Lëvizja Kombëtare Shqiptare në vitet 30-70 shek XIX

K R E U   II

ZHVILLIMI EKONOMIK DHE SHOQËROR I SHQIPËRISË
GJATË SHEK. XIX – FILLIMI I SHEK. XX

1. TROJET SHQIPTARE

Shtrirja e trojeve shqiptare
Gjatë çerekut të dytë të shek. XIX, me gjithë disfatat e shpeshta që kishte pësuar në të kaluarën, Perandoria Osmane zotëronte ende territore të gjera në Lindjen e Afërme, në Gadishullin Arabik, në Afrikën Veriore dhe në Gadishullin Ballkanik. Brenda këtyre territoreve banonin afërsisht 33 milionë banorë. Në Evropën Juglindore Perandoria Osmane kishte humbur territore të rëndësishme (Hungarinë, Kroacinë, Besarabinë etj.). Veç kësaj, pak kohë më parë Greqia kishte fituar pavarësinë kombëtare në një pjesë të territoreve të saj, ku banonin rreth 850 mijë frymë. Më 1840 në viset ballkanike, të cilat ndodheshin ende nën kontrollin e Perandorisë Osmane, banonin rreth 10,5 milionë frymë. Prej tyre, Mali i Zi, Serbia, Vllahia e Moldavia, me gjithsej 4,8 milionë frymë, kishin fituar autonominë nën suzerenitetin e sulltanit?. Viset e tjera (me gjithsej 5,8 milionë banorë), përfshirë edhe trojet shqiptare, ndodheshin nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.
Si edhe më parë, popullsia e Perandorisë përbëhej nga një mori kombësish, të cilat ndryshonin nga gjuha, nga feja, nga zakonet dhe nga mënyra e jetesës. Shteti osman vijonte të mos e pranonte konceptin e kombësisë. Duke qëndruar e lidhur pas konceptit teokratik mesjetar, që e identifikonte kombësinë me fenë, Porta e Lartë vazhdoi t’i ndante shtetasit e vet, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, në “myslimanë”, në “rumë” (ku përfshinte ortodoksët), në “latinë” (ku përfshinte katolikët etj.) dhe në “jahudi” (çifutë). Ajo nuk u kishte dhënë asnjëherë rast atyre të deklaronin të paktën gjuhën e tyre amtare, as kur bëhej regjistrimi i popullsisë. Për këtë arsye qeveria turke nuk e shpalli ndonjëherë numrin e popullsisë së saj sipas përbërjes kombëtare, rrjedhimisht as numrin e banorëve të kombësisë shqiptare.
Qysh në pjesën e parë të shek. XIX, me lindjen e lëvizjeve kombëtare të popujve ballkanikë, filloi interesimi i qarqeve të ndryshme evropiane për strukturën etnike të Perandorisë Osmane. Por, nga mungesa e të dhënave zyrtare të sakta, autorë të ndryshëm shpallën njoftime që binin në kundërshtim ndërmjet tyre, ndërsa qarqet politike greke, serbe e bullgare, të cilat, për të përligjur pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare, filluan t’i konsideronin shqiptarët ortodoksë në jug si grekë, në veri si serbë, në lindje si bullgarë, kurse shqiptarët myslimanë të këtyre viseve herë si turq, herë si grekë, si serbë a si bullgarë të islamizuar dhe pastaj të shqiptarizuar.
Megjithatë, një shumicë studiuesish dhe udhëtarësh të huaj, të cilët gjatë shek. XIX e njohën nga afër strukturën etnike të Gadishullit të Ballkanit, vunë në dukje se, me gjithë sundimin katërshekullor osman, popullsia shqiptare e ruante gjithnjë të paprekur identitetin e kombësisë së vet. Këtë identitet nuk e kishte cenuar as kthimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame, as politika turke e diskriminimit fetar kundrejt shqiptarëve të krishterë, as fryma e dasisë fetare që qendrat e huaja kishtare kishin përhapur në Shqipëri. Sikurse shënonte udhëtari anglez Xh. K. Hobhauz (J. C. Hobhouse), i cili e vizitoi Shqipërinë më 1809, shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten, siç ndodhte me popullsitë e tjera të Perandorisë, as “myslimanë”, as të “krishterë”, por në radhë të parë me emrin e tyre etnik “shqiptarë”.
Shqiptarët banonin në të njëjtat troje ku kishin jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në mes të shek. XIX trojet e tyre mbulonin një sipërfaqe prej rreth 75 mijë kilometra katrorë. Ato shtriheshin: në veri deri në Tivar, në Podgoricë, në Rozhaj e në Novi Pazar (Pazari i Ri), në verilindje deri në Nish, në Leskovc e në Vranjë, në lindje deri në Kumanovë, në Shkup e në Manastir, në jug deri në Konicë, në Janinë e në Prevezë. Brenda kësaj treve banonin 1 800 000-1 900 000 frymë.
Megjithatë, si pasojë e kushteve historike që njohu Gadishulli Ballkanik gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane, në disa vende të trojeve shqiptare, kryesisht në ato periferike, kishin depërtuar si kolonistë edhe pjesëtarë të kombësive të tjera. Prania e këtyre kombësive nuk ishte e njëllojtë kudo. Nga kjo pikëpamje treva shqiptare ndahej në dy zona të mëdha: në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë, dhe në brezin anësor, ku shqiptarët përbënin pakicën e saj, krahas popullsive të tjera. Me gjithë ngushtimin që kishte pësuar gjatë shekujve mesjetarë, trungu etnik përfshinte, në mesin e shek. XIX, viset e Gegërisë (ku bënte pjesë edhe Kosova) dhe të Toskërisë (ku përfshihej edhe Çamëria), me një sipërfaqe prej rreth 52 mijë kilometra katrorë, me rreth 1 300 000 frymë, shumica e të cilëve qenë shqiptarë?. Së bashku me banorët shqiptarë të brezit anësor, numri i popullsisë shqiptare arrinte në atë periudhë në rreth 1 500 000 frymë. Në brezin anësor, me një sipërfaqe prej 23 mijë kilometra katrorë dhe me një popullsi e cila sipas burimeve të ndryshme arrinte në rreth 500 000-600 000 frymë, përveç shqiptarëve, kishte popullsi malazeze në veriperëndim (Podgoricë, Shpuzë, Zhabjak, Moraçë), boshnjake në veri (Kolashin, Rozhaj, Novi Pazar), serbe në verilindje (Vranjë, Leskovc, Nish), maqedone në lindje (Shkup, Perlep, Manastir) dhe greke në jug (Artë, Prevezë, Janinë)??. Në kushtet e lindjes së lëvizjeve kombëtare ballkanike, kjo rrethanë u shfrytëzua nga qarqet nacionaliste të vendeve të Ballkanit dhe nga Fuqitë e Mëdha, që i përkrahnin ato për të realizuar lakmitë e tyre shoviniste. Pasojat negative të kësaj politike, e cila filloi të shfaqej qysh në vitet 40 të shek. XIX, i ndjeu në radhë të parë popullsia shqiptare.

Struktura ekonomike dhe shoqërore e viseve shqiptare në vitet 30-40 
Në çerekun e dytë të shek. XIX viset shqiptare, me gjithë përparimin që ishte dukur në zhvillimin e ekonomisë në periudhën e mëparshme, karakterizoheshin ende nga prapambetja e theksuar dhe ruanin gjithnjë tiparet e një vendi agrar të prapambetur. Shumica dërrmuese e popullsisë merrej, si edhe më parë, me bujqësi e blegtori. Në fshat banonin, ku më shumë e ku më pak, rreth 87% të banorëve të këtyre viseve.
Shqipëria ishte e begatë nga natyra, kishte mjaft toka pjellore, siç ishin: fusha e Zadrimës, tokat e Rrafshit të Dukagjinit, të Fushë-Kosovës, të Gjilanit, trevat bregdetare fushore midis Shkodrës e Durrësit që bashkëkohësit i quanin “të shkëlqyera, të vaditura nga shumë rryma uji”, fushat midis Tiranës dhe Elbasanit etj. Në juglindje shtrihej fusha pjellore e Korçës. Toka pjellore gjendeshin edhe në pellgun Strugë-Ohër-Resnjë. Për pjellorinë e tyre shquheshin edhe fushat e Delvinës, të Pargës, të Paramithisë, të Margëllëçit, të Filatit etj. Pjelloria e luginës së Dropullit kishte tërhequr vëmendjen e agjentëve konsullorë e ushtarakë anglezë, francezë dhe austriakë. Në trevën e Çamërisë dhe në ndonjë vend tjetër merreshin dy prodhime në vit. Toka të përshtatshme për bujqësi kishte edhe në trevat malore në Guci, në luginat e Mirditës, në Malin e Sharrit, në viset kodrinore të Drenicës, të Podgorit, të Pejës, në Lugun e Drinit në viset malore midis Lezhës, Krujës, Durrësit dhe Elbasanit, që në mjaft raste ishin punuar më mirë se në viset fushore.
Megjithatë ekonomia bujqësore karakterizohej nga një prapambetje e theksuar. Në viset e Shqipërisë së Ulët Bregdetare sipërfaqe të mëdha tokash qëndronin të përmbytura nga ujërat. Por edhe në fushat jomoçalore sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore, ndonëse mjaft pjellore, rrinin të papunuara, pasi, për shkak të zotërimit të pronave të mëdha çifligare, popullsia fshatare në këto fusha ishte shumë e pakët. Përqindja më e madhe e popullsisë fshatare ishte përqendruar në viset e brendshme.
Kudo toka punohej kryesisht me parmendën e drunjtë të pajisur me një plor hekuri dhe të tërhequr nga penda e qeve ose e buajve. Parmenda me rrota përdorej aty-këtu vetëm në zonën e Shkodrës. Si në Ballkan, ashtu edhe në Shqipëri plehërimi sistematik i tokave ende nuk njihej. Tokat plehëroheshin vetëm rastësisht me pleh organik. Sipërfaqen më të madhe nën kulturë për çdo ekonomi agrare e kishte Kosova. Rendimentet në bujqësi ishin shumë të ulëta. Rendimentet më të larta siguroheshin nga misri, i cili zinte në gjithë Perandorinë Osmane vendin e parë në kulturat bujqësore. Si drithëra buke pas misrit vinin gruri, thekra dhe elbi. Orizi kultivohej në disa vise të Shqipërisë së Ulët Bregdetare (në fushat e Tiranës, të Ishmit, të Shkumbinit, të Kavajës e të Shkodrës). Ndër bimët industriale vendin e parë e zinte duhani, i cili kultivohej kudo; liri, kërpi dhe meli mbilleshin në sasira të kufizuara; pambuku kultivohej vetëm në trevën e Tiranës, të Maliqit e të Devollit. Në Shqipërinë Bregdetare kishte ullinj me shumicë, aq sa vaji së bashku me duhanin zinin vendin e parë ndër artikujt bujqësorë që eksportoheshin nga Shqipëria. Vreshtaria ishte mjaft e përhapur si në fushë, ashtu dhe në malësi. Në Shqipëri njiheshin në përgjithësi të gjitha perimet që kultivoheshin në Perandorinë Osmane. Më të përhapurat ishin fasulja, thierza, qepa, lakra, preshi e kungulli. Fshatarët kudo merreshin me rritjen e bletëve, në disa vise gjithashtu me kulturën e mëndafshit.
Krahas bujqësisë një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit zinte, si edhe më parë, blegtoria. Madje në disa vende ajo ishte dega kryesore e ekonomisë. Blegtoria përbëhej kryesisht nga dhentë e dhitë dhe më pak nga bagëtitë e trasha. Një pjesë e mirë e fushave të Shqipërisë, si ajo e Ulqinit, Zadrima dhe Bregu i Matit, shfrytëzoheshin më shumë si kullota dimërore sesa si toka bujqësore. Bjeshkët kryesore të Kosovës, si Podgori, Rugova, Juniku, Jezeri e sidomos Sharri, të pasura me kullota e me lirishte pyjore, ushqenin një numër të madh bagëtish të imëta, kurse fushat e Kosovës e të Pollogut dalloheshin për numrin e madh të tufave të bagëtive. Udhëtarëve të huaj u kishte tërhequr vëmendjen pasuria e madhe në bagëti të imëta e të trasha e fushës së Myzeqesë. Treva midis Strugës, Pogradecit, Voskopojës, Korçës, Kolonjës, Konicës, si edhe krahina e Labërisë shquheshin gjithashtu për zhvillimin e blegtorisë. Në Shqipëri ishte zhvilluar edhe rritja e shpendëve, një pjesë e të cilëve eksportohej në viset më të ngrohta; në vendet ku mbillej mani rritej krimbi i mëndafshit.
Nuk kishte pothuajse asnjë ekonomi fshatare pa ekonominë ndihmëse blegtore. Madje, në disa vise malore, mjaft familje fshatare të ardhurat kryesore i siguronin nga blegtoria. Në blegtori, ashtu si edhe në bujqësi përdoreshin mjete e metoda të prapambetura.
Sikurse fshati, edhe qyteti nuk ishte shkëputur ende nga prapambetja ekonomike. Përqindja e ulët e popullsisë qytetare (rreth 13% e popullsisë së vendit) pasqyronte shthurjen me ritme të ngadalshme të ekonomisë natyrore në fshat dhe sundimin e plotë të prodhimit zejtar në qytet. Në fund të viteve 30 qytetet më të rëndësishme në trevën e katër vilajeteve? ishin Manastiri (35 000 banorë), Shkodra (25 000 banorë), Janina (25 000 banorë), Prizreni (20 000 banorë) dhe Shkupi (15 000 banorë). Vinin pastaj Gjirokastra (10 000 banorë), Peja (10 000 banorë), Prishtina (10 000 banorë), Elbasani (8 000 banorë), Berati (8 000 banorë), Ohri (8 000 banorë), Tirana (7 000 banorë), Gjakova (7 000 banorë), Tetova (5 000 banorë), Korça (5 000 banorë), Dibra (4 000 banorë), Kruja (4 000 banorë), Preveza (4 000 banorë) etj. Në të gjitha qytetet zotëronte ekonomia e vogël zejtare. Edhe tregtia zhvillohej me vështirësi për shkak të rrjetit të prapambetur të komunikacionit. Në këto vise edhe rrugët e karrove e të qerreve nuk ishin të mjaftueshme. Transporti i brendshëm kryhej kryesisht me kafshë barre. Në Janinë, në Shkodër, në Prizren, në Manastir, në Berat e gjetkë ishin shfaqur prej disa dhjetëvjeçarësh më parë punishte të tipit manifakturor, por ato ende nuk ishin çliruar nga normat tradicionale esnafore.
Edhe përsa i përket strukturës shoqërore të popullsisë, viset shqiptare ruanin ende tiparet e shoqërisë feudale, ndonëse tashmë në shthurje të shpejtë. Grupimin kryesor shoqëror në ekonomi e formonin, si edhe më parë, feudalët çifligarë së bashku me funksionarët e lartë të aparatit burokratik dhe shtresat e sipërme të klerit, të cilët përfaqësonin rreth 0,2% të popullsisë së vendit. Veç kësaj, edhe pse sistemi i timareve u hoq në fillim të viteve 30, një pjesë e feudalëve i ruante ende pozitat ekonomike të mëparshme. Krahas bejlerëve çifligarë, të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha tokash të punueshme e të papunueshme, sundonin ende feudalët derebej, spahinjtë e timareve dhe bajraktarët e malësive.
Në radhët e prodhuesve të fshatit zotëronin gjithashtu shtresat e mëparshme – fshatarët pronarë, të cilët formonin gjithnjë shumicën dërrmuese të popullsisë agrare (84-86%). Por, sado që zyrtarisht ishin çliruar nga sistemi i timareve, ata ndodheshin gjithnjë nën varësinë e derebejve, të spahinjve ose të bajraktarëve. Pjesën tjetër të popullsisë agrare (14-16%) e përbënin fshatarët pa tokë, bujq e argatë, të cilët vazhdonin të mbeteshin nën varësinë ekonomike të bejlerëve çifligarë.
Në katet e larta të popullsisë qytetare qëndronin, si edhe në shekullin e kaluar, krerët e esnafëve dhe reshperët e mëdhenj së bashku me aparatin burokratik dhe me ulematë. Pjesën dërrmuese (afërsisht 76-80%) të popullsisë qytetare e formonin zejtarët e thjeshtë dhe tregtarët e vegjël. Pjesën tjetër (afërsisht 20-24%) e përbënin shtresat e ulëta, të zhveshura nga çdo lloj pasurie, të cilat formonin vegjëlinë qytetare (kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, druvarët dhe punëtorët e ndryshëm të krahut).
Politika obskurantiste që Perandoria Osmane kishte ndjekur për katër shekuj me radhë, jo vetëm e kishte lënë vendin me një rrjet arsimor shtetëror të prapambetur, por kishte krijuar një situatë mbytëse edhe për ngritjen e shkollave private të arsimit të përgjithshëm. Porta e Lartë kishte nxitur vetëm zhvillimin e arsimit fetar (islamik në turqisht, ortodoks në greqisht dhe katolik në italisht). Megjithatë edhe numri i shkollave fillore e fetare turke (mektebeve dhe medreseve) ishte shumë i kufizuar, kurse ai i shkollave fetare të krishtera edhe më i pakët. Brenda katër vilajeteve, ku bënin pjesë viset shqiptare, kishte vetëm një shkollë të mesme të arsimit të përgjithshëm – gjimnazi greqisht “Zosimea” në Janinë. Si rrjedhim, në vitet 40 gati 98% e popullsisë ishte analfabete. Madje në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk kishte asnjë njeri të shkolluar, qoftë edhe me arsim të ulët, fillor.
Shkaktare kryesore e kësaj prapambetjeje të përgjithshme ishte vetë Perandoria Osmane, e cila me regjimin e saj feudal-ushtarak kishte penguar për shekuj me radhë zhvillimin e lirë ekonomik e kulturor të vendit. Ndonëse gjatë njëqind vjetëve të fundit ekonomia natyrore kishte hyrë në rrugën e shthurjes dhe vendin e saj po e zinte ekonomia e tregut, qarqet sunduese osmane vazhdonin të ruanin regjimin e vjetruar politik feudal, absolutizmin sulltanor me karakter teokratik mesjetar, që nuk u përshtatej kushteve të reja historike. Jeta politike në Shqipëri ndodhej ende nën zgjedhën e derebejve, të funksionarëve parazitarë dhe të ulemave fanatikë, të cilët, ndryshe nga feudalët çifligarë, ishin të shkëputur nga sfera e prodhimit dhe e shkëmbimit. Ata i nxirrnin të ardhurat e tyre kryesisht duke grabitur popullsinë me anën e dhunës ose arkën e shtetit me anën e posteve qeveritare. Si rrjedhim i dhunës, i grabitjes, i arbitraritetit e i pasigurisë, ekonomia e viseve shqiptare ndodhej në një amulli të theksuar. Për këtë arsye, punishtet e para manifakturore që kishin filluar të lindnin nëpër qytete qysh në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII mbetën në hapat fillestarë nuk u kthyen në industri të mirëfillta kapitaliste. Edhe pronësia tokësore çifligare, e cila gjithashtu ishte rritur qysh në shek. XVIII, në vend që të përvetësonte, siç ishte e natyrshme, format e ekonomisë së tregut, ishte gozhduar në qerthullin e marrëdhënieve feudale.

