhe shteti. Meqenëse drejtimi kryesor i largimeve ishte nga vendet ku niveli i shtypjes ekonomike ishte më i lartë për në vendet me një shtypje më të ulët, ato ndihmonin në barazimin e gjendjes së fshatarësisë. Për të penguar ose pakësuar shpërnguljet nga vendet e para, feudalët detyroheshin të ulnin shkallën e shtypjes ekonomike. Ikjet ndihmonin sadopak në kapërcimin e izolimit feudal dhe ndihmonin në lidhjen e mëtejshme të një krahine me një krahinë tjetër, të qytetit me rrethinën dhe të një qyteti me një qytet tjetër.
Arratisjet nuk mund ta shpëtonin fshatarësinë nga gjendja e keqe, prandaj ajo përdori edhe forma më të ashpra të luftës, si organizimin e çetave të armatosura, që formoheshin nëpër pyje e male. Lëvizja kaçake në tokat shqiptare pati disa veçori që e dallojnë nga viset e tjera të Ballkanit. Si një shfaqje e vetvetishme e luftës çlirimtare, ajo nuk pati atë fizionomi dhe përhapje të madhe si në viset e tjera të Ballkanit. Kjo lidhej kryesisht me kushtet konkrete historike të tokave shqiptare, ku kryengritjet ndiqnin njëra-tjetrën. Në këto kushte i arratisuri bashkohej me valën kryengritëse, gjë që e zvogëlonte shumë rolin e kaçakërisë. Me shthurjen e sistemit të timarit dhe me përhapjen e sistemit të çifligut, mjaft fshatarë humbën të drejtën e përdorimit të tokës dhe pronën private. Zhveshja tërësisht ose pjesërisht e fshatarit nga pronësia çonte në rrënimin e tij. Të shtyrë nga kjo gjendje, një pjesë e fshatarëve morën rrugën e kaçakut. Meqenëse deri në mesin e shek. XVIII sistemi i çifligut nuk pati një shtrirje të madhe, edhe lëvizja e kaçakëve nuk mori një përhapje të gjerë.
Në çetat grumbulloheshin fshatarë që kishin humbur të drejtën e shfrytëzimit të tokës ose që kishin ngritur dorën kundër feudalëve dhe mbledhësve të detyrimeve shtetërore. Një përbërje tjetër kishin çetat e malësorëve të varfër, të cilët nuk ishin në gjendje të shlyenin detyrimet. Në këto çeta merrnin pjesë gjithashtu ish-spahinjtë, të zhveshur nga zotërimet, elementë të klasës feudale që ishin fuqizuar e rivalizonin në sipërmarrjet e detyrimeve ose të nëpunësive, klerikë myslimanë etj. Të gjithë këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shtyheshin nga motive të veçanta. Ndaj lufta e kaçakëve merrte tipare të anarkisë feudale. Anarkia feudale la, pa dyshim, gjurmët e veta në lëvizjen kaçake.
Çetat mund të formoheshin nga fshatarë të një fshati, të dy a më shumë fshatrave, të një nahije ose kazaje. Çetat e armatosura sulmonin edhe spahinjtë, shtëpitë e tyre dhe u merrnin pasurinë, madje nuk kursenin as familjet e tyre. Kështu në vitet 1681-1682, kaçakë nga fshati Pobrat sulmuan dhomat dhe haremet e Ahmet Agait e të Ali Efendiut dhe u rrëmbyen plaçkat e sendet ushqimore. Në vitin 1708 kaçakët nga fshati Kaçë i Zadrimës rrëmbyen pasurinë e bejlerëve të Zadrimës. Në vitet 1712-1713 kaçakë nga fshati Qidhnë sulmuan shtëpinë e spahiut Ahmet dhe i rrëmbyen gjënë e gjallë. Shpeshherë objekt sulmi ato bënin edhe pronat shtetërore, si vivaret (daljanet) etj. Në vitin 1707 kaçakë nga fshatrat Margëllëç, Kuç e Glloboçar sulmuan vivaret e mukatasë shtetërore dhe në bashkëpunim me çifçinjtë vunë dorë mbi çifligjet shtetërore. Objekt sulmi ishin edhe taksambledhësit e nëpunësit e shtetit, si dhe konakët e tyre. Në vitin 1606 një çetë nga Kurveleshi sulmoi sanxhakbeun e Delvinës, i cili kishte marrë përsipër të vilte taksat në sanxhakët e Vlorës, Delvinës, Elbasanit etj., dhe i rrëmbyen xhizjen e vjelë.
Çetat në të njëjtën kohë merrnin nën mbrojtje masat e varfra fshatare e qytetare dhe nuk lejonin vjeljen e taksave shtetërore. Në vitin 1713, Ali Hoxha, së bashku me të tjerë, pengoi vjeljen e taksave shtetërore.
