Migrena, cfare duhet te dime per te


Janë me miliona njerëzit që rregullisht vuajnë nga dhimbja e kokës e njohur edhe si migrena. Nëse mjekët dhe kërkuesit thonë vazhdimisht se për t’u shëruar plotësisht prej saj duket e pamundur, të zbutësh dhimbjen është më se e mundur. “Shkaqet e migrenës ende nuk janë të njohura. Por është plotësisht e qartë që ata që vuajnë prej saj janë familjarizuar disi me të. Ata që vuajnë nga kjo patologji kanë një sistem nervor më të brishtë për sa u përket ndryshimeve të paparashikuara, të aftë të bëjnë modifikime në aktivitetin e trurit. Nga ana e tyre, këto modifikime janë përgjegjëse për një proces inflamator rreth enëve të gjakut, madje edhe me irritimin e qelizave nervore”, shpjegojnë mjekët.

Si dallohet migrena?

“Dhimbje pulsuese, shpesh në njërën anë të kokës, shoqëruar me të vjella dhe marrje mendsh, super ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmave, erërave dhe lëvizja janë aspektet më karakteristike. Ndonjëherë këto shqetësime mund të shoqërohen edhe me simptoma të tjera, si për shembull ndryshimi i humorit apo rritja e oreksit. Te rreth 15 për qind e personave që vuajnë nga migrena shfaqen të ashtuquajturat shqetësime me pamjen, të ndjeshmërisë (mpirja e një krahu apo pjese të fytyrës) dhe vështirësisë në të folur (probleme me gjetjen e fjalëve të sakta për t’u shprehur) që mesatarisht zgjasin 20-30 minuta dhe vazhdojnë me dhimbje të forta të kokës (që në raste të rralla mund edhe të mos zhduket). Që këtu duhet bërë dallimi i formës së thjeshtë dhe të ndërlikuar të migrenës. Të dyja format favorizohen nga faktorë me natyrë të ndryshme dhe ndryshojnë nga një person te tjetri. Ndër ata më tipikët mund të përmendim stresin, disa lloj ushqimesh, variacionet hormonale, faktorët ambientalë (ndryshimet klimaterike, shfaqja e tepruar në diell, sforcimi i tepërt), zhurmat dhe aromat”

Çfarë mund të bëhet kundër saj?

Para së gjithash duhet kuptuar nëse bëhet fjalë për migrenën apo forma të tjera të dhimbjes së kokës. Kjo sigurisht që mund të bëhet me ndihmën e specialistit që para së gjithash duhet t’ju këshillojë për të mbajtur një ditar për shpeshtësinë e dhimbjes së kokës për të kuptuar simptomat dhe faktorët që e shkaktojnë. Për të vlerësuar dhimbjen e kokës vlerësohen tri parametra: kohëzgjatja, frekuenca dhe intensiteti i çdo krize. Për këtë duhet një vizitë neurologjike që i jep mjekut elementet e nevojshme nëse dhimbja është efekti dytësor i ndonjë sëmundjeje tjetër apo nëse nuk ka shkaqe të dukshme. Kur është e nevojshme neurologu përshkruan ekzaktësisht skanerin dhe më pas rezonancën manjetike. Terapia e “sulmit” ndaj migrenës bazohet tek ilaçet e llojeve të ndryshme (analgjezikë, antiinflamatorë, ergotaminik etj.). Në rastin e kësaj patologjie nuk mund të jetë një ilaç që u bën mirë të gjithë atyre që vuajnë nga migrena, duhet gjetur ai i përshtatshmi për çdo rast. Përdorim të gjerë gjejnë analgjezikët të shoqëruar me antiemetikët (kundër të vjellës), por tashmë po përdoren gjithmonë e më shumë ilaçe specifike kundër krizave të migrenës. Duke nisur nga lloji i ilaçit është mirë që të mos përdoren shumë shpesh, në mënyrë që të evitohet që migrena të komplikohet nga episode të tjera të dhimbjes së kokës si pasojë e abuzimit me ilaçet. Në rastet kur migrena është e tillë sa mund të ndikojë në përkeqësimin e cilësisë së jetës, mund të këshillohet terapia e parashikuar. Ka shumë lloj ilaçesh, por duhet gjetur ai i duhuri për çdo rast.

Kush nuk dëshiron ta nisë menjëherë me ilaçe agresive, hapi i parë mund të jetë ai me preparate vitaminash apo ilaçe të lehta me shumë pak efekte anësore. Është një rrugë e gjatë dhe duhen rreth gjashtë muaj për të vlerësuar rezultatet e arritura dhe për të vendosur se si të vendosësh. “Një terapi është ajo që redukton përgjysmë numrin, shpeshtësinë dhe intensitetin e krizave. Kur arrihet ky objektiv, lajmi i mirë është gjithmonë në mënyrë graduale të dalësh nga terapia që ka funksionuar. Për disa është e mundur, për të tjerë ulja e dozës së ilaçeve korrespondon me rritjen e numrit të krizave, ndaj është më mirë të vazhdosh me kurat”. Shpesh ndodh që ilaçi i zgjedhur nuk funksionon, ndoshta sepse nuk janë marrë në konsideratë sëmundjet apo shqetësimet e tjera. Në këtë rast, shpjegon akoma eksperti, riniset nga e para derisa të gjendet rruga e duhur e shpëtimit. Por duke qenë se ilaçet e reja në këtë fushë nuk po mungojnë, mënyrat për të gjetur mjekimin e duhur janë të mundshëm.

Burimi. tiranachat

Leave a comment