Ndryshimet administrative. Organizimi i vilajeteve
Pasi shtypi qëndresën e feudalëve separatistë provincialë, Porta e Lartë nuk e rimëkëmbi më sistemin e vjetër administrativ të ejaleteve, i cili ishte përmbysur në viset shqiptare qysh në gjysmën e dytë të shek. XVIII, pjesërisht nga anarkia feudale që pushtoi këto vise dhe kryesisht nga ekzistenca relativisht e gjatë e pashallëqeve të Shkodrës e të Janinës. Vendin e ejaleteve e zunë pashallëqet, të cilat u ndërtuan mbi parimet centraliste. Për të mos u dhënë mundësi guvernatorëve provincialë që të forcoheshin politikisht dhe ekonomikisht, njësitë e reja administrative ishin shumë më të vogla se ejaletet e dikurshme. Në krye të pashallëqeve tani u emëruan si guvernatorë pashallarë të karrierës ushtarake, të pajisur me grada sipas sistemit evropian.
Në kuadrin e kësaj reforme administrative, territoret me popullsi shqiptare u ndanë, në fillim të viteve 30, midis 9 pashallëqeve (pashallëqet e Manastirit, të Janinës, të Shkodrës, të Prizrenit, të Pejës, të Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës e të Leskovcit). Kryengritjet që shpërthyen në gjysmën e parë të viteve 30 e detyruan Portën e Lartë t’i krijonte përsëri më 1836 njësitë e mëdha administrative e sipas kësaj reforme, viset me popullsi shqiptare u ndanë midis 3 ejaleteve: në ejaletin e Manastirit, guvernatori i të cilit, me titullin “valiu i Rumelisë”, tani kishte në administrim pashallëqet e Manastirit, të Shkodrës, të Prizrenit dhe të Pejës; në ejaletin e Sofjes, me në krye një mareshal (myshir), nën vartësinë e të cilit hynë gjithashtu pashallëqet e Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit; në ejaletin e Janinës, me në krye një vezir, në kufijtë e të cilit hyri, përveç trojeve jugore shqiptare, edhe pashallëku i Thesalisë. Më 1846, pashallëku i Shkodrës dhe ai i Prizrenit u shkëputën nga valiu i Rumelisë (nga ejaleti i Manastirit) dhe formuan një njësi administrative më vete, me emrin ejaleti i Shkodrës, i varur drejtpërdrejt nga Stambolli.
Me qëllim që ta forconte më tej pushtetin qendror dhe të rriste kontrollin e vet në provinca, Porta e Lartë ndërmori më 1864 një reformë tjetër administrative, sipas së cilës vendin e ejaleteve e zunë vilajetet, me në krye një vali (guvernator). Edhe vilajetet u ndanë si dikur ejaletet në sanxhakë, në kaza e në nahije. Vilajeti u pajis me një aparat burokratik të plotë. Në mënyrë të veçantë ky aparat kishte për detyrë të vilte taksat për shtetin, të nxirrte rekrutët për ushtrinë dhe të suprimonte venomet tradicionale. Sipas shembullit të shteteve evropiane, nën urdhrat e valiut qëndronte Mexhlisi, d.m.th. këshilli administrativ i vilajetit, nga i cili vareshin drejtoritë e ngarkuara për sektorë të veçantë të administratës (drejtoria e financës, e vakëfeve, e ekonomisë, e arsimit etj.). Repartet ushtarake të vilajetit me komandantin e tyre me gradë, sipas rastit, gjeneral divizioni ose gjeneral armate, tani vareshin drejtpërdrejt nga sulltani nëpërmjet shtatmadhorisë së përgjithshme të ushtrisë osmane. Krahas tyre kishte një varg organesh të tjera, siç ishin ato gjyqësore dhe zyrat e sheriatit, të cilat në disa vise mbetën përsëri në fuqi, ato të xhandarmërisë e të policisë, të cilat vareshin drejtpërdrejt nga valiu.
Një strukturë administrative pak a shumë të njëllojtë kishte edhe sanxhaku me kazanë.
Vilajetet nuk u krijuan menjëherë. Madje disa prej tyre u suprimuan dhe u rikrijuan përsëri më vonë. Veç kësaj, edhe kufijtë e tyre administrativë nuk qenë të qëndrueshëm. Shpeshherë krahina të tëra shkëputeshin nga një vilajet dhe futeshin nën vartësinë e një vilajeti tjetër.
Trojet shqiptare u prekën pjesërisht nga reforma e re administrative më 1867 me krijimin e vilajetit të Selanikut, i cili përfshiu disa krahina të Shqipërisë Lindore (rrethet e Matit, të Dibrës, të Strugës, të Pogradecit e të Korçës). Dy vjet më vonë, më 1869, u krijua vilajeti i Shkodrës, në kufijtë e të cilit hynë, përveç viseve të Shqipërisë Veriore, edhe krahinat e Matit, të Dibrës, të Prizrenit, të Gjakovës etj. Më 1873 kufijtë e vilajetit të Shkodrës u ngushtuan në favor të një vilajeti të ri, të vilajetit të Prizrenit, i cili përfshiu gjithë Kosovën së bashku me sanxhakët e Dibrës, të Shkupit e të Nishit. Gjatë kësaj kohe edhe ejaleti i Janinës u kthye në një vilajet.
Megjithatë, ndryshimet më të shpeshta dhe më të thella harta e vilajeteve i pësoi gjatë viteve të Krizës Lindore (1875-1878). Në mënyrë të veçantë vilajeti i Kosovës, qendra e të cilit kaloi nga Prizreni në Prishtinë, pësoi ndryshime të rëndësishme në shtrirjen e vet territoriale pothuajse çdo vit, në ndonjë rast edhe dy herë në vit. Kështu, për shembull, më 1875 ai shtrihej vetëm në viset e Kosovës, kurse dy vjet më vonë nën juridiksionin e tij u përfshi një territor i gjerë, që nga Dibra deri në Nish. Po ashtu ndodhi edhe me vilajetin e Shkodrës, i cili, pasi u suprimua më 1875, u riorganizua më 1877 jo si vilajet, por si ejalet, me një territor gati dy herë më të vogël se ai që kishte katër vjet më parë. Në të njëjtën kohë, vilajeti i Manastirit, i cili u krijua për të parën herë më 1875, dy vjet më vonë u suprimua duke hyrë në juridiksionin e vilajetit të Selanikut.
Pavarësisht nga këto ndryshime të thella dhe të shpeshta, trojet shqiptare mbetën më tepër të ndara midis katër vilajeteve. Veç kësaj, në secilin nga këto vilajete u përfshinë edhe kombësi të tjera: në vilajetin e Kosovës popullsi shqiptare, serbe e maqedone, në atë të Manastirit popullsi shqiptare, maqedone e greke, në vilajetin e Janinës popullsi shqiptare, greke dhe vllehe, kurse në atë të Shkodrës popullsi shqiptare e malazeze. Megjithatë, shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në çdonjërin prej tyre dhe në të katër vilajetet të marra së bashku. Më shumë se kurdoherë tani që në Ballkan kishin marrë hov të madh lëvizjet për çlirim kombëtar, qëllimi që ndiqte Porta e Lartë me këtë politikë administrative ishte t’i mbante të përçara popullsitë joturke të Perandorisë, duke i vënë në grindje kombësitë e ndryshme të një vilajeti dhe duke penguar bashkimin politik të popullsisë së një kombësie të vetme, që ishte e shpërndarë në vilajete të ndryshme.
Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por edhe tani trojet shqiptare mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve. Madje, një pjesë e trungut etnik (krahina e Ulqinit) dhe disa vise të brezit anësor (krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit) tani mbetën jashtë Perandorisë Osmane, pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali i Zi dhe nga Serbia në vitet 1878-1880. Më 1888 ndarja e katër vilajeteve në sanxhakë dhe e sanxhakëve të tyre në kaza, ndarje e cila mbeti në fuqi deri në fund të sundimit osman, ishte në këtë mënyrë:

Vilajetet Sanxhakët dhe kazatë
vilajeti i 
Shkodrës 1. Sanxhaku i Shkodrës (kazaja e Shkodrës, e Tuzit, e Lezhës, e Pukës, e Mirditës, e Krujës)?.
2. Sanxhaku i Durrësit (kazaja e Durrësit, e Kavajës, e Shijakut, e Tiranës).
vilajeti i Kosovës 1. Sanxhaku i Shkupit (kazaja e Shkupit, e Kumanovës, e Kaçanikut, e Shtipit, e Radovishtës, e Koçanës, e Kratovës, e Peçevës, e Egri-Palankës).
2. Sanxhaku i Prizrenit (kazaja e Prizrenit, e Lumës, e Tetovës).
3. Sanxhaku i Pejës (kazaja e Pejës, e Gjakovës, e Gucisë, e Beranës, e Tërgovishtës).
4. Sanxhaku i Prishtinës (kazaja e Prishtinës, e Mitrovicës, e Vuçiternës (e Vushtrisë), e Gjilanit, e Preshevës).
5. Sanxhaku i Pazarit të Ri – Novi Pazari (kazaja e Pazarit të Ri, e Senicës, e Kolashinit, e Akovës, e Novi Varoshit, e Prepoljes).
vilajeti i Manastirit 1. Sanxhaku i Manastirit (kazaja e Manastirit, e Ohrit, e Follorinës, e Kërçovës, e Përlepit).
2. Sanxhaku i Korçës (kazaja e Korçës, e Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit, e Hurupishtit).
3. Sanxhaku i Elbasanit (kazaja e Elbasanit, e Çermenikës, e Peqinit, e Gramshit).
4. Sanxhaku i Dibrës (kazaja e Dibrës, e Radomirës, e Matit, e Rekës).
5. Sanxhaku i Selfixhesë (kazaja e Selfixhesë, e Kozhanit, e Naseliçit, e Lapsishtit, e Grebenesë, e Kajlarit, e Elasonës).
vilajeti i Janinës 1. Sanxhaku i Janinës (kazaja e Janinës, e Leskovikut, e Konicës, e Filatit, e Ajdonatit, e Mecovës).
2. Sanxhaku i Gjirokastrës (kazaja e Gjirokastrës, e Tepelenës, e Përmetit, e Himarës, e Delvinës, e Pogonit).
3. Sanxhaku i Beratit (kazaja e Beratit, e Vlorës, e Myzeqesë, e Mallakastrës, e Skraparit, e Tomorricës).
4. Sanxhaku i Prevezës (kazaja e Prevezës, e Margëllëçit, e Paramithisë, e Lorosit).

Popullsia që banonte në territoret e 4 vilajeteve ishte më 1850, afërsisht 1 700 000 banorë, kurse më 1912 rreth 2 354 000 banorë*. Kjo rritje shumë e ngadalshme (40% brenda 60 vjetëve) përcaktohej nga niveli ekonomik e shoqëror shumë i prapambetur i vendit, konkretisht nga përqindja e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve, nga epidemitë e shpeshta që pllakosnin Turqinë, nga mesatarja e ulët e moshës së popullsisë dhe nga mërgimi i dendur që pushtoi këto vise pas mesit të shek. XIX.
Për nga numri i banorëve katër vilajetet kishin dallime të ndjeshme ndërmjet tyre. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të sundimit osman, popullsinë më të madhe e kishte vilajeti i Kosovës, i cili kishte në të njëjtën kohë edhe numrin më të madh të popullsisë shqiptare. Pastaj vinin me radhë vilajeti i Manastirit, i Janinës dhe i Shkodrës. Sipas statistikave zyrtare osmane të vitit 1912 popullsia e të katër vilajeteve ishte afërsisht kjo:

Vilajetet Popullsia Popullsia shqiptare %
vilajeti i Kosovës 909 700 258 900 61,4 %
vilajeti i Manastirit 694 800 375 900 54,1 %
vilajeti i Janinës 559 700 330 800 59,1 %
vilajeti i Shkodrës 190 000 186 500 98,2 %
gjithsej 2 354 200 1 452 100 61,7 %

Sipas përllogaritjeve të përafërta, përbërja etnike e popullsisë së katër vilajeteve të marra bashkërisht (pa sanxhakun e Selfixhesë) ishte më 1912:

shqiptarë …………………..
maqedonë ………………….
grekë………………………..
serbë ……………………….
turq ………………………..
vllehë ………………………
të ndryshëm……………….. 1 452 100 frymë
317 500 “
170 000 “
163 900 “
130 400 “
117 400 “
2 200 “ 61,7 %
13,5 %
7,3 %
6,9 %
5,5 %
5,4 %
0,1 %
2 354 200 frymë 100 %

Raporti i shqiptarëve kundrejt kombësive të tjera ndryshonte nga njëri vilajet në tjetrin. Në vilajetin e Shkodrës shqiptarët përfaqësonin 98,2 %, kurse malazezët 0,6 %, të tjerët 2 %. Në vilajetin e Janinës, kundrejt shqiptarëve që zinin 59,1 %, grekët mbulonin 29,4 %, vllehët 10,4 %, të tjerët 1,1 %. Në vilajetin e Kosovës, ku qe përfshirë edhe pjesa lindore e Maqedonisë, me shumë pak banorë shqiptarë (kazatë e Shtipit, të Radovishtës, të Koçanës, të Kratovës, të Peçevës, të Kriva-Palankës), shqiptarët përfaqësonin 61,4 %, kurse serbët 16,2 %, maqedonët 13,3 %, turqit 9,1 % (pa sanxhakun e Shkupit, në vilajetin e Kosovës, shqiptarët përfaqësonin 79,1 %. Në vilajetin e Manastirit, pas shqiptarëve që zinin 54,1 %, vinin maqedonët 27,3 %, vllehët 7,4 %, turqit 5,8 %, serbët 2,1 %, të tjerë 0,1 %.
Shpërndarja e popullsisë shqiptare nuk ishte e njëllojtë as në 16 sanxhakët e katër vilajeteve. Në 11 sanxhakë shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, nga 62,2 % në atë të Prevezës deri në 98 % në atë të Shkodrës. Këta sanxhakë ishin: i Shkodrës, i Elbasanit, i Durrësit, i Beratit, i Dibrës, i Pejës, i Prizrenit, i Prishtinës, i Gjirokastrës, i Korçës dhe i Prevezës. Në katër sanxhakët e tjerë, raporti i shqiptarëve me popullsitë e tjera ishte i tillë: në atë të Novi Pazarit shqiptarët përbënin gjysmën e popullsisë; në atë të Shkupit shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë vetëm në kazanë e Shkupit dhe në qytet; në sanxhakun e Manastirit po ashtu shqiptarët kishin shumicën vetëm në kazanë e qendrës dhe në qytetin e Manastirit; në sanxhakun e Janinës shqiptarët përbënin shumicën në pjesën perëndimore të tij; në sanxhakun e Selfixhes shqiptarët nuk çonin peshë.
Me këtë strukturë etnike, katër vilajetet perëndimore të Turqisë Evropiane merrnin kështu, si bashkërisht ashtu dhe veçanërisht, karakterin e vilajeteve shqiptare. Mbi këtë bazë lindi platforma e rilindësve, të cilët kërkonin përfshirjen e tyre brenda shtetit të ardhshëm shqiptar. Megjithatë, atdhetarët përparimtarë, duke qenë më objektivë, pranonin që brenda kufijve të Shqipërisë mund të mos përfshiheshin kaza të veçanta pa popullsi shqiptare.