Lëvizja e çetave të armatosura ishte më e rëndësishme se format e tjera të ulta të qëndresës. Duke marrë nën mbrojtje fshatarët, ato nuk lejonin vjeljen e detyrimeve. Me vrasjen e spahinjve e të nëpunësve, çetat e shpëtonin përkohësisht fshatarësinë nga dhuna. Në mjaft raste çetat shërbenin si qendra të grumbullimit të fshatarëve të pakënaqur dhe në periudha të caktuara, ato u bënë bërthama të lëvizjeve kryengritëse. Në çdo protestë, në çdo refuzim për të shlyer detyrimet, në çdo arratisje dhe sidomos në luftën e çetave të armatosura, qëndronte mundësia për ta kthyer qëndresën në kryengritje të armatosur.
Nga gjysma e dytë e shek. XVII, kur Perandoria Osmane filloi luftën kundër koalicionit të Austrisë, Venedikut, Polonisë dhe pastaj Rusisë, lëvizjet fshatare morën hov më të madh dhe, si në jug, ashtu dhe në veri, u shndërruan në kryengritje të armatosura me karakter çlirimtar. Disa prej tyre u zhvilluan në kushte të favorshme ndërkombëtare dhe në vitet 1683-1691 morën përpjesëtime shumë të mëdha në Shqipërinë e Veriut e të Jugut, e veçanërisht në Kosovë.
Pas vitit 1683, në Shqipëri ziente lëvizja antiosmane, ndërkohë që perandoria kishte hyrë në luftë me koalicionin e madh të Austrisë, Venedikut, Polonisë e të Rusisë. Kleri katolik shqiptar me Pjetër Bogdanin në krye i nxiti shqiptarët të ngrinin krye dhe këta nuk ngurruan të radhiten në vijat e para të luftës çlirimtare që mori hov në kuadrin e gjendjes së jashtme të favorshme. Përkrahja që shqiptarët u dhanë ushtrive austriake e venedikase kundër forcave osmane në atë kohë u dha dorë si austriakëve, ashtu edhe venedikasve të përparonin në brendi të Gadishullit Ballkanik dhe të zinin disa qytete bregdetare. Peshkopi shkrimtar Pjetër Bogdani hartoi një projekt për çlirimin e vendit duke u mbështetur te lufta që kishte shpërthyer, në të cilën shqiptarët kryengritës po jepnin ndihmesën e tyre të çmueshme.
Pasi u thye hovi i osmanëve kundër forcave austriake në dyert e Vjenës, nuk patën përfundim më të mirë as sulmet e tyre kundër forcave ushtarake venedikase. Një rol vendimtar për dështimin e një vargu operacionesh të ushtrisë osmane luajtën malësorët kryengritës shqiptarë e malazezë. Më 1686, sanxhakbeu i Shkodrës Sulejman Pasha, i cili mbronte kështjellat nga kryengritësit, kaloi kufirin dhe sulmoi qytetin e Budues. Por sulmi i tij dështoi, sepse rruga për në këtë qytet u pre nga malazezët, të cilët u dolën përpara në ndihmë venedikasve. Edhe kur pas këtij dështimi Sulejman Pasha kërkoi të kalonte me forcat e veta përmes Malësisë së Madhe, ai ndeshi në qëndresën e malësorëve shqiptarë të lidhur me fqinjët e tyre. Kështu pashai u detyrua të kthehej në Shkodër.
Lëvizja e malësorëve shqiptarë dhe malazezë ngriti në këmbë rreth dhjetë mijë luftëtarë, që synuan të shtinin në dorë kështjellat e Shkodrës, Podgoricës dhe të Zhabjakut. Pas luftimesh që u zhvilluan gjatë vitit 1687 dhe në pranverën e vitit 1688, forcat ushtarake të Sulejman Pashës si dhe ato të një vargu sanxhakbejlerësh boshnjakë dhe hercegovinas pësuan disfatë të rëndë. Kryengritësit e Malësisë së Madhe, të Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, sulmuan dhe çliruan kështjellën e Medunit, por meqenëse ata nuk kishin mjetet e domosdoshme ua dorëzuan atë venedikasve për ta mbrojtur.
Pas kësaj fitoreje, në muajin maj 1688 shqiptarët e malazezët u mblodhën në një kuvend të përbashkët në Gradec, ku lidhën besën për ta vazhduar luftën dhe vendosën të sulmonin e të çlironin kështjellën e Podgoricës, duke bashkërenduar veprimet e tyre me ato të flotës venedikase që do të sulmonte qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Mirëpo në muajin qershor malësorëve shqiptarë iu desh të përballonin sulmin e 10 000 ushtarëve të Sulejman Pashës, që u përpoq të nënshtronte Kuçin, Grudën e Kelmendin dhe të shtinte përsëri në dorë kështjellën e Medunit. Ushtria e tij ndeshi në kundërsulmin e kryengritësve shqiptarë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej në Podgoricë. Edhe forcat e Sulejman Pashës që u drejtuan për në Mal të Zi, u thyen në fshatin Osriniq.
