Kush e lindi Kongresin e Manastirit?!


Një nga ngjarjet më të shënuara të kulturës shqiptare është Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe edhe Kongresi i Alfabetit. Historikisht ishin bërë shumë përpjekje që më në fund të gjithë shqiptarët të përdornin një alfabet të vetëm. Pa e mënjanuar asnjërin veprimtar të kësaj çështjeje kuptohet se meritat u takojnë më shumë atyre që e kurorëzuan këtë identitet kombëtar: jo shkronja arabe, jo turke dhe jo greke, por shkronja shqipe (latine – evropiane). E kush ishin më meritorët?! Historia shqiptare nuk i përmend në nivelin e gjenezës, ideve, kreacionit dhe përgjegjësive të atyre patriotëve shqiptar që po e bënin alfabetin shqip.

Më meritorët e Kongresit të Manastirit janë ata që nga M. Grameno i quan “foleja kombëtare”. Kjo fole i kishte njerëzit e saj që ishin themelues dhe drejtues të këtyre institucioneve: Kisha Ungjillore Korçë, më 1891; Shkolla e të Dielës, më 1891- në kuadër të kishë; Shkolla e Vajzave, më 1891- shkollë laike që udhëhiqej së pari nga Sevastia; Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, më 1892 – shoqëri ungjillore dhe letrare; Letra e Vëllazërisë, më 1892 – gazetë; “Ylli i Mëngjesit” – shoqatë e grave. Selia e këtyre organeve ishte Korça, dhe në krye të kësaj foleje gjendej fillimisht Gjerasim Qiriazi, pastaj Gjergj Qiriazi, dhe Parashqevi Qiriazi.

Kulturën shqiptare nuk e shoh të parcializuar e aq më pak që vlerat e saj kombëtare të përfetarizohen. Me këtë dua të them që nuk është fjala të shihet se çfarë bënë disa burra e gra që ishin të krishterë protestantë shqiptarë, por që në kulturën tonë të theksohet se cila ka qenë vlera shoqërore dhe kombëtare e Kishës Protestante Ungjillore Shqiptare. Gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare ishin dy qendra protestante shqiptare: Korça dhe Manastiri.

Ishin pikërisht protestantët shqiptarë që dolën sheshas në Korçë në vitin 1891, edhe pse prania e tyre ishte shfaqur në Manastir prej vitit 1887. Ata guxuan të predikojnë, të luten dhe të këndojnë shqip. Guxuan të hapin shkolla në shqip. Guxuan të shkruanin dhe të botonin shqip. Guxuan të hapin kishë shqip. Kështu u ofrua fryma dhe gjaku i atyre intelektualëve shqiptarë për ta bërë alfabetin shqip.

Kongresi nuk do ta kishte kurrë suksesin e tij pa ndihmën e klubit “Bashkimi” të Manastirit i cili u drejtua për shumë kohë nga Gjergj Qiriazi si nënkryetar. Komisioni i Punës së Alfabetit punimet i bëri pikërisht në shtëpinë e Gjergjit. Gjergji ishte nënkryetar i Kongresit dhe anëtar i Komisionit. Ai ishte përfaqësues i Shoqërisë Biblike Britanike. Të tjerë protestantë që ishin të përfshirë në udhëheqjen e Alfabetit ishin Grigor Cilka, nënkryetar i Komisionit; Parashqevi Qiriazi, sekretare e Komisionit të ABC-së; Kristo Dako, pjesëmarrës; Fineas Kenedi, vëzhguese (e vetmja amerikane që mori pjesë në Kongres); Fillomena Bonati, vëzhguese etj. Kongresi i pati 150 delegatë, kurse mbi 35 delegatë ishin protestantë, prandaj thuhet në raportin zyrtar të Kongresit se morën pjesë shqiptarë myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe protestantë.

Kongresi kishte vendosur që ta hapte shtypshkronjën e vet dhe Gjergj Qiriazi u caktua drejtor i saj. Kjo ishte shtypshkronja e parë shqiptare, dhe u bë shumë e njohur kudo ndër shqiptarët, por pastaj turqit e mbyllën.

Kishat protestante, sidomos ato në Evropën Perëndimore kishin mision në hapjen e shkollave dhe botimin e librave, dhe këto misione po realizoheshin pak a shumë edhe në Shqipëri duke u hapur fillimisht dy shkolla në Korçë, pastaj bërja e ABC-esë shqipe, dhe së fundi filloi punën shtypshkronja. Kështu “foleja kombëtare” historikisht e lindi (e çeli) Kongresin e Alfabetit.

Për kontributin e madh kombëtar që kishte dhënë “foleja kombëtare”, me rastin e 40-vjetorit të veprimtarisë, më 2 korrik 1931, në Kamëz, Mbreti Zog si dhe Nëna Mbretëreshë e dekoruan me çmim të lartë. Kjo fole kombëtare gjatë kësaj kohe zyrtarisht quhej “Instituti Qiriazi” (Instituti Kyrias).

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s