2. ZHVILLIMI I EKONOMISË SË TREGUT NË QYTET

Ekonomia qytetare. Shthurja e esnafeve
Në çerekun e dytë të shek. XIX, në qytetet shqiptare mbisundonte ende prodhimi i vogël i mallrave. Masën dërrmuese të popullsisë qytetare (afërsisht 76-80%) e përbënin si dhe më parë zejtarët dhe tregtarët e vegjël. Në shumicën e rasteve zejtarët ua shisnin ende konsumatorëve prodhimet e tyre pa ndërmjetësinë e tregtarëve. Çdo zejtar kishte punishten e vet të vogël. Masën më të madhe e përbënin zejtarët, të cilët kishin të angazhuar në punishten e tyre një kallfë dhe një çirak. Punishtet me dy a më tepër kallfë ishin të pakta.
Në qytetet kryesore të vendit ekzistonin pak a shumë po ato degë prodhimi që ishin zhvilluar gjatë shekujve të kaluar dhe në mënyrë të veçantë gjatë shek. XVIII. Të tilla ishin zejtaritë që merreshim me përpunimin e metaleve (armëtarë, farkëtarë, kovaçë, bakërxhinj, kazanxhinj, teneqexhinj etj.). Shkodra, Prizreni, Elbasani dhe Peja ishin gjithnjë të përmendura për prodhimin e stolive prej ari e argjendi. Një masë e konsiderueshme e zejtarëve merrej me prodhimin dhe zbukurimin e artikujve të veshmbathjes (tabakët, shajakxhinjtë, rrobaqepësit, xhokaxhinjtë, opingarët etj.). Kishte pastaj një numër të madh zejtarësh të degëve të ndryshme, të cilët prodhonin artikuj ushqimorë (furrxhinj, sheqerxhinj, gjellbërës, kafexhinj, vajxhinj) ose merreshin me përpunimin e lëndës së drurit (marangozë, tavanxhinj, sëndukxhinj, vozaxhinj, çibukxhinj, drugdhendës, qerrexhinj etj.). Dyqanet ose punishtet e zejtarëve, ishin gjithnjë të grumbulluara në një lagje më vete – në çarshi a në pazar – të veçuara nga lagjet e banuara të qytetarëve. Gjithashtu çarshitë ose pazaret ruanin akoma tiparet e mëparshme. Brenda tyre, dyqanet dhe punishtet zejtare të një dege prodhimi ishin të rreshtuara në të njëjtën rrugë.
Në vitet 30-40 qëndronin gjithnjë në këmbë organizatat esnafore të zejtarëve. Formalisht çdo esnaf e ruante ende monopolin e prodhimit të vet. Askush nuk kishte të drejtë të hapte një punishte të re zejtare pa lejen e këshillit të esnafit. Në përgjithësi, esnafët vazhdonin sipas traditës të caktonin çmimin e shitjes së artikujve që prodhonin zejtarët e tyre. Megjithatë disiplina e vjetër esnafore kishte filluar prej kohësh të shkelej. Ku më shumë e ku më pak, zejtarët nuk i respektonin më rregullat e dikurshme në lidhje me sasinë, cilësinë dhe çmimin e artikujve që prodhonin për treg. Monopoli esnafor i prodhimit kishte pësuar një goditje të rëndë dhe në një drejtim tjetër. Në disa lloje zejesh, zejtarët kishin fituar të drejtën të shisnin prodhimet e tyre edhe në viset e tjera. Madje, në disa raste, nën presionin e zejtarëve, Porta e Lartë kishte filluar ta hiqte krejtësisht monopolin esfanor për një varg prodhimesh. Qysh në vitin 1841, sulltan Abdyl Mexhiti, me një ferman perandorak drejtuar gjithë ejaleteve, hidhte poshtë lutjen e esnafit të opingarëve të zonës së Përmetit, të cilët kërkonin ta ruanin më tej monopolin e prodhimit të tyre, mbasi ky pretendim, siç thuhej në ferman, ishte në kundërshtim me sistemin e Tanzimatit.
Pasojat e zhvillimit të ekonomisë monetare ishin ndier në mënyrë të veçantë në radhët e esnafëve, të tregtarëve apo të tyxharëve, siç quheshin në atë kohë. Disiplina esnafore në gjirin e tyre ishte shthurur qysh në shek. XVIII. Reshperët e mëdhenj, të cilët kishin dalë nga radhët e borgjezisë tregtare, ishin pasuruar sidomos me veprimtarinë tregtare që zhvillonin me tregun e huaj. Rreth mesit të shek. XIX, reshperët e mëdhenj, si pronarë të kapitalit tregtar monetar, mund të mateshin, për nga fuqia ekonomike, me çifligarët e vendit. Të tillë reshperë kishte në të gjitha qytetet e rëndësishme, por masa e tyre kryesore ishte përqendruar në Shkodër, ku disa firma tregtare e vazhdonin veprimtarinë e tyre qysh nga shekulli i kaluar. Firmat e mëdha shkodrane shquheshin për rrezen e gjerë të veprimtarisë tregtare në të cilën hynin jo vetëm Shqipëria Veriore, Qendrore dhe Verilindore (Kosova), por edhe treva e Malit të Zi, madje edhe pjesa veriore e Maqedonisë. Reshperët e Shkodrës kishin agjenci tregtare në Durrës, Tiranë, Prizren, Pejë, Ulqin, Tivar, Shkup, kurse rreth 60 firma shkodrane kishin agjentë ose korrespondentë tregtarë në Trieste, prej nga ata lidheshin me tregun evropian. Në radhë të dytë vinin tregtarët e Beratit, të cilët kishin agjensi ose korrespondentë të tyre në Durrës e Vlorë, kurse jashtë vendit në Trieste, Korfuz e Maltë. Reshperët ushtronin edhe veprimtarinë kamatare dhe valutore (kambiste). Megjithatë, si kudo në Perandorinë Osmane, edhe në viset shqiptare funksionin ekonomik kryesor borgjezia reshpere e kryente si ndërmjetëse midis tregut të brendshëm dhe tregut të jashtëm, duke u varur kryesisht nga tregu i huaj.
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë monetare, i cili mori një hov të madh sidomos gjatë viteve 40 e 50, e shpejtoi ritmin e shthurjes së esnafëve. Nën nxitjen e kërkesave të qytetarëve e të fshatarëve për prodhimin e qytetit, regjimi i vjetër esnafor mori nga vetë zejtarët dhe tregtarët vendas goditjen përfundimtare. Komisionet lokale, të cilat për hir të traditës vazhdonin në çdo kaza të caktonin akoma çmimet javore të prodhimeve qytetare e fshatare, u suprimuan përfundimisht gjatë viteve 50. Më 1861 u hoq zyrtarish me dekret perandorak edhe privilegji i fundit që u kishte mbetur organizatave esnafore, e drejta e lejes për ushtrimin e zejeve, e cila tani kaloi në kompetencë të organeve shtetërore lokale. Organizatat esnafore vazhduan të ekzistonin edhe më vonë, por tani ato nuk e kryenin më funksionin ekonomik që kishin gëzuar, si institucione të rendit feudal, gjatë shekujve të kaluar. Tani esnafët morën pamjen e organizatave shoqërore dhe ndikimi tradicional, që ato ushtronin akoma mbi zejtarët dhe tregtarët, erdhi përherë e më tepër duke u dobësuar.
Si përfundim, qysh gjatë viteve 40 punishtet zejtare u kthyen në njësi ekonomike në pronësi të plotë të mjeshtrave zejtarë, të pavarura nga disiplina esnafore. Me shthurjen dhe pastaj me heqjen e esnafeve u hap përfundimisht rruga e konkurrencës së zejtarëve dhe e tregtarëve në fushën e çmimeve. Më parë në qytetet kryesore, dhe pastaj në tregjet e vogla, filloi të vepronte lirisht ligji i vlerës, lëvizja e çmimeve sipas ofertës dhe kërkesës, lufta për të ulur koston dhe për të shtuar prodhimin. Kështu në tregun shqiptar filluan dalngadalë të vepronin ligjet e ekonomisë së tregut.

Zhvillimi i mëtejshëm i tregut të brendshëm
Mbisundimi për një kohë të gjatë i ekonomisë natyrore dhe i regjimit të timareve që mbështetej në të e kishte vonuar së tepërmi zhvillimin e tregut të brendshëm shqiptar. Deri një shekull më parë lidhjet e fshatit me qytetin ishin shumë të dobëta. Në treg shkonin kryesisht prodhimet fshatare, të grumbulluara në formën e rentës feudale nga ana e spahinjve. Gjithashtu nevojat e fshatarëve për prodhimet zejtare të qytetit ishin të pakëta, sepse këto nevoja ata i plotësonin brenda ekonomisë së tyre individuale. Veç kësaj, sa kohë sundonte regjimi i timareve, nevojat, që u lindnin herë pas here fshatarëve për tokë suplementare, ata i siguronin me anën e tokave “vakante” që ndodheshin brenda timarit, të cilat spahiu i dikurshëm ua jepte pa ndonjë vështirësi me tapi, mbasi këto sillnin rritjen e të ardhurave edhe për vetë spahiun.
Por qysh gjatë shek. XVIII, me shthurjen e vazhdueshme të regjimit të timareve, mundësia për të zgjeruar bashtinën individuale mori fund për fshatarët, sepse tokat “vakante” filluan të binin në duart e bejlerëve çifligarë. Fshatarët e vegjël, që mbetën me toka të pakëta, u detyruan ose të vendoseshin në çifligjet e bejlerëve feudalë, ose të kërkonin burime jetese suplementare. Meqenëse zgjedhja feudale në çifligje ishte shumë e rëndë, fshatarët e varfër përpiqeshin me çdo kusht t’i shmangeshin kthimit të tyre në bujq-çifçinj. Por edhe nëpër qytete, fronti i punës ishte shumë i kufizuar qoftë për nivelin jo aq të zhvilluar të ekonomisë monetare, qoftë për pengesat që vinin nga regjimi feudal esnafor. Për këto arsye, deri në vitet 40, burimet suplementare të jetesës fshatarët e vegjël i siguronin, në një masë të kufizuar, me anën e mercenarizmit, kurse shumica e tyre dërrmuese me anën e një veprimtarie të dytë ekonomike. Këtë veprimtari suplementare ekonomike ata e zhvillonin brenda ose jashtë fshatit, brenda ose jashtë sferës bujqësore. Për fshatarët e vegjël që zotëronin pak dynymë tokë shpeshherë të ardhurat nga veprimtaria suplementare zinin vendin e parë në buxhetin e varfër të familjes. Sipas veprimtarisë së dytë që zhvillonin, fshatarët e varfër kishin fituar tiparet e reja social-ekonomike. Një pjesë e tyre ishte kthyer në paraqendarë – fshatarë, të cilët pjesën e tokës që u nevojitej e merrnin me qira nga pronarët çifligarë duke u kthyer kështu në gjysmëpronarë dhe gjysmëbujq. Një pjesë tjetër qe kthyer në argatë (fshatarë gjysmëpronarë e gjysmëpunëtorë), të cilët largoheshin gjatë disa muajve të vitit nga toka e tyre e pamjaftueshme dhe punonin me mëditje pranë ekonomive të tjera bujqësore, si druvarë, shataxhinj, lamaxhinj, kosaxhinj, belaxhinj, kazmaxhinj, sharrëxhinj etj. Krahas tyre në fshatin shqiptar kishte edhe fshatarë-zejtarë, të cilët pranë ekonomisë së vogël bujqësore organizonin brenda në familje një punishte të vogël zejtare për prodhime artikujsh të caktuar të destinuar për treg?. Kishte më në fund edhe një kategori tjetër banorësh të fshatit, fshatarët-kurbetlinj, të cilët nevojat e tyre i plotësonin me të ardhurat që një ose dy nga anëtarët e familjes u dërgonin nga kurbeti qytetar, brenda ose jashtë vendit, ku ata qëndronin për periudha të gjata dhe punonin si punëtorë, si zejtarë ose si tregtarë.
Diferencimi i radhëve të fshatarësisë tregonte se ekonomia natyrore, mbështetja e rendit feudal, tashmë kishte hyrë në rrugën e shthurjes së shpejtë. Masa të konsiderueshme fshatarësh kishin filluar të shisnin në treg jo vetëm prodhimet e tyre bujqësore, blegtorale, zejtare, por në mjaft raste, siç ndodhte me argatët ose kurbetlinjtë, edhe fuqinë e tyre të punës.
Heqja e regjimit feudal-ushtarak, sanksionimi i pronësisë tokësore çifligare, lënia e lirë e çmimeve të tregut, rritja e vazhdueshme e peshës së taksave dhe vendosja e shërbimit të gjatë ushtarak e shpejtuan më tej procesin e varfërimit të fshatarëve. Ky varfërim e rriti numrin e prodhuesve të vegjël, të cilët, për të siguruar burime të tjera jetese, ishin gati të shisnin kudo fuqinë e tyre të punës. Si rrjedhim, pas viteve 40, zhvillimi i tregut të brendshëm të fuqisë punëtore u krye me ritme më të shpejta.
Tani që mundësitë për të rritur tokën pa blerje u prenë dhe kërkesat fiskale shtetërore u shtuan, fshatarët u detyruan t’i kushtonin më tepër kujdes edhe shfrytëzimit të ekonomisë së tyre. Kjo solli rritjen, ndonëse me ritme të ngadalshme, të prodhimit bujqësor dhe të kontaktit të fshatarëve me tregun. Pas viteve 40 fshatarët filluan të vinin gjithnjë e më shpesh në qytet për të shitur prodhimet e tyre. Tani atyre u nevojiteshin të holla më tepër se më parë për të paguar taksat shtetërore që erdhën duke u shtuar, qoftë për të blerë artikuj industrialë për të cilat tani kishin nevojë më tepër se më parë.
Zgjerimi i lidhjeve të fshatit me qytetin i dha gjithashtu hov prodhimit zejtar. Hov morën sidomos zejtaritë që përpunonin prodhimet e fshatarëve (lëkurë, lesh, li, pambuk, mëndafsh, ullinj, duhan), po edhe zejtaritë që prodhonin artikuj për fshatin (vegla, enë, veshje, mbathje, pajime të ndryshme). Kjo solli rritjen e numrit të zejtarëve dhe të tregtarëve. Nga viti 1842 në vitin 1888 numri i punishteve zejtare dhe i dyqaneve tregtare në qytet u rrit: në Shkodër nga 2 600 në 3 500, në Prizren nga 950 në 1 560, në Korçë nga 480 në 840, në Berat nga 680 në 820, në Elbasan nga 580 në 730, në Tiranë nga 610 në 720, në Tetovë nga 450 në 610, në Prishtinë nga 380 në 530 etj. Një rritje të tillë patën të gjitha qytetet e vendit duke përfshirë këtu edhe qytetet e vogla (për shembull, brenda të njëjtës periudhë numri i dyqaneve u rrit në Përmet nga 84 në 188, në Gostivar nga 40 në 97, në Starovë nga 45 në 85, në Peqin nga 48 në 96, në Tepelenë nga 15 në 45 etj.). Veç kësaj, në çdo krahinë fushore ose malore lindi tregu lokal ku fshatarët vinin çdo javë, ditën e pazarit, për të shitur prodhimet e tyre dhe për të blerë sendet e nevojshme. Disa nga këto qendra të vogla, të cilat në vitet 40 e ruanin akoma karakterin e fshatit, si Fieri, Lushnja, Ballshi, Këlcyra, Frashëri, Kukësi, Shijaku, tani kishin me dhjetëra dyqane zejtarie e tregtie.
Depërtimi me ritme më të shpejta i ekonomisë monetare në fshat u pasqyrua gjithashtu me rritjen e marrëdhënieve të shkëmbimit me vendet e huaja. Brenda 50 vjetëve (që nga viti 1842 deri në vitin 1892) lëvizja tregtare u rrit afërsisht katër herë. Si dhe më parë, ajo filloi të zhvillohej kryesisht me anën e detit. Numri i anijeve që preknin skelat shqiptare erdhi gjithnjë duke u rritur. Nga rreth 160 ngarkesa e shkarkesa anijesh në vit që kryheshin në mesin e shekullit, numri i tyre arriti, në fund të shekullit, në rreth 400. Nga interesi që paraqisnin tani viset shqiptare për tregun evropian, anijet e shoqërive të mëdha të lundrimit të Austrisë e të Italisë, siç ishin “Llojdi”, “Pulia” (Puglia), “Adria” filluan të frekuentonin rregullisht, një herë, pastaj dy herë dhe më tutje tri herë në javë skelat e Shëngjinit, të Durrësit, të Vlorës e të Sarandës. Madje qysh në vitet 50 e 60 edhe familjet reshpere shkodrane Daragjati, Bianki dhe Muzhani blenë me fondet e tyre anije me avull, me të cilat kryenin lundrime tregtare të rregullta midis skelave shqiptare dhe skelave të Adriatikut. Një zhvillim relativisht të madh mori gjatë kësaj periudhe edhe lëvizja tregtare me viset e brendshme të Gadishullit Ballkanik, e cila, edhe pse kryhej gjithnjë me karvane kuajsh, kishte përsëri leverdi për tregun e brendshëm shqiptar. Lidhjet gjithnjë e më të shpeshta të fshatit me tregun i tregon sidomos rritja e vëllimit të artikujve bujqësorë e blegtoralë, nga rreth 6 milionë franga ari më 1850 në afërsisht 12 milionë franga ari më 1898, që eksportoheshin nga skelat shqiptare në tregjet evropiane. Atë e tregon gjithashtu lista gjithnjë në rritje e artikujve që importoheshin nga tregjet e huaja, të cilat vinin nga jashtë ose në gjendje të gatshme (vajguri, sheqer, kafe, pëlhura, vegla, armë, llamba, sapunë, kinkaleri etj.) ose si lëndë e parë dhe përpunoheshin nga zejtarët vendas (hekur, çelik, plumb, kallaj, zink, lëkurë, stofë etj).
Zhvillimi i tregut të brendshëm solli si kudo edhe në Shqipëri nevojën e veprimeve më të lehta financiare dhe të lëvizjes më të shpejtë të mallrave. Nën ndikimin e këtyre nevojave, filluan të ngrihen dhoma e tregtisë, gjykata tregtare, zyra postare dhe agjenci lundrimi. Qysh në vitet 80, Banka Perandorake Osmane çeli degë të saj në qendrat e katër vilajeteve, të cilat nga ana e tyre krijuan korrespondentë bankarë në qytetet e tjera të vendit. Në të njëjtën kohë u ngritën në të gjitha qendrat e sanxhakëve dhe të kazave degë ose arka të Bankës Bujqësore osmane (Ziraat Bankasi), të cilat kryenin edhe veprime krediti. Gjithashtu krijuan agjenci në Shkodër, në Durrës e në Vlorë edhe disa nga shoqëritë e mëdha të sigurimeve të Triestes e të Venedikut. Nga 2 shtete të huaja që kishin më 1840 konsullata në viset shqiptare (Franca, Anglia), në fund të shek. XIX kishin konsullatat e tyre në këto vise 9 shtete (Franca, Anglia, Austria, Italia, Rusia, Greqia, Serbia, Rumania, Mali i Zi). Që nga pjesa e fundit e shek. XIX, nën presionin e kërkesave të reshperëve shqiptarë, u dukën edhe hapat e parë në ndërtimin e rrugëve të komunikacionit, nga të cilat patën një farë interesi rrugët e qerreve që lidhën Shkodrën me Lezhën e Shëngjinin, Tiranën me Durrësin e Kavajën, Sarandën dhe Gjirokastrën me Janinën, Manastirin me Korçën dhe Janinën, Elbasanin me Kavajën e Durrësin. Gjatë viteve 70 u ndërtua gjithashtu hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë, e cila kalonte përmes viseve të Kosovës.
Shthurjen gjatë kësaj periudhe me ritme më të shpejta të ekonomisë natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm e tregon më në fund ngritja e dyqaneve tregtare dhe e punishteve zejtare nëpër fshatrat e vendit. Në vitet 40 të tilla dyqane jashtë qyteteve ishin shumë të rralla, gjë që ndodhte pjesërisht edhe nga pasiguria që sundonte në këto vise. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, edhe pse pasiguria nuk u likuidua plotësisht, numri i tyre erdhi vazhdimisht duke u rritur, në mënyrë të veçantë në ato krahina të Shqipërisë së Jugut ku ekonomia monetare kishte depërtuar me ritme më të shpejta se gjetkë. Sipas njoftimeve zyrtare turke, në vitet 80 kishte jashtë qyteteve: në kazanë e Korçës me 168 fshatra 1 175 dyqane, në atë të Beratit me 175 fshatra 360 dyqane, në kazanë e Përmetit me 140 fshatra 340 dyqane, në atë të Gjirokastrës me 62 fshatra 240 dyqane, në atë të Delvinës me 130 fshatra 140 dyqane, në kazanë e Vlorës me 64 fshatra 45 dyqane, në atë të Tepelenës me 61 fshatra 35 dyqane. Rrjeti i dyqaneve u ngrit, ndonëse me përpjestime më të vogla, edhe në vise të tjera të vendit. Për shembull, po atë vit kishte: në kazanë e Peqinit me 97 fshatra 80 dyqane, në atë të Dibrës së Epërme me 142 fshatra 76 dyqane, në kazanë e Dibrës së Poshtme me 38 fshatra 25 dyqane, në kazanë e Elbasanit me 97 fshatra 20 dyqane, në atë të Matit me 33 fshatra 15 dyqane, në atë të Gramshit me 66 fshatra 5 dyqane etj.
Shtrirja e rrjetit të tregtisë në fshat i dha një shtytje të madhe forcimit të lidhjeve ekonomike midis tregjeve lokale dhe qyteteve kryesore, njëkohësisht edhe midis vetë qyteteve kryesore të vendit. Me gjithë pengesat që vinin nga vështirësitë e komunikacionit dhe nga pasiguria e qarkullimit, qendrat kryesore ekonomike të vendit tashmë u lidhën me njëra-tjetrën ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, duke u kthyer në hallka të veçanta të tregut të brendshëm kombëtar. Si rezultat i këtij zhvillimi, gjatë kësaj periudhe u formua bashkësia e jetesës ekonomike në viset shqiptare.