Angazhimi i shqiptarëve në anën e austriakëve u bë më i dukshëm në pranverën e vitit 1689, kur konti Ludvig Badeni, komandant i frontit austriak vendosi të pushtonte Nishin dhe nëpërmjet Prokupjes të kalonte në Kosovë. Nëpërmjet Prizrenit dhe Kukësit, ai desh të dilte në Shkodër e në detin Adriatik për të ndarë Bosnjën e Hercegovinën nga Porta e Lartë. Me një thirrje të veçantë konti i Badenit ftoi popujt e Ballkanit për t’u bashkuar me ushtrinë e tij. Kur forcat ushtarake hynë në tokat ballkanike, në to u përfshinë serbë, bullgarë, grekë e shqiptarë. Në afërsi të Nishit u zhvillua një betejë e ashpër (24 shtator 1689), e cila përfundoi me fitoren e austriakëve. Osmanët lanë në fushën e betejës 10 000 të vrarë. Pas kësaj fitoreje ushtria austriake u nda në dy pjesë: e para e komanduar prej kontit të Badenit u nis drejt Vidinit (Bullgari), kurse e dyta me gjeneral Pikolominin në krye u nis për në Kosovë, ku u prit nga shqiptarët. Shqiptarët ishin gati të pranonin mbrojtjen e perandorit austriak. Të njëjtin veprim bënë edhe shqiptarët e Kelmendit. Kur Pikolomini hyri në Prishtinë, shqiptarët e Kosovës deklaruan se ishin me perandorin. 6 000 shqiptarë ortodoksë (Albanensen) u bashkuan me austriakët. Pikolomini të njëjtën situatë ndeshi edhe në Prizren. Banorët e qytetit i dolën përpara dhe e pritën me nderime. Rreth 5 000 shqiptarë me kryepeshkopin e tyre, Pjetër Bogdanin, e përshëndetën me breshëri të shtënash. Gjenerali kërkoi nga shqiptarët, që hynin në ushtrinë austriake, t’u bindeshin oficerëve austriakë dhe të mbanin armët, ndërsa të tjerët duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Burimet austriake, angleze e papale pohojnë se pranë Pikolominit ishin mbi 20 000 shqiptarë. Sipas një përllogaritjeje 5 000 veta ishin nga Prishtina, 3 000 veta nga Peja, 6 000 nga Klina dhe Drenica, 6 000-8 000 veta nga Prizreni.
Shqiptarë të tjerë të palidhur me ushtrinë austriake vazhdonin kryengritjen. Kur forcat austriake hynë në Prizren, 3 000 kryengritës shqiptarë morën Pejën. Sapo gjenerali Pikolomini kaloi në Shkup (25 tetor 1689), shqiptarët shprehën gatishmërinë për të hyrë nën mbrojtjen e austriakëve. Një grup kryengritës u nis drejt Tetovës për të pastruar krahinën nga forcat osmane, që ndeshën në rezistencë në Kaçanik. Ndërkohë forca tatare nga Krimea hynë në Prishtinë, por u thyen nga shqiptarët e Prishtinës.
Sipas burimeve osmane me austriakët ishin bashkuar: Peja, Prizreni, Tetova, Shtipi, Prishtina, Vuçiterna, Kosova (Belasica), Jenipazari (Pazari i Ri), Mitrovica, Shkupi, Çiçaku, Plevla, Jagodina, Kumanova etj.
Pas vdekjes së gjeneral Pikolominit (nëntor 1689) qëndrimi i shqiptarëve ndryshoi për disa arsye. Në radhë të parë ndikoi këtu qëndrimi i pasardhësve të Pikolominit dhe të oficerëve të tjerë austriakë. Ata filluan t’i trajtojnë keq shqiptarët. Në një ditar anonim thuhej: “Pikolomini në çastet e vdekjes i dorëzoi komandën dukës së Holshtajnit. Pas kësaj punët morën një pamje krejt tjetër, sepse timonieri kishte mbaruar dhe anija do të lundronte në det sipas dëshirave të erërave, siç duket drejt mbytjes”. Duka i Holshtajnit në fillim i pa shqiptarët me mospërfillje e me xhelozi dhe pastaj u soll ashpër me ta. Në Prizren u përpoq të çarmatoste shqiptarët, kurse në Lumë urdhëroi djegien e disa fshatrave. Jo vetëm Duka, por edhe komandantë të tjerë vepruan keq me shqiptarët. Kur këta të fundit zemëroheshin për padrejtësitë e oficerëve austriakë dhe kërkonin drejtësi, keqtrajtoheshin me përbuzje e me fyerje të padurueshme nga komanda ushtarake. Së dyti, komanda austriake nuk i mbajti premtimet që u kishte bërë shqiptarëve. Në fillim ajo premtoi t’u lehtësonte barrën e detyrimeve, por ky premtim mbeti në letër. Së treti, negativisht ndikoi edhe vdekja e arkipeshkvit të Shqipërisë, Pjetër Bogdanit, i cili ishte përpjekur disa herë për të zbutur pakënaqësinë e bashkatdhetarëve të vet. Kontributi i P. Bogdanit jepet kështu në ditarin anonim: “Në mënyrë që çështjet tona të mund të pësonin një goditje të rëndë, deshi perëndia që të vdiste arqipeshkvi i Arbërisë”. Megjithatë, mjaft shqiptarë vazhduan t’i mbeten besnikë qeverisë austriake dhe morën pjesë në disa beteja. Shtrirja e kryengritjes shqetësoi Portën e Lartë, e cila më 1 dhjetor 1689 njoftonte: “në rast se do të vazhdojë kjo kryengritje e arbërve, i gjithë vendi do të rrënohej deri në Durrës dhe ndoshta edhe Greqia do të pësojë shumë dëme, sepse kudo shtetasit po çohen në kryengritje”.