Punishtet manifakturore dhe fabrikat e para 
Zhvillimi i ekonomisë monetare dhe shthurja e disiplinës esnafore i dhanë një shtytje shtimit të prodhimit të punishteve zejtare. Ky proces pushtoi sidomos punishtet zejtare të këpucëve, të opingave, të lëkurëve, të shajakëve, të qilimave, të armëve, të argjendarisë, të qëndistarisë etj. Rreth mesit të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan, Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin 5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në 15 krahë pune. Në këto punishte procesi i prodhimit vijoi të kryhej, si edhe më parë, me po ato vegla dore, por tani mori një përmbajtje të re social-ekonomike. Si trajtimi i krahëve të punës, ashtu dhe shitja e prodhimeve të tyre, nuk vareshin më nga disiplina esnafore, por nga ligjet e tregut të lirë. Kallfa dhe çiraku i djeshëm u kthyen në një shitës të “lirë” të krahut të tyre të punës, kurse mjeshtri zejtar në një pronar i plotë i mjeteve të prodhimit. Si rrjedhim, pas viteve 40 në gjirin e punishteve të mëdha zejtare filluan të lindnin, ku më parë e ku më pas, elementet e para të marrëdhënieve të ekonomisë së tregut.
Por në punishtet e mëdha zejtare të kësaj periudhe mbeti për disa kohë në fuqi ndarja e mëparshme e punës. Procesi i kooperimit të thjeshtë hyri me vështirësi në gjirin e tyre. Megjithatë, nën nxitjen e konkurrencës së lirë, që u zhvillua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, qoftë midis prodhimeve të zejtarëve lokalë, qoftë midis tyre dhe prodhimeve evropiane, nga radhët e borgjezisë tregtare dolën nisma për të ngritur punishte manifakturore me një bazë teknike më të përparuar se ajo e punishteve zejtare. Filluan të duken makineritë e para të sjella nga jashtë për punimin e lëndës së parë vendase. Nga vitet 70 të shek. XIX lindën elementet e para të industrisë me motor, u ngritën ndërmarrjet industriale të mekanizuara (fabrikat), që punonin me fuqi motorike. Por këto ndërmarrje kishin më shumë pamjen e punishteve të zgjeruara me disa makina. Të tilla qenë për shembull flandrat për përpunimin dhe endjen e mëndafshit, që tregtari shkodran Filip Parruca solli qysh në vitin 1860 nga Italia, filatura mekanike me avull që sollën nga jashtë afërsisht në atë kohë vëllezërit Bianki në Shkodër, makinat e dorës për përpunimin e gajtanëve ose çarqet për prodhimin e shiritave, që disa pronarë punishtesh sollën gjithashtu nga jashtë pak vite më vonë. Por ndërmarrjet më të rëndësishme të industrisë në Shkodër ishin fabrika e sapunit (e ndërtuar nga Stefan Bianki dhe Engjëll Çoba, e cila prodhonte afër 180 tonë sapun në vit), fabrika e makaronave, ajo e brezave, e tisazhit, e cigareve (ku punonin mbi 100 punëtore), fabrika e tullave, mullinjtë e blojes me fuqi motorike, shtypshkronja, fabrika e uthullës dhe e verës, një kantier i vogël për ndërtimin e riparimin e barkave, furra moderne Hofman etj. Në Ulqin ishin ngritur kantieret e ndërtimit të anijeve, në njërin prej të cilëve punonin deri në 50 punëtorë.
Në qendrat e tjera të vendit lindën gjithashtu ndërmarrjet e para industriale për përpunimin e artikujve të konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave, të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj. Më 1870 u ndërtuan në Korçë dy furra moderne për prodhimin e gëlqeres, një mulli drithi me kapacitet bluarjeje 150 kv në 24 orë, një fabrikë miellit etj. Në fundin e shek. XIX u ndërtuan në Prishtinë dy fabrika mielli dhe disa mullinj me motorë, ndërsa në viset e tjera të vilajetit të Kosovës u ngritën një fabrikë sapuni, një sharrë mekanike për përpunimin e drurit (me kapital shqiptaro-gjerman), fabrika e birrës, e miellit, e tullave dhe e tjegullave; në Tetovë ishte ngritur fabrika e gajtanit, 15 punishte për prodhimin e pëlhurave dhe fabrika e miellit (e ndërtuar nga një firmë hungareze); në Prizren dhe në Plevlje kishte dy fabrika të tjera gajtani. Në Durrës ishte ngritur një sharrë mekanike (që i përkiste një shoqërie franceze) dhe disa mullinj me fuqi motorike; në Vlorë ishte ngritur industria nxjerrëse e bitumit të Selenicës, kriporja, një poçeri (ku punonin më shumë se 100 punëtorë), disa fabrika të kohës për prodhimin e vajit; në Elbasan ishin ndërtuar dy presa moderne dhe një makinë hidraulike për prodhimin e vajit, një fabrikë sapuni, fabrika e duhanit dhe ajo e miellit; në Gjirokastër ishte ngritur fabrika e përpunimit të lëkurës; në Kavajë kishte kripore, punishte të qeramikës, dy mullinj me fuqi motorike; në Prevezë u ngrit një fabrikë sapuni etj.
Gjatë kësaj periudhe u dukën edhe investimet e huaja, të cilat u kufizuan vetëm në sferën e shfrytëzimit të minierave dhe të pyjeve. Qysh më 1875 Shoqëria angleze “Mejers” (Mayers) mori për shfrytëzim minierat e serës në Selenicë; më pas (më 1891) këtë koncesion e mori nga Shoqëria “Mejers”, një shoqëri frënge, e formuar në Paris posaçërisht për shfrytëzimin e kësaj miniere (Société des bitumes de Selenitza). Më 1904 Shoqëria italiane “Firpo e Berberis” mori për shfrytëzim pyjet e Thumanës afër Durrësit dhe solli këtu sharra mekanike moderne. Më 1910 Shoqëria tjetër italiane “Vismara” filloi, gjithashtu, me anën e sharrave moderne shfrytëzimin e pyjeve të Mirditës. Në vitet e fundit të sundimit osman u ngritën nga investitorë të huaj një fabrikë makaronash në Shkodër, një fabrikë vaji në Vlorë etj.
Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse me një teknikë më të përparuar, të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër të kufizuar punëtorësh, madje disa prej tyre më pak se punishtet e mëdha zejtare. Pesha e prodhimit të tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore, zinte një vend fare të parëndësishëm kundrejt prodhimit që dilte nga duart e zejtarëve të vegjël, të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale të vendit. Veç kësaj, megjithëse borgjezia reshpere zotëronte fonde monetare të mëdha dhe ndonëse kishte një treg të lirë krahësh pune, as fabrikat e reja, as punishtet manifakturore nuk e rritën më tej prodhimin dhe nuk u kthyen në industri moderne. Për më tepër, disa prej tyre e pushuan pas disa kohësh veprimtarinë ekonomike. Arsyeja kryesore e zhvillimit shumë të ulët të prodhimit industrial kapitalist në Shqipëri qe varfërimi me ritme shumë të shpejta që i shkaktuan tregut të brendshëm, nga njëra anë sistemi fiskal parazitar i sunduesit osman, nga ana tjetër vërshimi i pandalshëm i mallrave të huaja të vendeve të zhvilluara të Evropës.
Çdo vit me miliona groshë mblidheshin në formë taksash nga Shqipëria dhe merrnin rrugën e Stambollit, ndërsa në vend shpenzoheshin shuma tepër të pakëta vetëm për mbajtjen e administratës shtetërore. Kështu, për shembull, në vitin 1888, sipas të dhënave të salnamesë osmane për vilajetin e Manastirit, nga tre sanxhakët shqiptarë të këtij vilajeti (sanxhakët e Korçës, të Elbasanit dhe të Dibrës) shuma e taksave të vjela ishte 13,8 milionë groshë, kurse pjesa e shpenzuar në vend vetëm 3,7 milionë groshë. Po kështu ndodhte edhe në viset e tjera. Sipas salnamesë turke për vilajetin e Janinës, në vitin 1900 në sanxhakët e Gjirokastrës, të Beratit e të Prevezës u grumbulluan atë vit 16,4 milionë groshë dhe u shpenzuan në vend vetëm 2,7 milionë groshë. Kjo grabitje e vazhdueshme, e cila bëhej në kurriz të shtresave të gjera të popullsisë, që ishin pothuajse të vetmit kontribuesë të buxhetit turk dhe konsumatorë kryesorë të prodhimeve industriale, solli si pasojë dobësimin e vazhdueshëm të tregut të brendshëm shqiptar.
Faktori tjetër që shpuri në dobësimin e tregut të brendshëm shqiptar ishte konkurrenca e mallrave evropiane, të cilat në bazë të kapitulacioneve hynin në Shqipëri me një tagër tepër të ulët doganor. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, prodhimi i punishteve zejtare e manifakturore lokale, duke mos qenë në gjendje t’i bënte ballë konkurrencës së prodhimeve industriale të huaja, hyri në një krizë të rëndë, e cila e çoi në një rënie të vazhdueshme. Goditjen e parë e pësuan prodhimet e tekstileve, siç qenë tekstilet e linjta, të leshta dhe të mëndafshta. Me vërshimin e mallrave të huaja, eksportimi i këtyre prodhimeve nga Shqipëria u ndërpre, madje këto prodhime filluan të mos gjenin treg as brenda vendit. Si pasojë, filandrat dhe makineritë, që u sollën në vitet 60-80 në Shkodër, në Korçë e në Berat për prodhimin e tekstileve të leshta e të mëndafshta filluan të mbylleshin njëra pas tjetrës. Në fillim të shek. XX jetonte ende prodhimi i vogël i grave shtëpiake (shajaku në Korçë e në Berat, mëndafshi në Tiranë e në Shkodër), por edhe këtu ky prodhim ishte në rënie të plotë. Për të njëjtat arsye, rënia që ishte shfaqur qysh më parë në prodhimin e armëve të zjarrit (pushkë, kobure, fishekë) tani u thellua më tej. Pas mesit të shek. XIX zejtarët armëtarë, që mbushnin ende pazaret e Shkodrës, të Prizrenit dhe të Elbasanit nuk i prodhonin më të gjitha pjesët e armëve. Disa prej tyre, siç qenë për shembull tytat e pushkëve e të kobureve, filluan t’i sillnin nga jashtë. Por edhe kjo nuk vijoi gjatë. Me vërshimin në Shqipëri të armëve martina, më të lira dhe më moderne, prodhimi vendas i pushkëve e i kobureve, me gjithë traditat e lashta, ra përfundimisht, derisa u zhduk fare gjatë çerekut të fundit të shek. XIX. Gjatë kësaj periudhe filloi të binte edhe zejtaria e tabakëve, e cila gjithashtu nuk qe më në gjendje t’i konkurronte nga çmimi lëkurët e regjura në fabrikat moderne evropiane. Këtë fat pësuan edhe degë të tjera, siç qenë zejtaritë e argjendarëve, të remtarëve, të drugdhendësve etj.
Nga ana tjetër, me vërshimin e mallrave të huaja dhe me rrënimin e punishteve të vendit, u përmbys raporti që ekzistonte më parë në bilancin e tregtisë së jashtme të viseve shqiptare. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX vëllimi i mallrave të importuara nga tregjet evropiane erdhi duke u rritur. Në listat e tyre tani bënin pjesë edhe artikuj të cilët më parë prodhoheshin nga zejtarët shqiptarë, madje edhe artikuj të cilët më parë figuronin në listat e mallrave që eksportonte Shqipëria (fije mëndafshi, fije pambuku, stofra të leshta, pëlhura mëndafshi, enë shtëpiake, lëkurë të punuara, shuall e këpucë, armë e barut, brava e gozhdë, feste e breza, kazma e lopata etj.). Për më tepër, në listën e mallrave që tani eksportoheshin nuk figuronin më si dikur artikuj të përpunuar dhe aq më pak mallra të gatshme, por vetëm bagëti të imëta e të trasha, shumë pak prodhime bujqësore dhe kryesisht lëndë të para në gjendje natyrore (lesh, lëkurë, duhan, ullinj, dyllë i papunuar etj.). Diferenca midis importimeve dhe eksportimeve erdhi kështu vazhdimisht duke u rritur. Në fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara nga skelat bregdetare ishte tri herë më e madhe se ajo e mallrave të eksportuara (më 1898 nga skelat e Shqipërisë u importuan mallra me një vleftë prej 34 milionë franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara ishte rreth 12 milionë franga ari). Ky deficit i theksuar që vazhdoi me dhjetëra vjet e varfëroi edhe më shumë pasurinë monetare të vendit. Shterrimin e plotë të kësaj pasurie e frenuan deri në një farë shkalle vetëm dërgesat periodike valutore të kurbetlinjve (emigrantëve) shqiptarë, që punonin në vise të huaja dhe që i kishin lënë familjet në Shqipëri.
Karakteri parazitar i administratës osmane dhe konkurrenca tregtare e shteteve evropiane, duke varfëruar sistematikisht pasurinë monetare vendase, e dobësuan thellësisht fuqinë blerëse të masave popullore dhe krijuan kështu një situatë mbytëse për zhvillimin e industrisë kombëtare shqiptare. Për këtë arsye trojet shqiptare mbetën deri në fund të sundimit osman pa asnjë industri të zhvilluar.
Më 1912 në trojet e trungut etnik shqiptar kishte, përveç punishteve manifakturore, shumë pak fabrika të vogla me motorë:

Mullinj drithi ……………………. 26 njësi
Fabrika vaji ……………………… 4 “
Fabrika sapuni ………………….. 2 “
Fabrika lëkurësh ………………… 2 “
Fabrikë tisazhi ………………….. 1 “
Fabrika cigaresh ………………… 2 “
Fabrikë makaronash ……………. 1 “
Shtypshkronja …………………… 5 “
Sharra mekanike ………………… 7 “
50 “

Të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet shumë të kufizuar prodhimi. Numri i punëtorëve të këtyre njësive ishte gjithashtu fare i vogël. Në secilën prej tyre punonin 3-15 punëtorë dhe fare rrallë mbi 16 punëtorë, kurse numri i tyre i përgjithshëm llogaritej në disa qindra punëtorë. Si përfundim, marrëdhëniet karakteristike për ekonominë e tregut në u dukën Shqipëri jo aq në rritjen e ndërmarrjeve moderne kapitaliste, por kryesisht në veprimin e ligjeve të ekonomisë së tregut.