Një vatër tjetër kryengritëse ishte Luma. Mjaft banorë të kësaj krahine ishin bashkuar me austriakët duke dhënë një tribut si dëshmi të besnikërisë. Por, përballë forcave të shumta të komanduara nga Mahmut Pasha, lumianët ulën armët dhe pranuan amnistinë e qeveritarit osman. Zjarri i kryengritjes ishte shtrirë edhe në Rozhajë, ku shqiptarët e kësaj krahine u bashkuan me austriakët. Kundër tyre erdhi beu (administratori) i Filipopolit në krye të forcave të shumta ushtarake. Pas një bombardimi të rreptë kryengritësit e Rozhajës pranuan kërkesën e faljes që u parashtroi beu osman. Gjendja e ushtrisë austriake dhe e kryengritësve shqiptarë u keqësua me emërimin e Vezirit të Madh, shqiptarit Mustafa pashë Kypryliut, si kryekomandant i ushtrisë. Ushtria osmane përbëhej nga forca të hanit të Krimesë, të bejlerbeut të Rumelisë dhe të sanxhakbejlerëve të tokave shqiptare. Në fillim forcat osmane iu drejtuan Karposhit, që vepronte si kryengritës, të cilin e kapën, e ngulën në hu dhe e hodhën në Vardar. Forcat austriake dhe kryengritësit shqiptarë u tërhoqën në Kaçanik. Duka i Holshtajnit u detyrua të organizonte një këshill ushtarak, i cili vendosi t’u bëjë thirrje shqiptarëve që kishin qenë pranë Pikolominit, por ishte tepër vonë. Megjithatë, shqiptarët, besnikë të austriakëve, morën pjesë në luftën me tartarët e hanit të Krimesë. Në fillim ra Prishtina, më vonë Prizreni, Peja. Shkalla e rrezikshmërisë së kryengritjes së shqiptarëve u duk edhe në dhunën e ashpër osmane. Pas betejës së Kosovës osmanët kryen mizori të papara, duke “djegur fshatra të panumërta, duke shkretuar vendin, duke vrarë barbarisht ata banorë të shkretë, sepse vetëm i kishin shfaqur bindje dhe i kishin dhënë ndihmë ushtrisë gjermane”.
Duke parë potencialin ushtarak të shqiptarëve dhe gatishmërinë e tyre, Tome (Thoma) Raspasari, vikar françeskan për Shqipërinë, e këshilloi perandorin austriak të shpërndante diploma perandorake, drejtuar popujve të Ballkanit ku t’u premtohej njohja e të gjitha privilegjeve, njohja e krerëve të tyre, zgjedhja e lirë e vojvodëve (komandantëve ushtarakë), ushtrimi i lirë i fesë, përjashtimi nga detyrimet dhe nga pagesat në të holla. Me këto kushte shqiptarët do të ngriheshin me armë në dorë përkrah austriakëve. Perandori austriak Leopold I në bazë të këtij propozimi, duke pasur parasysh edhe ndihmesën e mëparshme të shqiptarëve, më 6 prill 1690 lëshoi një thirrje drejtuar popujve të Ballkanit, në të cilën në krye radhiteshin shqiptarët dhe u kërkonte që të rroknin armët kundër osmanëve. Si shpërblim u premtonte pak a shumë propozimet e Tomë Raspasarit, një qeverisje lokale autonome nëpërmjet vojvodëve të zgjedhur. Shqiptarët shprehën menjëherë dëshirën për të bashkëpunuar me austriakët. Sipas një letre nga Nishi të 22 prillit 1690 “arbrit i kanë çuar fjalë gjeneral Veteranit se përherë janë perandorakë të mirë, se nuk presin veçse ardhjen e ushtrisë sonë për t’u bashkuar kundër turqve e tartarve”. Megjithëkëtë gatishmëri, një kryengritje e dytë e shqiptarëve nuk u organizua. Me sa duket qeveria austriake nuk dëshironte ta vazhdonte luftën, prandaj ajo nuk pranoi as propozimin e Veteranit që ta mbështeste me mjete financiare për të krijuar një ushtri me shqiptarë. Në këto kushte Veterani u largua nga Nishi, ndërsa shqiptarët mbeten vetëm përballë ushtrisë osmane: “Mahmut Pasha, siç thuhej në dokumentet e kohës, ndërmori një fushatë ndëshkimore kundër Surroit, Gashit e Krasniqes, vende që në mënyrë të patundur kanë mbajtur besën ndaj madhërisë perandorake, duke mos pranuar kurrë miqësinë turke, ndonëse shumë herë janë joshur me premtime e kërcënime prej atij (pashës)”.
Me ushtrinë austriake u larguan nga Serbia e Kosova shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Mbi këtë fakt u ngrit teza e historiografisë serbe mbi të ashtuquajturën “shpërngulje të madhe të serbëve nga Kosova dhe mbi popullimin e saj nga shqiptarët”. Është e vërtetë se midis atyre që u tërhoqën së bashku me ushtrinë austriake ishte patriarku i Pejës, Arsen III Cërnojeviçi, së bashku me disa murgjër që nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës u vendos në Panoni. Por serbët që u larguan me të nuk ishin aq të shumtë në numër sa të bëhet fjalë për një shpërngulje të madhe të tyre nga Kosova në ato vite. E ashtuquajtura “shpërngulje e madhe e serbëve nga Kosova” është një sajesë e historiografisë serbe, e bërë me qëllime të caktuara politike. Të mbështetur në të dhënat e kishës serbe, mjaft historianë serbë duke synuar t`i japin “një mbështetje” historike e shkencore politikës grabitqare të Serbisë ndaj tokave shqiptare të Kosovës, janë orvatur të provojnë se Kosova kishte qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri në fund të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII. Pas luftërave austro-osmane të viteve 1683-1699, pohojnë këta autorë, një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë, qenkërka tërhequr për në veri dhe vendin e tyre e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga vise të brendshme të Shqipërisë së Veriut. Historianë të tjerë, duke rënë viktimë e njëanshmërisë së burimeve dokumentare serbe, janë bashkuar me autorët serbë. Kështu është krijuar një letërsi e tërë historike që nuk i përgjigjet të vërtetës shkencore. Megjithatë, ka edhe mjaft studiues që e kundërshtojnë këtë mendim që mbizotëron në historiografinë serbe. Në disa vepra të historiografisë austriake dhe italiane, të mbështetura në burime të besueshme, pranohet se territoret e Kosovës ishin të banuara nga popullsi shqiptare dhe përfshiheshin brenda kufijve të Shqipërisë si nocion etnik.
Dokumentet e komandës së lartë ushtarake tregojnë se nga forcat që u vunë përkrah forcave austriake, dy grupe ishin më kryesorët: shqiptarët dhe “serbët”. Nga një përllogaritje e përafërt del se numri i shqiptarëve ishte dy herë më i madh se ai i “serbëve”. Përveç dokumenteve të komandës ushtarake, edhe dokumentet angleze e papale dëshmojnë se shumë shqiptarë qëndruan deri në fund me austriakët. Edhe ndër të shpërngulurit që nuk i kalonin të 10 000 vetat shqiptarët ishin më të shumtë. Sipas një interpretimi që meriton të përmendet, edhe termi “serb”, i cili përdorej në dokumente, nënkuptonte shqiptarët ortodoksë që bënin pjesë në juridiksionin e kishës së Pejës. Në këtë rast duhet pranuar se kryengritësit e Kosovës, që u bashkuan me austriakët, ishin thuajse të gjithë shqiptarë.
Ndërsa në krahinën e Kosovës kryengritja u shtyp në verën e vitit 1690, ajo vazhdoi në Shqipërinë Jugore, në krahinat e sanxhakëve të Delvinës e në krahinën e Himarës. Në bashkëpunim me forcat detare venedikase që zbarkuan në Ujin e Ftohtë pranë Vlorës, kryengritësit sulmuan kështjellat e Kaninës dhe të Vlorës dhe i dëbuan garnizonet e tyre. Vetëm pas 6 muajsh, një ushtri osmane e përbërë nga forcat e më shumë se 10 sanxhakbejlerëve mundi t’i ripushtonte. Venedikasit para se të largoheshin, i vunë zjarrin për hakmarrje qytetit të Vlorës, dhe dëmtuan në radhë të parë vlonjatët.
Duke përfituar nga hutimi që shkaktoi kundërsulmi osman, Sulejman Pasha i Shkodrës guxoi të ndërmerrte dy ekspedita ndëshkimore kundër malësorëve shqiptarë dhe kundër malazezëve. Por që të dyja dështuan. Vetëm në vjeshtën e vitit 1692 ai mundi të hynte në Mal të Zi dhe të shkelte Cetinën, kurse orvatjet për të nënshtruar Malësinë e Madhe nuk i shkuan mbarë as këtë herë.