Struktura shoqërore e qyteteve
Ekonomia e re e tregut, që lindi në Shqipëri gjatë shek. XIX solli ndryshime në strukturën shoqërore të qyteteve. Por për shkak të ruajtjes së strukturës shtetërore feudale të Perandorisë Osmane, e cila qëndronte në fuqi vetëm në saje të dhunës, qytetet shqiptare nuk u çliruan dot nga zgjedha e shtresës së vjetër feudale sunduese. Përfaqësuesit kryesorë të saj, funksionarët e lartë të administratës shtetërore, shtresat e sipërme të klerit islamik dhe feudalët e fuqishëm derebej, të shkëputur si edhe më parë nga sfera e prodhimit, vijuan të grabisnin popullsinë dhe arkën e shtetit me anën e dhunës, të arbitraritetit, të mashtrimit dhe të spekulimeve. Për këtë arsye ata nuk ishin aspak të interesuar për ta ndryshuar strukturën ekonomike, shoqërore e politike të Perandorisë Osmane. Në kushtet e reja të krijuara nga veprimi i ligjeve ekonomike kapitaliste, karakteri parazitar i tyre u bë më i theksuar. Nga pjesëtarët e klasës së vjetër sunduese qenë prekur vetëm krerët e feudalizuar të esnafeve, të cilët, me heqjen e monopolit esnafor, humbën bazën e tyre ekonomike, si rrjedhim burimin e pushtetit të tyre të dikurshëm. Deri në vitet 60 ata vazhduan të bënin pjesë në shtresat e larta të popullsisë qytetare, vetëm për hir të traditës shekullore ose përkrahjes politike që Porta e Lartë u detyrua t’u jepte për të shuar trazirat e shkaktuara prej tyre.
Borgjezia tregtare, sidomos reshperët e mëdhenj, me rritjen e mëtejshme të tregtisë grosiste, u fuqizuan më shumë. Me krizën që shkaktoi ndër prodhuesit shqiptarë vërshimi i mallrave të huaja, edhe burimi tjetër i fitimit të tyre, fajdeja, erdhi gjithashtu duke u rritur (në vitet 80 në tregun e Shkodrës fajdeja kapte normalisht 50-60%). Në qytetet e pajisura me garnizone ushtarake reshperët nxorën fitime të mëdha edhe nga kontratat për furnizimin e ushtrisë me ushqime, veshmbathje e pajime të ndryshme. Në tregjet kryesore të vendit ata futën nën varësinë e tyre shumë nga zejtarët e vegjël dhe nga gratë shtëpiake, të cilat tani përpunonin lëndën e parë vendase të grumbulluar prej reshperëve dhe të destinuar për eksport (lesh, lëkurë, mëndafsh, bimë, fruta etj.). Reshperët u pajisën me anije lundrimi (12 anije deri më 1912) dhe përqendruan në duart e tyre kapitale tregtare e monetare të mëdha. Por kjo pjesë e borgjezisë, në kushtet e arbitraritetit të administratës osmane dhe të zhvillimit të dobët të tregtisë, nuk arriti të kalonte kapitalet e saj nga sfera e qarkullimit në atë të prodhimit, mbeti e lidhur deri në fund të sundimit osman me veprimtarinë tregtare e kamatare, duke i akorduar kredi edhe vetë financës shtetërore lokale. Veç kësaj, me hyrjen gjithnjë e më shumë të tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, një pjesë e tregtarëve u bënë njëkohësisht pronarë çifligjesh, duke u kthyer kështu në një borgjezi reshpero-çifligare.
Forca e re shoqërore që lindi në këtë kohë, borgjezia industriale, për shkak të klimës mbytëse që sundoi për zhvillimin e ekonomisë së tregut, sidomos pas viteve 70, pati deri në fund të sundimit osman një peshë të parëndësishme.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut filloi të shfaqej në viset shqiptare edhe një shtresë tjetër shoqërore, punëtorët, bërthamën e së cilës e përbënin mëditësit e thjeshtë që punonin në fabrikat, minierat, kriporet, anijet, sharrat dhe punishtet e ndryshme. Por në radhët e kësaj shtrese shoqërore hynin edhe prodhuesit e tjerë të qytetit, siç ishin kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, qiraxhinjtë, hamejtë, druvarët, prodhuesit e vegjël të pazarit e të shtëpisë që punonin për reshperët e mëdhenj dhe, së bashku me ta, shtresa e të papunëve. Punëtorët e të gjitha kategorive punonin pa përjashtim deri 14 orë në ditë dhe merrnin një pagë shumë të ulët, që shpesh jepej në formën e qesimit. Deri në fund të sundimit osman nuk doli asnjë legjislacion që të mbronte të drejtat më elementare të punëtorëve.
Me gjithë pasojat që pati për prodhimim e vogël vërshimi i mallrave të huaja, masën dërrmuese të popullsisë së qyteteve e formonin, si edhe më parë, zejtarët e tregtarët e vegjël. Edhe pse disa nga zejtaritë e vjetra u zhdukën nga pazaret e qyteteve ose ishin në rënie të plotë, forcimi i vazhdueshëm i lidhjeve të fshatit me qytetin u dha mundësi zejtarëve që merreshin me veshmbathjet fshatare t’i shpëtonin rrënimit ekonomik (zejtarët që prodhonin tirqe, shallvare, poture, kallca, opinga, breza, qeleshe etj.). Veç kësaj, në disa degë të prodhimit zejtar artikujt evropianë nuk arritën ta konkurronin prodhimin vendas, i cili shitej më lirë se prodhimi i huaj (prodhimet e remtarëve, të farkëtarëve, të poçarëve, të saraçëve, të këpucëtarëve etj.). Më në fund, rritja e kërkesave të vetë popullsisë qytetare solli në disa fusha shtimin e numrit të zejtarëve (rrobaqepës, marangozë, furrxhinj, sheqerxhinj, sahatçinj etj.). Zhvillimi i tregut të brendshëm, vërshimi i mallrave të huaja dhe zhvillimi i jetës qytetare sollën nga ana e tyre rritjen e mëtejshme të dyqaneve të tregtarëve të vegjël dhe të lokaleve të shërbimit social (hotele, hane, restorante, pijetore etj.). Por rritja e numrit të zejtarëve të vegjël nuk tregonte aspak lulëzimin e tyre ekonomik. Sikurse shënonte një udhëtar i huaj, që kaloi në Shqipëri më 1910, shumica e zejtarëve ishte e zhytur në varfëri të thellë dhe qëndronte në dyqanet e veta vetëm sepse nuk gjente punë tjetër.
Megjithëse ekonomia feudale ishte shthurur, sundimtari osman vijonte ta ruante të paprekur sistemin politik e shtetëror feudal. Ndërsa zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit kërkonte shkëputjen e viseve shqiptare nga grabitja sistematike e huaj, sundimtari osman përpiqej ta forconte më tej shtypjen e vet shekullore në Shqipëri.

3. DEPËRTIMI I EKONOMISË SË TREGUT NË FSHAT

Rritja dhe copëzimi i pronës çifligare
Në fillim të viteve 40 timari feudal turk zyrtarisht nuk ekzistonte më në Perandorinë Osmane. Ai ishte suprimuar me ligj nga Porta e Lartë qysh në vitin 1834. Në të vërtetë, timari ishte zhdukur nga tokat më pjellore të viseve shqiptare, të cilat kishin hyrë në sistemin e çifligut, përpara se të hiqej zyrtarisht. Timari qëndronte ende vetëm në fshatrat me toka buke të pakëta, por edhe këtu zotëruesit e tyre, spahinjtë, në shumicën e rasteve ishin kthyer prej kohësh në feudalë-derebej. Si të tillë ata i ruanin pozitat sunduese vetëm në saje të përkrahjes që u detyrua t’u jepte sulltani me anën e sistemit të “harxheve”. Sipas këtij sistemi, feudalët spahinj gëzonin të drejtën në kohë lufte të rekrutonin kundrejt “harxheve” (shpërblimeve) mercenarë për në luftë dhe në kohë paqeje të vilnin, kundrejt një shume të caktuar, taksat shtetërore brenda timarit të tyre.
Megjithatë, pas vitit 1834 spahinjtë nuk u ngjanin atyre të shekujve të kaluar, pasi tani nuk e gëzonin tesarrufin (zotërimin) mbi tokat e fshatarit. Si rrjedhim ata e kishin humbur zotërimin feudal mbi tokën. Por edhe pse e humbën tesarrufin, spahinjtë derebej, duke u mbështetur në forcat e tyre të armatosura dhe në përkrahjen e Portës së Lartë, vijuan të ushtronin pushtet mbi fshatarët e zonës së tyre.
Për të njëjtat arsye Porta e Lartë nuk preku as bajraktarët e krahinave malore të veriut. Ata vijuan të gëzonin si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje po ato detyra dhe po ato të drejta që kishin pasur gjatë shekullit të kaluar. Megjithatë, në viset malore të Veriut, për shkak të mbeturinave ende të gjalla të normave fisnore, dhuna dhe arbitrariteti i bajraktarëve nuk morën përpjesëtime aq të mëdha, sa ato të derebejve në viset e tjera të vendit.
Me heqjen e sistemit të timarit dhe me njohjen zyrtarisht të pronësisë private mbi tokën, pronësia çifligare u njoh ligjërisht nga shteti osman. Bejlerët çifligarë fituan të drejtën jo vetëm ta administronin, por edhe ta zgjeronin lirisht pronën e tyre, e cila për më tepër hyri nën mbrojtjen e dretpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Madje Porta e Lartë, shumicën e çifligjeve që ua kishte konfiskuar dikur feudalëve të dënuar si kryengritës, në radhë të parë Ali pashë Tepelenës, Ibrahim pashë Vërlacit, Ibrahim bej Alltunit, Osman bej Kryekuqit, i shpalli pronësi private shtetërore, duke e kthyer kështu vetë Perandorinë Osmane në një pronare të madhe çifligare. Të drejtën e pronësisë e fituan edhe institucionet fetare islamike e të krishtera. Si rrjedhim, me likuidimin e pronësisë feudale-ushtarake, ajo feudale-çifligare u bë forma kryesore e pronësisë tokësore, mbi të cilën tani mbështetej shteti feudal turk.
Në vitet 40 çifligjet kapnin në viset e katër vilajeteve rreth 700 mijë hektarë ose rreth 55 për qind të tokave të punueshme. Por shpërndarja e tyre nuk ishte e njëjtë kudo. Në krahinat e vilajetit të Janinës çifligjet zinin rreth 70 për qind të tokave të punueshme, në viset e vilajetit të Shkodrës rreth 60 për qind, në të Manastirit rreth 52 për qind dhe në viset e Kosovës rreth 40 për qind.
Pronësia çifligare nuk ishte rritur njësoj as brenda secilit vilajet. Ajo ishte shtrirë kryesisht në viset fushore, aty ku ndodhej pjesa më e madhe e tokave të punueshme. Nga të dhënat për ejaletin e Janinës del, se më 1850 në rrethet e sotme të Fierit dhe të Lushnjës të gjitha fshatrat pa përjashtim (184 fshatra) ishin kthyer në çifligje. Në disa vise të tjera të ejaletit, si në rrethin e Pogonit, pronësia çifligare zinte 93 për qind të fshatrave, në atë të Paramithisë 91 për qind, në atë të Filatit 64 për qind, në kazanë e Delvinës 58 për qind, në atë të Gjirokastrës 35 për qind, në atë të Vlorës 29 për qind, në krahinën e Mallakastrës 20 për qind, në kazanë e Përmetit 12 për qind, kurse në kazanë e Tepelenës 9 për qind. Brenda ejaletit të Janinës kishte gjithashtu vise, siç ishte kazaja e Skraparit dhe ajo e Tomoricës me 43 fshatra, të cilat nuk e njihnin fare institucionin e çifligut.
Shumica dërrmuese e pronës çifligare, rreth 76 për qind e sipërfaqes së saj, ishte në pronësi private të bejlerëve feudalë, mjaft nga të cilët e kishin grumbulluar me grabitje gjatë dyqind vjetëve të kaluar. Gjatë viteve 40 ajo ndodhej e përqendruar ende në duart e pak familjeve feudale, që të gjitha me origjinë shqiptare. Disa prej tyre zotëronin sipërfaqe të mëdha jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në krahinat e tjera të Turqisë Evropiane: p.sh., familja e Skyfterajve të Libohovës zotëronte rreth 28 000 ha tokë në Toskëri, në Çamëri e në Thesali, kurse ajo e Begollajve të Pejës rreth 22 mijë ha në Kosovë, në Bosnjë e në Serbi. Pronarë të mëdhenj feudalë, të cilët zotëronin çifligje në viset shqiptare, ishin Kokatët e Delvinës (rreth 18 000 ha), Gjinollët e Prishtinës (rreth 16 000 ha), Toptanët e Tiranës (rreth 15 000 ha), Dërrallat e Tetovës (rreth 12 000 ha), Rrotullat e Prizrenit (rreth 10 000 ha), Bushatllinjtë e Shkodrës (rreth 8 500 ha), Okllapajt e Gjilanit (rreth 8 000 ha), Alizotët e Gjirokastrës (rreth 7 500 ha) etj.
Pas bejlerëve feudalë, vendin e dytë si pronar latifondist e zinte vetë shteti osman, i cili zotëronte rreth 20 për qind të pronës çifligare. Pjesa dërrmuese e çifligjeve shtetërore, rreth 105 000 ha (afërsisht 75 për qind e sipërfaqes së tyre), ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse pjesa tjetër ishte e shpërndarë në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës dhe të Kosovës.
Institucionet fetare myslimane, të cilat zinin vendin e tretë, zotëronin rreth 4 për qind të sipërfaqes së përgjithshme çifligare. Afërsisht gjysma e tyre ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse në vilajetet e tjera çifligjet vakëfore ishin shumë të copëzuara.
U rritën edhe zotërimet tokësore të kishave ortodokse e katolike. Në vitet 60-70 të shek. XIX 23 kisha e manastire zotëronin rreth 1 300 ha tokë të punueshme dhe pyje.
Me gjithë shtrirjen e madhe të pronësisë çifligare numri i bujqve të vendosur nëpër çifligje ishte i vogël në krahasim me mundësitë e shfrytëzimit të saj. Në të vërtetë, ndërsa çifligjet zinin rreth 55 për qind të tokave të punueshme, në këto toka punonin rreth 25 për qind të familjeve fshatare. Më shumë se 2/3 e tokave çifligare ishin lënë djerr. Kështu në fushën e Myzeqesë në 184 fshatra qenë vendosur vetëm 2 616 familje bujqish çifçinj.
Me përfshirjen e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, vlefta e saj si burim të ardhurash për pronarin erdhi vazhdimisht duke u rritur. Kjo pati pasoja të thella në fushën e pronësisë tokësore.
Te bejlerët çifligarë, të cilët nuk iu përshtatën kushteve të reja që u krijuan me zhvillimin e ekonomisë monetare, përfshirja e tokës në sferën e tregtisë solli copëzimin e saj në duart e trashëgimtarëve të ndryshëm dhe pastaj shitjen e saj pjesë-pjesë. Ky proces, i cili vijoi deri në fund të sundimit osman, dobësoi, si pronarë çifligarë, mjaft nga familjet e vjetra feudale të vendit, siç ishin Kokatët, Skyfterajt, Alizotët, Delvinajt, Toptanët, Bushatllinjtë etj.?
Përkundrazi, familjet feudale, të cilat u lidhën me ekonominë çifligare, i pushtoi lakmia për të shtënë në dorë toka bujqësore. Si rrjedhim, çifligjet e tyre u rritën me ritme të shpejta. Kjo rritje u bë me rrugë të ndryshme. Njëra prej tyre ishte rruga e vjetër e përvetësimit të tokave shtetërore “vakante”, siç quheshin tokat e mbetura prej kohësh të papunuara. Kjo ndodhi sidomos në fushat e Shqipërisë së Ulët, ku të ashtuquajturat toka vakante zinin sipërfaqe të mëdha. Me anën e ryshfeteve mjaft pronarë të rinj siguruan pa ndonjë vështirësi, nga administrata e korruptuar osmane, tapitë përkatëse, duke u kthyer kështu në pronarë të këtyre tokave.??
Rrugë tjetër e rritjes së pronës çifligare ishte shtënia në dorë e tokave të fshatarëve të vegjël nga ana e bejlerëve të pasur. Kjo mënyrë, e cila ishte zbatuar edhe më parë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX mori një përhapje më të madhe. Shumë fshatarë të vegjël i humbën tokat e tyre ngase i shitën për të shlyer borxhet e rënda ose u konfiskuan me anë gjyqi nga kreditorët. Ata që përfituan më shumë nga shitja e këtyre qenë jo vetëm bejlerët e mëdhenj (Toptanët, Vrionët, Vlorajt, Vërlacët, Biçakçinjtë), por edhe mjaft bejlerë të dorës së dytë, të cilët me këtë mënyrë u kthyen në pronarë të mëdhenj (Vokopolat, Bonotët, Hamzarajt, Resulajt etj.).
Prirja për të grabitur tokat pushtoi edhe feudalët derebej. Zakonisht, pasi vinin njërën këmbë në një fshat, bejlerët derebej e vijonin dhunën përpara syve të administratës shtetërore derisa e kthenin fshatin në çiflig, duke u kthyer kështu dhe ata vetë në pronarë çifligarë. Me anën e këtij sistemi pronësia çifligare u shtri jo vetëm në viset e ulëta, por edhe në krahinat e brendshme, si në rrethet e Korçës, të Kolonjës, të Dibrës, të Matit, të Kukësit etj., ku më parë kjo pronësi njihej pak ose nuk njihej fare.
Bejlerët çifligarë i rritën pronat e tyre duke blerë gjithashtu çifligjet që vinin në shitje feudalët e ndryshëm. Veç kësaj, bejlerët çifligarë përfituan edhe në kurriz të çifligjeve shtetërore, të cilat Porta e Lartë i vinte në shitje sa herë ndodhej në vështirësi financiare, sidomos çifligjet që ndodheshin të shpërndara andej-këtej si ishuj të rrethuar nga fshatra të lira. Të tilla ishin kryesisht çifligjet shtetërore të kazave të Delvinës, të Përmetit, të Mallakastrës, të Tepelenës, të Korçës, të Lezhës, të Shkodrës, të cilat në pjesën e tyre më të madhe fundi i sundimit turk i gjeti çifligje private. Çifligjet private u rritën edhe në kurriz të çifligjeve sulltanore me anën e dhuratave që sulltan Abdyl Hamiti II u jepte herë pas here bejlerëve shqiptarë ose në formë shpërblimi për shërbime në favor të pallatit, ose në formë prike kur martoheshin me gratë e haremit perandorak.
Si rrjedhim i këtij zhvillimi në krye të pronarëve të mëdhenj çifligarë qëndronin më 1912 familjet e Vrionëve me 16 300 ha, e Toptanëve me 13 500 ha, e Vlorajve me 13 000 ha, e Dërrallave me 8 500 ha, e Vërlacëve me 7 500 ha, e Kryezinjve me 7 500 ha, e Dinove me 6 500 ha, e Dragave me 6 000 ha, e Biçakçinjve me 5 400 ha dhe një numër i madh bejlerësh pak të njohur në mesin e shek. XIX, por që tani kishin grumbulluar me mijëra hektarë tokë, si Resulajt në Lushnjë (4 500 ha), Bonatët në Peqin (4 500 ha), Vokopolajt në Lushnjë (3 000 ha), Risiliajt në Vlorë (2 000 ha), Shaskat në Vlorë (2 000 ha) etj. Megjithatë, në radhët e tyre, krahas rritjes së pronës çifligare, veproi gjithashtu, nëpërmjet së drejtës së trashëgimisë, copëzimi i saj. Kështu, për shembull, më 1912 pronat e Vrionëve qenë ndarë, ndonëse në mënyrë jo të barabartë, në 9 pronarë, ato të Toptanëve në 8, të Biçakçinjve në 8, të Vlorajve në 4 e kështu me radhë.
Copëzimi i pronësisë çifligare me anën e shitjes dhe të trashëgimisë shkaktoi, veç të tjerave, diferencimin ekonomik të çifligarëve, pasi pranë pronarëve të mëdhenj u rrit numri i pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël. Por radhët e tyre u rritën më shumë me pronarë të ndryshëm që nuk kishin origjinë feudale, pasi tokat që shitën fshatarët e varfëruar, madje edhe një pjesë e tokave që shitën vetë feudalët çifligarë, ranë ku më shumë e ku më pak, në duart e tregtarëve të qyteteve e të fshatarëve të pasur, të cilët në këtë mënyrë u kthyen në çifligarë të vegjël e të mesëm. Madje, ndonjëri prej tyre u bë çifligar i madh, si Iljaz Qoku (Dibër), Milto Shallvari (Durrës), Jaho Çiniu (Gjirokastër), Muhamet Abazi (Gjirokastër), të cilët më 1912 zotëronin rreth 4 000 ha secili. Kjo kategori e re çifligarësh me origjinë jofeudale u shfaq pothuajse në të gjitha krahinat e vendit, në mënyrë të veçantë në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Tiranës e të Vlorës.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX u rritën edhe çifligjet vakëfore, kryesisht në kurriz të pronës çifligare shtetërore (12 fshatra të Myzeqesë u kthyen në vitet 80 nga pronësi shtetërore në pronë çifligare vakëfore).
Por krahas rritjes së pronës çifligare u zhvillua edhe procesi i kthimit të saj në pronë fshatare. Ky proces u krye me anën e blerjes së tokave çifligje nga ana e fshatarëve, të cilët u bënë pronarë të mesëm e të vegjël (siç ndodhi, për shembull, në një pjesë të tokave të Kokatëve, të Alizotëve, të Toptanëve, të Skyfterajve) ose nga bujqit çifçinj, të cilët me sakrifica të mëdha u kthyen në pronarë të vegjël (siç vepruan, për shembull, bujqit e çifligjeve Drenovë e Boboshticë në Korçë, Kapinovë e Vertenik në Berat, Levan e Visokë në Mallakastër, Labovë e Glinë në Gjirokastër, Qilarisht e Bodar në Përmet etj.).
Si rrjedhim, sipërfaqja e pronës çifligare filloi të ulej vazhdimisht. Më 1912 ajo ishte në të katër vilajetet bashkërisht rreth 620 mijë ha, pra rreth 100 mijë ha më pak se më 1840. Ulja u duk në të katër vilajetet: në vilajetin e Janinës nga 240 mijë ha në 228 mijë ha, në atë të Kosovës nga 216 mijë ha në 184 mijë ha, në atë të Manastirit nga 202 mijë ha në 160 mijë ha, kurse në vilajetin e Shkodrës nga 55 mijë ha në 48 mijë ha. Më 1912 prona çifligare përfaqësonte në gjithë Shqipërinë rreth 45 për qind të tokës së punueshme*.
Si pasojë e këtij procesi ndryshoi edhe raporti ndërmjet tri kategorive të pronës çifligare. Më 1912 prona private zinte 81 për qind, prona shtetërore 15 për qind dhe prona vakëfore 4 për qind të sipërfaqes tokësore çifligare. Veç kësaj, prona private çifligare tani nuk ishte më aq e përqendruar si në vitet 40 në duart e pak familjeve feudale. Pjesa më e madhe e saj tani ishte e pjesëtuar në duart e disa mijëra pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël me origjinë pjesërisht feudale, pjesërisht borgjeze.
Si përfundim, edhe pse prona çifligare zinte ende një sipërfaqe të madhe (rreth 45 për qind të tokës së punueshme), ajo nuk e ruante karakterin e pronësisë feudale. Fakti që toka kishte hyrë përfundimisht në sferën e qarkullimit të mallrave dhe se sipërfaqja çifligare rritej ose pakësohej kryesisht me anën e parasë, tregonte se prona çifligare tashmë kishte fituar tiparet e pronës borgjeze.