Gjatë luftës së viteve 1683-1699 dhe fill pas mbarimit të saj, fshatarësia raja e krahinave jugore dhe veriore vazhdoi të kundërshtonte me këmbëngulje e gjer në përleshje të armatosura pagimin e detyrimeve të rënda feudale. Kështu, ajo jo vetëm e përkrahu, por edhe bashkëpunoi me fshatarësinë e vetëqeverisur në luftën çlirimtare kundër sundimit osman. Një qëndrim i tillë u mbajt prej tyre dhe në fillimet e shek. XVIII.
Gjatë viteve 1699-1704, popullsia e kazasë së Tepelenës nuk pagoi taksat e jashtëzakonshme të avarizit dhe bedeli nuzulit. Kjo lëvizje u përhap gjatë këtyre viteve thuajse në gjithë Shqipërinë Jugore. Përveç vështirësive ekonomike, që i detyronin fshatarët raja të mos paguanin taksat e jashtëzakonshme, qëndresa e tyre u nxit edhe nga grupe feudalësh të vegjël të krahinave të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit, Tomoricës e Shpatit që u bashkuan me lëvizjen fshatare. Të shpronësuar nga timaret ose të kërcënuar që t’i humbisnin ato për shkak të thellimit e përhapjes së procesit të çifligimit, këta feudalë të pakënaqur të lidhur dhe me feudalë të tjerë në rrethin dhe në qytetin e Beratit, u ngritën kundër qeveritarëve vendas.
Sanxhakbeu i Vlorës nuk mundi me ushtarët e vet të shtypte kryengritësit e bashkuar. Meqë lëvizjet fshatare u bënë të rrezikshme për Stambollin, Porta e Lartë mori masa të tjera, dërgoi kundër kryengritjes së vitit 1700 forca ushtarake të të katër sanxhakëve nën urdhrin e ish-Vezirit të Madh, Ali Pashës. Por as këto nuk arritën ta shtypnin kryengritjen. Në vjeshtën e vitit 1701, Porta urdhëroi Hydaverdi Pashën e Shkodrës që, në krye të forcave ushtarake të sanxhakeve të Shkodrës, Dukagjinit, Elbasanit, Ohrit e të Vlorës, të përbëra nga rreth 10 000 veta, të shkonte për të shtypur kryengritjen, që e kishte qendrën në Kurvelesh. Hydaverdi Pasha përdori në radhë të parë taktikën e përçarjes së forcave kryengritëse, duke shkëputur nga lëvizja drejtuesit e përbërë nga grupet e feudalëve të vegjël. Në këto rrethana lëvizja fshatare ra përkohësisht në të gjitha krahinat, duke përfshirë edhe Kurveleshin, për të rifilluar me hov të ri në vitet 1703-1704.
Në këtë fazë të dytë, në krye të saj doli një feudal vendas, komandanti i garnizonit të kështjellës së Tepelenës, çaushi i jeniçerëve Muço Aga Hysoja. Në muajin qershor 1704 kundër kësaj kryengritjeje u dërguan forca ushtarake nga ejaleti i Rumelisë nën komandën e valiut, Hasan Pashës. Në këto forca bënin pjesë edhe ushtri të sanxhakëve të Janinës, Delvinës, Ohrit, Elbasanit, Shkodrës, Dukagjinit dhe të Prizrenit. Me përqendrimin e gjithë këtyre forcave ushtarake, qeveria arriti më së fundi ta nënshtronte krahinën e Kurveleshit. Në dështimin e kryengritjes një rol të veçantë luajti braktisja e lëvizjes nga Muço aga Hysoja, i cili, pasi u fal, u la në postin e vet si më parë.
Një lëvizje fshatare, e udhëhequr nga krerë malësorë, shpërtheu në të njëjtën kohë në krahinën e Matit. Në muajin maj të vitit 1703, kryengritës nga Selita e Macukulli rrethuan dhe sulmuan garnizonin e kështjellës së Stelushit. Mirëpo nuk mundën ta merrnin, sepse të rrethuarve u shkuan në ndihmë forcat e sanxhakëve të Ohrit, Shkodrës, Dukagjinit e Prizrenit. Në fund të gushtit, osmanët e nënshtruan edhe krahinën e Matit.