Marrëdhëniet agrare brenda çifligjeve
Deri në vitet 40 çifligjet e katër vilajeteve ruanin ende, në vijat e tyre të përgjithshme, tiparet themelore të çifligjeve feudale, pak a shumë ashtu siç ishin formuar gjatë shekujve të kaluar. Në gjirin e tyre ekonomia natyrore ishte shthurur me ritme më të ngadalshme se në fshatrat joçifligje të vendit. Pothuajse të gjitha karakterizoheshin nga prapambetja e theksuar e teknikës bujqësore. Secili bujk ishte i pajisur me një ngastër toke, në të cilën ai kishte ngritur ekonominë e vet. Kafshët e punës së bashku me veglat e tjera të prodhimit ishin pothuajse kudo pronë e fshatarit çifçi. Edhe pse juridikisht quhej si ortak me pronarin, çifçiu në të vërtetë ndodhej në vartësinë e plotë të feudalit të fuqishëm çifligar. Marrëdhëniet ndërmjet çifçinjve dhe çifligarit vijonin të ndërtoheshin sipas traditës mbi bazën e së tretës, të gjysmës dhe të qesimit, të praktikuara pothuajse në të gjitha pronat çifligare. Nga mesi i viteve 60 të shek. XIX filluan të përpiloheshin edhe kontrata qiraje me shkrim, dukuri që erdhi duke u shpeshuar. Këto marrëdhënie mbështeteshin tani, në ligjin agrar të vitit 1858, sipas të cilit fshatarët mbaheshin si qiramarrës të thjeshtë dhe juridikisht të lirë, ndërsa ndarja e prodhimit vijoi të bëhej siç kishte qenë para Tanzimatit. Nga këto sisteme, më i përhapuri vijoi të ishte ai i së tretës. Madje, krahas të tretës së prodhimit ose të qesimit në natyrë që i jepte pronarit, bujku ishte ngarkuar prej kohësh edhe me detyrimin e angarisë, të cilin kanunametë e vjetra nuk e kishin lejuar. Si rrjedhim, detyrimet e fshatarit çifçi ndaj çifligarit e ruanin karakterin e mëparshëm të detyrimit joekonomik.
Zhvillimi ekonomik e shoqëror që u duk në viset shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe viteve të para të shek. XX preku jo vetëm karakterin e pronësisë çifligare, por edhe regjimin e brendshëm të çifligjeve. Zhvillimi i tregut të brendshëm, rritja e popullsisë qytetare dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare me viset e huaja e përfshiu me ritme të shpejta në sferën e qarkullimit të mallrave edhe prodhimin bujqësor të çifligjeve. Meqenëse në tregun shqiptar çmimet e prodhimeve bujqësore pësonin ndryshime të theksuara nga një stinë në tjetrën, pronarët çifligarë vijonin ta kërkonin rentën në natyrë dhe jo në të holla, sepse, duke e grumbulluar drithin në verë për ta shitur në dimër, ata nxirrnin fitime më të mëdha. Kështu bejlerët pronarë filluan të ktheheshin edhe në tregtarë hambarxhinj. Lidhja e prodhimit të çifligut me tregun ndikoi në ekonominë e bujkut çifçi, sepse ky tani filloi të detyrohej nga çifligari që të kultivonte ato kultura bujqësore, të cilat kishin leverdi tregtare për atë. Në këto rrethana, pas mesit të shek. XIX ekonomia natyrore u shthur në gjirin e çifligjeve me ritme të shpejta.
Veç kësaj, disa çifligarë filluan të praktikonin jo sistemin e së tretës, por atë të qesimit (sasi e caktuar drithi që bujku detyrohej t’i jepte feudalit pavarësisht nga prodhimi i korrur). Sistemi i qesimit ishte në interes të çifligarit, sepse me anën e tij renta vjetore ishte e sigurt. Veç kësaj ai ia linte pronarit përherë shtegun të hapur për t’ia rritur bujkut më tej detyrimin. Në të vërtetë, aty ku ky sistem u zbatua, masa e detyrimit u rrit kohë pas kohe. Nga 2,5 deri në 3 kv drithë për ha që ishte më 1880, ai arriti në 4 deri 5 kv drithë për hektar më 1912, sasi kjo e madhe po të merret parasysh teknika e prapambetur e bujqësisë dhe rendimentet e ulëta të prodhimit. Veç kësaj, ky sistem e detyronte bujkun ta dorëzonte sasinë e caktuar të drithit edhe në vitet me korrje të këqija, gjë që sillte rrënimin e tij ekonomik. Për këto arsye shumica e bujqve nuk e pranoi sistemin e qesimit, prandaj ai nuk u shtri në të gjithë vendin, por u kufizua vetëm në disa çifligje të viseve të ulëta.
Depërtimi i vazhdueshëm i ekonomisë së tregut në fshat pati edhe pasoja të tjera për fshatarët-bujq. Një pjesë e vogël e tyre arriti me sakrifica ta blinte tokën dhe të kalonte në radhët e fshatarësisë pronare. Megjithatë, numri i fshatarëve bujq nuk u pakësua, sepse radhët e tyre shtoheshin vazhdimisht me fshatarë të vegjël, të cilët, duke mos i bërë ballë varfërimit ekonomik, shisnin tokat e tyre dhe hynin si bujq nëpër çifligje. Si rrjedhim, në vitin 1912 fshatarët bujq përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë fshatare.
Duke mos i bërë dot ballë rritjes së kërkesave të çifligarit dhe lëvizjes stinore të çmimeve, ekonomia e shumicës së tyre filloi të lëkundej. Bujqit filluan të merrnin gjithnjë e më shumë borxh. Meqë nuk ishin në gjendje t’i shlyenin ato, bujqit e varfëruar filluan të shisnin kafshët e tyre të punës. Për ta mbajtur në këmbë ekonominë e tyre, u detyruan të merrnin me qira nga pronari së bashku me tokën e bukës edhe pendën e qeve?. Numri i këtyre bujqve punëtorë (gjysmatarë ose qesimtarë) që ishin jo vetëm pa tokë, por edhe pa veglat kryesore të punës (qetë), erdhi vazhdimisht duke u rritur. Më 1912 çifligjet pa të tillë bujq ishin shumë të rralla. Në disa raste ata formonin brenda çifligut edhe pakicën (për shembull, në çifligun Rreth afër Durrësit kishte 15 bujq pa pendën e qeve dhe 28 bujq me kafshët e punës). Po kishte dhe çifligje ku ata formonin shumicën dërrmuese (në çifligun Kullë afër Shijakut kishte atë vit 44 bujq pa kafshët e punës dhe vetëm 6 bujq me pendën e qeve).
Në disa raste varfërimi i fshatarëve bujq shkoi edhe më tej. Disa prej tyre, të mbetur pa kafshë pune dhe të zhytur në borxhe, nuk qenë në gjendje ta mbanin në këmbë ekonominë e tyre individuale. Prandaj jo vetëm si individë, por edhe si familje u kthyen në argatë të thjeshtë, punëtorë të përhershëm bujqësorë.
Në kushtet e zhvillimit të ekonomisë monetare dhe të vendosjes së pronësisë private të tokës, detyrimi që i jepte pronarit çifligar jo vetëm bujku i varfëruar (gjysmatari), por edhe ai që zotëronte ende veglat kryesore të prodhimit (tretari) pushoi së qeni formë e rentës feudale. Në të dy rastet ai mori karakterin e qirasë së tokës, kurse fshatari bujk rentar, gjysmatar ose qesimtar atë të një qiramarrësi të thjeshtë. Për më tepër si të tillë ata i njohu edhe Ligji i tokës (Eraz-i Kanuni) i vitit 1858, me të cilin fiksoheshin marrëdhëniet e reja agrare në Perandorinë Osmane. Në të vërtetë, nëpër çifligjet e Shqipërisë filloi të përhapej gjithnjë e më shumë praktika e “marrëveshjeve” ndërmjet bujkut e çifligarit në lidhje me kushtet e punës dhe me format e detyrimit. Sipas vendeve këto “marrëveshje” përsëriteshin çdo 1, 2 ose 5 vjet, madje në vitet e fundit të sundimit osman, në disa raste, ato filluan të fiksoheshin me shkrim. Nevoja që kishte bujku për tokë dhe pozita e tij e ulët shoqërore, i jepte mundësi pronarit çifligar t’i diktonte atij kushte të rënda, të kërkonte, krahas të tretës a qesimit, edhe disa ditë pune angari ose dhurata të ndryshme në bagëti, shpendë, vezë etj. Megjithatë, në kushtet e krijuara pas mesit të shek. XIX, nënshtrimi i bujkut nuk rridhte nga vartësia e tij ligjore ndaj feudalit, por nga nevoja e jetës, nga po ajo nevojë që e shtynte punëtorin të pranonte mëditjen që i diktonte pronari i fabrikës. Pra, qiraja që bujku tani i jepte pronarit filloi të vishej me karakterin e detyrimit ekonomik.

Lindja e borgjezisë agrare
Tërheqja e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, lidhja e prodhimit bujqësor të çifligut me tregun, pjesëmarrja e çifligarëve në veprimet tregtare dhe aspirata e tyre për investime në fushën e industrisë i futi pronarët çifligarë në rrugën e borgjezimit.
Shprehja më e thjeshtë e borgjezimit të pronarëve feudalë ishte prirja që pushtoi çifligarët për të përqendruar në duart e tyre së bashku me tokën edhe veglat kryesore të punës. Përqendrimi i qeve, i farës e i banesës së bujkut në duart e çifligarit ishte një lloj investimi që pronari i tokës bënte në fushën e prodhimit, të cilin nuk e njihte rendi feudal. Si rrjedhim, përballë bujkut që zotëronte vetëm krahët e punës, qëndronte çifligari si zotërues i tokës, i mjetit kryesor të prodhimit dhe i veglave kryesore të punës, që e bënin atë të afërt me një pronar kapitalist.
Borgjezimi i pronarëve çifligarë u shpreh edhe në forma më të përparuara. Me qëllim që të rritnin të ardhurat nga të tretat ose nga qesimi, disa bejlerë çifligarë filluan të nxitnin përdorimin nga fshatarët çifçinj të një teknike më të përparuar në bujqësi. Interesimi për farë dhe për fidanë më të mirë filloi, me sa dihet, qysh në vitet 40. Në vitet 60 Kahreman bej Vrioni solli nga jashtë jo vetëm farë të zgjedhur, por edhe plugje të hekurta, kurse nipi i tij, Azis pashë Vrioni, u përpoq të përhapte gjerësisht në çifligjet e veta kulturën e orizit e të duhanit. Po këto nisma mbetën në mes të rrugës. Shfrytëzimi i bujqve ishte aq i egër, sa varfëria e thellë, në të cilën ata ishin zhytur, nuk u jepte asnjë mundësi për ta çuar ekonominë e tyre sadopak përpara. Për këtë arsye deri në fund të sundimit osman përdorimi i plugut të hekurt mbeti shumë i kufizuar dhe rendimentet në bujqësi tepër të ulëta.
Lakmia për të siguruar fitime sa më të mëdha nxiti edhe te bejlerët prirjet për të kaluar në qeverisjen e drejtpërdrejtë të pronave të tyre. Duke zgjedhur tokën më të mirë të çifligjeve, bejlerët shpërngulën në toka të tjera bujq çifçinj dhe i zëvendësuan me familje bujqish argatë, të cilët nuk kishin as ekonomi individuale, as kafshë pune, as shtëpi banimi. Ata punonin si mëditës të thjeshtë në tokën e pronarit çifligar me veglat e punës të pronarit dhe nën varësinë e tij ekonomike. Lindën kështu mbi truallin e pronësisë çifligare fermat bujqësore me elementet e marrëdhënieve kapitaliste.
Të tilla ferma bujqësore u dukën gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX pothuajse kudo ku kishte latifunde çifligare. Madje, në ndonjë rast pronarët e tyre bënë përpjekje të mëtejshme për t’i kthyer ato në ferma bujqësore moderne. Qysh në vitet 80 Syrja bej Vlora pruri në fermën e vet, që organizoi në Skroftinë (Vlorë), disa bujq arbëreshë nga Italia për të përhapur kulturën e patates dhe pak më vonë një grup teknikësh hungarezë për të administruar me sistemin borgjez të qeverisjes tokat e tre çifligjeve (Frakull, Çerven, Ferras, gjithsej 1 600 ha). Por në kushtet e regjimit anakronik osman, të prapambetjes së theksuar të vendit, të mungesës së plotë të rrugëve dhe të prirjes së bejlerëve pronarë për të siguruar fitime sa më të mëdha me investime sa më të pakëta, as fermat bujqësore nuk u zhvilluan më tej. Në të tilla rrethana bejlerët pronarë parapëlqyen t’i depozitonin kapitalet e tyre monetare nëpër bankat e huaja dhe të vijonin t’i administronin çifligjet, si edhe më parë, pa bërë investime me peshë. Kështu, për shembull, më 1912, në çifligun e Mifolit (Vlorë), pronë e Xhemil bej Vlorës, nga 21 familje bujqish vetëm 2 qenë familje argatësh; në çifligun Rreth (Durrës), pronë e Esat pashë Toptanit, nga 48 familje bujqësh vetëm 5 qenë familje argatësh etj. Madje disa bejlerë pronarë nuk merreshin fare me qeverisjen e drejtpërdrejtë të çifligjeve të tyre. Si rrjedhim, qeverisja e drejtpërdrejtë kapitaliste e çifligjeve nga bejlerët pronarë u frenua menjëherë, sapo filloi të duket në truallin e Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, pronarët çifligarë filluan të humbisnin dalëngadalë fizionominë e mëparshme që kishin si pronarë feudalë dhe të përvetësonin, ndonëse me vështirësi, tiparet e një borgjezie çifligare, të lidhur me metodat e vjetra të shfrytëzimit të fshatarëve bujq.
Në të njëjtën kohë, diferencimi ekonomik që veproi pas mesit të shek. XIX në gjirin e çifligjeve, krijoi mundësinë që punën e çifçinjve të kthyer në argatë ta shfrytëzonin edhe fshatarët bujq, të cilët për hir të rrethanave të veçanta kishin një ekonomi individuale më të konsoliduar. Këto familje të veçuara bujqish filluan të merrnin me qira nga çifligari toka të tepërta për t’i punuar pjesërisht me anëtarët e familjes dhe pjesërisht me bujqit argatë. Më 1912 kjo dukuri vërehet në shumë çifligje, për të cilat ka njoftime deri diku të hollësishme. Sipas të dhënave të këtij viti, disa bujq kishin deri 3 nganjëherë edhe më shumë argatë të përhershëm të pajtuar me rrogë vjetore, përveç argatëve stinorë, të cilët i pajtonin me pagë ditore gjatë periudhës së mbjelljeve e të korrjeve. Edhe pse nuk ishin pronarë të tokës që qeverisnin, ata pushuan së qeni fshatarë çifçinj, përderisa përdornin në ekonominë e tyre individuale punën e të tjerëve dhe siguronin nga puna e tyre të ardhura të mëdha. Si të tillë këta qiramarrës të thjeshtë përvetësuan dalëngadalë tiparet e fermerit bujk.
I njëjti proces ndodhi gjatë kësaj kohe edhe në radhët e fshatarësisë pronare. Tokat që shitën fshatarët e vegjël të rrënuar ekonomikisht nuk ranë të gjitha në duart e bejlerëve çifligarë. Pjesërisht ato u blenë nga elementë të veçuar që dolën prej radhëve të fshatarëve, të cilët u kthyen në pronarë të pasur. Kështu, nga procesi i diferencimit ekonomik që pushtoi vendin pas viteve 40 të shek. XIX, numri i fshatarëve të pasur pothuajse u pesëfishua. Në fillim tokat e tepërta ata ua jepnin me qira fshatarëve bujq ose fshatarëve – paraqendarë, duke u kthyer në çifligarë të vegjël. Por me kohë disa fshatarë të pasur filluan të praktikonin në tokat e tyre punën e argatëve të përhershëm a stinorë. Kështu, në periudhën e fundit të sundimit osman, krahas qiramarrësve lindën në fshatin shqiptar, si rrjedhim i zhvillimit të ekonomisë së tregut në bujqësi, edhe fshatarët e pasur.
Fshatarët e pasur dhe fermerët bujq së bashku me pronarët çifligarë të fermave ishin kategori të reja shoqërore, të cilat fshati shqiptar nuk i njihte më parë. Ato lindën në kushtet e shthurjes së mëtejshme të ekonomisë feudale dhe të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë monetare. Por, nga ana tjetër, ato lindën në kushtet e varfërisë dhe të prapambetjes së thellë, ku e kishte lënë vendin sundimi i gjatë osman. Për këtë arsye pronarët e fermave, fermerët bujq dhe fshatarët e pasur mbetën të vjeguar pas formave të prapambetura të qeverisjes bujqësore dhe nuk patën asnjë nxitje për të përvetësuar metodat e teknikën e përparuar të ekonomisë kapitaliste. Megjithatë ata përbënin borgjezinë agrare, sepse tipari i tyre themelor ishte përdorimi i punës së fshatarëve argatë, të cilët në këtë periudhë përfaqësonin mëditësit e fshatit.

Fshatarët pronarë
Me heqjen e regjimit të timareve (vitet 30) ndryshoi edhe gjendja e fshatarëve pronarë. Me këtë masë në kategorinë e fshatarëve pronarë u përfshinë ata fshatarë që kishin ruajtur tapitë deri në prag të reformave centralizuese dhe të Tanzimatit. Tani ata nuk ishin më, de jure, raja të spahiut, sepse ligjërisht nuk ndodheshin më nën vartësinë e tij feudale. Formalisht fshatarët e mesëm e të vegjël u kthyen në fshatarë të lirë dhe ligjërisht u njohën pronarë të tokës së tyre, të cilën tani mund ta shitnin, ta jetërsonin dhe ta hipotekonin lirisht.
Megjithatë, fshatarët me tokë nuk u bënë plotësisht të lirë, pasi vendin e marrëdhënieve të mëparshme me feudalin spahi tani e zunë marrëdhëniet me shtetin feudal osman, i cili i grabiste me anën e feudalëve derebej, të sipërmarrësve të taksave (myltezimëve) e funksionarëve të administratës. Ata u njohën juridikisht si zotërues privatë të tokës mirie, ndonëse patën ende disa pengesa fiskale për përdorimin e lirë të saj.
Pozitat e fshatarëve pronarë të mesëm e të vegjël u tronditën jo vetëm nga rritja e vazhdueshme e taksave shtetërore (taksë mbi tokën, mbi banesën, mbi prodhimin, mbi bagëtinë, mbi shpendët, për bletët, për mullirin, për rrugën, për shërbimin ushtarak, abuzimet e shumta etj., por edhe nga veprimi i ligjeve të ekonomisë së tregut në fshat (sidomos nga luhatja e theksuar stinore e çmimeve). Tronditjen e ndjenë sidomos fshatarët pronarë të vegjël, të cilët për shkak të të ardhurave të pakëta nga toka bujqësore ishin të detyruar të blinin çdo vit drithë me të hollat që nxirrnin nga veprimtaria e tyre suplementare. Por me vërshimin e mallrave të huaja dhe me konkurrencën e prodhimit të qyteteve, të ardhurat e tyre nga kjo veprimtari erdhën duke u pakësuar. Si rrjedhim, varfëria i detyronte fshatarët të merrnin borxhe nga fajdexhinjtë. Afatet e borxheve mbaronin zakonisht në kohën e korrjeve ose të vjeljeve. Për të shlyer borxhin fshatari detyrohej të shiste drithin në verë kur çmimet ishin të ulëta dhe ta blinte në pranverë kur ato ishin më të larta. Me forcimin e administratës perandorake osmane pas mesit të shek. XIX, pesha e taksave shtetërore në kurriz të masave fshatare erdhi duke u rritur. Barrë e rëndë u bë edhe shërbimi i gjatë ushtarak për popullsinë myslimane ose taksa e shërbimit ushtarak për popullsinë e krishterë. Për t’i bërë ballë varfërimit të vazhdueshëm, pronarët e vegjël filluan të shisnin kafshët e punës dhe pastaj bagëtitë e imëta, të cilat ose ranë në duart e fshatarëve të pasur dhe mbetën përsëri në vend ose u blenë nga reshperët e mëdhenj për t’u eksportuar. Me thellimin e tij të mëtejshëm, ky proces po e detyronte fshatarin e varfëruar të shiste më në fund edhe tokën. Megjithatë, numri i tyre nuk u pakësua. Madje u rrit për arsye të pjesëtimit të familjeve midis djemve të fshatarit, kurse për shkak të shitjeve sipërfaqja u pakësua. Kështu gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, në viset e katër vilajeteve shtresa e fshatarëve pronarë u rrit (nga afërsisht 220 mijë familje më 1840 në rreth 280 mijë familje më 1912), por si përqindje në krahasim me popullsinë fshatare u pakësua (nga rreth 84% më 1840 në rreth 79% më 1912). Kjo qëndresë e fshatarësisë së vogël vetëm në një masë të vogël qe rrjedhojë e hapjes së tokave të reja nga fondi i kujrisë ose nga prona e përbashkët e fshatit. Kryesisht ajo u arrit në saje të mërgimit të krahëve të tepërta të familjes së fshatarit.

Kurbeti
Mërgimi, që u zgjerua në këtë periudhë, pati diku karakter stinor, diku karakter shumëvjeçar; një pjesë mërgonte brenda vendit, kurse shumica jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë mërgimi i fshatarëve në masën dërrmuese u bë pa e shpërngulur familjen nga fshati dhe pa e prishur ekonominë e vogël bujqësore.
Fshatarët shqiptarë e shfrytëzonin edhe më parë mërgimin stinor. Por përmasat e tij ishin mjaft të kufizuara në krahasim me valën e madhe të mërgimit stinor që pushtoi vendin gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe pjesës së parë të shek. XX. Numri i të mërguarve është vështirë të përcaktohet qoftë edhe afërsisht, pasi fshatarët e varfër largoheshin për disa muaj nga vendi i tyre pa lënë gjurmë në dokumentet e kohës. Pasi përfundonin mbjelljet dhe vjeljet e vjeshtës, zakonisht në fillim të nëntorit mijëra krahë pune linin familjet e shkonin jo vetëm nëpër qytetet e katër vilajeteve shqiptare, por deri thellë në Greqi, në Serbi e në Bullgari, pa përjashtuar Stambollin e fshatrat rreth e rrotull kryeqytetit turk. Ky mërgim stinor vazhdonte deri në fillim të pranverës, kur fshatarët e mërguar ktheheshin me kursimet e domosdoshme për të mbuluar bilancin pasiv të ekonomisë së tyre bujqësore.
Edhe mërgimi shumëvjeçar nuk ishte i panjohur për fshatarësinë shqiptare. Madje me të tillë fshatarë, të cilët mërgimin shumëvjeçar e kthenin brenda në Shqipëri në mërgim të përhershëm, ishin rritur edhe vetë qytetet e vendit. Por deri në fund të shek. XVIII mërgimi ekonomik jashtë trojeve shqiptare bëhej kryesisht në drejtim të Stambollit. Vetëm nga fundi i shek. XVIII e sidomos nga fillimi i shek. XIX u dukën mërgimet shumëvjeçare në vende të tjera të huaja, siç ishin Rumania, pastaj Egjipti dhe pak më vonë Greqia ose Serbia. Megjithatë, kurbeti ekonomik shumëvjeçar mori një karakter masiv të paparë vetëm pas mesit të shek. XIX. Ai përfshiu edhe shtresat e ulëta qytetare, megjithatë pjesën dërrmuese të kurbetlinjve e përbënin gjithnjë fshatarët e vegjël.
Mërgimi shumëvjeçar preku sidomos fshatarët e varfër të Shqipërisë së Jugut, sepse në këto vise ekonomia monetare kishte depërtuar më thellë se gjetkë. Për disa dhjetëvjeçarë qyteti që tërhoqi më shumë kurbetlinj qe përsëri Stambolli. Në vitet 80 Stambolli kishte rreth 60 mijë shqiptarë të ardhur nga të katër vilajetet. Ai u bë qyteti me popullsi më të madhe shqiptare edhe kundrejt qyteteve të Shqipërisë. Duke tërhequr njëri-tjetrin shqiptarët vijuan të mërgonin gjithashtu në Egjipt e në Rumani, ku u vendosën jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e luginës së Nilit e të Danubit. Sipas njoftimeve që jep P. Kabue (P. Caboué), në fund të sundimit osman kishte në Egjipt rreth 30 mijë e në Rumani rreth 10 mijë shqiptarë, të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me bujqësi. Nga radhët e tyre ishte formuar edhe një shtresë tregtarësh të pasur. Nga vitet 70 kurbetlinjtë shqiptarë filluan të çanin rrugën nëpër vende të tjera të panjohura për ta më parë. Njëri prej tyre ishte Rusia, ku mërguan me qindra veta, kryesisht fshatarë të krahinave juglindore. Më vonë, në vitet 90, në Rusi shkuan me qindra punëtorë për ndërtimin e hekurudhës transiberiane, të cilët pastaj u vendosën me punë të ndryshme në Odesë, në Vladivostok, në Irkutsk e gjetkë. Me fitoren e autonomisë së Bullgarisë (1878), shumë kurbetlinj fshatarë u vendosën nëpër qytetet e saj, sidomos në Sofje, në Filipopol e në Vranë duke formuar këtu brenda një kohe të shkurtër një koloni prej 2 mijë shqiptarësh. Në përpjesëtime të vogla kurbetlinjtë rrahën edhe vise të tjera të huaja, si Austrinë, Italinë etj. Në periudhën e fundit të sundimit osman vendi që tërhoqi pjesën më të madhe të kurbetlinjve shqiptarë qe kontinenti amerikan dhe kryesisht Shtetet e Bashkuara. Të mërguarit e parë shqiptarë zbritën në SHBA në fillim të viteve 80, kurse vala e madhe e këtij mërgimi filloi në fund të shek. XIX. Më 1912 në ShBA numëroheshin rreth 40 mijë kurbetlinj shqiptarë, pothuajse të gjithë me origjinë nga Shqipëria e Jugut. Në fillim kurbetlinjtë fshatarë u grumbulluan njëri pas tjetrit në Boston Mass, në Nju-Jork dhe në Sen-Lui (Saint-Louis), ku formuan edhe lagje me shqiptarë, por pastaj u vendosën edhe në vise të tjera të ShBA-së, deri në brigjet e Paqësorit. Një pjesë e vogël e kurbetlinjve u vendosën në shtete të tjera të kontinentit amerikan (Kanada, Argjentinë etj.).
Fshatarët që shkuan në kurbet lanë pas tyre familje të varfëruara. Për të blerë navllon (biletën e udhëtimit detar) ata u detyruan të shisnin kafshët e punës dhe të hynin në borxh. Po edhe atje ku vajtën i prisnin kushte të vështira jetese. Duke mos e njohur gjuhën e huaj dhe duke mos pasur ndonjë profesion, ata u detyruan të kryenin punët më të rënda. Zakonisht shkonin në kurbet që të ktheheshin pas dy ose tre vjetësh dhe, pasi të qëndronin disa muaj pranë familjeve të tyre, të niseshin përsëri. Por shpesh herë ata qëndronin në mërgim për periudha shumë të gjata, disa harroheshin fare në dhe të huaj. Kështu kurbeti u bë një plagë shoqërore për masat fshatare dhe qytetare.
Mërgimi stinor a shumëvjeçar ndikoi në ekonominë e vendit në dy drejtime: nga njëra anë, duke i dhënë mundësi fshatarit të vogël të përballonte deri diku nevojat familjare, e ngadalësoi procesin e rrënimit të tyre të plotë ekonomik; nga ana tjetër, dërgesat periodike të kurbetlinjve, të cilët erdhën duke u shtuar derisa arritën në vitet e fundit të sundimit osman afërsisht 14-16 milionë franga ari në vit, e frenuan deri në një farë shkalle asfiksinë e plotë që po i shkaktonte ekonomisë së vendit grabitja fiskale e Stambollit dhe vërshimi i mallrave të huaja.