Lëvizje kryengritëse pati edhe në viset e Shqipërisë Veriore. Fshatarësia e lirë e Malësisë së Madhe, e sidomos kelmendasit, vazhduan qëndresën e armatosur që u rrit në fillim të shek. XVIII. Në vitin 1701, 6 000 ushtarë osmanë, të komanduar nga Hydaverdi Pasha i familjes së Begollajve të Pejës, sulmuan viset malore dhe rrethuan Kelmendin. Rrethimi vazhdoi për një kohë të gjatë. Të ndodhur pa ushqime dhe pa bukë, një pjesë e kelmendasve pranuan të hiqnin dorë nga kryengritja. Për këtë arsye Hydaverdi Pasha i la ata të lirë në krahinat e tyre. Pjesën tjetër (274 familje), që e vazhduan luftën, pashai i shpërnguli nga Kelmendi në tokat që zotëronte në pllajën e Peshterit, pranë Novi Pazarit. Ai kujtoi se do ta shuante me këto masa këtë vatër të përhershme të qëndresës dhe t’i fuste malësorët e lirë nën zgjedhën feudale. Por nuk ia arriti qëllimit. Më vonë, në vitin 1707 shumica e 274 familjeve braktisën vendbanimet e reja dhe u kthyen në Kelmend. Gjatë kthimit ata u ndeshën me forca të shumta qeveritare, të cilat u detyruan t’u hapnin rrugë.
Largimi i forcave ushtarake të qeveritarëve vendas për në frontin e luftës veneto-osmane gjatë viteve 1714-1718 i dha rast shpërthimit me përmasa më të mëdha të lëvizjeve kryengritëse. Kur feudalët vendas u ndaluan malësorëve të shtegtonin bagëtitë në kullotat dimërore dhe i pushtuan ato, popullsia e krahinave të vetëqeverisura të Kelmendit, Pultit, Shalës, Gashit dhe të Mirditës, sulmoi krahinat fushore fqinje dhe ndërpreu qarkullimin e rrugëve. Në të njëjtën kohë, rreth dy mijë raja matjanë, dibranë, lezhjanë e krutanë refuzuan të paguanin xhizjen dhe taksat e tjera shtetërore. Këto lëvizje u përkrahën përkohësisht edhe nga disa feudalë të pakënaqur nga shteti si ajanët e Matit, që synonin t’i përdornin ato si mjet presioni për të fituar të drejtën e taksave në dobi të vet dhe për të forcuar pozitat e tyre politike në pushtetin vendor.
Po kështu, fshatarët e nahijes së Mazarakut dhe Ajdonatit në Çamëri, e sidomos banorët e Margëllëçit, që ishin ngritur kundër pagimit të taksave qysh më 1708, vranë tagrambledhësit dhe rojen e armatosur që i shoqëronte dhe u hodhën në kryengritje të hapët. Në maj të vitit 1714 rreth 1 500 çamë thyen forcën ushtarake të sanxhakbeut të Delvinës, që u dërgua kundër tyre. Kryengritës të tjerë nga Kolonja e Konica nuk pranuan të paguanin taksat dhe e vranë xhizjedarin në Leskovik.
Krahas këtyre lëvizjeve, më 1715, shpërtheu një kryengritje tjetër e madhe, që kishte si qendër Kurveleshin. Në muajin korrik të vitit 1715 fshatarësia raja e kazave të Tepelenës dhe të Përmetit refuzoi të paguante taksat e jashtëzakonshme si dhe xhizjet e vitit 1714. Kundër kësaj lëvizjeje u dërguan të shkonin forcat e kështjellave të Vlorës, të Kaninës dhe ato të esnafëve të qytetit të Beratit. Meqenëse kjo kryengritje shpërtheu në kohën kur ushtria osmane luftonte me forcat venedikase të Korfuzit, ajo përbënte një rrezik serioz për to. Ndaj valiu i Rumelisë, Ahmet Pasha, shkoi vetë në nëntor 1715, për të drejtuar operacionet ushtarake për shtypjen e lëvizjes së Kurveleshit. Ai mori gjithashtu përforcime nga sanxhakët e Janinës, Delvinës, Vlorës, Ohrit dhe të Elbasanit, me të cilat mundi të shtypte kryengritjen dhe të shtronte krahinën.
Në vitin 1729 banorë të disa fshatrave të kazasë së Matit u hodhën në kryengritje dhe nuk pranuan të paguanin xhizjen, avarizin e nuzulin. Sulltani ngarkoi për shtypjen e saj qeveritarët e sanxhakëve të Elbasanit e të Shkodrës. Në pamundësi për t’i bërë qëndresë ushtrisë osmane kryengritësit pranuan të nënshtroheshin. Qeveritarët morën si peng 10 veta nga ata më me ndikim, por kur ata u larguan nga krahina e Matit, kryengritja filloi përsëri. Popullsia e Matit, nën drejtimin e Hal Bajramit, refuzoi të shlyente detyrimet, ktheu prapa të ngarkuarit për vjeljen e tyre dhe liroi pengjet. Pushteti qendror nisi përsëri qeveritarët, që me forca të shumta shtypën kryengritjen.
Në fillim të vitit 1739 u hodh në kryengritje popullsia e krahinave të Kurveleshit, Margëllëçit dhe të Ajdonatit që nuk pranoi të paguante xhizjen. Për shtypjen e saj qeveria osmane ngarkoi qeveritarin e sanxhakut të Delvinës, që u ndihmua nga bejlerët e Delvinës.
Në vitin 1744 fshatarësia e krahinës së Peqinit kundërshtoi me armë pagimin e taksës “ndihmë në kohë lufte”. Meqë orvatjet e valiut të Rumelisë për shtypjen e saj dështuan, ky pranoi të vjelë vetëm shumën që i ofruan kryengritësit, kurse pjesa tjetër do të shënohej në listën e të prapambeturave.
Dy vjet më vonë kryengritja përfshiu krahinat e Beratit e të Mallakastrës, popullsia e të cilave nuk pranoi të paguante taksën “ndihmë në kohë lufte”. Kryengritja u zgjerua aq sa valiu i Rumelisë u detyrua të vinte në krye të ekspeditës ushtarake për të ndëshkuar ata që kishin ngritur krye dhe për të vjelë taksat. Por edhe kjo kryengritje u shtyp. Përgjithësisht, kryengritjet e viteve 1718-1750 tregojnë se kjo nuk ishte një periudhë zbatice në qëndresën e armatosur të fshatarësisë shqiptare. Ato e shtyjnë cakun kohor të mbylljes së qëndresës deri në mesin e shek. XVIII, i cili shënon një moment kthese. Atëherë dolën në skenë pashallëqet shqiptare, si formacione shtetërore autonome. Nga kjo kohë lufta e fshatarësisë shqiptare merr disa tipare të reja.
Qëndresa e fshatarësisë pati pothuajse shkaqe të njëjta gjatë gjithë periudhës nga fillimi i shek. XVI deri në mesin e shek. XVIII. Ajo e kishte burimin në kontradiktën kombëtare e shoqërore të popullit shqiptar me pushtuesin osman. Lufta kishte si synim të kufizonte ose të zhdukte shtypjen feudale dhe zgjedhën osmane. Gjatë kryengritjeve të shek. XVI-XVII forca kryesore lëvizëse ishte fshatarësia raja dhe ajo e krahinave të vetëqeverisura, kurse në shek. XVIII shtohen edhe feudalët e disa klerikë të lartë të krishterë. Meqë interesat e këtyre krerëve laikë e fetarë u cenuan nga vendosja e regjimit feudal-osman, ata u afruan me fshatarësinë. Në qëndresën e shek. XVIII morën pjesë edhe aristokratë të mëdhenj shqiptarë, për shkak të rivalitetit në sipërmarrjen e detyrimeve ose pse kishin hyrë në rrugën e shkëputjes nga klasa feudale osmane. Krahas të krishterëve në kryengritje merrnin pjesë edhe myslimanët, si nxënës të medreseve (softë), muezinë, haxhinj, shejhlerë deri dhe dijetarët islamë (ulema). Në raste të veçanta kryengritjet morën ngjyrë fetare, ndonëse shteti gjithnjë përpiqej t’i trajtonte kryengritësit si armiq të fesë e pastaj të shtetit.
Kryengritjet u zhvilluan në dy zona: në krahinat e vetëqeverisura dhe në ato të timarit. Për rrjedhojë është i papranueshëm koncepti se lufta u zhvillua vetëm në krahinat autonome. Antagonizmi kombëtar dhe shoqëror me osmanët ishte i pranishëm në të gjitha krahinat, pavarësisht nga veçoritë që i karakterizonin ato. Kjo nuk e vë në dyshim faktin se malësitë ishin kthyer në vatra pothuajse të përhershme të luftës dhe shërbenin si baza për organizimin e qëndresës në shkallë vendi. Forca e madhe e qëndresës së tyre shpjegohet me faktin se fshatarësia e lirë luftonte kundër cenimit të vetëqeverisjes, kundër përpjekjeve të osmanëve për t’i përfshirë në sistemin e timarit dhe për t’i vënë në pozitat e fshatarëve raja dhe, përgjithësisht, kundër rëndimit të zgjedhës së huaj.
Megjithëse në periudha të caktuara kryengritjet u shtrinë pothuajse në pjesën më të madhe të vendit dhe u zhvilluan në të njëjtën kohë, ato patën karakter lokal dhe nuk u shkrinë në një kryengritje të vetme, ndonëse morën edhe forma të reja organizimi, siç ishin kuvendet.
Tiparet çlirimtare të kryengritjeve ishin mpleksur me ato shoqërore. Në varësi nga kushtet historike, nga forca dhe shkalla e organizimit të tyre, kryengritjet herë merrnin më tepër tipare çlirimtare e herë tipare shoqërore. Sidomos, kur kryengritësit bashkëpunonin me shtetet evropiane dhe shtronin si synim të flaknin zgjedhën e huaj, dilte në plan të parë karakteri çlirimtar.
Përgjithësisht kryengritjet e kësaj periudhe dështuan dhe nuk arritën të përmbushnin objektivat e tyre çlirimtare e shoqërore.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s