Malësorët e Veriut
Trevat shqiptare nuk u zhvilluan të gjitha njëlloj nga pikëpamja ekonomike e shoqërore. Në përshtatje me kushtet historike e natyrore, disa nga krahinat e thella malore u zhvilluan me ritme më të ngadalshme se viset që kishin një truall bujqësor relativisht më të pasur. Prapambetja më e theksuar dukej sidomos në malësitë e Mbishkodrës, të Dukagjinit, të Mirditës, të Pukës dhe të Gjakovës, në të pesë “Malet e Mëdha”, siç quheshin ato në shek. XIX.
Marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore në këto zona rregulloheshin sipas së drejtës zakonore të trashëguar nga shekujt e kaluar. Megjithatë, asnjëra nga këto malësi nuk ndodhej në stadin e rendit fisnor, qoftë dhe në shpërbërje e sipër. Jo vetëm në çdo “mal” (krahinë), por edhe në çdo fshat, madje në shumicën e rasteve edhe në çdo lagje, banonin familje që nuk kishin lidhje gjaku ndërmjet tyre. Baza e organizimit fisnor – pronësia e përbashkët mbi fondin e tokave bujqësore – ishte zhdukur. Prona private mbi tokat e bukës ishte vendosur prej disa shekujsh. Kjo pronë ishte sanksionuar në mënyrë të theksuar edhe në të drejtën zakonore, me të gjitha tiparet e saj kryesore, siç janë shitja, blerja, jetërsimi. Në kanunin e Lekë Dukagjinit, që është mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi në fund të shek. XIX, prona private ishte shpallur e shenjtë, e paprekshme. Edhe në rast se një familje shpërngulej nga fshati, thuhet në kanun, “po s’e shiti trollin e tokën, ashtu do t’i rrijë e nuk ka tager (të drejtë – shën. i aut.) kush me ngulë mbi to”. Paprekshmëria e tokës garantohej me norma të veçanta nga kanuni. Kufijtë e pronave nuk mund të prekeshin, as mund të lëvizeshin: “me luejt kufinin, – thuhet në kanun, – asht nji si me luejtë me eshtent’e të dekunve”. Gjurmët e pronësisë së përbashkët të fisit mbi tokën e bukës dhe dukuria e ndarjes së herëpashershme të tokave ndërmjet anëtarëve të fisit qenë zhdukur krejtësisht.
Toka blihej e shitej, ajo trashëgohej pa ndonjë pengesë. Jo vetëm toka, por edhe radha e ujitjes dhe e mullirit mund të shitej. Toka u shitej edhe kushërinjve më të afërt, gjë që shpreh edhe më shumë konsolidimin e pronës private mbi tokën.
Institucioni i pronës private mbi tokën dhe mbi veglat e punës kishte sjellë në gjirin e malësorëve të krahinave të veriut të gjitha pasojat e diferencimit të popullsisë. Shumë malësorë kishin humbur pronat e tyre dhe ishin kthyer në bujq ose argatë, të cilët shfrytëzoheshin nga pronarët e pasur të tokave. Këta të fundit tokat i jepnin me qira ose merrnin pranë ekonomive të tyre punëtorë mëditës, rrogëtarë me pagë vjetore ose argatë me pagë ditore nga radhët e malësorëve të varfëruar, që i kishin humbur a i kishin shitur pronat e tyre. Figurën e pronarit të pasur të tokave dhe atë të fshatarit bujk pa tokë e gjejmë të pasqyruar edhe në kanunin e maleve. “Bulg, – thuhet në kanun, – thirret njaj, i cili hinë me punue tokën e njaj zotnije”. Një varg normash rregullonin marrëdhëniet ekonomike ndërmjet pronarit e bujkut; detyrimi i bujkut (qiraja) caktohej edhe këtu sipas marrëveshjes së “lirë”: “Gjithçka të mbjellë bulgu në tokë të zotnis do ta ndajë me zotnin mbas vendimit qi të kenë ba”. Edhe këtu shkalla e shfrytëzimit ishte shumë e lartë, deri në gjysmën e prodhimit. Në kanun thuhet: “Në se e pastë bulgu gjan’ e zotnis përgjymës, kashti i rrin bulgut e me pleh do të plenohen tokët. Mundin e puntoris e njeh bulgu”.
Në këto vise malore ka pasur edhe bujq, të cilët detyroheshin të merrnin me qira së bashku me tokën edhe kafshët e punës. Në kanun bëhet fjalë edhe për kushtet e marrjes së kafshëve të punës me qira, për të cilat bujku i paguante pronarit 1,50 kv kur e dimëronte vetë kaun dhe 2,25 kv kur e dimëronte pronari. Këtë qira ai do t’ia paguante pavarësisht nëse e shfrytëzonte ose jo në punë kaun e parmendës. Duhet shtuar këtu se, me gjithë kushtet e rënda në të cilat ishte vënë, bujku i këtyre krahinave të prapambetura nuk e njihte angarinë. Ai ishte i ngarkuar me korrjen, shirjen, zhveshjen e misrit, por vetëm në tokën e tij. Në rast se pronari e mblidhte vetë misrin, bujku, thuhet qartë në kanun, nuk kishte detyrë për zhveshjen e misrit, por vetëm t’ia mbartte pranë kullës pronarit.
Një tjetër figurë shoqërore, që tregonte diferencimin e malësorëve të varfër, qe dalja edhe atje në shesh e rrogtarit (e fshatarit argat). Në kanun bëhet fjalë për normat që rregullonin marrëdhëniet ndërmjet rrogtarit e punëdhënësit. Atje thuhet shprehimisht se rrogtari “po s’eci mbas andes së zotnis, ky mund t’a dajë…”.
Me toka shumë të pakëta, burimi kryesor i jetesës së malësorëve të varfër ishte blegtoria. Në të vërtetë, para mesit të shek. XIX këto vise qenë shumë të pasura me blegtori. Familjet malësore kishin tufa bagëtish, të cilat numëronin me qindra ose me disa dhjetëra krerë të imëta e të trasha. Kjo gjendje e dikurshme pasqyrohej edhe në kanunin e Lekës, sidomos aty ku bëhet fjalë për gjobat e ndryshme. Gjobat me 10 kokë bagëti qenë të zakonshme; por kishte gjoba edhe më të mëdha, si për shembull, për një vrasje 100 deshë e një ka. Në një vend tjetër të kanunit thuhet: “Ma e ulta giobë mbrrin në nji dash e ma e nalta nuk mund të kalojë mbi njiqind desh”.
Përveç blegtorisë, burim tjetër të ardhurash për malësorët ishin shpërblimet në të holla që merrnin për shërbimet e tyre si mercenarë. Mercenarizmi ishte për këto krahina një dukuri e diktuar nga kushtet e sundimit osman, nga varfëria e thellë ekonomike dhe nga pamundësia për të siguruar të ardhura me anë të punës. Blegtoria, bujqësia dhe mercenarizmi kishin krijuar deri në mesin e shek. XIX njëfarë ekuilibri në bilancin e ekonomisë familjare të këtyre malësorëve.
Por gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX ky ekuilibër u prish. Me përgjithësimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të ardhurat nga mercenarizmi u prenë. Me centralizimin e pushtetit perandorak, Porta e Lartë filloi të kërkonte taksa edhe nga malësorët e varfër. Veç kësaj, duke mos qenë shumë larg Shkodrës, Gjakovës e Pejës, edhe këto krahina të veçuara filluan të ndienin ndikimin e marrëdhënieve të tregut. Qoftë për të siguruar bukën e vitit, qoftë për të paguar taksat shtetërore, fshatarët malësorë, filluan të merreshin me veprimtari suplementare ekonomike, grumbullonin katran, gështenja, lëndë, dru, të cilat i shisnin në Shkodër. Por edhe kjo nuk i shpëtoi nga varfërimi. Me anën e kryengritjeve të shpeshta ata i shpëtuan për njëfarë kohe pagesës së taksave shtetërore. Me keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, malësorët filluan të shitnin edhe bagëtitë, e vetmja pasuri me peshë që kishin. Brenda disa dhjetëvjeçarëve pasuria blegtorale e këtyre viseve ose u pakësua nga shitja në tregjet e qyteteve, ose u përqendrua në duar të disa familjeve të pasura malësore. Si kudo edhe këtu fenomeni i borxheve u përhap me ritme shumë të shpejta. Gjendja e tyre në mjerim të vazhdueshëm i shtynte fajdexhinjtë të kërkonin kamatë të madhe, duke shkelur e duke lënë mënjanë dispozitat e kanunit të Lekë Dukagjinit, të cilat e ndalonin fajdenë.
Mërgimi stinor nuk la pa prekur as fshatarët e varfër të këtyre malësive, të cilët filluan të largoheshin gjatë disa stinëve nga fshati për të kërkuar punë në vende të ndryshme, sidomos në Shkodër. Ky mërgim që u përhap me shpejtësi krijoi edhe këtu një kategori malësorësh, të cilët për të jetuar u detyruan të shitnin fuqinë e tyre të punës si mall.
Diferencimi shoqëror solli edhe këtu konflikte ndërmjet vegjëlisë e bajraktarëve të viseve malore. Këto konflikte janë pasqyruar në kanun, megjithëse jo aq qartë për shkak të mbledhjes dhe të kodifikimit jo të plotë. “Po u çue një katund, – thuhet në kanun, – për me u ngrefë luftë Krenvet, Strapleqvet e Vogjlis së Flamurit, nën të cilin gjindet, atbotë do të bahet me dije Dera e Gjomarkut në za të së cilës do të çohen edhe Flamujt tjerë e nën prirje të kësaj Dere do të msyhet katundi i dalun dore, edhe i biejn në mend me ndëshkime giobësh, me të nxjerrun prej vendit, a edhe me të grime katundisht, në pastë ba kush ndo’i faj për të grim”.
Megjithatë në malësitë e Veriut kishte akoma mbeturina të largëta të marrëdhënieve patriarkale e fisnore. Të tilla ishin kujtimi i fisit dhe kujria e fisit, karakteri patriarkal i familjes dhe rendi i trashëgimisë së pronës, rendi i shitjes së tokave dhe norma e martesave, zakoni i gjakmarrjes dhe kuvendi i fisit.
Në viset malore të Shqipërisë së Veriut ruheshin ende gjurmët e barazisë së vjetër fisnore, megjithëse kishin filluar të përforcoheshin privilegjet e bajraktarëve, e sidomos të familjes së Gjonmarkajve në Mirditë. Gjurmët e barazisë së dikurshme ruheshin vetëm në të drejtën e shprehur. Kështu, për shembull, në kanun thuhej se “gjithsa djelm të lejn, njihen të mirë e nuk veçohen njeni prej tjetrit”; “Kanunet qi ven një katund me Pleq e Vogjli për vedi… as Flamuri e as Dera e Gjonmarkut nuk mund t’ua luej”.

Struktura shoqërore e fshatit në fund të sundimit osman
Në kushtet e krijuara pas viteve 40, erdhën duke u ndryshuar si fizionomia e shtresave të shoqërisë agrare, ashtu edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Në radhë të parë këto ndryshime prekën feudalët si kategori shoqërore. Me heqjen e sistemit të timareve, feudalët spahinj nuk përbënin më, si në të kaluarën, mbështetjen kryesore të sundimit osman. Tani që humbën tesarrufin, nga i cili buronte pushteti i tyre feudal, mjaft spahinj u shndërruan në feudalë derebej ose u bënë funksionarë të administratës. Këta feudalë derebej, duke u mbështetur krejtësisht në dhunën e hapur dhe duke përfituar nga dobësia e pushtetit qendror, vijuan njëri pas tjetrit të kthejnë mjaft fshatra të lira në fshatra çifligje, duke u bërë pronarë çifligarë. Megjithatë figura e derebeut nuk u zhduk nga fshati shqiptar. Deri në fund të sundimit osman shtresa e feudalëve derebej, edhe pse erdhi duke u zvogëluar, vazhdoi të shtypte dhe të shfrytëzonte fshatarët e lirë.
Me heqjen e sistemit të timareve, vendin kryesor në grupimin sundues të shoqërisë agrare e zunë bejlerët çifligarë, pesha e të cilëve në jetën ekonomike e shoqërore të vendit erdhi duke u rritur.
Pronarët e mëdhenj me origjnë feudale, të lidhur pas metodave të vjetra të përdorimit të punës së bujqve, nuk kishin interes për ta ndryshuar strukturën shoqërore e shtetërore të Perandorisë, për më tepër ata ishin kundër reformave të reja osmane. Si të tillë ata formonin një koalicion të përbashkët me shtresat e tjera konservatore të vendit, të cilat bënin gjithashtu pjesë në radhët e parisë sunduese, siç ishin shtresat e larta të hierarkisë klerikale dhe funksionarët e lartë të administratës perandorake osmane.
Të tjerët, çifligarët e prirur për metodat e organizimit kapitalist të çifligjeve, kërkonin zbatimin e reformave shtetërore në dobi të ekonomisë së tyre çifligare. Veçanërisht të interesuar për të ashtuquajturin evropianizim të Turqisë ishin pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët synonin t’i investonin kapitalet e tyre jo vetëm në fushën bujqësore, por edhe në sferën industriale, duke u bërë kështu jo vetëm pronarë çifligjesh, por edhe pronarë fabrikash?. Me një bazë të tillë ekonomike këta bejlerë çifligarë kishin një fizionomi shoqërore të dyfishtë: si pronarë tokash ata kishin pika takimi me bejlerët feudalë, si veprimtari ekonomike anonin kryesisht nga borgjezia reshpere, në ndonjë rast edhe nga borgjezia industriale.
Shprehje e depërtimit të ekonomisë së tregut në bujqësi ishte lindja e një force të re në shoqërinë fshatare, e borgjezisë agrare (fshatarët e pasur dhe fermerët bujq). Por në rrethanat e përqëndrimit të fondit kryesor të tokës në duart e bejlerëve çifligarë, borgjezia agrare, e lindur nga radhët e fshatarëve pronarë, dhe e bujqve çifçinj nuk pati kushte të favorshme zhvillimi. Për këtë arsye, ashtu si borgjezia industriale, edhe ajo mbeti deri në fund të sundimit turk në hapat e saj fillestarë si klasë, shumë e pakët në numër dhe tepër e dobët nga pesha ekonomike.
Në radhët e popullsisë së fshatit pjesën më të varfër e përfaqësonin bujqit çifçinj dhe fshatarët argatë. Në mënyrë të veçantë fshatarët argatë tani kishin marrë krejtësisht tiparet e punëtorëve të fshatit, pasi ata nuk kishin tanimë ekonomi individuale. Megjithatë, si fshatarët argatë, ashtu edhe bujqit çifçinj, në kushtet e atëhershme, nuk e shikonin shpëtimin e vet te zbatimi i ndonjë reforme agrare si ato që u bënë në vendet e tjera të Evropës, por te pajisja e tyre me tokë me anë të blerjes dhe me rrugë individuale.
Deri në fund të sundimit osman pjesën dërrmuese të popullsisë agrare e formuan fshatarët pronarë, kurse në radhët e tyre fshatarët e vegjël. Edhe pse pronarë të tokës që punonin, fshatarët e vegjël ishin aq të varfër, sa nuk mund të siguronin jetesën pa punuar jashtë ekonomisë së tyre brenda ose jashtë vendit.
Sikurse qyteti, ashtu edhe fshati shqiptar karakterizohej në fund të sundimit osman nga një kompleks i tërë kontradiktash. Ndërsa fondi kryesor i tokave të punueshme (rreth 45 %) ishte në duart e pronarëve çifligarë, prodhuesit fshatarë që punonin në këto toka (bujqit dhe argatët) përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë agrare. Së bashku me malësorët fshatarët e vegjël e të mesëm përbënin rreth 65% të popullsisë agrare, kurse pesha e prodhimit të tyre bujqësor ishte, për shkak të tokave të pakëta që zotëronin, (rreth 25%) shumë e ulët kundrejt prodhimit global bujqësor. Edhe pse jeta ekonomike e fshatit ecte drejt ekonomisë së tregut, mungonin kushtet e domosdoshme për zhvillimin e borgjezisë agrare. Shumica dërrmuese e popullsisë agrare nuk kishte fare marrëdhënie ekonomike me ekonominë e tregut. Nga ana tjetër, baza ekonomike e feudalizmit ishte shthurur përfundimisht, ndërsa në Perandorinë Osmane vijonte të ruhej struktura shtetërore feudale. Po ashtu edhe bejlerët çifligarë, ndërsa mbanin nën shtypje ekonomike fshatarët bujq e fshatarët argatë, linin pa shfrytëzuar një pjesë të mirë të tokës së punueshme, u hiqnin fshatarëve të vegjël mundësinë të pajiseshin me toka për të cilat kishin nevojë dhe pengonin zhvillimin e lirë të borgjezisë agrare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s